Pritje madhështore, Vatra nderoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj

Sokol Paja

New York, 22 Shtator 2023- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z.Bajram Begaj u prit në mënyrë madhështore në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në New York. Në një ceremoni zyrtare në Selinë Qëndrore të Vatrës, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët i rezervuan një pritje të ngrohtë e vëllazërore kreut të shtetit shqiptar z.Begaj. I shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati, z.Hemion Braho-drejtor i kabinetit, z. Valter Ibrahimi-këshilltar diplomatik dhe këshilltarët , z. Klement Zguri, znj. Arta Sakja e z. Fatmir Cela, delegacioni i Vatrës përbëhej nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, shefi i Kabinetit Dr.Pashko Camaj dhe Arkëtari i Vatrës z.Besim Malota e vatranë nga Kryesia e Këshill i Vatrës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari  z.Elmi Berisha shprehi konsideratë të lartë, respekt të thellë e mirënjohje të veçantë për Presidentin Begaj për nderimin ndaj Vatrës, vatranëve e shqiptaro-amerikanëve.

“Vatra legjendare ka punuar në çdo kohë për 111 vite për kombin e shtetin shqiptar. Forcimi i kombit shqiptar nëpërmjet lidhjeve e bashkëpunimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit Amerikan, Senatin e Kongresin Amerikan, janë strategjia e punës së Vatrës për të bashkëpunuar e  lobuar për çështjen kombëtare të shqiptarëve në shtetet amë dhe trojet etnike” tha ndër të tjera z.Berisha. I emocionuar dhe falenderues për pritjen e ngrohtë e vëllazërore, Shkëlqesia e Tij President Begaj falenderoi Vatrën për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin historik të dhënë për çështjen kombëtare. Në fjalën e tij, ndër të tjera z.Begaj deklaroi “Ju keni mbajtur gjallë atdhedashurinë për vendin tonë. Me aktivitetet tuaja në diasporë, me veprimtarinë dhe pjesëmarrjen tuaj, keni lartësuar Shqipërinë e kombin tonë. Ju meritoni vlerësime dhe respekt për atdhedashurinë që keni treguar, për pasionin me të cilin ju përpiqeni e punoni për interesin kombëtar dhe punën në dobi të çështjes kombëtare sepse jemi të gjithë të një kombi e të një gjaku. Është krenari për çdo shqiptar që Shqipëria të drejtojë Këshillin e Sigurimit. Është moment historik për të gjithë shqiptarët. Ju përgëzoj që jeni në bashkëpunim të ngushtë me faktorin shqiptar në trojet etnike, me shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në diasporë. Fryma euroatlantike ka qenë baza e filozofia e punës suaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve ne pa asnjë diskutim. Busulla jonë kombëtare është Amerika. Nuk mund ti harrojmë kurrë miqtë dhe aleatët tanë amerikanë. Presidentët amerikanë Willson dhe Klinton janë historik për kombin tonë pasi ndihmuan në momente kur kishim më shumë se kurrë nevojë” tha ndër të tjera Presidenti Begaj.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Ervin Bushati në fjalën e prezantimit falenderoi Vatrën dhe zbuloi një sekret historik ku stërgjyshi i tij kishte qenë vatran, anëtar i kryesisë së Vatrës në Lynn Massachusetts. Z.Bushati deklaroi se lidhja me Amerikën është lidhje e shenjtë. Faleminderit u tha vatranëve që e keni mbaj gjallë zjarrin e atdhedashurisë në Amerikë. Gjatë diskutimeve pati pyetje rreth çështjeve të sigurisë kombëtare, konfliktit në veri të Kosovës, diskutimeve Kodovë – Serbi, faktorit shqiptar në Ballkan, Skavica, vota e diasporës e çështje të tjera që shqetësojnë kombin tonë.

Ceremonia madhështore me pjesëmarrjen e dhjetëra vatranëve e shqiptaro-amerikanëve vazhdoi me nderimin që Federata Vatra i bëri Presidentit Begaj duke i akorduar Mirënjohje me motivacion: “Për shërbimin e shquar në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e lartë në sigurinë publike të qytetarëve shqiptarë, për nivelin e lartë të ekspertizës në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare dhe mbështetjen e bashkëpunimin institucional në kryerjen e reformave të thella për integrimin evropian të Shqipërisë e shqiptarëve”. Pas pritjes vëllazërore në Selinë Qëndrore, Vatra shtroi një darkë në nderim, respekt dhe vlerësim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com