Rreze nga drita e kolosit Martin Camaj

KOSTA NAKE

“DJELLA” DHE NJË PËRKITJE DUKURISH NDËR BREZA

(Vepra I, Onufri 2010)

Në fillim të viteve ’70 dëgjova për herë të parë për shkrimtarin Martin Camaj, në fillim të viteve ’90, kur dyert u hapën për të mohuarit, ai mbylli sytë pa arritur të ngjitej fizikisht në skenën shqiptare. U deshën të kalonin edhe 30 vite që të merrja për herë të parë në dorë një nga veprat e tij, romanin “Djella”. Parandjenja e parë ishte një përballje jo e lehtë me gegërishten, por isha gabuar, prisja të hyja në disa mjedise epike të gurta e të heshtura, por gjeta një mjedis lirik me karaktere që më befasuan me mprehtësinë e tyre, kisha planifikuar një lexim që mund të shkonte një javë, por e lexova brenda një gjysmë dite. Romani më krijoi imazhin e një dashurie të parë që e dhe pas 65 vitesh flet me gjuhën e së sotmes, një pleksje e rrëfimit me meditimin, e prozës me poezinë. Mësuesi Bardh Qerreti dhe fshati Ndërsanë, sjellin një prerje disamujore të jetës shqiptare e cila mëton të mbajë gjallë burrninë kur ka aq shumë sëmundje dhe varfëri sa që mësuesi vetëm mund të bëjë udhëtarin dhe jo misionarin, kur e vetmja gjë pozitive është këmbëngulja e fshatarit për të ruajtur tokën nga tjetërsimi. Gjithsesi Camaj bën një vlerësim mbresëlënës: “Një kandil bishtuk ndezë në fushën e errët, natën, bân mâ dritë se një hyll i largët. Kandili me dritë të vogël qenka mësuesi.” (f.31). Poetikisht kjo është sjellë kështu: “Mësues n’katund â punë e dlirë e naltë me gdhendun njerëz për dit të mdha.” (f.47) Kurse në mendësinë popullore ka një deformim që ka filluar të ngrejë krye edhe sot në një prizëm të ri. Ja ç’i thotë Curri mësuesit: “Ju të shkolluemit kujtoni se na të pashkollët aq sa dimë flasim.” Dhe më tej reflektimi i Bardhit: “Simbas tij ai, jo unë, në trutë të veta ruente edhe dijen e të parëve. Kurse na tue lexue sende tjera, i kishim harr.” (f.77)

Bardhi vendos tre lidhje të ndryshme: me Shpresën, Djellën dhe Sosen, një trinom me natyra të ndryshme: Me Shpresën – një fejesë pa dashuri që përfundon me divorc; me Djellën një dashuri pa propozim, maturia intelektuale e lë në baltë dhe Djellën që ndriçon Ndërsanën, e merr malësori Curri që është më i shpejtë e këmbëngulës; me Sosen është një marrëdhënie seksuale pa ndjenjë, prandaj dhe jetëshkurtër.

Mjedisi legjendar mund të bëjë të mendosh se këtu kanë ndaluar akrepat e kohës, por bisedat e shkurtra të mësuesit me Djellën dhe Currin dhe takimi i tij me plakun e urtë te Kodra e Hardhisë zbulojnë karaktere të fortë e të mençur që hedhin dritë mbi identitetin e malësorit dhe qëndresën përballë joshjes për braktisjen e trojeve. “Një pjesë të tokave e kam mbas kësaj maje. Shkoj e vij dy herë në ditë këndej pari…Kështu e ndiej veten, i lidhun për pronat e mia. Nëse dikush vjen e ma merr këtë tokë një ditë. Do t’i grryej të dy sytë me këta thoj.” (f.93-94) I skalitur bukur në galerinë e portreteve është ai i bariut. (f.122)

Lëvizja nga fshati në qytet dhe nga mali në fushë është një lëvizje demografike që u përsërit në këto vite të tranzicionit politik dhe ekonomik. Kalimthi ceket edhe lëvizja përtej kufijve kombëtarë: “Në anën tjetër të malit njeriu e ndjen veten të huej dhe e shijon vetminë si askush në këtë botë; vetmia bâhet shoqe e jetës dhe kështu atje mbas malit jetohet mâ mirë. I hueji mundet me folë gjithditën me vetvete e askush s’e pyet se çka e pse ai flet në një gjuhë të huej, dmth në gjuhën e vet amtare.” (f.71)

