Rezistenca e shqiptarëve të sanxhakut të Nishit kundër pushtuesve serbë gjatë viteve 1877-1878

Dr. Nikollë Loka

Lufta ruso-turke (1876-1877) ishte një ngjarje e rëndë për Perandorinë Osmane. Objektivi kryesor i ushtrisë ruse ishte pushtimi i qytetit të Plevnës. Më 10 dhjetor 1877, pas një qëndrese gjashtëmujore, osmanët u dorëzuan. Në këtë kohë ushtria serbe kaloi në mësymje dhe pushtoi 6 qytete, duke e rritur territorin serb(Grbić, 2007:15). Në luftë kundër Turqisë kishin hyrë Serbia, Mali i Zi dhe Rumania. Ushtria serbe operacionet luftarake i zhvilloi në sektorin e Nishit, Pirotit, Prokupljes, Leskovcit dhe të Vranjës, me synimin e zgjerimeve territoriale në kurriz të shqiptarëve. Nw sanxhakun e Nishit, popullsia në fshatra ishte shqiptare, ndërsa në qytete e përzierë me turq dhe serbë.

E ndodhur nw njw luftw nw disa fronte, forcat turke nuk po u bënin rezistencë forcave serbe që po kryenin spastrime etnike të territoreve të pushtuara. Serbia donte ta vinte Perandorinw Osmane para faktit tw kryer, duke i pushtuar dhe spastruar me luftw territoret qw pretendonin t’i merrnin me traktatin e paqes qw do tw pasonte humbjen turke. Ndwrsa ushtria e rregulltw turke po trwhiqej nw mwnyrw poothuajse tw organizuar, vetë shqiptarët luftuan dhe e goditën ushtrinë serbe, kudo ku mundën. Në luftën e viteve 1877 – 1878, forca kryesore kundër Serbisë përbëhej nga shqiptarët, që vinin kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Ata ishin të organizuar në 72 njësi, me nga 550 burra secila(Jagodić,1998). Shqiptarët vendës nga rrethet e Prokuplës, Kurshumlisë dhe të Leskocit nuk ishin të organizuar në formacionet ushtarake, por luftuan në mënyrë të pavarur. Të ndarë në grupe të vogla, ata mbrojtën çdo fshat dhe çdo shtëpi, duke mbrojtur pragun e vet. Kjo ishte arsyeja pse fshatrat e tyre u “pastruan” kaq thellësisht(Jagodić,1998).

Luftimet u shpërthyen më 15 dhjetor 1877, pas një kërkese ruse për Serbinë të hyjë në konflikt. Forcat pushtuese serbe kudo u ndeshwn me grupe shqiptarwsh tw armatosur. Forcat e vetëmbrojtjes shqiptare, më 19 dhjetor 1877 u ndeshën me një kompani serbe, të komanduar nga kapiteni Millan Stojanoviç dhe togeri Sima Petroviç. Serbët u sulmuan në Dragaçevë nga një njësit i vogël shqiptarësh prej 30 – 40 vetash. Luftimet zgjatën më shumë se gjysmë ore. Më 11 janar 1878 në Kastrat u zhvillua një betejë midis një njësiti shqiptarësh dhe ushtarëve serbë. Shqiptarët u përforcuan me 200 luftëtarë, të cilët e pritën batalionin e Aleksincit. Në ndihmë u erdhën edhe 100 shqiptarë të tjerë, të cilët i sulmuan serbët vetëm me jataganë dhe ata menjëherë nisën të tërhiqen. Serbët dërguan në mbështetje dhe batalionin e dytë të Aleksincit, të cilët i ndaluan shqiptarët e çakërdisur, që e përsëritën sulmin e tyre me thika dhe të dy këto batalione filluan tërheqjen e shpejtë dhe të parregullt. Pas tyre ishte bateria fushore e Qiriqit, e cila me atë rast i sulmoi me granata radhët e shqiptarëve, ndërkohë që ushtarët serbë u tërhoqën me shpejtësi, pasi bateria e artilerisë, për shkak të terrenit me ndërprerje, nuk mund të qëndronte më aty, se mund të zihej rob. Në ato luftime nga pala serbe pati 12 ushtarë të vrarë, 19 të plagosur dhe 2 të zhdukur. Të nesërmen, më 17 janar, rreth orës 9.30 në mëngjes, dy batalione: i Levakut dhe i Temikut me baterinë e artilerisë u vendosën buzë Kosanicës. Kur iu afruan pikës së caktuar, ata u sulmuan nga shqiptarët, të cilët ishin fshehur në pyje në një terren të thyeshëm. Aty u zhvillua një luftë e gjatë. Serbët me të gjitha forcat suleshin që t’i shkatërronin dhe t’i përzinin, por shqiptarët e çmendur me shprehitë e tyre suleshin me jataganë nga të gjitha anët, çka bëri që serbët të tërhiqeshin me luftime të pandërprera. Shqiptarët, pasi kaluan deri në afërsi të fshatit Vilikë, kah ora tre pasdite, e ndërprenë luftën dhe u kthyen në vendet e tyre, çka bënë edhe ushtarët e Jagodinës, të cilët e patën zaptuar pozitën një natë më parë. Në këtë konflikt u vranë 13, u plagosën 57 dhe u zhdukën 49 ushtarë serbë(Koha Jonë, 21 shkurt 2018).

