Rreze nga drita e kolosit Martin Camaj

Kosta Nake

MES VARGJEVE KU NDIHET MUNGESA E ATDHEUT NATYRA SI SEND DHE SI SHPIRT

(Vepra 4, Onufri 2010, vëllimi poetik “Njeriu më vete dhe me të tjerë”)

Duke lexuar vëllimin poetik të Camajt, gjëja e parë që mund të kujtosh është kontrata e propozuar prej Faik Konicës për ta shpallur gegërishten si gjuhë të poezisë. Ky dialekt ka një lakonizëm karakteristik të fjalës dhe fjalisë që i jep një peshë më të madhe mendimit dhe një tingëllim më të bukur ligjërimit. Vëllimi është fryt i frymëzimit nga përditshmëria që zbulon një shpirt të ndjeshëm ndaj njeriut dhe një sy të vëmendshëm ndaj natyrës. Më erdhi e veçantë poezia “Larg atyne që flasin si unë” (f.105) jo vetëm se sjell një gjendje të veçantë shpirtërore të poetit, por edhe shpjegon edhe disa peizazhe të vëllimit që duket se nuk janë të atdheut.

“Jam larg atyne që flasin si unë/ sa hana që bie prej rrezje në rreze/e pi qumësht n’vedra lanun jashtë/ për me vu maze./ Hutini i shkambit n’agim/ dhe guri n’ujë përpijnë tingullin/ e kuvendit të keq: n’agim/ njeriu bekon diellin si unë.”

Kësaj po i bashkëngjit edhe poezinë “Ime amë”, (f.54) që thotë gjithçka vetëm në dy vargje, dramën e madhe të ndarjes së detyruar nga familja:

“Je barrë e vrame/në parzmin tim.”

Edhe poezia “Nji poeti të sotëm”, (f.67) mund t’i gjejmë një rrembë autobiografike tek deklarimi:

“Zemra/ndonëse nën shtatë lëkura/akull.”

Autori do të fokusohet sërish te poeti në një rrafsh më të gjerë te poezia “Zgjimi i poetit,” (f.96), por këtë duke parë te mjedisi si brumë i produktit të tij letrar:

“Ulet balli e prek zemrën e lules/ e çelet nji botë e tanë/ para tamthave të kunoruem mbi nji letër/resh të ngjyeme në diell./…Poeti tret në pusin e pafund/ të ngjyrave si grunë e si diell.”

Duke qenë shumë afër studios së poetit, mund të ndalojmë pakëz te “Nji libër në pergamenë”, (f.90) dhe vlerësimin e madh për altarin e mendimit të materializuar në letër:

“Në mjedis shndriste tempulli/ i librit n’pergamenë – biblioteka/ me fekse idesh madhështore/ në ballin e gjanë të shekullit.”

Ndër poezitë që vendosin në qendër njeriun mund të veçoj “Nata e koncertit”, f.39, për përjetimin e artistit gjatë ekzekutimit të veprës muzikore:

“Gjindja vrapon kah dritaret e tingullit/…dirigjenti s’pau tjetër pos tingujsh/ të ndezun brenda nji rrotulle terri.”

Poezinë “Akrobatja”, (f.43) për artin e interpretimit dhe pikën e vështrimit:

“Akrobatja në fillin e penit/ u kapet reve përpjetë me fletë dragoni/nën sjetull/

e me thembra ari të kulluet.”

Poezinë “Çka i duhej Uliksit Iraka pa grue?” (f.49) me një qasje të re ndaj temës së antikitetit, një raport i njeriut me atdheun që kalon përmes një lidhjeje të fuqishme shpirtërore, dashurisë, prej ku ngjizet dhe mbahet në këmbë familja.

“Uliksi e Itaka pa grue – dy krena binjoke dhie/ me një bri të thyem: punë e pakryeme.”

Poezinë “Fragment”, (f.71) për detajet e saj tronditëse: qiellin e atdheut, kripën e varfërisë, mjeshtërinë e punimit të gurit për mbijetesë:

“Niset për gurbet punëtori/ me nji copë qielli në krah/ e krypë deti në kutia pishe/ Në dorë mban nji bahe/ e gur lumejsh në gojë/ në vend të bukës.”

Poezinë “Lutje për foshnjën në gjumë”, (f.80) me vargje kulmues të dashurisë dhe kujdesit për fëmijën:

“Ti që nuk fle,/mos e le pllumbin me fluturue/përtej murit të dritës/larg kurmthit që fle.”

