Philadelphia humbi imam të mirë, Shqiptaria fitoi intelektual aktiv

Prof. Muhamed Mufaku

Në kuadër të ndërmarrjeve kapitale të shtëpisë botuese “LogosA”, këtë verë u botua kompleti i veprave të Tahir Kolgjinit (1903-1988) në tetë vëllime që përfshijnë veprat e tij gjuhësore e historike, si dhe korrespodencën e tij të pasur me figurat e kohës, si dhe një vëllim i pasur me dokumente të organeve të Sigurimit që përcjellin aktivitetin e tij në mërgim. Vërtet, emri i Tahir Kolgjinit, që u lidh me Kosovën prej vitit 1941 deri më 1944, përmendej me rezervë në Universitetin e Prishtinës si emigrant në Turqi, derisa kolegu akademik Feti Mehdiu e theu frikën dhe u takua disa herë me Tahir Kolgjinin në Turqi dhe na solli me 1978 librin e tij “Esad pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen” që na ofroi një version tjetër të kësaj figure që u trajtua ndryshe në historiografinë zyrtare.

Ndonëse me vonesë, tani kemi në dorë të gjitha veprat letrare e historike të Tahir Kolgjinit, si dhe burime të pasura qoftë private ose shtetërore të kohës (organet e Sigurimit) që na ndihmojnë që të njohim më ndryshe Tahir Kolgjinin si nacionalist i kohës që luftoi për bashkimin kombëtar, e si intelektual i kohës që dëshmohet jo vetëm me veprat e tij gjuhësore/historike, por edhe me korrespodencën e tij me figura të kohës si Mustafa Kruja e të tjerë. Vërtet, vëllimi i 7-të që përmban korrespodencën e tij që përfshin nja 530 faqe, ka një vlerë të veçantë, sepse na sjell shumë risi pasi që atje kishte hapësirë të shprehej më ndryshe, më lirë e më me guxim ndaj temave, ngjarjeve e figurave të kohës. Gati dy të tretat e këtij vëllimi përfshijnë korrespodencën e tij me politikanin dhe intelektualin e kohës Mustafa Kruja (1887-1958), i cili veç me botimin e veprave të tij (Tiranë 2014) u pa se ç’njeri ishte. Në këtë korrespodencë shihej niveli i tyre, ngase secili fliste disa gjuhë dhe merrej me disa disiplina shkencore, duke diskutuar tema të ndryshme. Gati një e treta e këtij vëllimi përmban korrespodencën e tyre në gjuhën osmane, që del tani për herë të parë në gjuhën shqipe me përshtatje profesionale. Megjithatë, për një botim tjetër do të ishte mirë të botohen këtu edhe letrat që i kanë akademik Feti Mehdiu në Prishtinë dhe Eqrem Kryeziu në Prizren me dorën e Tahir Kolgjinit në saje të lidhjeve që kishin mes vete. Në këtë vëllim shihet interesimi i vazhdueshëm i Tahir Kolgjinit për Kosovën e për gjendjen e shqiptarëve pas vitit 1945, ndaj do të ishte me interes të botohen këto letra të i kanë F. Mediu dhe E. Kryeziu.

