REFLEKSION NË DY VJETORIN E LUFTËS NË UKRAHINË

Asllan Bushati

Më 24 shkurt 2024, u mbushën plot dy vite nga agresioni rus në Ukrahinë.Lajmet nga Kievi bëjnë me dije se edhe sot nga sulmet ruse u vranë 6 persona dhe 12 të tjerë u plagosën. Forcat ajrore ukrahinase njoftuan se rrëzuan 23 nga 31 dronet që i lëshoi Rusia në 5 rajone të ndryshme. Por forcat ukrahinase si kundër përgjigje goditën fabrikën e celikut të Lipetsk-ut ku mediat e pavarura ruse njoftuan se fabrika metalurgjike Novolipetsk është fabrika më e madhe e çelikut në Rusi. Në videot e shpërndara në mediat sociale në Rusi dukeshin pamjet e djegies së fabrikës ndërsa dëgjohej edhe një shpërthim i fuqishëm. Në të njejtën kohë media e pavarur ruse Mediazona njoftoi se dy vitet e fundit (2022- 2023) Rusia humbi në Ukrahinën mbi 75 mijë vetë. Perendimorët mendojnë se edhe Ukrahina në këto dy vite ka humbur të njejtën sasi njerzish. Por tashmë një ngecje është dukshëm e qartë për ecurinë e më tejshme.

Disa udhëheqës perendimor më 24 shkurt vendosën lule në Kiev në murin ku janë vendosur fotografitë e ushtarëve të rënë në luftë. Ursula von der Leyen dhe kryeministrat e Italisë, Kanadasë dhe Belgjikës të cilët deklaruan se: “Sot, jemi këtu për t’ju thënë se Evropa do të vazhdojë të qëndrojë në anën tuaj, për aq kohë sa duhet.Me më shumë mbështetje financiare, më shumë municione, më shumë trajnime për trupat tuaja, më shumë mbrojtje ajrore dhe më shumë investime në industritë e mbrojtjes të Evropës dhe Ukrainës. Do të ketë një Ukrainë të lirë dhe sovrane. Do të ketë paqe dhe begati.Dhe do të ketë Evropë”, thotë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian. “Ky vend është simboli i dështimit të Moskës. Ky vend është një simbol i krenarisë ukrainase”, tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. “Lufta juaj është lufta jonë. Ju po luftoni për sovranitetin tuaj, për territorin tuaj, për gjuhën tuaj, për kulturën tuaj, për demokracinë tuaj, por edhe për demokracinë tonë”, tha kryeministri i Kandasë.

“Populli i guximshëm i Ukrainës po lufton, i papërkulur në vendosmërinë e tij për të mbrojtur lirinë dhe të ardhmen e tij. NATO-ja është më e fortë, më e madhe dhe më e bashkuar se kurrë. SHBA-të dhe aleatët mbeten të përkushtuar për të ofruar ndihmë kritike për Ukrainën dhe për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj”, tha Presidenti Biden në një deklaratë.

Por ekspertët ushtarak thonë se: ”e ardhmja në fushën e betejës duket e zymtë për Ukrainën e lodhur nga lufta. Vendi po vuan nga mungesa e ushtarëve si dhe municioneve, për shkak të vonesave të ndihmës perëndimore. Forcat ukrainase përballen gjithashtu me një armik rus që tani ka korrur fitore në disa segmente në fushën e betejës.

Ish-gjenerali britanik Richard Barrons thotë: “Siç tregojnë faktet në terren, asnjëra palë nuk ka fituar.Asnjëra palë nuk ka humbur. Asnjëra palë nuk është afër heqjes dorë. Dhe të dyja palët kanë shteruar pak a shumë fuqinë ushtarake dhe pajisjet me të cilat filluan luftën.Për të dyja palët viti 2024, është një vit konsolidimi. Ato do të luftojnë të mbajnë nën kontroll atë që kanë tani dhe do të vazhdojnë të sulmojnë njëri-tjetrin. Të dyja palët janë të angazhuara në një garë për të gjetur më shumë ushtarë që të luftojnë dhe më shumë pajisje, më shumë municione dhe stërvitje më të mirë në mënyrë që të përpiqen të kenë sukses në fushën e betejës, gjë që mendoj se nuk do të jetë e mundur përpara fillimit të mesit të vitit 2025.Për të qenë i sinqertë, Rusia ka një përparësi të vogël”, thotë ai.

