Rreze nga drita e kolosit Martin Camaj

KOSTA NAKE

PISHTARËT E DASHURISË – (Vepra 3, Onufri 2010, novela “Pishtarët e natës”)

“Pishtarët e natës” është një prerje kohore e malësorit prej fillimit të shekullit të kaluar deri në lëvizjet patriotike për pavarësi që kalojnë vetëm tangent rërë bjeshkës, pa ndryshuar rrjedhën e jetës buzë Drinit. Është një vepër që tregon lidhjen e fortë të njeriut me tokën si burimi më i sigurt i ekzistencës dhe i vazhdimësisë së jetës. Vepra fokusohet te Nika që ndahet jo vetëm nga vëllazëria, por edhe nga familja e vet për të rrëmbyer tokë nga shkëmbi, për të shfrytëzuar gjuetinë si mjet financiar të ndryshimit të madh: zgjerimit të ligjshëm të pronës nëpërmjet blerjes.

Nika mishëron dyzimin e malësorit që beson në qenie mitologjike e njëkohësisht ka besim në ndjekjen e riteve të besimit. në një zot të vetëm. Ai beson në ekzistencën e orëve dhe të zanave, nuk u përmend as emrin, përdor eufemizma për to, nga ana tjetër e sfidon besimin se Fundina është e pushtuar nga orë e zana, atje hap e zgjeron toka, e kthen në vend të banueshëm nga njerëzit, megjithëse vetëm ai mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në një vend të tillë. Dimri gjithmonë e bën dyshues dhe bestytës, gjatë kësaj periudhe ai jeton me frikën e qenieve të mbinatyrshme. Nika e parandjen vdekjen. Ai sfidon frikën për të gjuajtur, pasi sipas besimit popullor në kafshë gjendet dhe shpirti i qenieve të mbinatyrshme, ka përfituar prej gjuetisë të mirat materiale dhe ka arritur të shtojë pasurinë, e ka arritur të blejë toka të reja, t’i sigurojë familjes të ardhmen. Por e gjithë kjo e di që do t’i kushtojë. E vetmja gjë që nuk shkel mbi paragjykimet është sepse nuk ua zbulon bijëve sekretet e gjuetisë. Gjithsesi, gjuetia është e ndaluar, prandaj dhe vdekja i vjen prej saj.

Nika u ngjan kreshnikëve: “dy metra i gjatë, hija e tij përzihej me hijet e lisave e të currave, me sy shigjetë që në dritën e qiriut e të zjarmit shkëlqenin si krena gjarpijsh mes vetullave të trasha.” Ai mallkon me shprehje të hiperbolizuara karakteristike të eposit, shpërthime të vrullshme që mbartin zemërimin e njeriut dhe përcillet përmes zërit që ngjall frikë tek njerëzit dhe natyra: “…nuk shante, por nemte e truente tue thirrë gjamë e vetëtimë që t’i gjuente me kokërr të vet, me rrëfenë, e të çfaroste çdo send të gjallë që i shkelte dhenë.” “Fjalët e tij burrnore tmerronin shtazë e njerëz dhe depërtonin jehonë në jehonë prej shkambit në shkamb dhe shuheshin tue ra në pushim larg gjije e humnere, përkueshëm, si petk i mbajtun prej të njëjtit trup, sepse andej pari shungullonin vetëm zani i Nikës e bubullima e motit të keq, ndërrueshëm simbas rastit e kohës.”

Portretizimi i Nikës realizohet edhe përmes hiperbolizimit të thashethemeve për të, pasi Nika ka kohë që ka krijuar distancën kohore dhe hapësinore me të tjerët, aq sa gruaja dhe fëmijët fillojnë të zgjojnë përfytyrimin e njeriut të jashtëzakonshëm që ka lidhje me Orë e Zana. “Ata kallzuen edhe për mrekullinë e pishtarëve të natës dhe për Nikën, burrë gjigant, i veshun në lëkura e sukuj zhgunash, me një za që mbushte me shungullimë lugina e bjeshkë; gjithçka kallëzohej bindshëm se ai paska punë edhe me Orë e Zana.” Lena u krijon të bijve përfytyrimin e njeriut që duhej respektuar e pasur drojë prej tij: “Fliste ashtu sikur Nika të ishte zoti i ernave…” si Lena, të bijtë dhe të afërmit fillojnë të kenë hijen e dyshimit, në këtë mënyrë thuren legjendat rreth tij.

