Papa Kristo Negovani, dëshmor i çështjes së arsimit shqiptar

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Familja Harallambi lindi shkrimtar dhe klerik patriot

Kristo Harallambi (1875-1905), Mësues i Popullit, lëvrues i shqipes në kushtet e reaksionit anti-shqiptar, dëshmor i çështjes së arsimit shqiptar, prift ortodoks shqiptar dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare i njohur me emrin Papa Kristo Negovani. Ka lindur në vitin 1875 në Negovan afër Follorinës në kohën e Perandorisë Osmane, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shek. XIX nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës. I ati Harallamb Çali, që ishte tregtar, shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke. Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë. Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë shkollën në Athinë, ku e dërgoi i ati dhe të punojë si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik në vitin 1891 dhe në Ballkamen në vitin 1892 për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Brëilë të Rumanisë ku krahas punës si marangoz zhvilloi dhe veprimtari patriotike. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip (me alfabetin e Stambollit). Më 1897 u kthye në atdhe, ku iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, të cilën e kuptonte të lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit në gjuhën amëtare. “Është e madhe nevojë, shkruante Kristo, të shtypenë vivlla, të shkruhenë Istoria Kombiare, të leçitet gjuha kudo; ata që dinë të këndojnë shqip, të stërvitin e të mësojnë të paditurit jo vetëm në shkolla, por edhe nëpër shtëpitë…gjer sa të vijë koha që të këndonjetë liruar gjuha janë”. Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shkolla e hapur në shtëpinë e tij, brenda një kohe të shkurtër u rrit dhe u bë një vatër e edukimit patriotik për nxënësit fshatarë të Negovanit e Ballkamenit. Në Negovan në shkollë u mësoi shkrim e lexim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Me interesimin e tiju dërguan vajzat e para fshatare në shkollën shqipe të Vashave në Korçë. Ai meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke. Ditën e 10 shkurtit të vitit 1905, ditën e kremtimit ortodoks të Shën Harallambit, kleriku atdhetar këndon në shqip Ungjillin në kishën e Negovanit. Në këtë ceremoni ndodhej edhe dhespot Karavangjeli. I gjendur i pafuqishëm për të ndalur veprimtarinë atdhetarë të Papa Kristos, thuhet se Karavangjeli, para se të dalë prej kishës, i është drejtuar shqiptarit me fjalët: “Mos të gjettë viti tjetër mes të gjallëve!”.

Më datën 11 shkurt 1905, Papa Kristoja shkruan një artikull me karakter patriotik me titull “Mot i ri fat-bardhë” dhe ia dërgon gazetës shqipe “Drita” në Sofje, shkrim me të cilin uron shqiptarët për hyrjen e vitit të ri 1905. Të nesërmen, duke u gdhirë e diela e 12 shkurtit 1905, andartët grekë me ndihmën e kusarëve dhe të dërguarve të dhespotit, shkuan në Negovan. Në errësirën e natës, ashtu si shpirti i tyre i errët sterrë, ata rrëmbyen nga shtëpia Papa Kriston, vëllain e tij Papa Theodhosin, si dhe katër veprimtarë të tjerë, veprimtarë të gjuhës shqipe nga Bellkameni dhe i nxorrën në bregun në të dalë të Negovanit. Duke i tërhequr zvarrë nga rrobat priftërore dhe nga mjekra e gjatë, andartët e pamëshirshëm dhe gjakësorë provuan forcën e tyre me thika, hanxharë e sopata mbi trupin e martirit të gjuhës shqipe, atdhetarit Papa Kristo Negovani, i cili nuk i kishte kaluar të 30 vitet e jetës së tij. Mitropolitia e Korçës vrasjen mizore të andartëve ua përshkruan komitëve shqiptarë. Në vit në pas martirizimit të Papa Kristos, vëllait të tij dhe pesë shqiptarëve të tjerë ortodoksë, atdhetari dhe luftëtari i lirisë, Bajo Topulli likuidoi djallin e Mitrpolitisë së Korçë, at Fotisin, i cili kishte çkrishëruar Papa Kriston dhe kishte yshtuar andartët grekë të masakronin atë.

