Pika e Ukshin Hotit hapi portat e Historisë së Kosovës

Në 80 vjetorin e lindjes, kujtojmë kolosët tanë: “Ukshini nuk ka ditë vdekje, është peng i shprehjes së lirë që nga viti 1981”.

Shkruan: akademik, Dr. Feti Mehdiu

Ukshin Hoti, i biri i Nazifit dhe i Fatimes, i lindur me 17 qershor 1943, i tha SKJ (Lidhjes Komunisteve të Jugosllavisë) dhe LKK-ës,(Lidhjes Komunisteve të Kosovës) në vitin 1981: “në konviktin e studentëve të Universitetit të Prishtinës, me 11 mars,  POLICIJA PËRDORI DHUNË KUNDËR STUDENTËVE DHE “PIKË”!. Kjo  ishte “pikë” jetës së Ukshinit, qysh në vitin 1981, edhe njëherë u hapën portat e historisë së Kosovës. Këtë “PIKË” të Ukshin Hotit SKJ-u dhe LKK-ës e shndërruan në “prese” dhe vazhdoi dhuna deri në vitin 1990, kur shqiptarët e Kosovës u bashkuan më qëllime të përbashkëta, se liria nuk fitohet me miklime por me pickime. Dhuna e filluar në konviktin e studentëve u shtri në tërë Kosovën, përmes Universitetit të Prishtinës, të cilin LKJ- e kishte shpallë BASTION I NACIONALIZMIT, dhe LKK, iu bë krah për të luftuar vetveten duke i shpallë luftë Universitetit të Prishtinës nën maskën DIFERENCIMI IDEO-POLITIK i kuadrave universitare, që si qëllim përfundimtarë kishte eliminimin e personelit arsimor në Universitet.Jam i privilegjuar, por edhe i obliguar, që me rastin e tetëdhjetvjetorit të lindjes së Diplomatit të rrallë shqiptarë të fundshekullit XX-të, të shpalos ca kujtime personale që, mbase do t`i shërbejnë të ardhmes së ndritshme të këtij populli liridashës.

I

Ukshin Hotin e njoha në Shoqatën Kulturore-Letrare të studentëve shqiptarë “PËRPJEKJA” në Beograd,  në vitet 1969-1971. Deri në vitet 1990-94, herë pas here, më ka rastis ta takoj edhe privatisht edhe zyrtarisht, dhe gjithmonë kemi këmbyer mendimet tona për dobi të kulturës shqiptare. Ai  vijonte studimet pasdiplomike kurse unë isha në studimet themelore në Fakultetin e Filologjisë, dega: Filologji Orientale. Kur u njohëm së pari here, sikur iu duk interesant fusha e studimeve të mia, gjuhë arabe dhe gjuhë turke.Unë i përfundova studimet, dhe me Ukshinin na mbante lidhja kulturore-letrare, ajo që kishte mbi dhe vepronte në  shoqatën  “Përpjekja”, në Novi Beograd. I kërkova ndihmën që e fejuara e tij Edi Shukriu, që ishte anëtare e grupit letrar në Shoqatën “Përpjekja” të më jepte biografinë dhe nja dy a tri poezi, që m`i kërkonte Abdulatif Arnauti, në Siri për një botim në gjuhën arabe me poezi të femrës shqiptare. Më afroi ndihmë të pakursyer Ukshini dhe ai projekt u realizua me sukses. Në Siri, u prezantuan në gjuhën arabe përveç Edi Shukriut dhe Flora Brovinës edhe poetesha tjera, si Afërdita Skenderi dhe Sadete Emërllahu nga Kosova, e disa poetesha nga Shqipëria.

II

Në vitin 1976, kur u ktheva nga specializimi për gjuhë arabe, në Kairo, Ukshin Hoti ishte Sekretar Krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme. Përmes këtij organi kisha fituar bursën një vjeçare për qëndrim në Universitetin e Kairos, dhe ishte obligim imi që pas kthimit nga specializimi të paraqes një raport lidhur me qëndrimin tim në Kairo.Përgatita raportin, me shkrim në tri faqe dhe kur shkova ta dorëzoj,  në Sekretariatin Krahinor,per Merdhenie me Boten e Jashtme (ndërtesa ku sot ështe Kuvendi i Republikës së Kosovës), në recepcion, ai kërkoi që të shkoja personalisht në zyrë. Hipa në katin e dytë, ia dorëzova raportin e daktilografuar në tri faqe, i hodhi një sy dhe vazhduam bisedën, fillimisht profesionalisht dhe miqësisht lidhur me qëndrimin dhe kushtet, pritjen në Egjipt, përfitimi profesional etj. 

