REAGIMI I FEDERATËS VATRA DHE GAZETËS DIELLI PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË

Prof. dr. Roland Gjini

Lufta dhe përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe të drejtat e tyre kombëtare nuk rreshtën as pas vitit 1913, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës vendosën ndarjen e saj terrioriale nga trungu mëmë i Shqipërisë, si dhe pas Luftës së II botërore, kur Serbia risanksionoi pushtimin e plotë të Kosovës. Populli i kësaj treve, dhe sidomos rinia studentore dhe intelektualët, herë pas here bënin protesta e ushtronin trysni ndaj autoriteteve të Serbisë dhe Jugosllavisë në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare. Këto protesta u bënë më intensive në vitin 1968 kur studentët shqiptarë kosovarë u ngritën në demostrata në mbrojtje të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar. Kryetari i Jugosllavisë së asaj kohe, kroati Josip Broz Tito, në vitin 1969 u detyrua të bëjë disa lëshime. Kështu, Kosova fitoi statusin e Krahinës Socialiste Autonome (KSA) brenda për brenda Republikës së Serbisë, dhe kësaj njësie iu dha e drejta e vetos në organet shtetërore federative. Këto ndryshime u sanksionuan në vitin 1974 në Kushtetutën e re të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Në fillim të viteve ’70-të u shënuan edhe disa arritje të tjera në favor të popullit shqiptar të Kosovës: u krijuan Universiteti i Prishtinës, Akademia e Arteve dhe e Shkencave si dhe Radiotelevizioni i Kosovës, Gjithashtu kishte disa shkëmbime të ndërsjellta me Shqipërinë në punën kërkimore në universitete, në Akademitë përkatëse të shkencave, në muzikë, art dhe kulturë. Megjithë këto përmirësime populli shqiptar i Kosovës vazhdoi të mbesë më i prapambeturi në aspektin ekonomik, në krahasim me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Duke vazhduar të trajtohej si pakicë kombëtare e dorës së dytë ai nuk gëzonte të drejta të barabarta me kombet e popujt e tjerë të federatës.

Pas vdekjes së Titos në vitin 1980, klika e re shoviniste serbe që erdhi në pushtet, të trembur nga fitimi i disa të drejtave të shqiptarëve dhe nga zbatimi i parimit “vëllazërim-bashkimit” mes kombeve e kombësive të federatës, ndërruan kurs në marrëdhënie me Kosovën. Ata me hapa të dhunshëm e të njëpasnjëshëm në praktikë dhe me ligje filluan t’u mohojnë shqiptarëve të kësaj krahine edhe ato pak të drejta që këta kishin fituar në kuadër të Krahinës autonome. Populli i Kosovës, duke ndjerë këtë rrezik, u ngrit sërish në protesta, demostrata e manifestime edhe më fuqishëm se më parë. Përsëri në ballë të këtyre aksioneve qëndronte rinia studentore.

Fuqishëm studentët dhe populli i Kosovës demonstruan dhe protestuan në pranverë të vitit 1981. Lëvizja nisi nga studentët në 4 mars. Në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës një grup studentësh protestuan për kushte më të mira ekonomike: jetese dhe ushqimi në konvikt. Duket sikur protesta e nisur ishte spontane, por në fakt ishte ndryshe. Rinia studentore, ashtu si tërë populli i Kosovës kishte jo vite, por dekada e breza të tërë njerëzorë që kishte akumuluar mllefe e urrejtje ndaj serbëve pushtues e shtypës të lirive e të drejtave të tyre. Durimi i tyre tashmë kaloi çdo kufi të arësyes njerëzore, pasi mohimi i të drejtave dhe shtypja e gjatë nga regjimi serb i kishte bindur kosovarët se e vetmja rrugë shpëtimi ishte hedhja në luftë kundër këtij regjimi. Dhe në fakt kështu ndodhi, lufta filloi me protesta, manifestime e demostrata, duke vijuar në vitet që pasuan me mosbindje civile, me vendimmarrje të vetë shqiptarëve deri në kryengritje të armatosur në vitet 1998-1999, pra 17 vjet pas demostratave të vitit 1981.

