Plaku i Vlorës

Luan Rama

Ismail Qemali apo Plaku i Vlorës, siç dhe hyri në historinë shqiptare, i përkiste atyre intelektualëve shqiptarë të epokës së Rilindjes e më pas, tek i cili idetë e Revolucionit Francez ishin për të udha e vetme nga duhej të ecte shoqëria shqiptare, e cila ende përjetonte zgjedhën otomane që prej afro pesë shekujsh. Për këtë politikan, burrë shteti e diplomat të njohur në kancelaritë e Evropës, Parisi ishte metropoli i diplomacisë evropiane, pra dhe i kushtoi një rëndësi të veçantë kontakteve me kryeqytetin francez. Por lidhjet e tij me Francën ishin të herëshme, që nga rinia e tij, kur do të studjonte frëngjishten në liceun « Zosimea » në Janinë dhe në atë të Selanikut. « Llampa që ndriste mbi djepin tim, – do të shkruante ai në kujtimet e tij, – mbahej nga një statujë e Napoleonit të Madhërishëm ». Ismail Qemali kujton me nostalgji mikun e babait të tij, konsullin francez në Selanik, Grasse, i cili e njihte familjen e tij që kur kishte qënë në Janinë. Ai do ta takonte prapë atë, kur familja e tij syrgjynosej nga Shqipëria drejt Ohrit, Manastirit e pastaj në Selanik. « Kur Grasse mori vesh se po mbrinim, ai na doli përpara me karrocë dhe na dërgoi në shtëpinë që ishte përgatitur për ne. Nderimet dhe mirësjellja e këtij njeriu të shkëlqyer ngjallën kureshtje të madhe dhe çudi në popullatën turke të qytetit. Ata nuk arrinin të kuptonin se si një familje muslimane si jona të mos fliste turqisht, dhe si mund të ishim miq të afërt me një konsull të krishterë. Gjatë qëndrimit tonë tri vjeçar në Selanik ne jetuam nën mbrojtjen direkte të një konsulli kaq fisnik… Mbaj mend që një ditë Qahja beu, kryetari i kabinetit të Guvernatorit të Përgjithshëm, erdhi të na nxirrte jashtë nga shtëpia dhe të na merrnin me vete. Grasse nxitoi menjëherë dhe na ndihmoi që të mos lëviznim. Një tjetër herë, kur nëna ime ishte sëmurë nga tifo dhe i rrezikohej jeta, Grasse erdhi dhe i vulosi të gjitha dollapet e baulet dhe mori përsipër që të ishim nën mbrojtjen e francezëve. »

Këto kujtime të Qemalit, tregojnë qartë se ai u rrit në një familje fisnike e me tradita. Në vitet e para të shekullit XX, Ismail Qemali ishte një nga protagonistët kryesorë në luftën dhe lëvizjen e « xhon-turqve », apo « turqve të rinj » për përmbysjen e qeverisë otomane të sulltanit Abdyl Hamitit dhe reformimin e shtetit të perandorisë. Më 1907, bashkë me disa politikanë të tjerë turq, ai niset për në Paris për të organizuar një kongres të fshehtë që do të hyjë në histori me emrin « Kongresi i xhonturqve ». Ismail Qemali njihej ndërkohë si një reformator, i cili kërkonte evropianizimin e Turqisë dhe shëmbjen, qoftë dhe me dhunë të pushtetit anadollak të sulltanit. «Vështirësia e mbajtjes së Kongresit, – kujton më vonë Ismail Qemali, u përballua në sajë të miqësisë që kishim me Zotin Lefevre, i cili vuri në dispozicionin tonë apartamentin e tij në «Avenue Trocadero ». Mbledhja e parë u bë pikërisht në sallonin e madh të « monsieur » Lefevre. Takimet e tjera u zhvilluan në shtëpinë e princit Sabba Edin, në « Boulevard Malsherbes », ku dyzetë delegatë, përfaqësues të të gjithë kombësive të perandorisë turke, morën pjesë për disa ditë rradhazi…Në fillim patëm vështirësi, sepse qeveria franceze, si rezultat i ndërhyrjeve të ambasadorit turk, nuk jepte leje për mbajtjen e një kongresi të tillë, por gjithçka u kalua në sajë të ndihmës së zotit Lefevre ». Më 1908 shqiptarët ishin ngritur me armë dhe kërkonin shkëputjen nga Turqia. 10 mijë kryengritës ishin grumbulluar në Ferizaj të Kosovës. Në ato ditë, Qemali i dërgon një letër ministrit francez Pichon, ku ndër të tjera i shkruan : «Pa një Shqipëri të organizuar mirë, të bashkuar e të fortë, nuk mund të ruhet ekuilibri i popujve ballkanikë. Popullit shqiptar duhet t’i njihet ekzistenca e tij nacionale dhe t’i jipen mjetet për zhvillimin e tij e që në bashkëpunim me popuj të tjerë të mund të ecë në rrugën e përparimit ».

