Parajsa shpirtërore e dashurisë shndërruar në art poetik

Nga Mëhill Velaj, New York

Të mençurit e Rilindjes Evropiane si Dante dikur, kanë thënë se “poeti është një lloj profeti i cili ia hap portat parajsës.” Andaj pena poetike dhe magjia letrare që na ofron Gjekë Marinaj është sfiduese për lexuesit por njëherësh edhe një shkallë katarzimi e thellimi në fenomene letrare të cilat shquhen për stilin e veçantë, elegancën e të shkruarit, mjeshtërisë dhe rezonimit letrar, por edhe rekapitullimit përsëritës që të lë pa frymë kur lexuesi reflekton për planin ideo artistik dhe mesazheve herë-herë meta psikologjike.

E lexova me një frymë ketë vëllim poetik, ku te pjesa “Dashuria dhe fati” reflektohet për një dimension krejt tjetër letrar e shpirtëror, kulturor e human, nga poetet tjerë të cilët hapësirën qiellore të dashurisë nuk e shohin të shkëputur nga melankolia dhe instinktivja. Këtu qëndron magjia poetike e plani ideoartistik i këtij poeti të përmasave mbarëkombëtare. Marinaj e nuhat, përjeton, shijon dhe e jetëson dashurinë në një dimension me të lartësuar se sa e bukura e estetikja, me lart se shija e ëndrra, dhe më lart se e përkohshmja, sepse fuqia e tij mendore, përvoja empirike dhe intuita e tij e bëjnë të meditojë për fenomene me të lartësuara jetësore. “E mbi të gjitha zgjodha dashurinë”, shprehet Shën Pali në letrën e tij dërguar Korintianëve. Pra këta përbërës letrarë janë uji, dielli dhe mendimi. Poeti është gjithmonë i etshëm për dashuri dhe atdhedashuri.

Këtë natyrë e përmbajtje kanë edhe poezitë Metabolë; Unë dhe Ti; Ajo u nis për Evropë; Paraparajsa; Dusitës, ku e kaluara, e tanishmja dhe fryma e së ardhmes shpirtërore të dashurisë marrin trajta më të lartësuara, më sublime dhe më me nivel parajsor. Autori është i aftë për të mbajtur peshoren më delikate në sferën e kuptimit estetik, andaj vëmendja letrare ndaj tij është nder për letërsinë shqipe.

Poetit Marinaj i pëlqen të përballët me jehonat e së kaluarës dhe përmes së tashmes ti bëjë ballë aventurës se mendjes dhe shigjetave e Odisediadës së jetës.

Marinaj nuk beson në martirizim në dashuri, por në pastërtinë e shpirtit përmes artit poetik. Protagonistja e librit, Dusita, është jo vetëm fati i tij jetësor e ideoartistik, por edhe dielli që i përcjell hapat mistik të poetit drejt qëllimit qiellor. Vetëdija për dashurinë e bën të magjishëm në dashuri poetin. Ai është vetë katarza e memorizimeve e vetës së tij, sepse përtej fatit njerëzor ai di t’i jap kuptim jetës dhe dashurisë që nuk mbaron kurrë.

Ja si shprehet poeti përmes vargut të tij mjeshtëror:

Një tis i nxehtë na skuq në fytyrë,

Zemrat qëndresën e fundit avullojnë,

Gjoksi yt troket, i imi i thotë “hyr!”,

Dashuritë, dashuritë i lëmë të dashurojnë.

Këto vargje janë thelbi i mesazhit poetik i këtij libri, i cili përmes mendjes se ndritur të Gjekë Marinajt merr dimension tjetër letrar, sociologjik, etnik e shpirtëror. Të tilla motive të nën shtresuara e adresuara të zemrave e ligjeve të kësaj bote, pra dashurisë dedikuese, kanë edhe poezitë Në përvjetorin e martesës; Më ëmbël se ç’puth vesa Bjeshkën; Le të mbeten ca gjëra përgjysmë; 24 Orë dashuri, të cilat janë reflektime poetike që dinë të luftojnë dhe të ndjejnë ngrohtësi edhe kur “Dimri tek fishkëllen një melodi të vjetër pagane” në ndër-dijen krijuese të një personaliteti që mban mbi shpatulla atlasin e botës e kujtesës që dhemb e rigjallërohet nga zjarri Sizifian.

Poezitë e Marinajt karakterizohen me filozofinë e shprehjes, mjeshtërinë e faktorit semiotik, hera-herës vargut hermetik e mbi të gjitha dominimit poetik të artit të kulluar letrar. Në vargjet e Marinajt gjenden ëndërrimet, frymëzimet dhe mendimet që reflektojnë një segment të rëndësishëm të jetës së tij.