Pas 4 marsit demostrata u zhvilluan edhe në ditët e mëpasme, në to numuri i studentëve protestues filloi të shtohej, por e menjëhershme ishte edhe ndërhyrja e policisë serbe, Në mënyrë të dhunshme ata goditën studentët protestues e arrestuan mjaft prej tyre, Arrestimi i studentëve kaloi në paraburgim dhe asnjë prej tyre nuk u lirua. Kjo bëri që në datën 11 prill protesta e studentëve të kalojë në një demostratë massive, ku me studentët u bashkuan edhe shumë punëtorë të Prishtinës e të zonave të tjera. Policia ndërhyn akoma më dhunshëm, madje kundër protestuesve u përdorën veç shkopinjve të gomës edhe mjetet e blinduara për t’i shpërndarë. Për disa ditë rresht në Prishtinë, Gjilan e në qyteteve të tjerë të Kosovës ka protesta e manifestime të studentëve e punëtorëve. Nga kërkesat ekonomike u kaluan në kërkesa politike, “si lironi studentët nga burgu” deri në kërkesën e guximshme të hedhur për herë të parë nga demostruesit e Gjilanit: “Kosova republikë”. Të inkurajuar nga kjo kërkesë më pas në Prishtinë e qytete të tjera ku pati demostrime shihje parulla të tilla politike: “Kosova kosovarëve”, “Duam Republikë”, “Republikë e kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “E duam flamurin kombëtar”, “Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera. Regjimi gjendet i papërgatitur për këtë situatë. Demonstruesit studentë e punëtorë në fillim të prillit u bëjnë thirrje tërë popullit të protestojë në mbrojtje të bijve të vet dhe për të kërkuar të drejtat dhe lirinë kombëtare, Policia shton reprezaljet e paraburgimet dhe sipas të dhënave zyrtare nga demostruesit pati 9 të vrarë e 15 të plagosur, ndërsa nga ana e policisë 2 të vrarë e 17 të plagosur. Në këto demostrata që zgjatën tërë pranverën e vitit 1981 populli i Kosovës zbrazi tërë urrejtjen për padrejjtësitë e bëra nga regjimi serb në ish Jugosllavi. Analistët i kanë cilësuar ngjarjet e pranverës së vitit 1981 si demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Pasi i shtypi me zjarr e me hekur këto protesta regjimi i Beogradit vendosi “gjendjen e jashtëzakonshme” si dhe “shtetrrethimin” të cilët vazhduan gjatë, deri në fillimin e luftës në Kosovë. Ishte hera e dytë që në Kosovën e pas luftës antifashiste shpallej gjendja e jashzakonshme dhe shtetrrethimi, hera e parë ishte më 8 shkurt 1945, ku u ndalua dalja e lëvizja jashtë shtëpisë nga ora 8 e darkës deri në 5 të mëngjesit. Megjithë reprezalje e kufizimet e bëra nga qeveria, përsëri zjarri i rezistencës së vitit 1981, jo vetëm nuk u shua, por erdhi duke u rritur nga viti në vit, deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëbimin e forcave ushtarake serbe nga Kosova, në vitin 1999.

Fillimisht, propaganda shtetërore serbe protestat e demostratat e studentëve shqiptarë i cilësoi si ngjarje të vogla e pakënaqësi spontane për kushte ekononomike. Kur demostratat u intensifikuan, u përhapën nga Prishtina edhe ne qytete të tjerë e ku bashkë me studentët u përfshi edhe populli, arëhere propaganda serbe i paraqiti ato si “destabilizuese”, “si kërcënim për rendin publik” e si “irredentiste” Kjo ishte arsyeja që një pjesë e mirë e vendeve perëndimore nuk reagoi ndaj shtypjes me dhunë të këtyre protestave, madje kishte edhe qeveri perëndimore që pranuan masat represive të ndërmarra nga shteti jugosllav. Shqipëria socialiste e Enver Hoxhës reagoi me një vonesë relative, më datë 8 prill, me anë të gazetës së saj kryesore “Zëri i Popullit” me artikullin: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket në Kosovë?” Më pas u botuan edhe disa artikuj të tjerë po nga kjo gazetë gjatë vitit 1981 në mbështetje të kërkesave të rinisë studentore e popullit të Kosovës. Populli i Kosovës dhe intelektualës e saj i mirëpritën këta artikuj duke parë te vëllezërit e tyre të Shqipërisë një përkrahje e mbështetje të sinqertë, të matur dhe frymëzuese.

