Qasja diplomatike e Austro-Hungarisë me kancelaritë e huaja për çështjen shqiptare dhe konfliktet në Ballkan

Dr. Paulin Marku

Konfliktet në Ballkan të ndodhura në fillim të shekullit XX-të janë ndjekur me interes nga kancelaritë e huaja diplomatike. Përpjekjet për shuarjen e konflikteve dhe për ruajtjen e status-quo-së nëpërmjet sugjerimeve e bisedimeve ndërkombëtare, ku u hartuan edhe platforma politike e gjeopolitike për gjetjen e një rrugë paqësore për evitimin e përplasjeve të armatosura. Kancelaritë e huaja diplomatike kishin informacione të bollshme rreth pakënaqësive dhe situatës së tensionuar që shfaqej në forma të ndryshme në Ballkan. Ngjarjet e viteve 1908-1913 u zhvilluan në periferinë e Evropës por nuk mungonte lidershipi dhe protagonismi diplomatik i Fuqive të Mëdha të kohës, të cilët u angazhuan për zgjidhjen e problemeve në rrugë diplomatike. Këto lëvizje ishin të dukshme dhe me ritme të shpejta pasi sundimi otoman ishte dobësuar dhe problemet e brendshme reflektonin në mbarë popullatën. Viset shqiptare u përballën me beteja e kryengritje të ashpra dhe me pasoja të rënda. Humbjet në jetë njerëzish dhe në dëme ekonomike ishin të shumta. Kryengritjet e njëpasnjëshme në trojet shqiptare gjatë viteve 1910, 1911, e cila u pasua me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 e shtrirë në pjesën më të madhe të tokave shqiptare, ngjalli reagime te ashpra tek Porta e Larte, vuri në lëvizje diplomacitë e huaja për zgjidhjen e konfliktit dhe ndezi edhe më tepër ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve. Në këtë periudhe të ndërlikuar historike për të ardhmen e kombit shqiptar, situata në Ballkan përshkallëzohej edhe tek vendet fqinje, të cilët shfrytëzuan dobësimin e Perandorisë Otomane dhe konfliktet që ajo kishte të hapura. Në këto rrethana filluan të krijohen aleanca ballkanike, ku më të rrezikuara ishin tokat shqiptare. Tentativat e Stambollit për të qetësuar shqiptarët dhe për të kontrolluar territoret që kishin nën sundim ishin të vazhdueshme dhe përdorte forma të ndryshme. Pakënaqësitë e shqiptarëve ndaj autoriteteve ishin të shumta dhe shfaqeshin gjithnjë e në rritje dhe demonstroheshin në forma të ndryshme: nëpërmjet kërkesave e memorandumeve adresuar qeverisë, konsultime e takimi me trupa diplomatik si dhe nëpërmjet protestave e kryengritjeve. Në bazë të analizave të ngjarjeve rezulton se zgjimi kombëtar shqiptar ishte përforcuar dhe mendimi politik ishte pjekur si kurrë më parë. Lëvizjet politike të elitës shqiptare ishin me karakter gjithëpërfshirës për shqiptarët, pa dallime krahinore e fetare me synimin që veprimet të ishin të njëtrajtshme, në mënyrë që kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 të shtrihet në të gjitha viset shqiptare. Vendimi ishte marrë në vitin 1912 nga krerët politik shqiptar, të mbledhur në Taksim të Stambollit. Në përfundim të takimit, u arrit në konkluzion se nuk kishte rrugë tjetër për të fituar të drejtat e tyre pos asaj të një kryengritje të përgjithshme shqiptare.