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimit të qeverisë së parë shqiptare me kryetar Ismail Qemalin, Shqipëria do të kalonte furtuna të tjera të mëdha. Më 1913 konferenca e Londrës do të përcaktonte fshehurazi kufijtë e Shqipërisë, duke e gjymtuar kështu trungun e kombit shqiptar. Më pas do të vijë kryengritja fshatare e Haxhi Qamilit, për kthimin e Shqipërisë nën flamurin e Turqisë, ushtritë e Esat Pashës zbresin deri në Durrës ; krijimi prej tij i një qeverie tjetër ; ndarja e Shqipërisë më dysh dhe ardhja e Princit Vid, do bëjnë që ai të detyrohet të largohet nga ajo skenë mjaft e nxehtë politike. Pikërisht në këtë kohë, Ismail Qemali do të kalonte një nga periudhat më të vështira të jetës së tij si politikan. Kryesore për të ishte ruajtja me çdo kusht e unitetit të vendit, që Shqipëria të mbetej një dhe e pandarë, qoftë dhe duke u larguar nga pushteti. «Një mbrëmje, – shkruan ai në kujtimet e tij, – rreth fundit të marsit të vitit 1913, morëm vesh se një anije që mbante një flamur britanik ishte ankoruar në port dhe kishte lajmëruar se bllokada e Greqisë ndaj Vlorës ishte pezulluar. Natyrisht, ishim të lumtur për ngjarjen. Të nesërmen në mëngjes më njoftuan se anija në fjalë ishte jahti i dukës Montpensier, vëllait të vogël të dukës së Orleanit (që mbahej si trashëgues i fronit të Skënderbeut pas kaq brezash). Më pas erdhi dikush me një letër të dukës, i cili më shkruante se kishte ardhur që të vendoste kandidaturën e tij për Fronin e Shqipërisë. Gjithashtu ai më ftonte të hanim mëngjesin në jaht. Shkova dhe gjatë mëngjesit ai më foli për qëllimin e tij. I thashë se si unë ashtu dhe populli im do të ishte i kënaqur të kishte një Princ të familjes mbretërore franceze, por nisur nga situata e vështirë politike e Shqipërisë dhe mosnjohja e saktë, për shkak të bllokadës, të politikës së fuqive evropiane, kjo gjë bëhej e vështirë. Më 22 janar 1914 Ismail Qemali preferon të japë dorëheqjen dhe t’ja kalojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit që ishte ngritur nga Fuqitë e Mëdha për verifikimin e kufijve. Ky protokoll u nënshkrua prej tij dhe përfaqësuesve të këtij komisioni. Pas kësaj, bashkë me familjen ai u nis për në Nice, në jug të Francës. Plaku i Vlorës, njeriu fisnik që e shpalli Shqipërinë më vete e të pavarur, ndjehej tashmë më i lodhur dhe më i zhgënjyer se kurrë.

Prill, 1915. Buzë detit, brigjeve të ngrohta të Mesdheut, vështrimi i tij tretej tutje horizontit, në drejtim të brigjeve shqiptare. Një shqetësim dhe një ankth i madh e mundonte. Pas luftrave ballkanike, ja tashmë « Lufta e Madhe », apo siç do të quhej më vonë « Lufta e Parë botërore », ku Shqipëria do të kthehej në një shesh të vërtetë lufte. Në atë kohë, qeveria franceze i jepte një ndihme modeste, por në fakt ai që do ta ndihmonte bujarisht ishte markizi Auletta Kastrioti, një tjetër pretendent i fronit të Shqipërisë. Në këtë periudhë, Esad Pasha, i vetëquajtur kryetar i qeverisë shqiptare, ka zbarkuar në Selanik, bashkë me një grup ushtarakësh, pranë shtatmadhorisë së «L’Armée d’Orient» të gjeneral Sarrail. Madje francezët kishin dhe një ministër përfaqësues, apo këshilltar, pranë Esad Pashës, duke shpresuar se ai do të luante kartat sipas dëshirës së Fuqive të Mëdha. Më 1918, kur lufta kishte ardhur drejt fundit të saj dhe kur po përgatitej mbajtja e një konference paqeje në Paris, shqiptarët e Amerikës kërkuan që Qemali ti përfaqësonte në këtë konferencë. Papritur, në maj të vitit 1918, familja Vlora, përmes prefekturës së Marseille, merr urdhër të largohet nga Franca. Me sa duket për diplomatët dhe politikanët (ministri Aristidh Briand do ta cilësonte Ismail Qemalin « një pensionist të padobishëm për Francën »), ky personalitet ishte bërë shqetësues. Kështu ai detyrohet të largohet në Spanjë dhe pas një kohe në Peruxhia të Italisë, ku qeveritarët italianë e mbanin me shpresë se do ta dërgonin në Paris në « Konferencën e Paqes ». Kur e kuptoi se italianët e kishin thirrur atje për ta izoluar, ai nisi të përgatitej të shkonte me çdo mënyrë në Paris. Më 23 janar 1919, në Peruxhia, organizon një konferencë shtypi me gazetarë, por sapo fillon kjo konferencë, në mënyrë enigmatike, ai bie në prehërin e vdekjes. Një ditë më vonë, zemra e tij ka pushuar së rrahuri.

Kështu largohej « Plaku i Vlorës », atë prag të vitit 1919, në udhëtimin e tij imagjinar dhe të shumëpritur drejt Parisit, për të mbrojtur çeshtjen shqiptare.

Foto: wikipedia.org

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com