Edhe gazeta Dielli relativisht me vonesë e bëri njoftimin, vetëm në numrin e saj të datës 1 prill, kur në fakt demostratat kishin filluar në 4 mars. Por Federata Vatra reagoi më shpejt me akte të tjera. Në Kuvendin e saj vjetor të mbajtur në Boston në datat 22 dhe 23 mars me propozim të zotit Mahmud Cungu kuvendi miratoi një rezolutë për situatën tragjike në Kosovë gjatë demostratave të rinisë studentore, punëtorëve e fshatarëve shqiptarë. Kjo rezolutë, e përpiluar në trajtë telegrami iu dërgua presidentit amerikan Ronald Regan. Për publikun teksti i këtij telegrami u botua muaj më vonë te Dielli. Në të thuhej që si pasojë e lëvizjeve paqësore për liri, të drejta shoqërore dhe politike në Kosovë shtruan si kërkesë për të pasur republikën e tyre, ku morën pjesë masat e gjera të popullit, në vend të mirëkuptimit, thuhet më tej në telegram, qeveria jugosllave përdori dhunën dhe terrorin. Kështu brenda muajit mars, më datë 25, qindra e mijëra shqiptarë të New Yorkut e Amerikës iu përgjigjën thirrjes së saj për të protestuar para selisë së Kombeve të Bashkuara e para Ambasadës së Jugosllavisë në OKB. Ndërsa në muajin prill të vitit 1981 Vatra u dërgon një notë shqetësimi Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kurt Vald’heim si dhe për dijeni edhe Sekretarit të Shtetit të USA-s Aleksandër Heig. Ja çfarë thuhet në këtë notë:

“I nderuar zoti Kryetar!

Gjithë anëtarësia dhe miqtë e Shoqërisë Panshqiptare Vatra u alarmuan nga lajmet e hidhura të ngjarjeve në Kosovë. Mësojmë se është bërë gjakderdhje, janë marrë masa të rrepta, janë mohuar të drejtat njerëzore dhe dinjiteti i një populli kryelartë, Popullsia shqiptare që përbën atë vend dëshirojnë që të jenë qytetarë besnikë të Jugosllavisë me gjithë të drejtat e qytetarisë dhe me gëzimin e frymës etnike shqiptare. Nuk dëshirojmë të hyjmë në punërat e brendshme të kombit jugosllav, por shqiptarët e Kosovës janë vëllezërit tanë. Jemi një gjak dhe nuk durojmë dot kur dëgjojmë që vuajnë. Dëshirojmë që jeta e tyre të jetë aq e lumtur dhe aq e pasur si edhe republikat e tjera jugosllave. Kosovarët nuk pranojnë dot të quhen si Klas i Dytë se nuk është mirë as për kosovarët, as për shtetin jugosllav e as për botën e lirë. Këto janë kohëra të turbullta e kërkojnë bashkëpunimin e të gjithëve. Lutemi z. Kryetar që t’u hiqni zgjedhën kosovarëve shqiptarë dhe shpresojmë që t’i ndihmoni të vazhdojnë përparimin dhe të realizojnë ëndërrat e jetës së tyre. Lusim që të mos ngjasin më trazira në të ardhmen se fati ynë varet në bashkëpunim dhe në vëllazërim.

Dr. Andrea Delia

Kryetar i Vatrës.”

