Për Nolin në SHBA

Rafaela Prifti

Bashkësia shqiptare amerikane ka mundësinë ta vlerësojë këtë vigan që pati fatin e madh ta ketë kombi shqiptar me një sërë projektesh që mund të nisin nga vendosja e një mbishkrimi pranë ish-banesës së tij në Boston, një dhomë studimi me emrin e tij në Universitetin e Harvard-it, një bust në bibliotekën e Bostonit, një pllakë përkujtimore në ish-shtëpinë e tij në Fort Lauderdale, një dedikim në sallonin e hyrjes të Konservatorit të Nju Ingland (The New England Conservatory of Music), një shkollë me emrin e tij dhe shumë të tjera. Një prej ideve mund të ishte kërkesa për ta përjetësuar në një pullë postare. Mund të mos jetë akt aq i pabujshëm sa kthimi i eshtrave, por ka domethënie dhe vlerësim të thellë njësoj me ndjesinë që përjetojmë kur shohim pullën me portretin e Nënë Terezës.

Filatelia e Shqipërisë e ka nderuar Fan Nolin me rastin e njëqind vjetorit të lindjes në vitin 1982. Ky është një shembull brenda vendit por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Shtete si Maqedonia e Veriut i kanë dhënë vend në koleksionin e pullave të tyre për figura historike dhe personalitete të shquara. Komuniteti shqiptar në Nju Jork arriti të përuronte rrugën Fan Noli në Bronx vitin e kaluar, çka ishte një fillim i mbarë për ta pasur atë më të pranishëm në mesin tonë në Amerikë.

Propozimi për ta çuar Nolin në Shqipëri është i hershëm. Kërkesën e parë për kthimin e trupit të Nolit në Shqipëri e ka bërë qeveria shqiptare më 15 mars 1965, dy ditë pas njoftimit të vdekjes së Nolit, me anë të një telegrami drejtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. E njëjta ide ka qarkulluar herë pas here dhe u paraqit si kërkesë në periudhën e kthimit të eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Argumentet e atëhershme vlejnë edhe sot.

Përkrahësit e propozimit thonë se riatdhesimi i Nolit është kundërvënie ndaj Kryepeshkopit Janullatos. Kjo nuk qëndron, sepse ata nuk kanë të njëjtin status në kontekstin kishtar. Veç të tjerave, të drejtat ekskluzive mbi eshtrat e Fan Nolit i përkasin Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Dhe nëse keni kureshtje të dini se ku prehen kryepeshkopët e parë të Kishës Autoqefale në Shqipëri nuk do ta dëshironit kthimin e Nolit në Shqipëri.

Pse nuk qëndron argumenti “fetar” për kthimin e eshtrave të Nolit në Shqipëri për të eklipsuar Kryepeshkopin Anastas Janullatosin? Përpara njohjes së Autoqefalisë, Kryepeshkopi i parë ishte Visarion Xhuvani. Nga viti 1929 në 1937 ai ishte Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, ose thjesht Kryepeshkopi i Shqipërisë, i cili është njëherit edhe Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke qenë gjithashtu kryetar i Sinodit të Shenjtë të kishës. Ndërsa Fan Noli ka status të veçantë. Si themelues i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, të drejtat ekskluzive mbi trupin e tij i takojnë këtij institucioni.

Ku kanë përfunduar eshtrat e kryepeshkopëve të parë të Kishës Autoqefale në Shqipëri? Varri i Visarion Xhuvanit*, ish-Senator i Elbasanit, Kryepeshkop i Shqipërisë, Peshkop i Beratit dhe Dëshmor i Besimit dhe i Ndërgjegjjes, gjendet në fshatin Shijon, në Elbasan, në një rrëpirë rrethuar nga ferrat dhe balta. Pas njohjes së Autoqefalisë më 1937, Kryepeshkopi tjetër ishte Kristofor Kisi+ nga viti 1937 deri më 1948. Pas tij, ishte Paisi Vodica+ i cili shërbeu nga 1948 deri më 1966, dhe i fundit përpara mbylljes së Kishës ishte Damian Kokoneshi për periudhën 1966-1973.

