Raportet e Sami Frashërit me sulltan Abdylhamidin II

Prof. As. Dr. Hasan Bello

Sipas historianëve dhe studiuesve të ndryshëm Sami Frashëri është një nga intelektualët më prodhimtarë të Perandorisë Osmane në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai njihet si autorë i një sërë veprash leksikografike, historike dhe publicistike, të cilat përbëjnë një korpus me vlerë të jashtëzakonshme.

Sami Frashëri është gjithashtu një nga ideologët kryesorë të nacionalizmit shqiptar.

Por cilat ishin raportet e tij me sulltan Abdylhamidin II? Si ishin marrëdhëniet mes njërit prejt intelektualëve më të njohur të perandorisë dhe drejtuesit më jetëgjatë të saj?

Pas përfundimit të arsimit të mesëm në Janinë, në vitin 1871 Samiu së bashku me të vëllanë Naim Frashërin u zhvendosën në Stamboll ku filloi punë në Zyrën e Shtypit. Në këtë institucion Samiu u njoh dhe zuri miqësi me emra të njohur të elitës intelektuale osmane, si: Namik Kemalin dhe Ebuzija Teufikun. Këta të fundit ishin dy nga drejtuesit e “osmanëve të rinj” (pararendës të lëvizjes xhonturke). Për këtë arsye, ai do të përfshihet në rrymën e cila kërkonte modernizimin e perandorisë.

Krahas përkthimeve nga gjuha frënge, në vitin 1872 Samiu botoi romanin e parë modern në gjuhën osmane “Dashuria e Talatit për Fitnetin” (Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât), i cili shumë shpejt do ta bëj të njohur në rrethet letrare të Stambollit. Gjatë kësaj kohe ai botoi një sërë shkrimesh për gazetat më me emër të perandorisë, duke u afirmuar edhe si publicist. Më 1877 ai u caktua me punë në Rodos si sekretar i valiut, ku qëndroi për 5 muaj. Gjatë luftës Ruso-Turke shërbeu si kryenëpunës në Komisionin për Regjistrimin Ushtarak në Janinë. Pasi u kthye në Stamboll, më 1878 u bë kryeredaktor i gazetës “Interpreti i Lindjes” (“Tercümân-ı Șark”).

Nga tetori i vitit 1879 Samiu ishte drejtues i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”, e cila hartonte libra dhe tekste shkollore për shqiptarët. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai ishte një nga drejtuesit dhe truri i “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare”.

Sipas disa burimeve, sulltan Abdylhamidi II e vlerësonte jashtzakonisht Sami Frashërin si intelektual. Prandaj duke njohur kapacitetin e tij në fushën e letrave, ai e këshilloi atë të hartonte disa fjalorë. Kjo do të bëhet shkak që për një periudhë relativisht të shkurtër Samiu të botonte një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882; një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884; një fjalor të gjuhës arabe më 1898; një fjalor turqisht-turqisht (1899-1901) i cili është i pari i këtij lloji dhe ka ndikuar për lindjen e nacionalizmit turk; dhe enciklopedinë gjashtëvëllimëshe Kamus al Alam.

Por krahas kësaj pune intelektuale, Sami Frashëri kishte edhe një detyrë të lartë shtetërore. Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, ai u caktua si sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak të themeluar më 1881, post të cilin e mbajti gjersa ndërroi jetë. Pa këtë detyrë, e cila i siguronte të ardhura të mira për të vijuar punën e tij në fushën e dijes dhe mbrojtje politike nga lobet antishqiptare brenda perandorisë, ai do ta kishte të pamundur. Nuk ishte rastësi që edhe poeti ynë kombëtar Naim Frashëri detyrën si drejtor i censurës në Ministrinë e Arsimit do ta shfrytëzoi për interesat e kombit shqiptar. Kjo nuk mund të bëhej pa një tolerancë të “heshtur” të drejtuesve kryesorë.

Për ta kuptuar më mirë sesi funksionojnë perandoritë duhet të kemi parasysh dy gjëra: e para se në to ka lobe të ndryshme, të cilat përpiqen për realizimin e aspiratave etnike, fetare dhe kulturore (si shqiptarët me Sami e Naim Frashërin apo lobi grek, serb apo armen në Perandorinë Osmane) dhe, e dyta se në to ekzistojnë subjekte me identitet të dy apo trefishtë, të cilat drejtuesit e perandorisë i mbështesin, në varësi të interesave të tyre politike.

Check Also

Mark Gjonaj Remarks at City Hall on Kosova’s 16th anniversary of indepedence

Good evening. Thank you to our hosts: Speaker Adrienne Adams, Councilmembers Holden,Carr, Borelli, Marmorato, Special …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com