Reagimi ndërkombëtar edhe ai i shqiptarëve të Amerikës, u bë intensiv kur në muajin prill shteti serb nuk kishte çfarë të fshihte më për gjendjen në Kosovë, shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme dhe e shtetrrethimit bindi gjithëkënd që nuk kemi të bëjmë me “pakënaqësi spontane” apo me “çështje të brendshme” të Jugosllavisë lidhur me qëndrimin e ashpër ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Megjithëse në situatën e shtet rrethimit nuk lejoheshin gazetarë të huaj në Kosovë, gazeta Dielli nuk reshti së shkruari editorialë, njoftime, lajme, shkrime analitike, letra nga lexuesit për Kosovën në çdo numër të saj nga prilli deri në gusht të vitit 1981. Rritja e shtypjes dhe mohimi në vijim i të drejtave më elementare entike për popullin shqiptar të Kosovës, intensifikoi edhe reagimin e shqiptarëve të Amerikës. Gazeta Dielli thekson se në qytete të ndryshme të ShBA-së, kishte demostrata e protesta të shumta në përkrahje të shqiptarëve të Kosovës. Kështu, më 13 prill, në Washington, kryeqyteti i ShBA-së, mbi 1 500 shqiptarë demostruan fuqishëm duke denoncuar gjendjen tragjike të shqiptarëve të Kosovës. Folësit vunë theksin në krijimin e kësaj situate nga Qeveria e Beogradit në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e republikës serbe. Në kronikën e korrespondentit të gazetës Dielli përcaktohet se Qeveria e Beogradit dërgoi milicët e saj, të pajisur me tanke e areoplanë, në Kosovë, ku së bashku me forcat e policisë serbe sulmuan studentët, punëtorët dhe fshatarët shqiptarë me një egërsi të jashtëzakonshme. Solidarizimi me protestat e kosovarëve shprehej edhe nga letrat e lexuesve drejtuar redaksisë së gazetës Dielli. Kështu, lexuesi me iniciale A.G., në letrën e tij botuar në këtë gazetë në datën 1 maj 1981 shkruan se shqiptarët që morën pjesë në demstratën e Wshingtonit ishin njerëz të çdo moshe, të çdo shkalle shoqërore dhe kulturore, të çdo partie e te çdo grupimi politik. Më tej bën thirrje që problemi i Kosovës duhet të jetë problem kombëtar për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, Në po këtë gazetë, kryeredaktori i saj Xhevat Kallajxhiu në editorialin e shkruar prej tij me titull “A do t’i këndojë historia?” thotë se ngjarjet tragjike që ndodhën në Kosovë në muajt mars-prill, tronditën shpirtat e shqiptarëve në Jugosllavi e kudo tjetër ku ata ndodhen. Shumë shqiptarë që jetojnë në vende të botës së lirë bënë demonstrate në qytete të ndryshme, në Amerikë ( në New York, Washington, Chicago, San Francisco), në Toronto të Kanadasë, në Frankfurt të Gjermanisë, në Bruksel të Belgjikës.

Përveç Federatës Vatra, në mbrojtje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës doli edhe Komiteti “Shqipëria e lirë” në New York, duke dënuar njëkohësisht masat e rrepta e çnjerëzore që ndërmorën autoritetet jugosllave ndaj tyre. Ky Komitet dënoi edhe qëndrimin negativ të Tiranës që mbajti me këtë rast. Megjithëse botoi disa artikuj për Kosovën në “Zëri i popullit”, theksoi ky Komitet, qeveria e Tiranës nuk i dërgoi asnjë protestë zyrtare qeverisë së Beogradit dhe asnjë ankesë zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Pas shtypjes me dhunë të demonstratave e të burgimit të një numri të konsiderueshëm protestuesish, qeveria serbe shtoi më tej forcat policore e kontrollin mbi qytetet e fshatrat e Kosovës, forcoi regjimin e shtypjes dhe e mohimit të çdo të drejte për shqiptarët e Kosovës nën preteksin e “vendosjes së rendit e të qetësisë”. Ndërkohë gazeta Dielli, sa më tepër keqësohej situata në Kosovë, aq më shumë reagonte me shkrimet e saj. Kështu, në shkrimin e saj analitik me titull “Demostratat në Prishtinë” të datës 16 maj 1981 me autor Ymer Dodën, mes të tjerash theksohej se për vendosjen e represionit ndaj popullit shqiptar të Kosovës në Jugosllavi autoritetet serbe gjetën dhe përdorën edhe elementin shqiptar të rekrutuar në udhëheqje të Serbisë, si Fadil Hoxhën e Xhavit Nimanin, këtë të fundit të joshur për rotacionin e presidencës jugosllave pas vdekjes së Titos. Gjithashtu, autori i shkrimit përmend që regjimi i Beogradit rekrutoi me anë të shpërblimit si agjentë të UDB disa shqiptarë, siç ishte rasti i shqiptarit nga Maqedonia Edip Markja, që vidhte nga të ardhurat që krijoheshin nga hidrocentrali mbi Drin pranë Dibrës së Madhe. Ky shkrim nuk le pa thumbuar edhe qeverinë e Tiranës, duke theksuar se kurrësesi kjo qeveri nuk mund t’a kryejë detyrën e saj me një apo disa shkrime gazete për çështjen e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës. Përfaqësia shqiptare e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara ka patut mjaft kohë me protestuar pranë kësaj organizate, apo t’i bënte një kërkesë OKB-së që Shqipëria të dërgonte në Kosovë një komision të sajin qeveritar për të hetuar mbi rrethanat e ngjarjeve në Kosovë. Megjithatë, regjimi i Tiranës ka ende kohë që të ndërmarrë veprime për të shqyrtuar ngarjet në Kosovë, nuk është ende vonë për këtë.

