Ramush Haradinaj, heroi i lirisë së Kosovës takoi shqiptarët e Amerikës te Vatra

Sokol Paja

New York, 1 Shkurt 2024 – Ramush Haradinaj, dy herë Kryeministër i Republikës së Kosovës, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Deputet i Kuvendit të Kosovës, Ish-Komandanti i Zonës Operative të UÇK-së në Dukagjin, zhvilloi një vizitë të ngrohtë e vëllazërore në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Në takimin me shqiptarët e Amerikës ai foli hapur për sfidat shumëplanëshe me të cilat përballet shteti i Kosovës. Në takimin e përzemërt e vëllazëror në Vatër të hapur nga Sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes deklaroi se z.Haradinaj është personalitet i madh i kombit shqiptar, figurë e ndritur e kombit që me trimërinë e vet na zbardhi faqen historike të shtetit e kombit. Z.Haradinaj mbrojti pastërtinë e UÇK-së, luftës për çlirimin e Kosovës dhe kontribuoi për shtet-ndërtim në Kosovë. “Qeverisja e shkëlqyer juaja ka bërë krenar çdo shqiptaro-amerikan. Kosova duhet të jetë në NATO-s dhe BE” tha z Berisha dhe kujtoi kërkesën e Vatrës për politikën e institucionet në Kosovë që të krijojnë një trupë uniteti politik e kombëtar në Kosovë siç e themeloi presidenti historik Doktor Ibrahim Rugova. Z.Berisha theksoi se qasja e Vatrës në ndihmë të shtetit të Kosovës ka ndryshuar në raport me ngjarjet e sigurisë në Kosovë. Heroi i lirisë së Kosovës z.Ramush Haradinaj i ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lutjet e mëngjesit i shoqëruar në Vatër nga prof.Besnik Tahiri, z.Harry Bajraktari, z.Rrustem Gecaj e personalitete të diasporës diskutoi rreth sulmit rus në Ukrainë, sulmin e Hamasit mbi Izrael, vrasje e tre ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme dhe sulmin terrorist shtetëror serb në Kosovë. Në fjalën e tij z.Haradinaj diskutoi rreth rritjes së kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës me standardet të NATO e Amerikës dhe zhvillimin e shoqërisë në Kosovën demokratike e europiane.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes jetësor kombëtar. Serbia po blen armë prej armiqve të Amerikës. Duhet me qenë aktiv dhe me qenë të fokusuar në Uashington për të punuar për interesat nacionale. Anëtarësimi në NATO sjell siguri të përjetshme. Në Departamentit Shtetit, Kongres e Senat, Këshill të Sigurimit kam zhvilluar takime shumë të rëndësishme për çështje të sigurisë kombëtare për Kosovën” tha ndër të tjera heroi i lirisë së Kosovës z.Ramush Haradinaj. Kjo ishte vizita e tretë zyrtare e z.Haradinaj në Vatër e cila u prit me interes të jashtëzakonshëm nga vatranët e shqiptaro-amerikanët. Përfaqësues të organizatave shqiptare në New York, New Jersey e më gjërë, shkrimtarë, aktivistë, artistët, mësues, veprimtarë e gazetarë e kthyen Selinë e Vatrës në një shtëpi mbarëshqiptare që rrezaton patriotizëm dhe dashuri të pakufishme për heronjtë e kombit si z.Haradinaj e çlirimtarët e luftëtarët e lirisë së Kosovës e kombit shqiptar.

Elton Shametaj kryetari i American Albanian Law Enforcement Association (AALEA) i dhuroi një uniformë z.Haradinaj ndërsa për të gjithë të pranishmit patrioti Toni Musaj shtroi një koktejl.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com