Para se të largohesha, Ukshini  m`u drejtua, ashtu si e kishte ai qëndrimin e vet, tash, shoku Feti, ma thuaj zyrtarisht, si sekretar krahinor për Marrëdhënie me botën e jashtme, “A është e dobishme që të vazhdohet kjo formë e marrëdhënieve kulturore me Egjiptin apo jo”?Pa u hamendur,  u përgjigja: Po dhe desha ta arsyetoj pohimin tim.  Falemnderës, më tha, nuk më la ta vazhdoj më tej. Më përcolli, si e kërkonte protokolli dhe u përshëndetëm miqësisht.

III

Në pranverën e vitit 1981, kur filloi kryengritja në Kosovë kundër riokupimit serbosllav, filloi fushata  e njohur DIFERENCIMET IDEO – POLITIKE kundër inteligjencës shqiptare, në radhë të parë asaj universitare ngase Beogradi e kishte shpallë Universitetin e Prishtinë  BASTION I NACIONALIZMIT. Në mbledhjet e Organizatës LKK, që i mbanim veçmas, nuk kemi qenë në një  Organizatë THemelore të LKK, por përjetonim të njëjtën atmosferë që vinte e ashpërsohej dita-ditës. Pasi që nga kuadri arsimor nuk u identifikua asnjëri që të kishte qenë i kyçur në organizimin e ngjarjeve të pamira, demonstratave armiqësore të studentëve, kështu përpiqej politika e LKJ ta amortizonte Kryengritjen e vitit 1981, ndërtuan tjetër strategji. Filloi ndjekja e arsimtarëve të cilët kishin shpreh vetëm me fjalë vlerësimin e tyre lidhur me ndërhyrjen brutale të policisë në Konviktin e studentëve.  Atëherë kur në OTHLKK- te unë, kërkohej eliminimi i prof. Rexhep Ismajlit dhe prof. Murat Blakut, ngase ata ishin shpreh se në konvikt ka pas dhunë, dhe ne aty manovronim me shprehje që amortizonin kërkesat partiake. Ukshin Hoti, në mbledhjen partiake të degës ku bënte pjesë ai, e kishte mbyllë diskutimin e vet, ashtu si dinte ai të shprehet qartë, drejt e kategorikisht: “në konviktin e studentëve është ushtruar DHUNË DHE PIKË “!  Dhe Mbledhja ishte mbyllë.Kurse kjo pika e Ukshin Hotit kundër dhunës, rezultoi  në PIKË për jetën e tij, ngase dhuna vazhdoi për ditë e më tepër, jo më vetëm në konviktin e studentëve dhe jo më vetëm kundër studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës dhe profesorëve të tyre, por edhe kundër nxënësve, punëtorëve, buqëve, zejtarëve…. KUNDËR TËRË POPULLIT SHQIPTARË,  dhe jo vetëm në Kosovë. Dhuna  mori hov dhe  në vitin 1999,  Ukshin Hotin  e” lëshoi toka”, sapo kaloi pragun e burgut në Dubravën famëkeqe, mu në mjedis të Kosovës.

Tani, kur bëhen 80 vjetori nga lindja e tij (qershor, 1943-qershor 2023), vetëm kjo është e saktë, sepse shenimi “Died”: 1999,  Niš, Serbia ”  nuk është i saktë!

Ukshin Hoti është peng i shprehjes së lirë kur e tha zëshëm: “tu je bilo nasilje i TAČKA” Nuk vdes UKSHIN HOTI!  Nuk e lënë të vdesi “… emnat e më shumë se 1400 jetë e fëmijve që I ka viktimizuar gjenocidi Serb” nga viti 1981-1999,   nuk e lënë të vdesi ata yjet e Nusret Pllanës e Hanëmshahe Ilazit, me zërin e KOSOVËS SË LIRË. 

Ai NUK VDES deri atëherë kur ajo rreze e vogël drejtësie që është strukur dikund,  të marrë guximin dhe t`i thotë  të zezës  E ZEZË dhe të bardhës  E BARDHë!.  Platforma e SKJ-u pas prillit 1981, me ISON e LKK-ës, (Lidhjes Komuniste të Kosovës) vazhdoi fushatën e përndjekjes së intelektualëve  shqiptarë, sidomos atyre  të arsimit, dikush pse ka fol, dikush pse s`ka fol, apo pse nuk ka aplauduar kur kreu politik i Kosovës u tha profesorëve të Universitetit të Prishtinës: “ ju jeni manjakë“!,etj.