Hendeku i brezave zbulohet qartë e trishtueshëm te biseda atë e bir. Babai kërkon t’i qëndrojë strikt traditës: “Unë kam vjetët, ti ke shkollën, ti për mue je im bir, unë për ty malok.” (f.51) Biri që jetën e ndan mes fshatit dhe qytetit: “Çdo send që lëviz këtu mbrendë duhet të marrë frymë si ju, në të njëjtin ritëm, por i vetmi pinjuell që ju lindi e u rrnoi, dalë ngadalë tue u rritë, prej djalit u shndërrue në dashamirë, prej dashamirit në një të njoftun të largët dhe, për mos me u bâ anmik, tash del e tret dikah.” (f.52)

Ndryshe nga sa mund të pritej, Djella është një hap më parë nga vajzat malësore përderisa shkon lirshëm për të mbushur ujë dhe mund t’u përgjigjet meshkujve të panjohur. Madje ajo bën një deklaratë të fortë: “Edhe unë kam një korp, s’jam vorbë me zie groshën në të.” (f.107)

Interesant është vlerësimi i padyshimtë i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe analiza e gjakmarrjes në vështrimin e Currit: zanka fill për ngatrresa grash, fjala që u lëshueke goje pa mendue, mirëqenia ekonomike i tërbueke njerëzit. (f.75) Brenda kësaj kornize përfshihet edhe mendësia shqiptare për armët që sillet nëpërmjet plakut Shin: “Mo’ Zo’ se çka na ka gjetë! Kur i bishim malit me to në krah e ngjeshë për bel, edhe toka u dridhte nën kambët tona, veshë në xhamadana ari e tirq të lehtë, bardhë si endja e kumbullës. Sall nuk fluturoshim se gjâ pa bâ nuk lëshim, more burrë!” (f.114) Vitet e tranzicionit kanë “rivendosur” këtë dinjitet të humbur për gjysmë shekulli.

Romani merr një nuancë policore kur sjell interpretime të ndryshme për vdekjen e Currit duke u përdorur si mjet për të përmbyllur subjektin, kurse rolin e epilogut e merr një bisedë mes Bardh Qerretit dhe kolegut në hije, Blerim Bushli.

NJË UDHËTIM PANORAMIK NË LEGJENDAT E VEPRËS POETIKE

(Vepra 2, Onufri 2010)

Është rast fatlum që të hysh në botën e legjendave të Camajt kur jashtë bardhon bora dhe kuqëlojnë flamujt që risjellin ndjesinë e kurorëzimit të pavarësisë një shekull e një dekadê më parë. Udhëtimeve të mia u kanë munguar ngjitjet në bjeshkët e Veriut dhe shkelja poetikisht ndër to është sa joshëse në vështrim panoramik aq dhe lehtësuese në kursimin e sforcimeve fizike. Tre muaj më parë kundrova një copëz Drini nga lartësitë e kalasë së Rozafës, kryelumi ynë që mbledh rreth vetes njerëz e ndodhi, ai që shpërndan madhështinë e vet me zemërgjerësi në të dy anët e shtratit të vet.

Camaj në rininë e vet ka qenë udhëtar dhe misionar në ato vise. “Erdhacaku vetëm/ndezi zjarmin e u ndry mbrendë/mori letër e pendë/e shkroi kangën e parë.” (Ai që i bie fyellit në hanë, f.160)

Kemi përjetuar shkarkime të frikshme të ujërave në kaskadën e Drinit dhe kjo i bën më të prekshme legjendat: “Dri, pse m’i more shpitë e bâme n’ranë?” (Grue e pjekun, f.158) “Lokja n’gurgllimet e tingujve/të valëve drinore ndien fjalët e gjakut të vjetër/të marrun prej urave druni.” (E bija e grues apo urat mbi Dri, f.159)

Malet hijerëndë ndajnë pushtetin me lumin dhe një paralelizëm i gjatë mes botës së kafshëve dhe shoqërisë njerëzore sjell ashpërsinë e natyrës dhe erën e gjakut. “Rrinë dy korba mbi pyrg:/ nji këqyr Drinin e tjetri malin./…Për nën korba dy bij kryezotash.” Shpendi i dytë e vrau të parin. Kryezoti i dytë “N’vend të thojve kish kthetra në duer/ e me to i nxori frymën/vëllaut t’ vet në gjumë./…mandej ktheu e ndenji n’shkamb/qyqe vetëm nji shekull.” (Dy korba, f.164)

Një nga shkaqet e vëllavrasjes ilustrohet me katundin Djepëz ku dy vëllezër “ndashin ujin ndër dy vija/secili për arë të vet”. Ara e vëllait të vogël po digjej nga vapa sepse ndarja e vadës nuk ishte e drejtë. Një detaj i zgjedhur për sasinë e ujit që merrte secili: Pepa, vëllai i madh, këput katër fije bari dhe i lëshon në ujë; tri fije kalojnë nga vija e Vocit – vëllait të vogël. Voci lëshon dy fije dushku dhe të dyja i shkojnë atij. Sakaq fillon grindja. Voci rrëmben shpatën e varur te lisi, kurse Pepa rrëmben sëpatën. Pepa e vret vëllain e vogël dhe ngjitet natën në bjeshkë. “Nesër nade pa ra dielli/npër shkambije deri n’lum/lypshin korbat diçka/t’humbun n’terr, natën. (Vada, f.177)