Autor në prozë, poezie, tekste shkollore, përkthime e përralla

Prodhimtaria e tij letrare në pjesën më të madhe ka karakter didaskalik dhe i përket fondit të letërsisë sonë për fëmijë. Përshtatjet e fabulave të Ezopit dhe të La Fontenit dhe poezia e tij didaktike me frymë patriotike e edukative u drejtoheshin kryesisht fëmijëve. Ato paraqesin kryesisht interes historik dhe mund të themi se nuk dallohen për ndonjë vlerë artistike të veçantë si në “Vjershë shkresëtoreja” në vitin 1899 në vargje; “I drunjti kryq” të botuar në vitin 1906, në vargje vepra është në dy pjesë në Sofje; “Prishja e Hormovës” në vitin 3, vjershë lirike dhe “I vogëli Donat Argjendi”novelë për fëmijë të botuar në Sofje në vitin 1904. Papa Kristo Negovani është autor proze e poezie, si dhe tekstesh shkollore, përkthimesh e përrallash. Veprat e tij u botuan në revista të kohës, sidomos në Kalendari kombiar. Ndër botimet e tij janë: Istori e dhiatë së vietërë, të botuar në Bukuresht në vitin 1899; Vjershë shkresëtoreja, të botuar në Sofje 1899; vjersha Prisheja e Hormovësë, Sofje 1903; një përmbledhje vjershash me 78 faqe; Bënjatë të shënjtorëvet dërgimëtarë, të botuar në Sofje 1906 (Bëma të apostujve shenjtorë); – libri me 122 faqe dhe një tjetër me 16 faqe Istorishkronja e Plikatit, të botuar në Selanik 1909.

Martiri i gjuhës shqipe dhe i lirisë së Shqipërisë

Në pavionin e martirëve të gjuhës shqipe dhe të çlirimit të Shqipërisë, një vend nderi zë dhe mësuesi e prifti shqiptar, Papa Kristo Negovani. Në veprimtarinë e tij intelektuale dhe atdhetar punoi dhe luftoi për rizgjim të shqiptarëve, për shkrim e këndim të gjuhës shqipe dhe për përhapje të diturisë laike e fetare. Aktiviteti i tij iluminist ishte përhapja e dijes dhe e diturisë në gjuhën shqipe. Atë e masakruan andartët grek, të cilët kanë pretenduar dhe pretendojnë për të gjithë krishterët ortodoksë se kanë qenë dhe janë grekë. Kjo urrejtje, kjo ksenofobi e çmendur fashiste ka gjetur terren në Shqipëri në kohën e Demokracisë, ku forcat të caktuara nacionaliste e fashiste greke kanë shprehur dhe po shprehin haptas synimet për greqizmin e Shqipërisë së Jugut. Fillimisht ‘pushtuan’ kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, sot e kësaj dite mbajnë nën kontroll të gjitha kishat e manastiret, kanë ngitur varreza, obelisqe e memoriale gjigante për grekët, që masakruan shqiptarët gjatë Luftës Italo-Greke, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë shpallur Himarën si Zonë të Greqisë dhe bëjnë luftë për një bashkiak me vota të vjedhura, krejt haptas po synojnë krijimin e një shteti të ri grek të Epirit të Veriut. Të gjitha këto nën hijen dhe me miratimin e qeverisë shqiptare, duke ngritur buste e vendosur emra të atyre që Shqipërinë e kishin dhe kanë halë në sy. Kjo është demokracia që na mëson Europa dhe një ligj lufte që ka 84 vjet që po bën roje për të filluar këtë luftë.

Papa Kristo Negovani me të drejtë quhet dëshmor i gjuhës dhe i çështjes shqiptare, mësuesi dhe letrari, i pari që futi meshën shqipe në kishë, atdhetari i njohur i një shekulli më parë. Ai vlerësohet për krijmtarinë letrare dhe për punën e tij të madhe në ndihme të atdheut. Gazetari dhe historiani i mirënjohur Marin Mema ka shkruan se “një histori e harruar, me simbole të shkatërruara, figura kombëtare të braktisura, monumente të shpërfytyruara si refreni ku shteti shqiptar po mbështet themelet e tij të vjetra e të reja. Politika vasale me fqinjë që shtrinë e tërheqin këmbët sipas dëshirës, me varreza ushtarësh, kisha ilegale e eshtra të grabitura. Kjo është korniza e deformuar mbi të cilën po ngjyroset ekzistenca shqiptare. Fqinjët kërkojnë historinë e tyre në tokën tone, ndërkohë që autoritetet shqiptare gjithmonë kanë hezituar të mbledhin copëzat e saj të mbetura jashtë kufinjëve zyrtarë…”.

Ai është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Korçës nr. 150, datë 22 nëntor 1986, një shkollë 9-vjeçare në Ersekë ka emrin “Papa Kristo Negovani”, si dhe në Tiranë ka një rrugë me emrin Papa Kristo Negovani. Është nderuar me titullin “Mësues i Popullit” figura e atdhetarit Papa Kristo Negovani, por sot ka një heshtje e nënvlerësim, duke mos u përmendur emri i tij nëpër shkrime apo studime, duke mos iu kushtuar kësaj figure të shquar vëmendje në TV, në shtypin e shkruar dhe në vepra përkujtimore, etj.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com