Ukshin Hoti foli, por jo në valët e ISOS së LKK dhe e pagoi me HUMBJEN e lirisë PERSONALE për disa vjet. U dënua me burg  për shkak të “pikës” në  mbledhjen diferencuese. Dhe vazhdoi nga  burgu në burg!

IV

Ende i kam në kujtesë edhe dy takime me Ukshin Hotin, që mendoj se e vlen t`i ndajë me opinionin e gjerë: Në dhjetor të vitit 1991 në Shkup, u mbajtë Simpoziumi: SHQIPTARËT E

MAQEDONISË, që zgjati disa dit. Ishim vendosur në lokalet e Medreses Isa Beg, ku zhvilloheshin seancat, edhe fjetja ishte në internatin e Medrese.  Një mbrëmje pas darke vazhduam ndejë të lirë, Ukshini dhe dy historian nga Prishtina, edhe një filolog unë. (Liman Rushiti, dhe Haki Kasumi). Ishte koha kur formoheshin lëvizje e parti politike. Bisedohej për rrjedhat e kohës dhe opsionet e mundshme për ndonjë subjekt të ri politik, por unë si filolog, nuk isha futur n`ato diskutime. Nuk e shihja veten se jam i denjë për atë diskutim. Madje as nuk e merrja vesh sa duhet diskutimin konkret.

Edhe diskutuesit, në një far mënyre ishin në valë të ndryshme: një diplomat (kishte të botuar Lufta e ftohtë  dhe Detanti, 1975) dy historian, (edhe ata me vepra të botuara nga fusha e historisë,) kurse unë vetëm si dëgjues!

Unë, iu drejtua Ukshin Hoti,  kolegëve historianë, ose jam budalla, ose jam GJENI, që nuk mund të merrem vesh me ju.

V

Në tetor të vitit 1992, në Prishtinë, u mbajtë simpoziumi: FEJA, kultura dhe tradita  islame ndër shqiptarët, që zgjati tri dit. Në simpoziumet shkencore, sa janë të rëndësishme prezantimet e studiueseve, po aq janë të dobishme edhe pauzat e shkurtra të kohëpaskohshme midis seancave. Një pauzë e tillë, për mua ka mbet  e pazëvendësueshme, nuk do të përsëritet kurrë, sepse nuk është më Ukshin Hoti! Ne të tjerët (tre: Limani, Hakija dhe unë akoma jetojmë.) Në një seancë u trajtua edhe  një qasje e formimit të shtetit Shqiptarë në vitin 1912. Në kohën e lirë në prani të Ukshin Hotit dhe dy tre kolegëve historian, unë u shpreha: “shqiptarët në vitin 1912 humbën  shtetin e tyre, kur nga 100,000 (njëqindmijë km katrorë, mbetën me një Shqipëri politike  me 25-30,000 km. katrorë.”E dija se flas para tre historianëve dhe një diplomati. E dija edhe faktin se unë nuk jam historian, por kandari im, mbështetur në ata pak burime që i dija atëherë, ashtu ma kishte kap mendja dhe ashtu e thash.Njëri nga historianët brofi, si shokë që ishim, “çka je tu thënë ti…ti nuk je normal! Çfarë shteti thua ti  nën sundimin e Turqisë”… edhe unë e vazhdova, “..ani tash kah do t`a qojsh Shqipërinë ashtu të gjymtë… Po Kosovën…?!”Kolegët tjerë heshtnin, vetëm ne dy dëgjoheshim me opsionet tona… njëri historian tjetri filolog… herë thumbit… herë  atkonit…ndonjëherë as thundrës…! Ukshin Hoti na shikonte të dyve, por nuk fliste. E hetuam se dëshiron të thotë diçka dhe u ndalëm…ANI MORE, iu drejtua historianit, nuk ka nevojë me u nxe aq shumë! Fetiu e tha ashtu si e tha, edhe ti e the mendimin tënd… s`ka nevojë për nevrikosje!Filloj seanca e radhës dhe më nuk e zumë n`gojë atë “muhabet”. Nuk munda ta kuptoja se kah anonte kandari i Ukshin Hotit, por pas dy-tri vjetësh, kolegu historian, duke u përshëndetur kalimthi, më ndali pak dhe…. “ m` duket se kishe të drejtë ti – tha!”Edhe unë ia ktheva… “…ty akoma të duket se kam pas të drejtë, por unë jam edhe më i sigurt sot, se sa  aso here, që kam të drejtë dhe kështu mbaroi ajo bisedë.

Foto: wikipedia.org

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com