Vëllavrasja është vetëm një kthinë në domenin e madh të gjakmarrjes. Në njërën prej legjendave Lum Brimzi i kërkon gruas të ndezë zjarrin se po vjen një mik. E njeh të huajin që vjen “prej dhenash fort larg” se është lypës gjaku dhe i tregon për vetmitarin te shpella. Të nesërmen “tue ra dielli mbi borë/…/flakroi shpata/e krisma e saj ushtoi deri poshtë.” (Vrasja e vetmitarit, f.175)

Bjeshkët kthehen në skenë për të takuar legjendën me historinë nëpërmjet figurës së heroit tonë kombëtar dhe për të mos e humbur tiparet e veta, e paraqet vetëm hijen e tij. “Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,/por andej lumit hija i eci mbi lisa me qindra vjet/për rrugë tue shkue për Kru.” (Hija e Gjergj Kastriotit, f.172)

Epizmi i atyre anëve të befason me lirizmin që sjell këqyrja dhe joshja e femrës dhe sakrifica që duhet bërë për të fituar dashurinëe saj:

Elementë të hershëm të legjendës ndeshim aty ku marrëdhëniet i kapërcejnë kufijtë njerëzorë si tek rasti i gjarprit që donte “tambël për me nxjerrë/në gjijt e Ledjes vashë/deri sa helmi idhshëm/i kulloi npër dhambë/si nji fjalë mallkimi/e iu ngri gjaku Ledjes. (Ledja, f.190)

Një joshje vështirësisht e përballueshme për poetin janë gjijtë e femrave, kroje ujëbardhë e jetëdhënës. “Mbramë te votra me prush prej bungut/kam ndiemun erën e gjijve të plotë/e nuk dij pse thëngjill u bana të digjem.” (Burri e lumi, f.156) “Burri i huej, ai hyni në mkat/e ngrohu shpirt e korp/n’gryckat e teshave t’mija.” (Mjellma e nusja, f.157)

Përmasat e legjendës rriten kur shohim trimin hipur në kalë “në tesha të bardha zadrimore” dhe përgjigja që i jep plakës: “Jam dashnue në nji femën/që i ka syt si krah korbi nën diell.” Kalorsi i kërkon gjogut t’i ngjitet shkëmbit thikë për të shkuar te shtëpia ku ishte gruaja “guri i paçmueshëm në qelq.” Në mëngjes dëgjohet vajtimi i plakës për kalorsin që ishte rrëzuar në Drin së bashku me gjogun. (Kalorsi, f.181)

Tragjike është edhe dashuria e Vonit me Herën. E rrëmbeu djali vashën, po “pas mesnate ra shi/e shkrepi vetima në lis/e vranë zotat Vonin.” Po befasia i kalon të gjitha pritshmëritë sepse në vend të vajtimit “Në mëngjes herët/Mbi gur vetëm, vetëm/Hera po terte flokët/edhe lidhte gërshetat/ma e bukur se kurr.” (Dita e pranveravet, f.185)

Një flirt i ndodh edhe Skënderbeut. “Grueja i pruni Gjergjit/venë të kuqe e ‘i rrotull djathë,/fier t’njomë e gjij të bardhë.” (Grueja e Skanderbegu, f.173)

Rrjedhë ndryshe ka legjenda e rrëmbimit që ka në pikënisje burrin shpërfillës ndaj gruas Lule. Ai punon gjithë ditën larg dhe vetëm muzgu e sjell në shtëpi. Në mungesë të tij, te Lulja shkon një çakall që ha dhe pi si njeri. Kur Lulja i kërkon të shoqit të ngjitet në bjeshkë për të parë lulet e borës dhe ai i përgjigjet se dera e shtëpisë duhej të rrijë hapur gjithë ditën, çakalli e merr Lulen dhe zhduken. (Lulja e borës, f.218)

Camaj risjell në vargje edhe legjenda të njohura të animizimit si ajo e liqenit të Prespës ku burri kthehet në peshk të argjendtë, kurse nusja në mjellmë, varianti i kthimit të motrës në qokth nga hidhërimi për vëllain e humbur, legjenda e Gjerit të Vogël që del të sfidojë sqapin, por Ora e kthen në bjeshkë, Syka që merr mësime nga qyqja dhe kthehet në vajtojcë.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com