Gjatë avancimit të mëtejshëm drejt Kurshumlisë, trupat serbe hasën në refugjatët shqiptarë, të cilët ishin shpërndarë në të gjithë malet ngjitur. Ndërsa po tërhiqeshin, ata rezistuan ndaj serbëve dhe nuk pranuan të dorëzohen(Hadži-Vasiljević,1905:653). Në luftimet e datave 11, 12, 22, 25, 26 e 31 dhjetor 1877 në Kurshumli serbët patën gjithsej 130 të vrarë e 136 të plagosu(Koha Jonë, 21 shkurt 2018).

Kurshumlia u kap në ditët e para të muajit janar 1878 nga forcat e bashkuara shqiptare të Prizrenit, Podrimes dhe të Lumës, por për shkak të mungesës së artilerisë, atyre iu desh të përballeshin me një sulm të ri nga armiku, i cili duhet të kishte 30 topa në atë linjë. Përplasja me serbët në Kurshumli ishte e pafat për shqiptarët. Në anën serbe fillimisht ishin angazhuar tre dhe pastaj gjashtë batalione këmbësorie, së bashku me kalorësinë dhe artilerinë, kundër pesë bajrakëve nga Podrimja, rreth 2500 burra, që e morën luftën me vrullë, por pas një rezistence të shkurtër u tërhoqën me rreth 40 burra të vdekur dhe të plagosur(Çeku, 2022:181).

Refugjatët shqiptarë kishin arritur deri në shpatet jugore të Kopaonikut. Ndërkohë, forcat turke u përpoqën të depërtonin në luginën e Toplicës, për të dërguar ndihmë në Nishin e rrethuar, kështu që zona rreth Kurshumlisë u shndërrua në fushëbetejë. Në luftimet e zhvilluara më 11, 16, 19 e 22 janar 1878, serbët kishin 216 të vrarë e 785 të plagosur në ushtrinë e Moravës. Pra, humbjet ishin 346 ushtarë të vrarë dhe 921 ushtarë dhe oficerë të plagosur, humbje që i gëlltiti Samakova dhe Kurshumlia. Në ato luftime, më së shumti, qëndroi ushtria e Çaçakut, e cila humbi 300 njerëzit e vet(Koha Jonë, 21 shkurt 2018).

Pasi kishin rrethuar Nishin, serbët dërguan një pjesë të forcave në luginën e Moravës Jugore, drejt Leskocit. Myslimanët u larguan nga qyteti sapo dëgjuan se ushtria po afrohej. Ata shkuan në jug, drejt Vranjës dhe Shkupit(Kanic,1986:238). Një pjesë e madhe e shqiptarëve të arratisur u detyruan të qëndronin në male. Ata prisnin që serbët të dëboheshin nga fshatrat e tyre, por Nishi u kap nga serbët dhe turqit u tërhoqën, kështu që refugjatët nuk u kthyen dot në shtëpitë e tyre(Jagodić,1998). Myslimanët e Nishit nuk i rezistuan ushtrisë serbe, por vetëm u tërhoqën së bashku me trupat e rregullta turke(Jagodić,1998).

Pas pushtimit të Nishit, trupat serbe u ndanë në dy grupe. I pari duhej të përparonte në jugperëndim, në luginat e Toplicës, Kosanicës, Pusta Rekës dhe Jabllanicës (degët e Moravës së Jugut), ndërsa i dyti duhej të shkonte në jug, poshtë luginës së Moravës së Jugut, për të pushtuar Vranjën dhe më pas të kthehej në perëndim. Detyra e tyre e përbashkët ishte të depërtonin në Kosovë. Të dy drejtimet kalonin nëpër rajonet e banuara nga shqiptarë(Jagodić,1998).