Përse ka rëndësi? Autoqefalia, e cila është një nga sukseset e punës atdhetare të Nolit e ka gjenezën në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Ohio. “Krijimi i një juridiksioni të Ortodoksisë Shqiptare nuk mund të ndodhte gjatë periudhës së Luftës Ballkanike. Patriotët shqiptarë i përqëndruan përpjekjet në Amerikë. Theofan Noli nën udhëheqësinë e të cilit ishte krijuar “Vatra” në Boston arriti një fitore diplomatike duke ia paraqitur personalisht kërkesat e Shqipërisë Presidentit amerikan Udrou Uilson. Ai hartoi një memorandum të nënshkruar nga priftërinjtë ku kërkonte përkrahjen e Presidentit si dhe refuzimin e pretendimeve se shqiptarët ortodokse janë grekë.

Me synim që të krijonte fronin episkopal në atdhe, Noli dhe i Përndrituri Vagjel Çamçe shkuan në Kongresin e Metropolitanës Ruse në Ohio, në mars 1918. Ortodoksët shqiptarë dhe rumunë, të persekutuar nga kishat e tjera, kishin gjetur përkrahjen e Patrikanës së Moskës në kërkesën për të krijuar dioqezën e tyre. Kongresi e pranoi kërkesën por e vonoi vendimin duke pritur dhënien e lejes nga Patriarku i Moskës. Pavarësisht nga kjo pengesë, Kongresi mori vendim më 24 mars 1918 që të krijohej Misioni i Ortodoksisë Shqiptare në Amerikë nën drejtimin e Të Përndriturit Theofan Noli. (Fragment nga libri The Albanian Orthodox Church, A Political History, 1878-1945, Ardit Bido* p. 56) Dekreti shënon pikënisjen e Kishës Autoqefale Shqiptare.

Kush e ka kërkuar së pari kthimin e trupit të Fan Nolit në Shqipëri? Qeveria shqiptare më 15 mars 1965, dy ditë pas njoftimit të vdekjes së Nolit, kërkonte kthimin e trupit të tij në Shqipëri me anë të një telegrami drejtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Tirana u shprehte ngushëllime “gjithë vëllezërve patriotë për humbjen e rëndë të atdhetarit të madh dhe luftëtarit të zjarrtë e të paepur për pavarësinë dhe lulëzimin e Shqipërisë…” dhe me këtë rast përçonte dëshirën në emër të popullit shqiptar, që trupi i Nolit “të sillet e të prehet përjetë në atdheun e tij të shtrenjtë…”

Autori Shefqet Salihu shkruan në librin “Mërgata legjendare e Amerikës” se “një kërkesë e tillë, sado e drejtë dhe legjitime që dukej, ndeshi në pengesa e kundërshtime dhe krijoi probleme. Vetë Noli nuk kishte shprehur ndonjë dëshirë të dokumentuar për vendvarrimin, aq më tepër për t’u varrosur në Shqipëri. Por më e rëndësishme ishte se, mes shqiptarëve të Bostonit, e sidomos në Këshillin e Peshkopatës dhe nga vetë “Vatra”, u shfaqën mendime dhe qëndrime të ndryshme, duke e kthyer këtë kërkesë në një problem të nxehtë politik. Një palë mendonte se Noli duhej të varrosej në Shqipëri, kurse pala kundërshtare, kërkesën zyrtare të Tiranës e konsideronte si shkelje dhe ndërhyrje në punët e brendshme të SHBA-së.”