*

Vendin kryesor në këtë vëllim poetik e zë natyra me gjallesat e saj. Sytë që ndrisin si dy pika uji dhe kënga që pikon në terr:

“Këndon qokthi ndër rreze:/sytë, dy pika uji, ndrisin dhe kanga/ pikon në luginë, në terr./…Kqyre këtë tingull që ra/ e plasi në gurë.” (Mospërfillje, f.41)

Një peizazh mahnitës me një mungesë lisash që të bën të mendosh mungesën e vendlindjes:

“Në mjesditë u shkoq pylli,/ mollza e faqes, e ra në lumë./ Ra dielli e ndriti dhenë e ri,/ rrajë të shkyeme, lisa të përçamë/ e sosjen në vetëdijen time./ …vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë/ në ballin tënd pa lisa?” (Mal i rrëxuem, f.47)

Një bukuri që nuk do të perceptohej si e tillë pa bashkëjetesën me bukurinë femërore, një paralelizëm i varur mbi dy krahë krahasimesh:

“U plasarit reja si rrëshiq/ e kullon ujë ndër flokët e grues,/ parzmit e deri në vithe:/ dhimba shkrihet si bora e re/ e i kërkon shtatin dheut.” (Nji ditë vape, f.81)

Ja dhe një tjetër përqasje:

“Nata verore e bukur sa ti/ përgdhel hijen e ballit,/ sjellë kah deti pa dritë.” (Hylleshë e natës verore, f.93)

Sërish një paralelizëm magjepsës mes hijes së gështenjës dhe pllakave të varrit:

“Hija e gështejës ia mbulon vorrin/ ma e randë n’mendim/ se rrasa e shkambit mbi të.” (Hija e gështejës, f.87)

Përjetimi fëminor i dimrit vjen me një shi metaforash që soset te breshëri i grimcave të borës që duken si pjalm:

“Dimni tinzar i vodhi skitë/ e shket brijave me to flutrim/ mbi lisa me orë/ pa ra nji herë mbi borë./ Fejtë e akullit pëlsasin/ nën brijtë e dimnit tue ra/ mbi shtroje n’mëngjes/ e dielli zhytet si gurë n’ujë/ mes breshnizës t’ pjalmit. (Andrra e fëmijës ndër ski, f.89)

Hëna që nuk mund të mungojë në poezië e poetëve, këtu vjen me një personifikim të goditur:

“Hana/mbasi të ketë prendue gjithkund/ ndalet pakëz në dritare/ e kuvend me njerëz të frikës/ prej syni të keq.” (Katund i lanun mbas dore, f.92)

Tonin e trishtë që përshkon vëllimin nuk mund të mos e mbyllim po kështu:

“Gardhi i rrëzuem mbi shteg/ e qafa malesh përreth/ të mbylluna me dhambë ujqish/ në jerm.” (Kallnori apo vetmia, f.107)

RRATHËT BASHKËQENDRORË TË RIPËS

(romani “Rrathë”)

Në vepër fjala “rrathë” përdoret në dy rrafshe kuptimorë, në kuptimin e drejtpërdrejtë fizik si përftim natyror dhe në kuptimin e figurativ dhe simbolik.

Rrafshi më i plotë në kuptimin e parë: “Tue i kundrue mirë e mirë zbuloi se rrathët e dheut, si rrathët e landëve natyrore në përgjithësi, nuk ishin të përsosun… Novelisti i ndiqte me sy për të diktue nëse hijet e avullta të rrathëve tue u imtësue përmbanin shtresa të ndryshme: si rrathë ylberi u thye para tij hija… Mbylli sytë dhe nisi të ndërtonte në përftyrim rrathë të përsosun ngjyrë zjarmi, ylberë mbas ylberësh, breza-breza prej dheut deri në qiell.” (f.146)

Ky përdorim shërben vetëm si paradhomë për të na çuar në thelbin e romanit. Bardhi Pira, ose Përgjegjësi, “…zente një vend të zgjedhun mbrenda sistemit me gjithë ata rrathë që lëviznin aq vrullshëm sa me t’i vra sytë veçse tue i vërejtë. Mbrenda në sistem ai kishte një mori shembrash që do të banin çmos ta shihnin tue fluturue si meteor në qiell të shkëputun nga sistemi, por kur e vërenin se me çfarë zotësie akrobati e mase këcente prej rrethi në rreth mbrendapërbrenda sistemit, nga çdo anë i buzëqeshnin me adhurim.” (f.40-41)

“Merre me mend kuvendin në ndejet e rrathëve të naltë të atyne që sundojnë. Në rrathët e naltë janë të shtrënguem të ulen ballë për ballë në kuvend njerëz me prejardhje punëtorë, fshatarë, bile edhe borgjezë…”(f.93)

Siç duket nga citimet, rrathët këu janë sinonime të klasave dhe shtresave të shoqërisë që nuk përcaktohet me terma politikë, por nënkuptohet se jemi pas çlirimit dhe ka ndodhur një ndryshim i madh që shprehet artistikisht me antitezën parafjalore “andej dhe këndej malit.”

