Princ Wied-i i Marenglen Kasmit

Nga ROLAND QAFOKU

Janë një dyzinë librash të shkruar deri më sot për mbretërimin e Princit Wilhelm Zu Wied në Shqipërinë e vitit 1914. Me autorë kryesisht italianë dhe austriakë ato na kanë zbardhur se çndodhën në ato 6 muaj që në fakt sot na duken sikur ishin 6 vjet. Ishin aq intensive ngjarjet sa dukej sikur ndjek rregullin se një ditë e përshkruar për atë kohë vlen sa për 1 vit sot. Mes tyre ka edhe autorë shqiptarë që janë rrotulluar nga po këto burime dhe ndonjë ka kapur ndonjë thagmë të gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, por që nuk ka sjellë ndonjë të re të jashtëzakonshme. Përjashtim ka bërë libri-album i Artan Lames në vitin 2012 “Princi i shqiptarëve” që solli për herë të parë në foto dhe tekst të gjithë historinë e jetësë së Wid-it. Ishte ai i pari që shkoi në kështjellën Neuwied ku kishte lindur princi dhe si sqimatar i çdo gjëje të vjetër, na solli të plotë figurën e tij që nuk e njihnim. Dhe kur dukej se po thoshim boll më me ato 6 muaj, Marenglen Kasmi i përmbysi të gjitha. Studiuesi dhe historiani tashmë i certifikuar si “Deutsche Kulture” vjen i armatosur pikërisht me pirgje dokumentash nga atdheu prej nga ku vinte princi. Dhe të sjellësh një studim se si e shkonin gjermanët gjermanin e tyre në Shqipëri është vërtetë një pikëvështrim sa i ri dhe aq interesant. Kasmi ka shoshitur prej vitesh Bundesarchiv në Berlin dhe na jep si të servirur në pjatë jo vetëm një qasje tjetër, por fakte dhe të dhëna që vijnë për hërë të parë, aq sa mund të themi se i paskemi njohur shumë pak ato 6 muaj. Me librin “Wilhelm Zu Wied dhe Shqipëria mars-shtator 1914” Kasmi na sjell një tablo të gjerë, të plotë dhe të qartë se si e shikonte Gjermania “djalin e saj” në krye të principatës së vogël dhe të çuditshme shqiptare.

Dhe duke i shtuar këtë libër kolanës së librave të tij, Marenglen Kasmi përfundimisht ka çimentuar se është një pol të rëndësishëm i pikëvështrim gjerman të çdo ngjarjeje në historinë e Shqipërisë. Kasmi po tregon gjithashtu se historia e Shqipërisë është një minierë ari për çdo studiues, mjafton që të kesh dëshirë, vullnet dhe disa aftësi të veçanta që sigurisht ai i ka. Për fat, nga marsi deri në shtator 1914, ai na jepë gjithçka të re, gjithçka ndryshe apo e thënë me fjalë të tjera, një histori ose nuk e njihnim ose e njihnim gabim.