Ukraina hasi pengesa pasi kundërofensiva e shumëpritur e verës e viti të kaluar nuk arriti të prodhonte ndonjë përparim. Forcat e armatosura kaluan në një pozicion mbrojtës në vjeshtë për të zmbrapsur përparimet e reja nga Moska.Më 17 shkurt, forcat ruse morën kontrollin e qytetit Avdiivka, ku trupat e Kievit ishin nën zjarr të vazhdueshëm nga ushtria ruse që afrohej nga tre drejtime. Komandantët ukrainas ishin ankuar për javë të tëra për mungesë të personelit dhe municionit. Ishte fitorja më e madhe në fushëbetejë për Rusinë që nga lufta për Bakhmutin dhe konfirmoi se ofensiva e Moskës po merrte vrull. Aktualisht Rusia ka pushtuar rreth 20 përqind të teritorit të Ukrahinës

Kurse, Ukraina ka rezultuar e suksesshme në Detin e Zi, ku ka përdorur armë me rreze të gjatë për të goditur objekte ushtarake në Krime dhe dronë detare për të fundosur anijet luftarake ruse. Ukraina ka shkatërruar një të tretën e Flotës së Detit të Zi, (sipas Këshillit Atlantik). Ajo po kërkon të blejë më shumë raketa me rreze të gjatë për të goditur thellë në territorin e pushtuar nga Rusia, lëvizje kjo që disa vende evropiane e shikojnë me skepticizëm se kanë frikë se Moska mund të shkaktojë përshkallëzim deri me përdorimin e ADM.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë përpjekur të mbajnë të fshehta shifrat e viktimave. Megjithatë, të dhëna nga insititute dhe media të pavarura tregojnë se shifrat janë të larta për të dyja palët. Ajo që dihet, thonë ekspertët, është fakti se Ukraina është e varur nga aleatët perëndimorë dhe organizatat ndërkombëtare jo vetëm për ndihmë ushtarake, por edhe për mbështetje financiare dhe ndihmë humanitare.Pa ndihmën perëndimore, Ukraina nuk do të ketë armët, municionet dhe trajnimin që i nevojiten për të mbështetur përpjekjet e luftës, as nuk do të jetë në gjendje të mbajë në këmbë ekonominë e saj të dëmtuar nga lufta.

Për një moment le të këthehemi tek fillimi i luftës ku më 21 shkurt 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, mbajti një fjalim me tone të ashpra, duke pretenduar se Rusia nuk do të nisë pushtim të shkallës së plotë në Ukrainë. Mirpo në më pak se 72 orë më vonë, raketat ruse u nisën drejt territorit ukrainas, dhe forcat ushtarake ruse e kaluan kufirin. Sipas inteligjencës perëndimore, Putin ka besuar se Ukrainën do ta pushtojë brenda javës, nëse jo brenda 3-4 ditëve. Kjo nuk ndodhi, dhe tani lufta i ka mbushur dy vjet. Pyetja shtrohet a do të përfundojë ajo në vitin e tretë? Ekspertët thonë me siguri jo.

“Është gjithmonë e rrezikshme të bëjmë parashikime, mirëpo është e vështirë të imagjinojmë se lufta do të përfundojë deri në fund të vitit 2024”, sepse një ngërç në bisedime mund të jetë mashtrues, pasi i vetëkënaq mbështetësit e Kievit me situatën aktuale në kohën kur një faktor shumë i rëndësishëm i luftës është vënë në pikëpyetje: ndihma ushtarake e Perëndimit për Kievin”.