Çështja shqiptare u ndjek me interes edhe nga diplomacitë huaja. Situata e krijuar në Shqipëri kishte ngjallur reagime nga përfaqësuesit ndërkombëtare. Ambasadori italian në Athinë njoftonte qeverinë e tij se gjendja në Shqipëri ishte e rëndë. Nga informacionet e mbledhura pohonte se ne zona të ndryshme të Shqipërisë nuk lënë më vend për dyshime mbi mundësinë e përgatitjeve për një revoltë tjetër në pranverën e ardhshme. Qëllimet e lëvizjes duket se janë administrative dhe qendrat kryesore janë Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, qarqet e Beratit, Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit, si dhe për t’u shtrirë sa më shumë të ishte e mundur në Shqipërinë e Jugut. Në një memorandum të dërguar nga deputetet shqiptar për Portën e Lartë kërkohej që në katër vilajetet: Kosovë, Manastir, Janinë dhe Shkodër: duhet të drejtohen nga individ me vlera të padiskutueshme; Valiu dhe drejtuesit lokal të ishin të pranuar nga popullata; të emëroheshin nëpunës civil të aftë; të lejohej gjithashtu hapja e shkollave shqipe; të merreshin masa për hapjen e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre; shfrytëzimi i bujqësisë, i minierave, i pyjeve të Shqipërisë. Shqiptaret kundërshtonin zërat që flitej se forcat ushtarake do të ndërhyjnë sërish me forcë për të shtypur revoltën në Shqipëri.

Ndërsa, qeveria nga ana e saj kërkonte të fitojë kohë, duke bërë lojë politike dhe i shmangej sërish detyrimeve dhe vijonte të jepte premtime për realizimin e kërkesave të shqiptareve. Nuk i ngelte gjë tjetër, veçse qeveria të pranojë kushtet kërkesat në parim dhe të paktën të marrë masat për zgjidhjen e atyre që ishin më emergjentet.

Diplomacia Austro-Hungareze ishte mjaft aktive dhe e interesuar për zhvillimet në Ballkan. Vjena i ka ndjekur me vëmendje të veçantë ngjarjet politike, ekonomike e kulturore në trevat shqiptare gjatë sundimit osman, pasi kishte përfaqësi diplomatike në Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë, si dhe shume zyra konsullore neper qytete të ndryshme shqiptare.

Sipas informacione që Vjena kishte rezultonte se Porta e Larte nuk po merrej me akordimin e privilegjeve autonomiste shqiptarëve, as me ndonjë përcaktim të territorit të tyre, por është fjala vetëm për ruajtjen e privilegjeve tradicionale dhe për të drejtat e barabarta për gjuhën shqipe. Për sa i përket politikes që ndiqte Austro-Hungaria, pohonte se mbështeste politiken e zhvillimit të qetë e paqësor të të gjithë popujve të Ballkanit. Vjena shfaqej e shqetësuar për situatën e rënduar dhe sugjeronte në mënyrë te vazhdueshme Portën që të merreshin në konsiderate kërkesat e shqiptareve dhe të gjendeshin zgjidhje problemeve.

Vjena dhe Roma, secila, në këndvështrimin politik e ekonomik të tyre për interesa strategjike e gjeopolitike ishin kundër një luftë në Ballkan, por nga ana tjetër e shihnin dobinë e një konteksti autonom shqiptar dhe shikonin si gjënë e duhur zbatimin e të drejtave të shqiptarëve nga autoritet zyrtare turke. Kjo do të ishte një mënyre e mirë për t’i dhënë fund përplasjeve së vazhdueshme të brendshme, si dhe evitimin e një konflikti të mundshëm Ballkanik, si dhe një mundësi e mire për të krijuar një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit. Çështja shqiptare ka qene pjese e bisedimeve edhe me herët, në takimi në Monca midis ministrit të Jashtëm italian, Vikontit Venosta dhe homologut të tij krye-diplomatit të Vjenës, Goluhovski në vitin 1896.