Katundi Ripë me tri pjesët e tij kthehet në simbol të një prone që duhet vënë nën kontroll dhe të merret në zotërim. Në se e tjetërsojmë në një syprinë ujore, mbi të hidhen gurë të madhësive të ndryshme që formojnë rrathët e ndikimit të tyre mbi psikologjinë e malësorëve.

Guri i parë i madh që pritet të hidhet, është dërgimi i traktorëve në bashkësinë e saj bujqësore që nuk është thjesht ndryshimi i teknikave të lërimit e mbjelljes së kulturave. “Zhurma e traktorëve të parë jo vetëm duhet të zgjojë nga gjumi shekullor njerinë e Ripës, por lypset që ta trandë atë, ta shkundë që të bien prej tij të gjitha frytet e kalbëta të kalesës, doket dhe zakonet e vjetra e besimet tytëse çdo rigate.” (f.87)

Drenashi, një nga karakteret e veprës, çon gishtin prej ballkonit e gërthet kërcnueshëm: “S’ka zot që e ndal mekanizimin e vendit! Rrota e historisë nuk kthen mbrapa edhe sikur të çohen të gjithë fetarët e shtrigat e dheut me ganecat e tyne bisht përmbas!” (f.315)

Lufta e klasave dhe qasjet e kundërta ndaj besimit kanë depërtuar edhe brenda familjes siç ndodh mes Bardhit dhe Drenashit, i pari pjesëmarrës në luftë dhe tani drejtues i një gazetë lokale është në luftë të heshtur kundër atyre që nuk e pranojnë sistemin e ri politik; tjetri zgjidhet kryetari i një sekti fetar që mblidhet dhe funksionon ilegalisht. Bardhi dyshon për sabotim te gjithkush dhe në gjithçka, madje edhe për të vëllain thotë “Secili prej nesh duhet ma parë të spastrojë rrugën para derës së vet.” (f.310)

Guri i dytë që hidhet drejt syprinës së Ripës është Baci 70-vjeçar, ndryshe Fokloristi, i cili e fal vilën e vet në bregdet për ta kthyer në muze dhe shkon në Ripë për të vazhduar punën shumëvjeçare për mbledhjen e folklorit dhe mbrojtjen e traditës. Vrasja e tij shënon tretjen e rrathëve të kulturës popullore.

Guri i tretë që mendohet se do të bëjë rrathë është Cubi, apo Hija, apo ilegali që shkon të gjejë strehë në Ripë pasi ndaj tij është lëshuar në ndjekje struktura shtetërore. Rreziku prej tij jo vetëm që mbetet hipotetik, por i hidhet një tis misteri si lajm i rremë. Takimi i tij rastësor me Agonin që natën e dytë të shërbimit tregon edhe natyrën e vërtetë të njeriut që është kundërshtar pikëpamjesh dhe jo vrasës.

Guri i katërt është Agoni, i quajtur edhe Novelisti, punonjës i Fletores së qytetit që dërgohet për të bërë reportazhin për mbërritjen e traktorëve në Ripë, njëkohësisht të zbulojë qëndrimin e banorëve ndaj ilegalit. Duke qenë me profesion agronom, Agoni kthehet në njeri të dobishëm për katundin, por duke mos e kryer detyrën e zbuluesit operativ, i komunikohet lirimi nga detyra e gazetarit, gjë që e bën njeri të lirë: “Do t’i ngjitem brijave deri këtu, në kufijtë e dy botnavet dhe do të lëshoj kushtrimin që ta marrin vesh të gjithë se due me jetue në të dy faqet e malit, këndej e andej, si mbas andës… Problemi kryesor asht përmbytja në detin e pakënaqësisë me veten tonë e me tjerë, me rrethin kular në qafë me të marrë frymën.” (f.415)

Agoni rritet si karakteri kryesor i veprës dhe pas kalvarit të vuajtjeve atij i rezervohet një fund i lumtur: takohet me Sosen që dikur e quajti Blegë dhe donte ta merrte me vete “nga faqja tjetër e malit”, mëson se nga akti i dhunshëm ka një djalë me të i cili u bë regjisor duke e çuar përpara udhën artistike të babait të panjohur.