“Siç janë gjërat tani, asnjëra palë nuk duket se ka kapacitet për një mposhtje vendimtare të palës tjetër. Që të arrihet diçka e tillë, duhet të ketë ndryshim rrënjësor të faktorëve të jashtëm, sidomos kur është fjala për nivelin e përkrahjes që ofron Perëndimi”, ka thënë Deyermond në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.“Natyrisht që më shumë mbështetje prej anës së Perëndimit do t’i ndihmojë Ukrainës që të bëjë përparim për çlirim të territorit, ndërsa një zbehje e mbështetjes së Perëndimit do të rezultojë me një Ukrainë që pajtohet me kushtet e vëna prej Rusisë në bisedimet për paqe”.

Olga Oliker, drejtore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka qenë më direkte në vlerësime ku thekson se: “Nëse Ukraina mbetet pa armë dhe njerëz, lufta do të përfundojë vitin e ardhshëm”.“Gjithmonë ekziston mundësia që dorëzimi i njërës palë t’i japë fund luftës”, ka thënë ajo.“Dhe nëse mbeteni pa armë dhe njerëz, nuk ekzistojnë shumë mundësi tjera”.

Parë në tërësi, situata në fushbetejë ka ndryshuar disa herë që nga fillimi i luftës. Viti 2022 ka qenë viti i Ukrainës, pasi e ka befasuar gjithë botën duke i mbijetuar, por edhe duke e luftuar bindshëm Rusinë rreth Kievit në javët e para të luftës.Më vonë, forcat mbrojtëse ukrainase kanë arritur të rikthejnë pjesë të mëdha të territoreve rreth Harkivit dhe Hersonit. Më 2023, një ofensivë e shumëpritur e Kievit, e nisur në qershor, nuk i ka prodhuar rezultatet e synuara, që të depërtohet në “korridorin tokësor” që mundëson kalimin prej territorit ukrainas në Krime, gadishullin ukrainas të pushtuar prej Moskës më 2014.

Në një intervistë të publikuar nga The Economist më 1 nëntor 2023, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosua të Ukrainës në atë kohë, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, e ka përshkruar situatën në fushëbetejë si “ngërç” – fjalë që te disa në Ukrainë kanë lënë shijen e disfatës, përfshirë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.Gjërat kanë ndryshuar që atëherë, më pak në fushëbetejë, por më shumë në Uashington, pasi një lloj tjetër ngërçi atje përbën kërcënim për mbrojtjen e Ukrainës. Rreth dy javë para deklaratave të Zuluzhniyt, të cilat mund të kenë kontribuuar në shkarkimin e tij nga detyra, presidenti amerikan, Joe Biden, ka propozuar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë të 60 miliardë dollarëve, kryesisht për armë.

Në fushëbetejë, zhurma e armëve të zjarrit në Ukrainë është duke u zbehur secilën herë që pakësohen armët, dhe situata rreth Avdivkas nuk i ngjan aspak ngërçit. Pas shumë muajsh të luftimeve, forcat ushtarake ruse e kanë kapur këtë qytet të shkatërruar të Donbasit. Sikurse në betejën e gjatë për Bahmutin, edhe fitorja në Avdivka i ka kushtuar shumë Rusisë, me humbje të numrit të ushtarëve dhe armëve. Megjithatë, kjo fitore shkon në të mirë të presidentit rus Vladimir Putin pak para zgjedhjeve të presidenciale të 15-17 marsit 2024. Ata pritet t’ia sigurojnë edhe gjashtë vjet në pushtet, dhe mund t’ia kenë rritur vetëbesimin për luftën.Ky rezultat mund t’ia ketë hapur rrugën Moskës që të pushojë më shumë territor.

