Sokol Paja
New York, 13 Tetor 2023 – Politikanët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut z.Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes “Besa”, z.Afrim Gashi – deputet i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i partisë “Alternativa” dhe z.Orhan Murtezani zëdhënës i partisë politike “Alternativa” vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ata u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, shefi i kabinetit Dr. Pashko Camaj, z.Paulin Mrnaçaj këshilltar për siguri dhe inteligjencë në Vatër dhe Editori i gazetës “Dielli”. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari z.Berisha prezantoi para miqve historinë, veprimtarinë dhe kontributin e Federatës Vatra në dobi të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trojet etnike.
z.Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes “Besa” në fjalën e tij njoftoi për një bashkim opozitar për të bërë ndryshim në Maqedonisë e Veriut, diskutoi për situatën politike në Republikën e Maqedonisë dhe faktorin politik shqiptar shtetformues dhe opsionet për përmirësim të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni nëpërmjet angazhimit dhe vendimmarrjes politike.
z.Afrim Gashi – deputet i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i lëvizjes “Alternativa” në fjalën e tij u shpreh: “Vatra është simboli më i mirë i trashëgimisë së shqiptarëve në botë. Jetëgjatësia e Vatrës tregon peshën, rolin dhe rëndësinë për shqiptarinë. Çdo shqiptar duhet ti shpreh mirënjohje Vatrës” tha ai. Gjatë diskutimit z.Gashi analizoi situatën e shqiptarëve në Maqedoni, në vendimmarrje politike publike, menaxhim pushteti dhe efektet demografike e politike të shqiptarëve në Maqedoni si pasojë e sllavizimit dhe përpjekjeve të Beogradit. Politikanët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ngritën shqetësim për asimilimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nëpërmjet pasivizimit të adresave të shqiptarëve. Vatra ofroi mbështetje dhe garantoi se përkrah çdo formacion që ka synim përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe prioritet kryesor çështjen kombëtare e të mirën e shqiptarëve kudo ata veprojnë e punojnë.