Vjena dhe Roma zyrtare e kishin pjesë të agjendës diplomatike çështjen shqiptare dhe kishin dërguar në vilajetet perandorake ekspertet e tyre, për të identifikuar dhe përvijuar kufijtë etnik të trojeve shqiptare duke analizuar me kujdes etnitë e ndryshme në rajon. Qëllimi i qeverise malazeze për të hapur për diskutim rregullimin e kufirit shkaktonte turbullira dhe tension midis palëve. Shfaqjet e organizimit te vendeve ballkanike shihej me shqetësim nga diplomatet e huaj.

Ata e shikonin me shqetësim dhe i druheshin faktit se mund të çojnë deri në shkatërrimin e statusquo-së ballkanike nga shtetet fqinje. Sipas, krye-diplomatit vjenez, Berchtold në telegramin e tij për situatën në Ballkan, dërguar Shën Petersburgut, Berlinit, Londrës, Parisit, Romës, Stambollit dhe Bukureshtit pohonte se situata nuk është e qete dhe i druhej prishjes së statusquo-së ballkanike. Ai evidentonte disa ngjarje ku përmenden konflikti në kufirin turko-malazez, dukja e çetave greke në Epir dhe përmbi të gjitha, nervozizmi i opinionit publik në Bullgari, i shkaktuar prej masakrave në Kochanë. Në mbyllje të telegramit pohohet se Kabineti i Vjenës e ndjek sot e mot politikën ë saj për t’i ndihmuar zhvillimet paqësore të të gjithë popujve të Ballkanit. Po ashtu, dëshironte që të kishte shkëmbim mendimesh me kabinetet qeveritare të Fuqive të Mëdha, të cilat janë të predisponuara për të ndikuar miqësisht te Turqia që qeveria e re, të vazhdoje parimet decentralizuese, si dhe për të bindur shtetet ballkanike se është në interesin e kombësive të tyre në Turqi, si dhe t’i lihet kohë kabinetit të kryesuar nga Veziri i Madh (kryeministri), Muhtar Pasha për të vënë në zbatim funksionimin e administratës lokale në përshtatje me krahinat e ndryshme. Në këtë mënyre këshillonte që të mos vihej në rrezik qetësia në Ballkan. Berchtold iu kërkonte që përmbajtja t’ju komunikohej ministrave të Jashtëm përmbajtja e telegramit të njoftohej si është pritur ky hap i Austro-Hungarisë. Komunikimi iu ishte dërguar edhe ambasadoreve vjenez dhe shtonte se komunikimi t’i paraqitej si informatë konfidenciale mbretit të Rumanisë, Karol.

Lidhur me propozimin e Vjenës për zgjidhjen e çështjes ballkanike, Fuqitë e Mëdha dhe Porta e Lartë shprehen opinionin e tyre.

Në udhëzimin e Berchtold drejtuar ambasadoreve të Austro-Hungarisë pranë Fuqive të Mëdha, lidhur me propozimin e Vjenës, pohonte se kishte përgjigjën e të gjithë kabineteve për përmbajtjen e telegramit. Ai pohonte sa më poshtë vijon: “Kabineti gjerman dhe italian e kanë miratuar menjëherë propozimin tim. Ky i fundit me shtesën, që nënkuptohet se, Italia mund të marre pjese vetëm në vërejtjet (ankesat) pranë shteteve të Ballkanit. Qeveria ruse është dakord me nismën tonë me kusht që ndërhyrja miqësore tek Porta t’i shmanget formës së një përçapje kolektive dhe të bëhet në trajtën e këshillave të veçanta të ambasadorëve. Për sa i takon kabinetit anglez, Ser E. Grey i ka pritur me simpati arsyetimet e mia dhe është deklaruar i gatshëm të shkëmbejë mendime lidhur me iniciativën time. Me anë të ambasadorit të saj, qeveria franceze ka deklaruar se është e gatshme t’i pranoje me kushtin që Porta, të shtrijë edhe tek grekët bullgarët, e serbët lëshimet që u ka bere shqiptareve me iniciativën e saj.” Berchtold ishte për ruajtjen e status-quos-së dhe qetësisë në Ballkan, për zhvillimin e qetë, e të njëjtë për të gjithë, dhe se propozim i tij ishte për të shkëmbyer mendime me Fuqitë e Mëdha për të ardhmen ballkanike.