Përparimi i ushtrisë në jugperëndim ishte shumë i ngadaltë, për shkak të terrenit kodrinor dhe luftimeve të përhershme me shqiptarët vendas, të cilët i kishin strehuar familjet e tyre në malet fqinje Radan dhe Majdan dhe më pas ishin kthyer për të mbrojtur fshatrat e tyre. Përballë rezistencës së forte, serbët u detyruan t’i pushtonin vendbanimet shqiptare një nga një.

Për shkak të një qëndrese të ashpër, fshatrat shqiptare mbetën krejtësisht bosh. Refugjatët dalëngadalë po tërhiqeshin në Kosovë, matanë malit Golak. Ata përfundimisht arritën në rajonin e Prishtinës, i cili doli të ishte destinacioni i tyre përfundimtar(Hadži-Vasiljević, 1905:659).

Ushtria që vepronte në drejtimin jugor duhej të depërtonte nga ana e dy kanioneve: Gërdelicë (ndërmjet Vranjës dhe Leskovcit) dhe Veternicë (në jugperëndim të Gërdelicës). Pas betejave për Gërdelicën dhe përballë Vranjës, serbët e morën këtë qytet. Shqiptarët mbrojtën kanionin e Veternicës, ndërsa familjet e tyre u strehuan në malin Golak. Në luftime morën pjesë edhe serbët vendas, të cilët treguan një armiqësi të madhe ndaj shqiptarëve, duke u djegur shtëpitë, plaçkitur dhe duke i ndjekur. Shqiptarët në bregun e djathtë të Moravës, në rajonin e quajtur Masuricë, nuk rezistuan dhe mbetën në fshatrat e tyre(Jagodić, 1998).

Depërtimi i shpejtë i ushtrisë dhe i njësiteve të vullnetarëve serbë në tokat e banuara me shqiptarë, që arritën deri në Graçanicë dhe në Lipjan, u ndërpre pas marrëveshjes së armëpushimit midis përfaqësuesve të ushtrisë ruse dhe osmane, e cila u nënshkrua në Edrene me 31 janar 1878(Stojanćević, 1977:115). Pas përfundimit të luftës, Kongresi i Berlinit njohu ato fitimet territoriale dhe tokat u bë pjesë e Mbretërisë së Serbisë, i njohur si Novi Krajevi/Novi oblasti apo krahinat të reja. Qytetet kryesore të territoreve të fituara ishin: Nishi, Piroti,

Vranja, Leskoci, Prokuplja dhe Kurshumlia. Të ashtuquajturave zona të reja iu dha forma e fundit juridike me një ligj të veçantë, në formën e qarqeve: Nish, Vranje, Pirot dhe Toplicë(Svirčević, 2007:111).

Në territoret që pushtuan, serbët kryen spastrimin etnik. Pothuajse të gjithë myslimanët, me përjashtim të disa romëve, ishin dëbuar nga rajoni i Luginës së Moravës, ku kishte pasur qindra fshatra shqiptare, si dhe një përqindje të konsiderueshme të popullatës shqiptare në qytetet Prokuple, Leskovc dhe Vranjë(Malkolm, 2001: 237). Pas humbjes së trojeve të tyre, shqiptarët iu drejtuan Sulltanit me anë të një telegram. Ata kërkuan që ai t’i sqaronte “nëse qeveria kërkonte ta mbronte popullin nga armiku, apo e kishte shitur atë territor”. Në Prishtinë debatet shkuan deri në deklarata shumë serioze në mes të valiut Refat Pasha dhe udhëheqësve të shqiptarëve. Shqiptarët folën për “tradhëti nga ana e organeve qeveritare” dhe Rifat Pasha duhej t’i lejonte përfaqësuesit e shqiptarëve, që t’i inspektonin rezervat e armëve dhe municioneve, për t’i bindur se nuk kishte patur martina ose pushkë të tjera me furnizues të prapmë.(Çeku, 2022:183).

Rezistenca shqiptare kishte qenë diku e organizuar e diku spontane, por e pa mbështetur nga ana e forcave osmane, të cilat e kishin nënshkruar kapitullimin dhe ishin të gatëshme të lëshonin territore shqiptare, me kushtin që të ruanin territoret e tyre, kryesisht Stambollin. Traktati i Shën Stefanit është kapitullimi turk, pasojat më të mëdha të të cilit ranë mbi territoret shqiptare.