Ndërkohë, nga sensibilizimi i vazhdueshëm që realizonte Federata Vatra dhe gazeta Dielli për situatën në Kosovë, që sa vinte e bëhej më e nderë, më 18 maj të vitit 1981, në New York zhvillohet një nga demostratat më të mëdha të shqiptarëve të Amerikës në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Kështu, këtë ditë, mbi 2 500 shqiptarë të New Yorkut si dhe të ardhur nga qytetet e Chicagos, Detroitit, Filadelfias, e deri nga Toronto e Kanadasë, protestuan rrugëve të Manhatanit e denoncuan aktet barbare e terroriste që qeveria jugosllave po ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës. Korespondenti i Diellit njofton se demonstrata filloi në ora 10.00 të mëngjezit pranë selisë së Kombeve të Bashkuara, në të folën mjaft ligjërues shqiptarë dhe dashamirës të shqiptarëve nga Amerika. Fjalimet e tyre u shoqëruan me parulla të njëzëshme si “Rroftë Kosova”, “Liri për popullin shqiptar të Kosovës”, “Lavdi rinisë kosovare”. Demostruesit nga selia e Kombeve të bashkuara, të shoqëruar nga një njësi e forcave policore të NYC, marshuan drejt selisë së Kosullatës jugosllave në 54 Street dhe Madison Avenue të Manhatanit. Prej Konsulltës demostruesit u drejtuan për te ndërtesa e Misionit jugosllav në OKB në 68 Street e 5 Avenue. Këtu u hodhën parulla të tjera në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës. Për këtë demostratë dhanë pamje dhe folën edhe stacionet më të mëdha radiotelevizive të ShBA-së, si NBC, CBS apo ABC.

Gazeta Dielli njofton gjithashtu se në përkrahje të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës pas demostratave të pranverës 1981 ngritën zërin edhe organizata të tjera me përbërje nga disa kombësi e që vepronin në SHBA. Një prej tyre ishte Grupet Etnike Republikane, ku në përbërje të kësaj organizate ishin edhe tre shqiptarë, të drejtuar nga z. Fejzi Domni dhe të përbërë nga industrialisti Ekrem Bardha e kleriku Prenk Camaj. Në kuvendin e datës 7 qershor të kësaj organizate u miratua një rezolutë që dënonte persekutimin e shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi nga regjimi serbosllav. Pas miratimit të rezolutës përfaqësia shqiptare e kësaj organizate u prit në Shtëpinë e Bardhë nga këshilltari i presidentit Regan z. Allen, nga bashkëshortja e nënpresidentit, zj, Barbara Bush si dhe disa pjesëtarë të Kabinetit.

Ndërkohë Federata Vatra dhe gazeta Dielli vijojnë të demaskojnë heshtjen e qeverisë së Enver Hoxhës për 35 vjet për çështjen e Kosovës. Ja çfarë shkruhet në një numur të Diellit për këtë: “Shtypi i Tiranës me qëllim që të tregojë se Enver Hoxha paska menduar për Kosovën pyet: “Përse Titoja nuk e plotësoi atë që i tha shokut Enver Hoxha, në bisedimet zyrtare të vitit 1946 se Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe do t’ua kthejmë, por jo tash, se aktualisht reaksioni serbomadh nuk do ta pranojë një gjë të tillë.”? Shumë mirë. Pse priti Enver Hoxha gjer tashti për të bërë një pyetje të tillë?” Më tej artikulli kritikues thekson se tërë këto vite nga ana e Republikës Socialiste të Shqipërisë nuk është bërë asnjë kërkesë për kthimin e Kosovës në gjirin e Shqipërisë. Nuk mund të gjesh asnjë dokument që të mbajë ndonjë kërkesë të tillë. Më poshtë theksohet se populli i Kosovës nuk mund të presë asgjë prej Tiranës komuniste, sikur vërtet Enver Hoxha të kishte dhimbshuri për popullin shqiptar të Kosovës, ai mund ta provonte këtë duke u treguar më i dhimbshur me popullin e Shkodrës, me popullin e Korçës, me popullin e Tiranës. Diktatori i Shqipërisë nuk ka për të qenë kurrë një forcë tërheqëse për kosovarët që kanë mend në kokë.

