Përmasat e vërteta të Fan Nolit vijnë përmes librit “Apostulli” të gazetarit dhe studiuesit, Ilir Ikonomi

Albert Vataj

Fan Noli politikan, klerik, përkthyes, veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, nuk është i panjohur, por diapazoni i gjerë i asaj që rrëmbeu praninë dhe kontributin e tij, është e atyre përmasave që gjithnjë kemi për të zbuluar, për të njohur, për të udhëprirë te një trajtim shterues të kësaj figure shumëdimensionale. Për të përmbushur njohjen tonë për Fan Nolin, kryesisht atë të Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ardhur gazetari dhe studiues, Ilir Ikonomi, ambicia e të cilit ka dhënë prova se shquhet për një qasje shumë origjinale për të rikthyer në vëmendje figurat historike dhe për t’i trajtuar me një prizëm tjetër personazhe dhe ngjarje, zhvillime dhe kapërcyell në rrugëtimin tonë në si identitet kombëtar. Ai është i njohur për lexuesin përmes librave; “Faik Konica, jeta në Uashington”, Esat Pashë Toptani- Njeriu, lufta , pushteti’’ , ‘’ Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit ‘’, ‘’ Pushtimi ‘’. Secili prej këtyre botimeve përfshi edhe “Apostulli” është një punë cilësisht e vlerësuar dhe e mirëpritur, sepse është mënyra se si Ikonomi rreket t’i risjellë figurat që njihnim dhe ngjarjet që na janë bërë prezent, në një ngulmim më të themeltë.     

Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besën”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.

Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësishtë e dokumentuar.

“Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.

Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.

Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press, shkruan Ikonomi në profilin e tij në Facebook.

UET Press në prezantimin promovues të librit kumton përmes një prezencë telegrafisht kumton se “Apostulli” është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin me autor studiuesin Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, i cili premton për një seri me tre vëllime, të cilat sjellin dritë mbi dimensionet e një prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar.

Vëllimi i parë me 430 faqe, botim i UET Press, jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri.

Libri mban në koperinë një foto tepër shprehëse të personalitetit të Nolit, shkrepur dy ditë pas meshës së parë të tij në Boston, SHBA, stilizuar nga dizajneri Besnik Frashni.

Biografia dallon nga detaji dhe elementët konkretë me të cilët Ikonomi ka ndërtuar figurën e Fan Nolit. Ai ka përdorur një fond të gjerë të dhënash historike, që përfshin Arkivin Qendror të Shqipërisë, Arkivin Kombëtar Amerikan, Arkivin e Ministrisë së Jashtme Austriake, dhe disa burime të tjera dokumentare.

“Apostulli” i Ilir Ikonomit do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të njohur Fan Nolin në një dimension tjetër, ndoshta për ta shpërfaqur këtë figurë dhe veprimtarinë e tij me përmasat reale dhe përmes disa të vërtetave që autori i ka të ballafaquara me fakte dhe dëshmi, me dokumente dhe referenca. Noli ka gjithnjë diçka për të na thënë, diçka për të na kumtuar, dhe Ikonomi, me përgjegjësinë e një studiuesi, me elokuencën dhe skrupuloziteti e një gazetari, ka mirësinë që duke na risjellë Fan Noli, të dëshmojë edhe ato të vërteta me të cilat ai u përball për të përmbushur ambicien e tij si një zë dhe zemër shqiptarie. Atje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku lindën vatra të mendimit, ku triumfoi fjala shqipe, ku çështja kombëtare kishte mbledhur zemrat dhe tubuar krejt shqiptarinë. Atje ku atëditë e sot, shqiptarët punojnë e luftojnë, përpiqen dhe sfidojnë, kontribuojnë dhe ngadhënjejnë për flamur e për komb.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com