Portretizimi i Nikës plotësohet me besimin i tij në qeniet e mbinatyrshme, në bestytnitë si gjahtar, në ankthin e vetmisë, në dëshirën për të qenë me një grua, qoftë kjo dhe zanë. Duhani që kultivon dhe përdor Nika është pjesë e ritualit mikpritës. Ai paragjykohet pasi nuk njeh me emra nipat, mbesat, gjakun e tij dhe nga ana tjetër mikpritja e tij nuk ka humbur asgjë nga madhështia primitive, nga besa, nderi, bujaria. Kjo mikpritje paksa paradoksale shërben si urë lidhëse me botën. Ai luhatet mes frikës dhe guximit për të jetuar e punuar vetëm, ky dyzim e ka bërë akoma më të afërt me të mbinatyrshmen. Nika e parandjen vdekjen, atij i përsëritet e njëjta ëndërr: vrasja dhe ringjallja e një ujku. Frika e tij lidhet me besimin se kafshët janë bartëse të shpirtit të qenieve të mbinatyrshme. Gjithë pasurinë e tij ai e ka siguruar përmes gjuetisë, të cilën ia pohon vetëm të shoqes. Vdekja e Nikës shihet si përmbushje e ëndrrës paralajmëruese. Jeta dhe vdekja e Nikës janë rindërtimi dhe portretizimi arkaik i malësorit që jeton mes natyrës më shumë se mes njerëzve, që gjithçka e mëson rreth vatrës së zjarrit, nga miqtë që u bie rruga, siguron jetesën me tokën dhe egërsirat e malit, që ëndërron për fuqinë e mbinatyrshme, parandjen të ardhmen, ruan e përçon traditën, kur vdes vishet me rrobat më të mirat, vajtohet me gjamë e fjalët më të zgjedhura, dita e vdekjes bëhet ngjarja më e rëndësishme se e gjithë historia e jetës së tij.

Mjaft interesante është figura e Lenës, bashkëshortes së Nikës që ka një zhvillim në rritje. Nga bashkëshorte që duron dhunën fizike të burrit, ajo kthehet në një kultivuese të traditës patriarkale tek fëmijët e vet dhe kulmon me një behar dashurie në moshën 40-vjeçare, pasi ka përballuar thashethemet që mund ta bënin xhelozinë vrastare, pasi ka ndjerë pushtetin e vet në Gurrë, pjesërisht të deleguar prej Nikës që më shumë punon e jeton në Fundinë. Dëshira e saj për të patur një fëmijë tjetër, kur të tjerët tashmë janë rritur, është një lloj emancipimi i brendshëm shpirtëror që materializohet me ato eceejaket mes Gurrës e Fundinës me pishtarët që i kanë dhënë emrin novelës dhe me atë përkujdesjen e shtuar ndaj burrit e shprehur te këmisha e përgatitur me qëndisma për të.

NJË SHKUNGULLIMË QË M’I SHEMB PËRQASJET

(Vepra 3, Onufri 2010, novela “Shkundullima”)

Inxhinieri arbëresh Vitoi kthehet në fshatin e lindjes që po braktiset nga të rinjtë. “Katundësit e kishin ndie veten të fyem nga fjalët e mërgimtarëve kundër Vinoit, kinse të gjithë ata që qenkan të zotët e vetes e lankan vendlindjen, dënue me qenë e banueme vetëm prej pleqsh, grash e fëmijësh.” (f.159)

Kaq më mjaftoi për të krijuar një përqasje me fshatin shqiptar të ditëve tona. Shtëpitë e braktisura kanë filluar të mbulohen me danga lëmyshku e bari, të tjera të rrënohen dhe inxhinierit i rekomandojnë të bëjë një shtëpi të re jashtë fshatit në vend të rimëkëmbë të vjetrën. Mirëpo Vitoi ndreqjen e shtëpisë së vjetër e shikon si çlirim të ndërgjegjes pas pendesës së braktisjes. Ai vjen vetëm për dy muaj, por miqësia me Ntonen e bën të qëndrojë tetë muaj dhe të hedhë idenë e ndërtimit e urës mbi Përroin e Thatë. “Kuptimi i të mirave që binte ura u gdhend thellë në ndërgjegjen e popujve të lashtë.” (f.130) Kjo ide e shkund fshatin dhe novela mund të ishte titulluar “Ura” për simbolikën e saj.

Së pari, fshati është treguar konservues si vetëdijë e mbrojtjes së identitetit arbëresh, ata kanë sheshin e fshatit me emrin Skanderbeg. Ura do të ishte një hapje kontakti me të tjerët dhe asfalti do të sillte zhvillim ekonomik dhe mund ta kthente në qendër atraktive për turistët. Nga ana tjetër kjo do të sillte rrezikun e asimilimit.

