RILINDJA DEMOKRATIKE… Isha dhe unë te të parët –

Përsiatje e shpejtë nga Visar Zhiti

RD – britmë lirie, mendim ndryshe i beftë, vizion, emocion i Shqipërisë, që vendosi të ndryshonte, – kështu po e shikonim dhe besuam aq sa dinim…

33 vjet më parë,

në 5 janar 1991 doli numri i parë i gazetës së parë opozitare, që u lejua mbas një nate të gjatë diktature, më të egrës në Europë.

Ata që e deshën atë gazetë shtoheshin gjithnjë e më shumë, u bë një popull që e priste, mbanin radhën për ta marë, e shpërndanin, e ruanin…

Mblodhi ajo rreth vetes gazetarë të përzgjedhur, guximtarë, të caktuar, ëndërrimtarë, idealistë, të mashtruar dhe mashtues, bashkëpunëtorë, mjeshtra të shkrimit, poetë, të dënuar, ish të burgosur, karrieristë, nga Blloku, dështakë, përçarës, do të ishim bashkë, redaksi e demokracisë, e kaosit, e zhgënjimeve, do të pasuroheshin, do të varfëroheshin edhe më, do të vdisnin, do të martoheshin, do të bëheshin deputetë, ministra, diplomatê, do të përjashtoheshin, do të iknin, do të dezertonin, do të mërgonin, do të ndërronin kryeredaktor prapë, nga ata të dikurshmit, ish komunistë, do të dekoroheshin në festat e përvjetorëve të gazetës, shpesh ata që bënë më pak, kur gazeta s’do të shitej si dikur, kur do ta shanin rregullisht, etj, etj, por gjithsesi mbetet e para, gazeta e ndryshimit të madh.

Dhe po (ri)zbulonim Vitet ‘30 të shekullit të kaluar, atë pluralizëm mendimi e gazetarie të begatë, perëndimore si kurrë ndonjëherë.

Po ndryshimi me kë po bëhej tani? Me ata që bënë dhe diktaturën? Rëndësi ka ndryshimi, thoshim…

Nuk po bëhemi ne si ata, po thosha, ata po bëhen si ne… demokratë…

Dhe ëndërronim të bënim një Shqipëri më të mirë…

Ndërkaq kujtoj kur fillova punë si gazetar në “RD”, gazeta e parë opozitare. Kisha dalë nga burgu e punoja si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnje, kisha refuzuar serish me vendosmëri bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe përndjekja po mpakej, nisën të më flisnin dhe nga ata të njohur që s’më flisnin për arsye politike dhe ushtronin me zell luftën e tyre të klasave dhe, për çudi, s’po më flisnin ndoca nga ata që më kishin folur, siç duket më donin ashtu, përherë të goditur, – mendoja dhe buzëqeshja trishtueshëm.

Në RD” e nisa me poezi, ashtu siç e kisha lënë, “Dordolecët” – një ironi, pastaj nxora shkrimin “Koha bën njerëz dhe njerëzit bëjnë kohë”, etj, etj.

Po shkëlqenin emra në gazetarinë e re shqiptare. Vërshoi mendim i ri qytetar, kultura, por edhe revanshi i Realizmit Socialist, i Socializmit Real në fakt. Po aq sa ishte kohë ndyshimesh, dukej dhe si kohë konvertimesh…

Kur po dënohej atëhere vejusha e diktatorit, e shikoja si metaforë të diktaturës-vejushe, më shqetësonte dhe botova në dy faqe gazete në “RD” artikullin “Nexhmije Hoxha është dënuar me shekuj”. Diktatura-vejane…

Në kohën e krizës së gazetës “RD”dhe jo vetëm të saj, përgatisja faqet letrare, po kështu botoja çdo të diel nga një poezi në gazetën pranë, “TemA”, po mirëpriteshin, edhe në gazetën “55” botoja, etj, doja shtypin opozitar, por shpesh mbetesha pa punë nga ndërprerjet, gjithsesi vazhdova, isha mësuar, unë kisha shkruar fshehurazi dhe në burg…

Po, në burg, aty ishin të parët, ata që deshën një Shqipëri tjetër, të lirë, të begatë, euroatlantike, që u ngritën në revolta brenda telave me gjemba, shpalosën Flamurin me shqiponjën dy krenore pa yll e i ridënuan e i vranë…

Studentët e dhjetorit do të vinin kurorën e fitores…

Dhe do ta thosha këtë.

Do kështu do të vijoja të botoja më së shumti në të përditshmet shqiptare, që nga “Koha jonë” e “Sot” te “Liberale” e “Dita”, “Telegraf” e “Mapo” e “Shekulli” e “Fjala”, etj, te “Gazeta Shqiptare” e deri te “Panorama”, në të përjavshmen “Nacional”, te revista letrare “illz”, te gazeta më e re “ExLibris”, po dhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, në Mal të Zi, etj, në media në diasporë, në Itali, te arbëreshët, në Zvicër në “Voal”, te “Revista letrare”, në Rumani te “Albanica”, në Mbretërinë e Bashkuar te “Fjala e lirë”, në SHBA “Dielli” dhe “Illyria”, te revista e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë “Pena”, te “Peizazhet e fjalës” së mençur dhe të bukur…

Sa i lirë shtypi? Sa shtypës? Sa opozitar? Nuk e kam fjalën për ato media kulturore që kanë pronar shkrimtarët e tyre e na gjenden, por për ato gazeta social-politike të partive dhe oligarkëve. Sa informim japin dhe sa të vërteta sjellin, kur informimi është i njëanshëm dhe të vërtetat jo të duhurat? Kur duket se përbashkuese është e keqja për të gjithë…

33 vjet “RD” – shyp opozitar dhe pozitar, nëse mund të themi. Ishim të tyret dhe ne e ata a ishin po aq dhe tanët? – kemi të drejtë të pyesim. Se është permanent pushteti që i duhet bërë ballë.

Rëndësi vërtet kishte ndryshimi, por si? Edhe kjo ka rëndësi po aq shumë…

Më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet, – thoshim se kishte thënë një diktator i kuq dhe unë botova atëhere në “RD”, që më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk ngrita një shtet. Po a ta jep kush atë gazetë? Duhet ta krijosh vetë, së pari brenda vetes. Është liria e gjithsecilit. Që mund të kishim bërë më shumë, por edhe më mirë…

Opozita është prapë në rrugë, me liderin e saj të mbyllur me detyrim, të ngujuar në shtëpi, që sheh nga dritarja ashtu si mbështetësit e tij edhe çarjen. Festë s’mund të ketë…

Opozita është pushteti moral i një vendi, kështu thoshim. Shprishja e saj është shprishje e moralit… Që vjen dhe nga brenda, jo vetëm nga jashtë saj. Ashtu si liria edhe ajo së pari është e brendshme. Të ndërgjegjësohet sërish dhe të bashkohet sërish, jo vetëm si lëvizje, por si frymë, arritja të mos jetë tjetër nga nisja si ideal, me synim atdheun dhe jo pushtetin, drejtësinë si pronë dhe pronën si drejtësi, me strategji të rifitojë aleatët e natyrshëm euroatlantikë, vetveten së pari, me yll polar një Rilindje Demokratike…

Urim apo mision?

Check Also

Sot “Dita e Presidentëve Amerikanë” dhe betimi në mbrojtje të Kushtetutës

Dr. Bledar Kurti Sot SHBA feston Ditën e Presidentëve, duke nderuar udhëheqësit e shquar që …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com