Qindra shqiptaro-amerikanë protestuan në New York kundër Serbisë terroriste

Sokol Paja

New York, 23 Tetor 2023 – Qindra shqiptaro-amerikanë protestuan para Selisë së OKB-së për të dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit të Serbisë në Kosovë. Shqiptaro-Amerikanët i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që Serbia dhe udhëheqësit e saj të bëhen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë. Mark Gjonaj në fjalën e tij renditi të gjitha sulmet dhe aktet terroriste të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve. Gjeneral Gani Shehu nga Batalioni Atlantiku deklaroi se shqiptarët janë gati sa herë që atdheu thërret dhe se Serbia duhet të heqë duart përgjithmonë nga Kosova. Aktivisti Uk Lushi u shpreh se Serbia përfaqëson krimin, terrorin e terrorizmin.

 Aktivistja Diellza Pulitani bëri një thirrje për të gjithë shqiptarët për të ngritur të gjithë bashkë zërin për të dënuar krimin serb dhe për të kërkuar drejtësi për krimet e pa ndëshkuar e të pa dënuara të serbëve.” Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për vendin tonë. Ne nuk do ti harrojmë kurrë” tha ajo. Vedat Gashi në fjalën e tij kërkoi që drejtësia për të zhdukurit si pasojë e krimeve serbe të zhdojë deri në zbardhjen e plotë të tyre. Jack Kukaj u tha pjesëmarrësve se shqiptarët kanë luftuar gjithmonë për të drejtat dhe liritë që u takojnë. Serbia i ka duart me gjak, bota duhet ta dënojë e ndëshkojë.

Ne do ta përkrahim gjithmonë Kosovën, garantoi z.Kukaj. Gazetari Gjekë Gjonlekaj vuri theksin te politika e padrejtë  ndërkombëtare në dëm të Kosovës. “Vuçiç është krimineli më i madh pas Millosheviçit” deklaroi z.Gjonlekaj. Aktivisti Arlind Alidemaj bëri një apel për rininë që da duan atdheun ashtu siç bënë të parët tanë për lirinë e pavarësinë e saj. Aktivisti Mark Qehaja apeloi që krimi e kriminelët serbë të ndëshkohen sa më parë, ndërsa Dr.Pashko Camaj foli në emër Vatrës dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për drejtësi dhe që të mos barazojë krimin e kriminelët serbë me gjakun e pastër shqiptar të derdhur për liri e pavarësi.

Editori i Diellit kërkoi liri për çlirimtarët dhe luftëtarët e UÇK që janë të burgosur padrejtësisht nga Gjykata Speciale në Hagë. “UÇK dhe Lufta për lirinë e pavarësinë e Kosovës janë krenari e kombit shqiptar. Janë historia e lavdishme e kombit dhe shtetit modern shqiptar” tha Editori Paja. Aktivistja Violeta Duka kërkoi që shteti shqiptar ti kërkojë Serbisë dëmshpërblim për minimin e territorit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë dhe përgjegjësi për jetën e humbura. Gazetari Bekim Adili nga Maqedonia e Veriut i shprehu mirënjohje diasporës shqiptaro-amerikane për kontributin në dobi të çështjes kombëtare. Para të pranishmëve folën shqiptaro-amerikanë si Jasin Gjokaj, Flutura Billa, Isa Breçani, Mat Koleci, Prend Qetta e të tjerë ku njëzëri kërkuan dënimin e kriminelëve serbë e terrorizmin shtetëror të  Serbisë.

Check Also

KRYETARI I VATRËS SHTROI DARKË NDERIMI PËR ISH-PRESIDENTEN E KOSOVËS ATIFETE JAHJAGA

New York, 1 mars 2024 – Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com