“Nëse forcat ruse vazhdojnë të avancojnë përtej Avdivkas dhe të fitojnë kontroll në rrjetin transportues, përfshirë perëndimin e Bahmutit, ato do të përbëjnë kërcënim për një objekt më strategjik sic është Pokrovskin, rreth 80 kilometra larg”, (ka thënë analistja ushtarake Dara Massicot, hulumtuese e lartë në Institutin për Paqe Ndërkombëtare Carnegie)”, në një postim në X, më 20 shkurt.

Shefi ukrainas i inteligjencës, gjenerali Kyrylo Budanov, ka thënë për të përditshmen amerikane The Wall Street Journal se forcat ruse “nuk kanë forcë” për të arritur atë që e ka konsideruar synimin e tyre strategjik, për pushtim të rajoneve Donjeck dhe Luhansk – të cilat përbëjnë Donbasin – në tërësinë e tyre, këtë vit. Ndërkohë, analistët kanë thënë se për Rusinë, mbajtja e territorit që kontrollon tani, dhe kapja e një pjese tjetër në lindje dhe jug, është vetëm njëra pjesë e planit, pasi ekzistojnë edhe ambicie tjera që kërkojnë më shumë kohë për t’u përmbushur.“Rusia ende synon nënshtrimin e Ukrainës, dhe tani beson se është duke fituar”, kanë thënë Jack Watling dhe Nick Reynolds, analistë ushtarakë në Institutin Royal United Services, me bazë në Britani, në një koment që e kanë publikuar më 13 shkurt.

“Në kushtet për dorëzim që i propozojnë tani ndërmjetësuesit rusë përfshihet që Ukraina të heqë dorë prej kontrollit mbi territorin e pushtuar prej Rusisë, përfshirë Harkivin, në disa versione përfshihet edhe Odesa, të pajtohet që nuk do t’i bashkohet NATO-s, dhe të ketë një udhëheqës shteti të miratuar prej Rusisë”.

Rusia shpreson që të gjitha këto t’i arrijë përmes një procesi me tri faza, kanë shkruar Watling dhe Reynolds: 1) duke ia konsumuar Ukrainës të gjitha municionet e duke e mbajtur vijën e frontit nën presion të vazhdueshëm. 2) duke thyer vendosmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për të dërguar ndihmë ushtarake në Kiev” dhe 3) duke shënuar fitore në fushëbetejë, të cilat do të mund të përdoren kundër Kievit, duke e detyruar që të kapitullojë sipas kushteve të vëna prej Rusisë.

“Planifikimet për zbatim të këtyre objektivave tregojnë se ata parashohin që fitorja të arrihet më 2026”. Pjesa më e rëndësishme e ekuacionit është që Rusisë mund t’i rriten ambiciet, dhe atë në periudhë të shkurtër, sepse Putinit i kanë ndryshuar synimet, varësisht prej avancimeve apo kthimeve mbrapa që i ka pasur.“Është me rëndësi që të përmendim që synimet e Rusisë mund të zgjerohen, varësisht prej suksesit”, kanë thënë analistët e RUSI-t, dhe “duke marrë parasysh që Kremlini i ka shkelur pothuajse të gjitha marrëveshjet e rëndësishme me Ukrainën dhe NATO-n, nuk ka garanci që edhe nëse Rusia i merr të gjitha ato që ka dashur prej negociatave, ajo nuk do të ndalet derisa të pushtojë gjithë Ukrainën, apo të detyrohet të përdorë forcën diku tjetër”.

Ky konkluzion del se dy vjet pas agresionit rus në Ukrainë, duket se lufta nuk do të përfundojë së shpejti. Ndërsa vendi përballet me mungesa të furnizimeve ushtarake që po e dëmtojnë atë në fushën e betejës, udhëheqësit perëndimorë premtuan se do të mbështesin Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ekspertët thonë se pa ndihmën perëndimore, Ukraina nuk do të ketë armët, municionet dhe trajnimin që i nevojiten për të mbështetur përpjekjet e luftës, as nuk do të jetë në gjendje të mbajë në këmbë ekonominë e saj të dëmtuar nga lufta.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com