Një analizë të thellë e të gjerë i bën situatës në Kosovë nga demostratat e mars-prillit e në vijim të vitit 1981 prof. Sami Repishti. Artikulli i tij analitik me titull “Gjendja kaotike dhe shqetësuese e Kosovës” u shkrua në maj të vitit 1981. Artikulli nis me një vlerësim që autori i bën demostratave të shqiptarëve të Kosovës në muajt mars e prill, si dhe qëndrimit të regjimit të Beogradit ndaj tyre. Demostratat e studentëve e më pas edhe të punëtorëve e fshatarëve kosovarë të datave 11, 25 dhe 26 mars si dhe të datave 1, 2 e 3 prill çuan në gjakderdhje në këtë krahinë sa të shtypur aq edhe fatkeqe. Ndërsa qeveria e Beogradit mësyu keq me policinë e milicinë nga njera anë, shtypi, radioja, televizioni dhe mjetet e tjera të informimit u vunë plotësisht në dispozicion të propogandës jugosllave, nga ana tjetër. Nga të gjitha këto, thekson autori, shihet qartë që në Jugosllavi po rilind një rrymë e rrezikshme vullneti të keq, paragjykimi të pajustifikuem, dyshimi, mostolerance, njëanshmërije dhe përbuzjeje kundrejt shqiptarëve në tërësi. Mbas bilancit tashma të njohur të masakrave të bëra gjatë demostratave, kemi me dhjetra shqiptarë të vrarë, me qindra të plagosur, me mijëra të arrestuar, që po torturohen e që po gjykohen me dyer të mbyllura çdo ditë, bota po dëshmon edhe një varg të pambarim akuzash plot vrerë që po lëshohen mbi kurrizin e popullit shqiptar në Jugosllavi, sot të mbetur pa mbrojtje. Për më tej, në artikull përmendet që regjimi i Beogradit po përdor edhe anëtarët e drejtuesit e partisë komuniste të KSA të Kosovës për propogandën e vet trilluese e jashtë realitetit të situatës. Kështu, theksohet në artikull, më 6 prill 1081, anëtarët e Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste për Kosovën, … denoncuan demostratat si “veprime armiqësore”, e i përcaktuan si “kundër-revolucionare”, Këto demostrata i cilësuan si “pjesë përbërëse e veprimit të organizuar të armikut të brendëshëm e të jashtëm në vijën e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Ata kanë si qëllim të krijojnë jo-stabilitet në Kosovë dhe të konfrontojnë kombësinë shqiptare me kombet e kombësitë e tjera në Kosovë e Jugosllavi, ta shkatërrojnë vëllazërimin e bashkimin e tyre … të rrezikojnë pavarësinë dhe integritetin territorial të RSF të Jugosllavisë, të kompromentojnë Jugosllavinë në botë si vend i paqes, të miqësisë midis popujve dhe të politikës së mosinkuadrimit”.

Në analizën e tij autori jep shkaqet e vërteta që çuan në shpërthimin e protestave të pranverës së vitit 1981. Ndër arsyet kryesore se pse studentët dhe populli i Kosovës u ngrit në demostrata e protesta Sami Repishti veçon faktin që edhe sot pas 35 vjetëve gjendja e shqiptarëve në Jugosllavi është tragjike, pasi gjendja e sotme e jashtëzakonshme që u vendos në Kosovë është e njëjta si ajo e vendosur në vitin 1945. Ekzistenca e Krahinës Autonome të Kosovës, thekson ai, të fituar me shumë gjakderdhje dhe përpjekje guximtare, po rrezikohet sot ashtu si në pranverën e vitit 1945. Presioni serb për kufizimin e të drejtave kushtetuese dhe lirive themelore të Krahinës po rritet me shpejtësi, në nivelin dhe përpjestimet e njohura në 1945. Grupet serbe që shndrruan Kosovën nga një element konstitutiv federal, në një aneks republikan me autoritetin e një komune të thjeshtë … po forcohen dita ditës, duke kërkuar me këmbëngulje kthimin e kufizimeve të para 1969-tës.