Në datën 20 mars 1965 pas kryerjes së riteve fetare kushtuar një kleriku të lartë, u mbajt mitingu mortor me pjesëmarrjen e afro 2000 vetëve. Si në fjalën panegjerike të Ikonomit Sokrat Sotiri në gjuhën shqipe edhe në atë të Atit Sotir Dilogjika në anglisht, u përçua “dhembja e gjithë shqiptarëve për humbjen e prijësit të tyre të madh… popullariteti i të cilit vjen i dyti pas Skënderbeut”, thanë ata. Përcjellja në varrezat kryesore në anën jugore të Bostonit u përmbyll me fjalët lamtumirëse të ndarjes nga Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi që e quajtën Nolin “kalorës të fundit të epokës… që u shkëput prej gjirit tonë për t’u përkitur kohëve, për t’u bërë histori”.

A duhet të cënohet simbioza Noli dhe Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë? Një mbishkrim që ruhet në këtë kishë, të cilën Noli e themeloi në 1908 dhe së cilës i shërbeu deri sa u nda nga kjo botë në 1965 shpreh në mënyrë të thukët simbiozën e tyre: “Nga të gjithë aktivitetet e mia, dashuria ime e parë është kisha. Hyrja ime e parë në lëvizjen shqiptare ish leximi i Dhjatës së Re të përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi në shqip kur unë isha dhjetë vjeç’’.

A duhet të shkojë Fan Noli 7,000 kilometra larg Bostonit? Vendprehja e fundit e Nolit dallohet nga bazorelievi në varrezat Forest Hills, Boston. Në një pllajë të valëzuar ngjitur me Nolin është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, i cili gjithmonë i qëndroi pranë kryezotit të vet shpirtëror. Pranë tij prehet një tjetër mik i vjetër e bashkëkohës besnik që iu gjend në krah në ditë të vështira, At Arallam Dode.

Pse nuk është jetësuar ky propozim i paraqitur herë pas here? Një propozim i paraqitur në muajin nëntor 2015 për riatdhesimin e Nolit u botua në faqet e Gazetës “Dielli” të muajit dhjetor. Kryeeditori i gazetës Dielli, i ndjeri Dalip Greca shkruante se “situata e sotme në Shqipëri nuk është e përshtatshme për transferimin e eshtrave të Imzot Nolit.” Kryesia e atëhershme e “Vatrës” e ka marrë në konsideratë këtë ide fillimisht të përmendur me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri, sipas disa kujtimeve të ish-Sekretarit të Vatrës Naum Prifti. Siç është dokumentuar në shkëmbime dhe komunikime, procedura kërkon koordinim mes Kishës Ortodokse në Shqipëri, Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë si edhe autoriteteve zyrtare.

Kryetari i atëhershëm i Vatrës, z. Gjon Buçaj, ka pasur konsultime me At Artur Liolinin dhe i ka shprehur mirënjohje për informimet dhe sqarimet me rëndësi rreth argumentit. Gjashtë vjet më pas propozimi për kthimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri filloi të qarkullonte përsëri. Në gusht 2021 unë kam biseduar me administratoren e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston si edhe me Kancelarin e atëhershëm të Përndriturin At Artur Liolin. Për çështjen e riatdhësimit të Nolit, ai përsëriti se imzot Noli nuk e ka lënë këtë amanet dhe nuk ekziston dokumentacion ku të jetë shprehur kjo dëshirë nga ana e tij.

Pse riqarkullon edhe sot e kësaj dite ideja e riatdhesimit? Çështja e juridiksionit të eshtrave ka specifikat e veta të cilat duhet të kuptohen dhe shtrohen për diskutim. Tani ne kemi mundësi të bashkojmë forcat të arrijmë atë që kemi mundësi ta bëjmë. Një prej tyre mund të nis me kërkesën për një pullë postare amerikane.

© Rafaela Prifti

* Ardit Bido – Autor, Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit, Tiranë dhe lektor në Universitetin Metropolitan të Tiranës

* +Kristofor (Kisi) Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937-1949), Vendi i Prehjes në varrezat e fshatit Tufinë, Tiranë.

* +Paisi (Vodica) Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1949-1966), Vendi i Prehjes në varrezat e fshatit Sharrë, Tiranë.

Check Also

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

Nga Albert Vataj Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com