Naga Luma në Kosovë>

Tahir Kolgjini u lind më 1903 në Lusën të Lumës, ku kreu mësimet fillestare në vendlindje, kurse më 1913 kaloi me familje në Stamboll, ku mbeti për ta vazhduar shkollën fillore e pastaj Medresenë e Lartë (Dar al-Hilafa al-Alija) gjatë 1915-1924. Kjo medrese dallohej me program të pasur gjuhësor (turqisht, arabisht e persisht), disiplina të ndryshme fetare, historike e juridike, kështu me diplomë të kësaj medreseje u punësua gjatë viteve 1924-1928 si mësues e si imam e më vonë në gjyq, kurse më 1939, prefekt i Kukësit. Viti 1941 sjell risi me shkatërrimin e Jugosllavisë dhe emërimin e tij prefekt të Prizrenit, kur merr pjesë në formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 1943, kurse në fillim të vitit 1944 emërohet drejtor i përgjithshëm i Policisë në Shqipëri e më në fund në gusht 1944 emërohet prefekt i Shkodrës. Atje mbeti deri në nëntor të vitit 1944, kur largohet me kapedanin e Mirditës, Gjon Mark Gjoni, për në Vjenë e më pas në Itali si refugjat politik deri më 1948. Më 1946 merr pjesë në formimin e Bllokut Kombëtar Independent në Romë, i cili do të dallohej me qasje më pozitive me Grupin Kosovar në krye me Xhafer Devën. Kushtet në kampet e refugjatëve në Itali, ku strehoheshin politikanët dhe ushtarakët shqiptarë antikomunistë, ishin shumë të rënda, ndaj filluan të shpërndaheshin në shtete të ndryshme në Perëndim (SHBA, Kanada etj.) dhe në Lindje (Turqi, Siri dhe Egjipt). Në këtë kontekst, T. Kolgjini bën disa përpjekje dhe në fund shkon në Turqi më 1948 dhe vendoset atje me shumë bashkatdhetarë deri në vdekje, më 1988.

Nga imami potencial në intelektual aktiv

Për aktivitetin e tij si intelektual në katër dekada të jetës në mërgim (1948-1988) dëshmojnë veprat gjuhësore-historike që dolën tani në këtë komplet. Megjithatë, vëllimi i 7-të që përmbledh korrespodencën e tij të pasur ndriçon shumë detaje në lidhje me personalitetin e tij, përkatësisht me vështirësitë e jetesës në Turqi për shkak të gjendjes në vend gjatë asaj kohe, por që nuk e largonin fare nga angazhimi i tij për çështjen kombëtare, siç del qartë në veprat e tij dhe në shumë letra me figura të kohës, ku shprehet më lirshëm për çështje të ndjeshme që kanë të bëjnë me formimin e tij dhe me qëndrimet e tij ndaj çështjeve të ndryshme që qarkullonin në mërgim gjatë asaj kohe. Do të ndalemi vetëm në disa shembuj.

Në letrën e parë të shkruar në Romë më 2 mars 1948, drejtuar politikanit dhe intelektualit shqiptar Mustafa Kruja me qëndrim atëkohë në Aleksanderi, Tahir Kolgjini shpreh hallin e tij ose dilemën për vendin e preferuar për qëndrim pasi kushtet në kampet e refugjatëve në Romë ishin të vështira. Ndonëse kishte paraqitur kërkesën në Ambasadën e Turqisë në Romë për vizë emigrimi për në Tuqi, ai preferonte të kalonte në Kajro që u bë atëherë qendër e opozitës antikomuniste në krye me Mbretin Zog, që gëzonte shumë përkrahje të mbretit me orgjinë shqiptare Faruku I. Duke ditur mirë arabishten dhe turqishten, ai shprehte dëshirën për të shkuar në Kajro ku mund të punonte diçka dhe të jetë në atë vend që vlonte atëherë me aktivitete për bashkimin e opozitës antikomuniste.

Në këtë kontekst, partia e legalitetit, Blloku Kombëtar Independent ishte më e hapur për fatin e Kosovës në krahasim me Ballin Kombëtar, i cili u përqendrua më shumë në Shqipërinë e vitit 1913, ndaj Tahir Kolgjini shprehet me simpati ndaj Xhafer Devës që përfaqësonte interesat e Kosovës me “Grupin Kosovar” duke insistuar që Kosova të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje të çështjes kombëtare. Këtë simpati ndaj Xhafer Devës e shpreh T. Kolgjini në një letër drejtuar Mustafa Krujes më 5 maj 1948, duke thënë: “Ne jemi ma afër tij, edhe për parimet, edhe kah mendimet e këndvështrimet”.

