RESTAURIMI I KISHËS SË ARBËRIT MONUMENT KULTURE E HISTORIE

Mërqi, Lezhë më 18/11/2023

Në përmbylljen dhe përurimin e punimeve të Kishës së Gjon në Mërqi të Lezhës, Kisha e Kuvendit të Arbrit, si e tillë shumë-shekullore që mban brenda mureve të saj historinë e racës tonë, u bë përurimi i përfundimit të punimeve restauruese, frutë i një punë nga muaj maj 2022 e deri me sot.

këtë vend të shenjtë 320 vjet ma parë u mblodh Kuvendi Arbnit, nën kujdesin e Papës shqiptar Klementit XI, Albanit. Me këtë rast, ishin të pranishëm Kryeipeshkvi i Tivarit dhe Administrator i Dioqezës së Kotorrit Imzot Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Lezhës Ottavio Vitale, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, Kryeipeshkvi i Shkodrës Imzot Angjelo Massafra dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvore, si dhe dy ipeshkvit në pension: Mons. Zef Gashi dhe Ilia Janjiq, Konsullit të nderit të Austrisë, Gjergj Leqejza. Këtë kremte e nderojnë ardhja e mysafirëve nga Kotorri (Mali i Zi) në krye me famullitarin e vendlindjes së Zmajeviqve, famullitari i Perastit don Sreçko Majiq, titullar fetar nga Kotorri, priftërinj nga Kosova e Shqipëria, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, zyrtarë e intelektualë nga rajoni.

Ceremonia e përurimit nisi me përshëndetjen e famullitarit, dom Elton Margjeçi i cili ndër të tjera tha:

“Më lejoni t’u përshëndes të gjithëve për praninë tuaj.

Falënderoj nga zemra dom Nikë Ukgjinin i cili me vullnet të mirë ndërmori restaurimin e kësaj kishe, Monument kulture e historie. Faleminderit nga zemra në emrin tim dhe të gjithë famullisë sonë. Falënderoj të gjithë ata persona bujarë që kanë kontribuar qoftë për restaurimin e kishës qoftë për organizimin e kësaj dite.”

Më pas u bë bekimi i Altarit si dhe i shtatoreve të Papa Klementit si dhe të Vinçenc Zmajeviq nga ipeshkvi i vendit Imzot Ottavio Vitale dhe kryeipeshkvi i Tivarit Imzot Rrok Gjonlleshaj, u mbajtën edhe fjalët e rastit ku u vlerësua puna e mirë organizative e priftit të përkushtuar në ruajtjen e vlerave të veprave të kultit, Dom Nikë Ukgjini .

Mons. Ottavio Vitale Ipeshkëv i Lezhës tha:

“Jam shumë i lumtur të jem këtu i pranishëm në këtë përvjetor të Koncilit të Arbrit dhe në përfundim të punimeve të ndërmarra në këtë tempull.

Më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë don Nikë Ukgjinin për vullnetin e tij të mirë për të rikonstruktuar këtë kishë, për t’i kthyer dinjitetin e saj qoftë si tempull qoftë edhe si objekt që mbart në vete vlera të mëdha historike dhe kulturore. Kjo kishë ka qenë vendi nga ku është organizuar e mbarë kisha e trojeve shqiptare pas mundimeve dhe vuajtjeve të mëdha për shkak të pushtuesve dhe jo vetëm.

Ishte e nevojshme ndërmarrja e një Koncili për të riorganizuar kishën Shqiptare dhe ajo çka më bën krenarë si ipeshkëv i Lezhës është fakti që në dioqezën tonë e kemi këtë kishë që është dëshmitare e shumë vendimeve të marra nga ipeshkvijtë pjesëmarrës dhe mund të them se jam falënderues atyre për punën e kryer pasi ato vendime nuk vdesin kurrë edhe pse gjithmonë ka gjëra që ndryshojnë”.

Fjalën e rasti e mori dhe famullitari i Perastit nga Mali i Zi, don Sreçko Majiq, i cili në emër të vendlindasëve të Vicko Zmjeviqi, falënderoj për organizimin e këtij takimi dhe ndërtimin e shtatores të kryeipeshkvit të Tivari i cili la vepra te mëdha në favor te shqiptareve nga emërimi i tij në Tivar 1701-1713 e deri në mbarim të jetës së tij në Zarë (1713-1745).

Zmajeviq

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu kënaqësinë që merr pjesë në këtë gëzim të kësaj dite. Ai rikujtoi momentet e bukura me popullin e Mërqisë dhe Kallmetit derisa ishte famullitar në këto zona në vitet 1994 – 2000, kur dhe bëri restaurimin e parë të Kishës së Kuvendit të Arbrit në vitin 1996. Ai në veçanti përmendi bashkëpunëtorin e tij të ngushte Prend Jak Shtjefni i cili ka vazhduar të mbetet besnik i Kishës së Mërqisë edhe gjatë punës që ka bërë dom Nika gjatë gjithë kësaj kohe.

Përshëndeti edhe kryebashkiaku i Lezhës z. Pjerin Ndreu. Ai me superlativa vlerësoi bashkëpunimin me kishën katolike e veçanërisht me Dom Nikën në ketë objekt si dhe objekte të tjera mesjetare, tashmë të restauruara si kisha e Balldrenit dhe ajo e Pllanës si dhe promemorja e Gazullorëve në Dajç të Zadrimës.