Së dyti, fshatrat fqinje nuk donin një përparim ekonomik dhe kulturor të popullatës arbëreshe. Ndoshta edhe për shkak të refraktarizmit arbëresh të sintetizuar në fjalët e Ntones: “Na jemi të gjithë njerëz të qetë, por sikur ndokush të përpiqet me na nxjerrë me rranjë këndej, do të shihje si egërsohemi na!” (f.169)

Së treti, edhe brenda fshatit ka qëndrime të ndryshme. Ata që kanë mbetur në fshat, gjenerata e vjetër me në krye kryetarin e komunës, e shikojnë me smirë këtë projekt dhe e mbajnë të kyçur për familjet e tyre, prandaj Vitoit i duhet ta zgjasë qëndrimin në pritje të ardhjes së studentëve, pasi “përvoja e kishte mësue se vetëm të rijët i pranojnë risijet krejt natyrshëm, pa paragjykime, instiktivisht tue pasë gjithnjë parasysh të mirën e ardhmërisë së tyre (f.128). Në ato rrethana iu desh ta fillojë duke e shpalosur projektin te nxënësit e shkollës. Himni i tokës që shpaloset te novela “Pishtarët e natës”, rimerret edhe këtu në deklarimin e Vitoit: “Dhenat nuk shiten. Mbaje mend! Çdo nismë ashtë aventurë: industria, ndërtimi i pëllasëve apo i urave. Ajo që mbetet ashtë toka!” (f.152)

Ideja e ndërtimit të urës zhvendoset përkohësisht me forcimin e miqësisë së Vitoit me Ntonen që kurorëzohet me bashkëjetesë. Ntonia bëhet kështu përfaqësuesja e së resë që duke qenë edhe mësuese, u bën ballë thashethënave dhe përpjekjeve të emtës Mara, e cila është njëkohësisht tezja e Vitoit, për t’i ndarë dy të rinjtë. “Katundi u mësue me dashnorët e vet, pa ta mbrendë do të ishte ndie thatina e vorfnisë shpirtnore, andaj sosën edhe thashethanat.” (f.168)

Qetia e fshatit prishet edhe nga zbulimi i të fshehtave që mbante brenda. Ntonia mëson se i ati, pas vdekjes së gruas, paska patur marrëdhënie me dadon Marë, mëndeshën e saj. Vëllai i Ntones, antipodi i Vitoit, mohuesi i vendlindjes, vjen natën dhe merr nga shtëpia objekte të çmuara që lidhen me historinë e familjes.

Vitoi, pas idesë për ndërtimin e urës dhe bashkëjetesës me Ntonen, shihet me pakënaqësi edhe për dëmin që sjell si gjahtar “po e qet fare egërsinë!” (f.161)

Komunitetit arbëresh i shtohet edhe lypësi i verbër Lorku me qenin e tij, bartësi i lajmeve brenda arbëreshëve.

Ngjarja merr një kthesë të papritur. Vitoi shkon të qortojë tezen Mara që ishte treguar e padrejtë me Ntonen dhe “parandjeu se diçka e tmerrshme strukej edhe mbas dritës së syve të saj, si një hije që hidhej prej një lande të mistershme mbi katund…” (f.171)

Të nesërmen Vitoi shkel me këmbët e veta trasenë e ardhshme që do të lidhë fshatin me detit dhe ndodh shkundullima, një lloj cunami në tokë dhe në det që mund të përqaset pjesërisht vetëm me vërshimet e Drinit. Pikërisht këtu Camaj m’i rrëzon të gjitha pritshmëritë, kjo shkundullimë që mund t’i referohet një dukurie reale natyrore, edhe pse e paralajmëruar në sytë e plakës Marë, më vjen si një deus ex machina që i jep fund qëndresës identitare. Vala e detit godet edhe katundin arbëresh duke shkaktuar viktima, Mara digjet bashkë me shtëpinë ku ka rënë zjarri, Ntonia e mbetur pa strehë, shkon të kryeqendrën e krahinës, Vitoi nuk merr asnjë përgjigje prej saj dhe pas tetë muajsh largohet “i vendosun të prejë çdo urë me vend të vet, pa i thanë kujt lamtumirë.”(f.184)

E megjithatë zezona e përgjithshme rrezaton ngrohtësi në komunitetin arbëresh. Tragjedia në rrafsh vetjak, mbushet me dritë në rrafshin komunitar, banorët që “s’kishin kah t’ia mbajnë” (f.185), vendosën të ndërtojnë një katund modern dhe sot, mbas shumë motesh, në katolinat turistike shihet edhe ura mbi Përroin e Thatë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com