Një gur i pestë që përfton rrathë është Markoci, i quajtur Shkrimtari, i cili bëhet zëdhënës i autorit kur thotë: “Mbas pjekjes së disa kushteve të caktueme, gjaja e re hyn në katund natën si vjedhës, jo ashtu bujshëm si makinat bujqësore.” (f.375) Shkrimtari e thyen atë kujdesin në rrëfimin e gjërave kur zbulon qasjen e popullit ndaj pushtetit: “…qëndrojnë përpara një njeriu të vramë, ilegal, po thonë, dy policë, sikurse i quen populli, dy bythëzez dhe dy nëpunës të komunës, edhe ata dy korrozez.” (f.404)

Rrethi i fundit përfaqësohet nga regjisori i ri që shfaqet para Agonit së bashku me nënën Sose, 20 vjet pasi ka filluar ndryshimi në katundin shqiptar që përveç traktorit i ka bërë njerëzit të flasin me gjuhën e gazetave. Autori parasheh ndryshimin. Dorëshkrimi i Agonit kthehet në pjesë teatrale për fëmijët dhe mirëpritet. Regjisori përdor fjalë të huaja në komunikim si punojmë në “team” dhe kukullat punohen prej shembujve “ex vero,” çka nënkupton një hapje ndaj botës.

NJË CIKLËL POETIK TJETËRLLOJ

(Vepra 6, Onufri 2010, “BUELLI”)

Në alfabetin fenikas shkronja A lexohet alef dhe do të thotë buall. Edhe forma e kokës së buallit, e stilizuar, i ngjan shkronjës A. Kjo shkronjë lidhet edhe me njeriun e parë të Zotit sepse Adamit i fillon emri po me këtë shkronjë.

E kisha ndeshur mbiemrin Mekshi në Pishkash të Librazhdit, por duhej të lexoja Camajn që të zbuloja se mekshi qenka bebja i buallicës. Sakaq kthehem në vendlindje, sepse im gjysh mbarështonte byej dhe buallica dhe çdo vit bënte kurban një buall njëvjeçar në vendin e shenjtë të Inonishtit. Nuk e di në se kjo kishte lidhje thjesht me bektashinjtë, apo shkonte edhe më thellë në kohë me vetofrimin e buallit si ushqim për njerëzit. Nga Devolli hidhem në Shkodër ku poeti kërkon origjinën e malësorëve të Veriut te bualli që gdhend gurin, bashkë me poetin i bien me not lumit të kohës që rezonon me lumenjtë e antikitetit. Fillon e formësohet një legjendë që niset nga thesari mitologjik i vlerësuar si kafsha më e shenjtë në tokë. Këtu fillon e flatron poezia. Poeti ka bërë këtë zgjedhje, jo vetëm se e gjen atë edhe si emër mali në rrafshin lokal, por edhe te simbolika e buallit si manifestim i dëshirave tona, si element i tokës si planet, simbol i trimërisë mirësisë, forces dhe respektit.

Kau dhe bualli ishin një fis pastaj u ndanë: kau mori kodrat, bualli ujërat.

Mekshi mundet me qenë djalë fis/gurgdhendës ose/ shoku i atij që i bie lumit m’not/për dritë të hanës/ e s’i shtrydhet kamba gjak/ tue ecë shtatë male zdathë/dhe mbasi të pushojë shiu/ylberi me dorë të vet i ven/shtatë ngjyra mbi krye. (f.62)

Pastaj vjen çasti i shpalosjes së forcës që shkon plotësisht me elementët legjendarë dhe që në kushte natyrore është sa për dy qe së bashku:

Si e lidhën me krye për lis/ buelli priti e priti/ kur ku po i bie tuni spatës në ballë./ Dy burra i shtinë dy shtylla/ ndër kambë/ dhe i treti i lidhi herdhet për drugë./Vetima e marsit i plasi ndër sy,/ këputi leqe, rrxoi lisin,/theu shtylla, vrau njerëz e iku. (f.65)

Fundi i legjendës:

Plasi vetima në Malin e Thatë…/Buellin tim e mori bri më bri/kokrra e zjarmit nën mriz./Erdhi era tym lëkure të djegun/ e shkrum ashti ndër gur/ dhe askush s’e hangri mishin/ e vramë rrufeje në Qytetin e Ri/ e askund. (f.79)

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com