PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE MIRËNJOHJA PËR KLERIN FETAR SHQIPTAR

Sokol Paja

Festa e flamurit kombëtar është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit tonë. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë së përjetshme dhe të pavdekshme të popullit shqiptar dhe hedhja e themeleve të shtetit modern shqiptar. Flamuri është simboli më i çmuar i një populli e kombi. Flamuri kuqezi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi ynë. Në themel të pavarësisë është gjaku, mundi, djersa, sakrifica, lufta, përpjekja e patriotëve, heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve e çlirimtarëve shqiptarë që dhanë jetën për komb, për flamur, për atdhe. Vendosmëria, diplomacia dhe këmbëngulja e plakut të urtë të Vlorës Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Lef Nosit, Dom Nikollë Kaçorrit, Vehbi Dibrës, Iljaz Vrionit, Mit’hat Frashërit e shumë patriotëve solli lirinë e shumëpritur. Pavarësia e Shqipërisë përbën ngjarjen më të madhe, unikale dhe të lavdishme në historinë e dhimbshme dhe të mundimshme të kombit shqiptar gjatë shekullit të kaluar. Në këtë ditë pavarësie mirënjohje e veçantë shkon për klerin fetar shqiptar të cilët kanë qenë në ballë të çdo përpjekjeje për zhvillim kombëtar, bashkim kombëtar, përparim kombëtar e pavarësim kombëtar.

Binomi për fe dhe atdhe udhëhoqi veprimtarinë patrotike dhe klerikale në shërbim të popullit, shtetit e kombit shqiptar. Festat kombëtare janë një moment refklektimi se çfarë duhet të bëjmë më shumë për atdheun tonë, për kombin tonë, për njëri-tjetrin, për bijtë e shqipes kudo në botë. Festat kombëtare janë një moment për të shprehur falenderim e mirënjohje të thellë secilit që ka dhënë për flamur e për komb. Pa dyshim kleri fetar i të katër besimeve në Shqipëri e meriton më shumë se askush tjetër vlerësim e mirënjohje. Kleri fetar shqiptar i të katër besimeve fetare ka luajtur rolin më të rëndësishëm në mbrojtje të interesave të atdheut dhe në shërbim të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, gjithashtu edhe në mbrojtjen e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Historia e shtetit e popullit shqiptar do të ishte shumë e varfër pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerit fetar shqiptar i cili qenë ndër mbrojtësit më të zjarrtë të kombit dhe ka merita të mëdha në fushën e kulturës, arsimit, historisë, enciklopedisë e atdhedashurisë. Vuajtjet pa fund që provoi kombi shqiptar nga valët e njëpasnjëshme të pushtuesve të huaj, e pushtuesve të brëndshëm, diktuan kurdoherë nevojën e qëndresës për të mbijetuar, gjë që i dha shkas dhe hov atdhetarizmit shqiptar me në krye klerin fetar. Kleri fetar shqiptar ndihmoi në mënyrë të ndjeshme bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine, rreth idesë kombëtare ku në të gjitha proceset historike kombëtare klerikët kanë qenë të pranishëm në role kryesore shtetformuese. Edhe pse vuajtën mizorisht barbarinë e genocidin komunist, kleri fetar shqiptar pas rënies së komunizmit ndërtoi një botë fantastike shpirtërore për besimtarët duke kultivuar dashurinë për atdheun dhe njëri-tjetrin.

Kleri fetar shqiptar përgjatë historisë ndihmoi në forcimin e lëvizjes për liri e pavarësi, rriti atdhedashurinë në popull, nxiti frymën patriotike, forcoi harmoninë fetare e kohezionin e brëndshëm shoqëror, hodhi bazat e kombit shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë përfaqëson fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare dhe vazhdimin e amanetit për bashkim kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo festë pavarësie na rikujton nevojën e domosdoshme të ndihmës që atdheu kërkon prej çdo patrioti breda dhe jashtë atdheut: Duaje vendin tënd, investo në vendin tënd, mos e harro vendin tënd, kthehu në vendin tënd, fol gjuhën e bukur shqipe, angazhohu dhe ndihmo në veprimtaritë që lartësojnë kombin, shtetin dhe çdo shqiptar kudo ku lulëzon e përparon.

Kleri fetar shqiptar ka qenë gjithmonë një shtyllë e kombit për të krijuar një shtet të konsoliduar dhe të emancipuar si çdo shtet tjetër i zhvilluar perëndimor. Klerikët historikë si At Gjergj Fishta, Dom Nikollë Kaçorri, At Anton Arapi, At Gjon Shllaku, Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Ndre Mjeda, Imzot Vinçens Prendushi, Imzot Jak Serreqi, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Frano Gjini, Patër Zef Pllumi, Kardinal Mikel koliqi, Kardinal Ernest Troshani, Imzot Zef Oroshi, Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Sabri Koçi, Vexhi Buharaja, Sali Myftia, At Fan Noli, At Kristo Negovani, At Stath Melani, At Kristofor Kisi, Baba Rexhebi, Baba Ahmeti, Baba Myftari, Baba Reshati e shumë e shumë klerikë të tjerë të shquar janë në themelet e historisë së kombit shqiptar. Dashuria për atdheun, kombin e njëri-tjetrin, konsolidimi i shtetit shqiptar, ngritja e institucioneve dhe zhvillimi e përparimi i shtetit e shoqërisë shqiptare ishin ndër meritat kryesore që kleri fetar na trashëgoi duke na bërë krenar si komb. Kleri fetar veproi drejtpërdrejtë në zhvillimin moral, kulturor dhe shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Përjetë falenderues, përgjithmonë mirënjohës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com