Raporti i ambasadorit të Austro-Hungarisë në Rusi, Thurn, lidhur me qëndrimin e kryeministrit rus, ndaj propozimit të Vjenës për çështjen shqiptare ishte sa më poshtë vijon. Kokovzov i sheh mjaft të errëta punët në Ballkan, por ende ka shpresë. Për propozimin e Vjenës shprehej se hapi i hedhur është për t’u mirëpritur për arsye se një diskutim i qete dhe reciprok, gjithmonë ndihmon për të zgjidhur çështjen dhe për të forcuar besimin e ndërsjelle të pjesëmarrësve.

Ambasadori austro-hungarez njoftonte ministrin e Jashtëm mbi qëndrimin e Portës së Larte ndaj propozimit të Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare. Në dokument pohohet se ministri i Jashtëm i qeverisë otomane, Gabriel Efendiu shprehej: Ne jemi të bindur se kabineti i Vjenës, duke bërë këtë propozim ka qenë frymëzuar nga qëllimet më të mira për qeverinë turke. Për ne do të jetë e vështirë për të bërë lëshime kundrejt shqiptarëve dhe kombësive të tjera, pasi ne do të dukeshim sikur veprojmë nën presionin e Fuqive. Vjena zyrtare ishte e shqetësuar për situatën në rajon dhe përpiqej të ndikonte pozitivisht në shuarjen e konflikteve. Ajo ishte për ruajtjen e status-quosë. Edhe konsujt anglezë dhe serbë shprehin shqetësim mbi gjendjen në Shqipëri. Gjatë bisedimeve të vazhdueshme që përfaqësuesit diplomatik Austro-Hungarez zhvilluan me diplomat të huaj dhe me autoritetet e Stambollit shpreheshin për ruajtjen e paqes në Ballkan. Vjena ishte iniciuesi e ndërmjetësuesi midis Portës e shqiptarëve për të respektuar të drejtat dhe detyrimet institucionale qeverisëse si dhe për zbatimin e marrëveshjeve.

Referuar dokumenteve të periudhës rezulton se takimet midis Fuqive të Mëdha për zgjidhje të situatës në Ballkan dhe evitimin e shpërthimit të luftës ballkanike ishin të vazhdueshme. Konti Berchtold nëpërmjet udhëzimit drejtuar ambasadave të Austro-Hungarisë pranë Fuqive të Mëdha iu komunikonte propozimet e Vjenës për zgjidhjen e çështjes ballkanike.

Qeveria franceze propozonte zbatimin e reformave dhe kërkonte që të ngarkohen shtetet e mëdha. Diplomacia Austro-hungareze e ndiqte situatën hap pas hapi dhe mund të thuhet se ishte nga më aktivet në rajon. Vjena mbështeste reformat dhe propozonte ndryshime në projektin e reformave. Ndonëse propozimi për reforma u pranua nga qeveria turke, ushtria malazeze kishte sulmuar kufirin. Veprimi i forcave ushtarake malazeze ishte për t’i hapur rruge vendimit që kishin marre më 22 shtator 1912 vendet ballkanike për të sulmuar Perandorinë. Qeveria turke refuzoi kërkesën e vendeve ballkanike dhe shprehej se po përziheshin në punët e brendshme të saj. Në këto kushte filloi lufta ballkanike. Në luftën Ballkanike armata turke qe ndarë në dyshe: Armata e Lindjes që vepronte në Trakë dhe ajo e Perëndimit që vepronte në Shqipëri e Maqedoni. Në Ballkan u prish status-quoja dhe filloi lufta ballkanike, ku tokat shqiptare u kthyen në shesh betejash.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com