Fjalën përshëndetëse e mbajti ideatori dhe realizuesi i kësaj sipërmarrje kaq të rëndësishme dom Nikë Ukgjini. Ndër të tjera tha:

“Të nderuar shkëlqesi autoritete kishtare, nga Shqipëria, Mali i Zi e Kosova, autoritete të qeverisjes lokale, studiues të punës artistike, donatorë të ndryshëm nga brenda dhe jashtë, dhe dashamirës të këtij kremtimi! Me ardhjen e demokracisë në mars të viti 1991, Kisha katolike si pjesë e këtyre vuajtjeve të këtij populli, me këtë rast filloi edhe ajo ringjalljen e saj. Meshtarët përpos punës intensive baritore, ju desh të merreshin edhe më ringritjen e mureve të rrënuara të disa objekteve të kultit. Kështu ndodhi edhe me Kishën legjendare të Kuvendit të Arbrit, e cila gjatë kohës se komunizmit kishte degraduar së tepërmi. Duke qenë të bindur se kemi bërë një punë të vlefshme për ungjillëzimin kulturorë dhe shtuar një vlerë të madhe në trashëgiminë tonë Kulturore Kombëtare, dëshiroj të falënderoj të gjithë bashkëpunëtoret, donatoret si dhe firmën e Filip Jakut.

Do përfundoja me parafrazimin e fjalëve të ungjillit: Sa është mirë kur vllëzërit jetojnë e punojnë së bashku”.

Në pjesën e dy të kësaj feste të rrallë, aktivitetin e hijeshoi edhe një koncert festiv i organizuar nga Qendra Fëmijëve në Bashkinë Lezhë.

Nga fjala e dom Nikë Ukgjinit:

Ky përurim vjen pas takimit shkencor të mbajtur në Kotorr të Malit të Zi, më dt. 17 nëntor, për kontributin e Arqipeshkvinjve të Tivarit, Andria dhe Vicko Zmajeviq, ndërsa sot gjendemi në Kishën legjendare të Shën Gjonit, e cila para 320 viteve me dt. 14 -15 janar, mikriti barinjtë shpirtërore nga të gjitha trevat arbërore, të mbledhur për të kuvenduar për fatin e mëtejshëm të shqiptarëve të cilëve u rrezikohej së tepërmi, ekzistenca nga dhuna e egër osmane.

Ishte imzot Vicko Zmajeviq, Arqipeshkëv i Tivarit, kur papa Klementi XI Albani, nga i cili gufonte gjaku arbëror, i urdhëroi të besuarit e tij, që në emrin e Kishës së përbotshme, t’i bëjë tok arbërorët, që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për ripërtëritjen, rritjen e klerit, për lirinë fetare e të popullit dhe hapjen pranë kishave të sa më shumë shkollave shqipe.

Në Aktet e Kuvendit të Arbënit, të cilat u botuan në latinisht e shqip në vitin 1706, nga Imzot Zmajeviqi, ftohet kleri katolik shqiptar, përkundrejt torturave nga pushtuesit, të qëndrojë pranë në gazmende e në vaj pranë popullit të vet, që do ishte një investim i duhur dhe një paraprijë e rilindjes sonë kombëtare.

Në vitet e komunizmit përkatësisht mbas vitit 1967 ky objekt kulti me vlera të larta patriotike e kombëtare u kthye fillimisht në stallë bagëtish e më pas në magazinë drithërash. Më pas u rrëzua faqja ballore e murit si dhe u shemb çatia.

Restaurimi dhe ndërtimi i murit ballor e atij fundor dhe çatisë u bë në vitin 1996, falë për kujdesit të famullitarit të atëhershëm të kësaj zone, dom Dodë Gjergjit, i cili do shprehej se: “unë e bana punën teme, por do vijë koha kur prap do vihet dorë mbi këtë objekt, për rikthimin në identitet sa ma të sakte të tij fillestar”.

Sot i gëzohemi frytit të një pune shumë të lodhshme, pothuajse dy vjeçare e filluar në prill 2022, me meremetimin, ndërtimin, sistemimin e brendshëm të kishës dhe ambientit të jashtëm të saj. Ky ambient ka fitue vlerën e dyfishtë me vendosjen e dy figurave qendrore të organizimit të këtij Kuvendi Arbëror, Papa Klementit XI Albani dhe Vinçenc Zmajeviq, të cilët janë përjetësuar në shtatore guri, në shenjë kujtese e frymëzimi për brezat e rinj.

Në këtë sipërmarrje kontribuuan Bashkia e Lezhës për ndërtimin rrugës dhe punimeve të tjera, miku i kulturës afaristi Gjergj Leqejza dhe donatorë të tjera nga vendi dhe nga jashtë vendit, si Amerika e Zvicra të cilët ishin prezent me delegacionet e tyre.

Duhet veçuar donatorët e shtatoreve, Ilir Vatë Biga për ndërtimin e shtatores së Papa Albanit që kishte ardhë veçmas prej NewYorkut, gjithashtu edhe dioqezat e Tivarit, Kotorrit, Zarës dhe Nikollë Shabani për shtatoren e Zmajeviqit”.

Në fund të faljes së tij dom Nika do të shprehej: “Këtu punime të bukura për sy e për vesh nuk do të ishte realizuar me suksese pa ndihmën e grupit studimore e artistik. Grupi i punës: ark. Aleksandër Jushi me familje; inxh. Sokol Gazulli; skulptori Sadik Spahia; piktori Vasil Diamanti e konsultorëve të tjerë të heshtur. Me këtë rast do veçoja edhe skulptorin e rij, Ervis Gjini – Kovaçi i cili dhuroi dhe realizoi simbolin madhështor të Kuvendit të Arbrit të vendosur në oborrin e kësaj Kishe”.

Në fund mund të themi së ky inaugurim me përmasat qe kishte, duke i mbledhur krerët e të gjitha trevave të Kishës Katolike, nga Kotorri, Tivari, Shqipëria e Dardania e hershme, mund të quhej lirishtë një Kuvend i dytë i Arbrit.

Përgatiti: Ndoc Shaben

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com