E ëmbël është jeta për poetin Marinaj në dimensionin e tij shpirtëror, por edhe uthullim sa i përket horizontales njerëzore. Ai në këtë mes ka zgjedhur përndritjen dhe “amshimin” metafizik. Këto motive poetike i gjejmë në poezitë Ajo e bën horizontin të skuqet; Silueta e një vajze; Duke lexuar poezi me Dusitën; Afërdita etj., të cilat së bashku zbrazin zjarrin e dashurisë, harmonisë, etikës se unit, dhe mirëkuptimit tek përmasat e një dashurie dedikuese ku lirshëm mund të themi unike në llojin e tyre.

Poezia Do më falnin të gjitha gjykatat e botës është një lirikë poetike pothuajse magjike, e arrirë nga pak kush, sepse në të është zbrazur i tërë dimensioni shpirtëror, ideor e artistik i një personaliteti që botën e mban në çepellat të syrit plot dritë.

Kultura e dijes dhe ajo poetike koincidojnë me fatin e poetit, shpresën e fisnikërinë e brendisë gjenetike që në çdo minutë të jetës bëhet zot “konaku” i vetvetes e jo varësisë emocionale e joshjes që ofron bota. Kjo është parajsa poetike e një njeriu poet që përmbi magjinë poetike e ka të formësuar rrafshin kulturor e shpirtëror përmbi atë të joshjes instiktive e melankolisë që nuk mund ta kthej kohën prapa.

Dykohësia është futur në qenien e poetit falë talentit të tij letrar, unit njerëzor dhe vizioneve dritëlargëta. Pra poezitë e Marinajt nuk lindin vetëm nga dhimbjet e emocionet spontane, por edhe nga gjendja e kërkimit ideor dhe e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga e kaluara në të tanishmen dhe nga etja e zjarri për monolog në një kohë dialogu të pamundur, të cilin nuk mund ta ripërtërijë e rikthej të kaluarën në shijim të së tanishmes.

Kështu, poetit i pëlqen të ëndërrojë ëndërrimin, të kaluarën e tij, gurët e atdheut, ta përqafojë të shkuarën e rininë e tij, por mbi këto pirgje ideore e melankolishë impulsive ngadhënjen e vërteta për fatin njerëzor që nuk mund të ndryshohet por mund të fisnikërohet. Poeti krijon vargje shoqëruar nga bija e Zeusit, e dimrit të acartë, por në duar mban fatin e jetës së tij tokësore e shpirtërore. Marinaj nuk moliset nga ligjet e ngurta të dashurisë sepse dashuria në vepër është brenda ekzistencës së tij.

Bota e hapur e Marinajt, përvoja letrare dhe përvetësimi i shijeve artistike janë një dimension i hapur kulturor qe i hap çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave, simboleve e vargjeve të dendura me mesazhe drithëruese. Duke ndërthurur vetveten poetike me atë shoqërore, autori nxjerr në pah aftësinë për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metafizik, po ashtu edhe real në materien e dukshme dhe të padukshme të universit emocional të përjetuar e të fisnikëruar njëkohësisht.

Marinaj mediton për “mollën e kafshuar” dhe realitetin virtual, kohën dhe plagët që sjellë mendja. Ai është i farkëtuar e gravuar në sytë e dikujt dhe në qiejt e kujtesës së përflakur, ndaj nuk e pushton as agonia e lajthitjeve të jetës as ecja në jetë. Marinaj është i lartësuar e ndaj sheh larg në horizonte të pamasa të botës poetike dhe empirizmit që sjellë jeta. Bota e tij nuk i do “shitëset e vetvetes’’ as bekimet e rreme të kësaj bote por kërkon fijen e virtyteve e rritjes në njohje. Poeti Gjekë Marinaj është i rrethuar me detin e Gnostikës dhe Evës që tundon, por edhe me vet njohjen e principet fisnike që nuk zhgënjejnë kurrë. Tingujt e tij poetik janë Eksklipse e harpë tingull-ëmbël edhe horizonte të pa masa në sytë e veshët e lexuesve vertikal.

Brenda kësaj harmonie e valleje poetike që i ngjajnë një kori të Engjëjve, lexuesi ndjen botën sentimentale në kontekste e dimensione të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës, në heshtje por duke e fisnikëruar jetën e dashurinë çdo ditë.

Poeti Marinaj është poetë i përmasave të lartësuara sepse di ti këndojë psalme jetës, paqes, harmonisë dhe dashurisë. Mu në magjinë e kësaj përmasë parajsore ai gjakon parajsën e përjetuar e jo atë të kujtesës dhe asaj që ndoshta nuk do të vijë kurrë. Po e përmbylli këtë reflektim me thënien e Luis Brilante: “Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fruti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit”. Edhe një pikë loti në dashuri e kujtesë nuk është turp. Ndoshta turp duhet t’u vinte ndokujt që nuk ka kurrë për të dashuruar… Urime e suksese kësaj pene të artë….

Reflektim për librin poetik të Gjekë Marinaj “Paradigma e Parajsës”

Botoi: Shtëpia Botuese FAIK KONICA Prishtinë 2022

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com