Artikullshkruesi nuk mjaftohet vetëm me renditjen e shkaqeve që çuan në situatën e rëndë në Kosovë, por ai jep edhe mendime për kapërcimin, apo të paktën zbutjen e kësaj situate. Për këtë në artikull ai rendit 13 pika apo masa që duhet të marrë qeveria serbe në Kosovë. Ndër këto masa që parashikon ai përmendim: largimin e menjëhershëm të forcave ushtarake e policore nga Kosova, të ndalojë propaganda anti shqiptare, zgjedhja e udhëheqësve të rinj të KSA të Kosovës, mos ndërhyrje e federatës në punët e brendshme të Krahinës, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarve politikë shqiptarë, pushimi i menjëhershëm i përndjekjes së pjesëmarrëve në demostrata, rivendosja në punë e të gjithë atyre shqiptarëve që janë larguar nga puna si pjesëmarrës në demostrata, dënimi i përgjegjësve për vrasjet e dhunën e ushtruar për shtypjen e demostratave, zhvillimin e lirë të arsimit, artit e kulturës shqiptare në Krahinë, e të tjera.

Shkrimi analitik i Sami Repishtit mbyllet me një thirrje që ai u bën popujve të federatës jugosllave që të mos bien pre e demagogjisë serbe, se ndryshe edhe ata mund të pësojnë siç po e pësojnë shqiptarët. Ai u bën të qartë atyre që të gjejnë forcën morale dhe guximin politik për të pranuar dhe për të deklaruar haptazi që ka ardhur koha që shqiptarët në Jugosllavi të trajtohen si qënie njerëzore me dinjitet dhe si qytetarë të lirë. Dita e një fitoreje kaq të madhe për arsenalin moral jugosllav (që po shteret çdo ditë me krimet e vazhdueshme kundër shqiptarëve në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi e sidomos tani në Krahinën e Kosovës) dhe për guximin politik jugosllav (që po mbytet nga pesha e rëndë e shovinizmit serb, maqedonas e malazez) do të jetë fillimi i çlirimit jo vetëm i popullsisë shqiptare në atë vend, por edhe i vetë popujve sllavë që është sot i njollosur nga gjaku i pafajshëm i një popullsie shqiptare të shtypur padrejtësisht.

Pavarësisht se lëvizja shqiptare e Kosovës e vitit 1981 u shtyp me gjak e dhunë, ajo kishte një rëndësi të madhe. Në radhë të parë ajo çeli siparin e kërkesave të këtij populli për liri e pavarësi në raport me pushtuesit serbo-sllavë, deri në krijimin e një republike të veçantë. Siç theksoi në një shkrim të tijin para disa ditëve, publikuar nga Dielli, studiuesi prof. Sylë Ukshini me anë të këtyre demostratave në formë publike u shtrua kërkesa për statusin e Republikës së Kosovës, që nënkuptonte njohjen e të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë. Së dyti, demostratat antiserbe të shqiptarëve të Kosovës të vitit 1981 patën rëndësi jo vetëm për shqiptarët por edhe për popujt e tjerë përbërës të federatës Jugosllave. Pavarësisht shtypjes me dhunë të tyre e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, ato treguan se tashmë ra përfundimisht idea e jugosllavizmit në Kosovë, siç kishte rënë më parë platforma e serbizimit të Kosovës, duke rënë njëkohësisht edhe mundësitë që Serbia të pranojë një pozitë ndryshe të shqiptarëve. Kjo rënie e jugosllavizmit për shqiptarët rrezikoi edhe popujt e tjerë jo serbë përbërës të federatës. Parandaj ata, sllovenët. kroatët, maqedonët, boshnjakët, malazezët, me të gjetur momentin, pas vitit 1990, filluan të shkëputen një e nga një nga Serbia, duke krijuar Republikat e tyre të pavarura. Së fundi, këto demostrata çuan në vetshpalljen e republikës edhe nga kosovarët në vitin1990, fakt i cili do të bëhej premisë e rëndësishme për të arritur në fitore më të madhe në vitin 1999, çlirimin nga Serbia me anë të UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s dhe SHBAS-së, si dhe në fitoren përfundimtare në vitin 2008 me formimin e Republikës së pavarur të Kosovës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com