Shqiptarët nuk u pajtuan me rezultatet e luftës në sanxhakun e Nishit. Në mesin e shkurtit 1878, qeveria serbe i njoftoi përfaqësitë e huaja diplomatike për problemet që shqiptarët i shkaktonin në jug të kufirit. Beogradi, duke i ekzagjeruar detajet e ndodhive të këtij lloji, mundohej që këtë çështje ta paraqiste të rrezikshme edhe pse caktimi i kufirit gati ishte vendosur. Informatat e Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Serbisë bënin me dije se “një numër i konsiderueshëm i forcave shqiptare kishin kaluar kufirin, duke depërtuar në drejtim të Kopaonikut”. Sipas Beogradit, “shqiptarët kishin shkaktuar dëme të mëdha me sulmet e tyre shkatërruese”. Kjo ishte arsyeja që ushtria serbe kishte vënë në dispozicion 6 batalione, të cilat ishin angazhuar për t’i ndjekur këta shqiptarë të armatosur nga territori i Serbisë(Çeku, 2022: 189).

Largimi i shqiptarëve nga trojet e tyre në sanxhakun e Nishit bëri që ata të përqendrohen kryesisht përgjatë vijës së demarkacionit, të cilën shpesh e kalonin, duke shkaktuar konflikte me rojet serbe të kufirit. Përleshje të tilla u bënë mjaft të shpeshta në prill dhe maj 1878. Pas Kongresit të Berlinit, situata në zonën kufitare ishte ende e tensionuar. Në qershor të vitit 1879, shqiptarët sulmuan edhe qytetin e Kurshumlisë. Qeveria serbe protestoi pranë Portës së Lartë, por ankesat e saj mbetën pa përgjigje(Kanic,1986:334-335).

Pas dëbimit të shqiptarëve, Serbia kishte dërguar ekipe për ta populluar atë pjesë territori të fituar me kolonistë, para se të mbahej Kongresi i Berlinit. Ekipet për formimin e komunave dhe regjistruesit, ndër të tjera shkruanin: “Këtu të gjitha fshatrat kanë qenë shqiptare, tani janë të shkreta, të djegura dhe të rrënuara, prandaj edhe nuk mund të formohen komuna“. Mirëpo, përkundër kësaj, Serbia zyrtare filloi me nxitim kolonizimin e atyre vendbanimeve me elementin sllav, të sjellë nga viset e ndryshme si: Serbia, Mali i Zi, Bosnja etj. Me këtë rast, pushteti serb dhe kolonët e rinj serbo-sllavë plaçkitën tërë pasurinë e shqiptarëve.

Literatura:

Çeku, Ethem. Shqiptarët, 1830-1908)botimet “Artini”, Prishtinë 2022.

Dëshmia e rrallë, Libri i autorit serb më 1877: Si i dëbuam dhe i vramë shqiptarët nga Nishi, Koha Jonë, 21 shkurt 2018.

Grbić, Meho. Bosnia and Hercegovina 1878 – 1945 Islam, War and Politics, (Lund University, 2007),

Hadži-Vasiljević, Jovan. “Pokret Arnauta za vreme srpsko-turskih ratova 1876 i 1877/1878” Ratnik, 59, 1905, s. 659.

Jagodić, Miloš. The Emigration of Muslims from the New Serbian Regions 1877/1878, Balkanologie, Vol. II, n° 2, 1998, https://journals.openedition.org/balkanologie/256

Kanic, Feliks. Srbija, zemlja i stanovništvo II, Beograd, 1986.

Malkolm, Noel. Kosova, një histori e shkurtër, Koha ditore dhe Shtëpia e Librit, 2001.

Stojanćević, Vladimir. “Misija generala Milojka Leṥjanina u San Stefanu pred zakljućanje Ruski – Turski ugovor 1878. Godine, Godiṥnjak grad Beograd, Knj. XXIV, 1977.

Svirčević,Miroslav. The Establishment of Serbian Local Government in the Counties of Niš, Vranje, Toplica and Pirot Subsequent to the Serbo-Turkish Wars of 1876–1878, Balcanica XXXVII, Serbian Academy of Science and Arts, 2007.

Vasiljević, Jovan Hadži. “Pokret Arnauta za vreme srpsko-turskih ratova 1876 i 1877/1878” Ratnik, 59,1905.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com