Besoj se çdokush që e njeh sado pak atë periduhë mund të ketë bërë pyetjen: Si ka mundësi që Princ Ëied-I, një gjerman me gjak mbretëror dhe me formim ushtarak e që kishte marrë pjesë në luftë dështoi në mënyrën më të turpshme në Shqiperi? Studiuesi Kasmi i jep përgjigje kësaj pyetje duke vënë në gojë një zyrtar të qeverisë gjermane përpara se Wied ta pranonte detyën: Prusia do humbte një komandant skuadre dhe asgjë më tepër! Mjafton kjo frazë për të kuptuar arsyet e atij dështimi dëshpërues të gjermanit më të paaftë që i ra fati të mbretëronte në shtetin e sapokrijuar në cep të Adriatikut. Shteti gjerman tregoi indiferencë totale ndaj princit të saj dhe këtë dështim e kishte parashikuar vetë perandori Wilhelm II i cili nuk ishte fare entuziast për caktimin e tij nga Fuqitë e Mëdha teksa tha: “Nuk do ishte e këndshme që në Shqipëri të turpërohej një princ gjerman. Dhe në fakt kështu ndodhi. Po cila ishte arsyeja? A ishte lëvizja rebele e turmave të çartura që thërrisni “dum babën”, pro Turqisë? Këtu Kasmi arrin në një konkluzion vërtetë interesant. Sipas tij, lëvizja rebele e atyre muajve nuk ishte kundër Wied, por kundër bejlerëve dhe agallarëve. Kjo është një tezë e fortë që mbahej deri në 1990 dhe për këtë ka patur debate të forta. Historiografia komuniste e shfrytëzoi këtë tezë për 45 vjet për ta cilësuar atë si një lëvizje deri diku majtiste, pra kryengritje fshatare popullore ndaj klasës feudale. Madje, Haxhi Qamili cilësohej deri në 1990 si Hero i Popullit dhe busti i tij qëndroi deri vonë në fshatin e tij të lindjes në Sharrë. Ironia dhe humori vazhdonte teksa në vitin 2006, me rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare të fshatit ishte rikonstrukuar edhe busti i tij, ndërsa emri në ballinën e shkollës ishte bërë më i dukshëm. Por Kasmi sigurisht që nuk ka qasjen të “rikonstruktojë” figurën e princit të gjurulldisë Haxhi Qamili. Ai e sjell lëvizjen anarkike që ai drejtoi të shfytëzuar nga kush mundi. Dhe teza e tij e një anarkie për lëvizjen anarkike është vërtetë e re dhe interesante. Ajo ishte shumë e lehtë për tu manipuluar mjafton të dimë arsyet se ajo nisi si ankesë e kryengritësve se feja myslimane nuk po respektohej dhe për këtë arsye duhet të ktheheshin në Turqi. Dhe i pari këtu manipulator i lëvizjes ishte Esad Pashë Toptani. Kryengritësit u zhgënjyen me të sepse ai u kishte premtuar se në krye të Shqipërisë do vinte një princ mysliman, ndëkroihë që u solli një “kaur”.

Sa shumë fakte të reja!

Serbia dhe Greqia paguanin kryengritësit e Shqipërisë së Mesme kundër princ Wied. Ministri grek dhe peshkopi grek në Durrës punonin që ky vend të mos binte asnjëherë në qetësi duke hedhur para ku të mundnin. Rusia ishte e involvuar direkt në anarkinë që përfshiu Shqipërinë dhe planfikonte copëtimin e tokave të saj. Oficerët hollandezë treguan paaftësi që nga mosnjohja e menatlitetit për cilësitë ushtarake të shqiptarëve. Princ Wied ishte i shkëputur fare nga populli. Asnjëherë nuk doli ndonjë tubim. Ai kreu vetëm vizita të shkurtra në Tiranë, Kavajë dhe Vlorë. Sami Vrioni i hoqi me dhunë kapelen Ahmet Zogut kur ai shkoi në pallat për të takuar Wied. Këto janë disa nga faktete e reja që Marenglen Kasmi i sjell në libër nëpërmjet publikimeve, raporteve dhe intervistave të funksionarëve gjemanë të asaj kohe. Por kryefakti i ri besohet se mbetet që Preng Bibë Doda paguhej nga Wied që mbështetësit e tij të mbronin Durrësin nga rebelet, ndëkrohë që ai vetë nuk paguante i paguante ata. Dhe kjo solli aktin më të turpshëm: Forcat e Preng Bibë Dodës bastisnin dhe grabisnin shtëpitë e rebelëve dhe fshatarëve të Ishmit nën rregullin mesjetar të bërit plaçkë. Vetëm në pak ditë njerezit e tij grabitën në Durrës 10 mijë bagëti të imta dhe i dërguan në Mirditë. Kasmi publikon të dhëna nga gazetarët gjermanë sipas të cilit Doda thjesht organizonte fushta hajdutërore në vend të fushatave për të mbrojtur Wied-in. Dhe për ta mbyllur me karrierën e princit gjerman Kasmi na sjell fakte që të lanë speechless (pa fjalë): Ëieëd hyri në bisedime me Serbinë në vitin 1918 të kthehej në Shqipëri. Ishte ky vit që kërkoi të ikte nga ushtria prusiane të përfshirë në të pas largimit nga Shqipëria. Ai kishte qenë në front dhe arriti deri gradën major. Ndërkaq, varri i Wied u zbulua në vitin 1991 në një kishë në Bukuresht, pas rënies së komunizmit. Arkivoli i tij ishte fshehur nën një mbulesë druri.