Vetë Tahir Kolgjini, i cili ishte i lidhur me Kosovën në periudhën kohore 1941-1944, pasi që kalon në Turqi më 1948 e deri në vdekje tregon kujdes të posaçëm ndaj Kosovës në saje të burimeve të ndryshme që kishte në Turqi. Në shumë letra i tregon M. Krujës dhe në detaje përshkruan gjendjen e shqiptarëve pas 1945-s. Gëzohet shumë për konsolidimin e shqiptarëve në Kosovë, për përhapjen e arsimit dhe për perspektivën e shqiptarëve atje, saqë shumë familje serbe filluan të shpërnguleshin për në Serbi duke pranuar realitetin e ri në Kosovë. Mirëpo më 1955-1956 në korrespodenca del tani një pamje tjetër e Kosovës, me presione e tortura serbe për të frenuar optimizmin që e kishte deri atëherë T.Kolgjini. Megjithatë, përsëri i kthehet optimizmi duke përmendur numrin e nxënësve në Kosovë dhe numrin e studentëve shqiptarë që studionin në Sarajevë, Beograd e Zagreb, që do të kontribuonin më vonë në zhvillimin e Kosovës.

Në lidhje me Kosovën, në një letër drejtuar M. Krujes më 30 gusht 1950, ai tregon për Kongresin Mysliman Shqiptar që e organizoi në Prizren më 1943. Ai me këtë rast i tregon motivimin për mbajtjen e këtij kongresi duke sqaruar se ai beson në laicizëm (e përdor këtu në frëngjisht) që do të përkthente kështu: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë. Kjo ka rendësi për një njeri të formuar si klerik mysliman në Stamboll, por mbi të gjitha ruante frymën kombëtare, ndaj shprehej aq herët me këto pikëpamje në mesin e klerikëve myslimanë në Kosovë, të cilët ishin të mbyllur prej zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve 1920 deri më 1941”.

Në korrespodenca të viteve 1952-1953 kemi disa letra intime me M. Krujën që kanë të bëjnë me iniciativë që dështoi në fund, por që do të mund të ndryshonte shumë jetën dhe aktivitetin e Tahir Kolgjinit. Kështu, në letrën e datës 15 gusht 1952, ai i tregon për një ftesë që e kishte marrë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në qytetin amerikan Philadelphia për të mbajtur xhaminë e re që u themelua atëherë. Vërtetë, T. Kolgjini kishte kryer në Stamboll Medresenë e Lartë gjatë 1915-1924 që e lejonte të punonte si imam e vaiz, një profesion që ushtronte për më shumë se dy vjet në Lumë gjatë 1925-1927. Mirëpo Komuniteti iu drejtua atëherë imam Vehbi Ismailit në Detroit për ndihmë, pasi që vetë kishte ardhur nga Kajroja më 1949, për ta lehtësuar ardhjen e Tahir Kolgjinit me familje në SHBA. T. Kolgjini pranoi me dëshirë këtë ofertë, pasi që ai përfaqësonte atë qëndrim që përkon me parimin bazë amerikan (sekularizmin) dhe pasi që SHBA-ja bëhej atëherë bazë e rëndësishme e opozitës shqiptare antikomuniste.

Mirëpo imam Vehbi Ismaili kërkoi atëherë një certifikatë që dëshmonte punën e tij si imam për dy vjet. Kjo u arrit lehtë pasi që Kolgjini punonte atëherë si iman nën juridiksionin e myftiut të Shkodrës, Salih Myftija, i cili gjendej atëherë në Aleksandri afër M. Krujës. Kështu, S.Muftija ia dërgoi T. Kolgjinit certifikatën e kërkuar, por më vonë doli se autoritetet amerikane kërkonin se certifikata për ushtrimin e profesionit të imamit të përfshijë kohën gjatë paraqitjes për vizë. Kështu, Tahir Kolgjini kishte dy opsione: të merrej përsëri me këtë profesion (imam) nja dy vjet në Turqi, ose të heqë dorë. Ai preferoi opsionin e dytë, përkundër faktit se në Turqi nuk e kishte lehtë të jetonte e të punonte. Mirëpo koha tregoi se Philedelphia e humbi një imam të mirë, por shqiptaria fitoi një intelektual aktiv duke marrë parasysh veprat e tij gjuhësore-kombëtare që tani po dalin të gjitha në këtë komplet.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com