Qeveria që zgjidhej nga gjumi në mesditë

Teksa Margaret McMillan e përshkruan 75-vjeçarin Turhan Pasha që flinte gjumë gjatë punimeve të Konferencës e Paqes në Paris 1919, Kasmi nuk ia ndryshon drejtimin as për atë që kishte bërë në 1914. E paraqet kryeministrin me një kabinet jofunksional dhe që problemin kryesor e kishte që nuk fliste shqip. Prisni! Pse nuk kemi të dokumentuar asnjë debat, përplasje apo incident mes Turhan Pashës dhe Esad Pashës? Po si mund të ndodhte kjo kur kryeministri banonte në një dhomë në vilën e Esad Toptanit? Një fakt nga i cili kupton shumë. Ndërkaq, Kasmi ka zgjedhur një gazete gjermane që i përgjigjej pyetjes se si funksiononte kabienti i Turhan pashës më 1 korrik 1914: “Një kabinet, anëtarët e të cilit flenë deri në mesditë dhe e fillojnë punën në 3 pasdite ndërkohë që ekzistenca e shtetit është në lojë”.

Esad Pashë Toptani më i keq se sa e kemi njohur

Marenglen Kasmi nuk e portretizon Esad pashë Toptanin më të mirë, ose më të keq. Ai e vizaton siç është: Tinzar dhe dinak. Sytë e tij nuk ishin të mirë. Ata tregonin lloj lloj historish të errta dhe mu shfaq imazhi i Hasan Riza Pashës të vrarë, mbrojtësit të Shkodrës. Me përpjekjet e kohëve të fundit për ta bërë Esadin të mirë, Kasmi nuk ka lidhje. Ka siguruar dokumente që vijnë për herë të parë për publikun dhe Esadi del siç ka qenë: Një rrezik për Shqipërinë dhe Wied-in. Kaq mjafton. Në një letër që Esadi shkruante për Wied-in përpara se të ulej në fron, theksonte se do ta mbështeste derisa të ishte gjallë. Dhe letra vijonte me frazën lapidare: “Nëse ti vdes, vetëm mua më takon të jem mbret i Shqipërisë”. Mjafton ky fakt për të mos u sforcuar për ta bërë personazh pozitiv të historisë të saj periudhe. Dhe epshi për pushtet e bënte Esadin tua thoshte njerëzve jo rrallë: Nëse vdes princi do jem unë zëvendësi i tij. Dhe ndër ata që Esadin nuk e duronin ishte edhe një njeri i perëndisë. Kasmi na sjellë një fakt sipas të cilit At Nikoll Kaçorri ka thënë se nëse do kishte fuqi do ta varte Esadin. Dhe për ti vënë kapak figurës së Esadit Kasmi publikon një letër të Ismail Qemalit për Wied; Ju keni bërë vetëm një gabim. I besuat ujkut të ruante delet.

Faik Konica në sulm ndaj Ismail Qemalit

Dukej si kishte shteruar figura e Faik Bej Konicës me disa botime të bëra vitet e fundit. Por asnjëherë nuk ishte zbardhur aktiviteti i tij në vitin 1914 në Durrës. Ishte e habitshme se si shoqëria shqiptare e asaj kohe ishte primitive por çuditërisht kishte një potencial inteletual të kënaqshëm me një aradhë figurash. Mes tyre qendronte Faik beu. Kasmi publikon një fakt domethënës për figurën e tij: Më 27 janar 1914, në gazetën vjeneze “Neue Freie Presse” ai dha një intervistë. Sulmon Ismail Qemalin teksa shkruan se mbreti i Greqisë i ka thënë se paguhej 36 mijë franga ari në vit prej tyre. A është ndonjë nga ato fluturimet e Faikut apo e saktë, këtë sot ne nuk e vërtetojmë dot. Por që kur sulmonte Faik beu, nuk bënte sikur, kjo ishte në stilin e tij. Dhe nuk mund të bënte përjashtim nga kjo as figura e Ismail Qemalit me të cilin kishte shumë “hesape” se kush ishte më i rëndësishëm.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com