“Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi”

Fatmir Sejdiu

Në këtë 16 vjetor të shtetit të Kosovës, java e Pavarësisë nisi me promovimin e librit tim “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi”.

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare gjatë ditës së djeshme, i rrethuar me miq, bashkëpunëtorë e qytetarë të shumtë gjithandej vendit, promovova librin “Ora e Kosovës”. Me një prani të tillë më bëtë të ndjehem jashtëzakonisht i nderuar, për çka u jam tejet falënderues.

Falënderoj për praninë dhe fjalën e saj Presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani. Gjithashtu, falënderoj Presidentët nga Republika e Shqipërisë, z. Alfred Moisiu njëherit edhe recensent i librit si dhe z. Bamir Topi. Po kështu falënderoj ish Kryeadministratorin e Kosovës z. Joachim Rücker për prezencën dhe fjalën me peshë që ai e mbajti para të pranishmëve. Falënderim shpreh edhe ndaj z. Ibrahim Berisha redaktor i librit si dhe ndaj recensentit z. Avni Spahiu, po ashtu edhe ndaj botuesit z. Lulzim Tafa dhe kolegjit “AAB”.

Libri “Ora e Kosovës”, vjen në këtë 16 vjetor të pavarësisë së vendit duke rikthyer në kujtesën e gjithsecilit prej nesh të djeshmen, përpjekjet dhe sfidat e shumta për të ardhur deri tek Ora e Kosovës, që ndodhi më 17 shkurt 2008.

Jam përpjekur që sado pak gjithë kapërcimet e shoqërisë sonë, njerëzve të Kosovës, miqve tanë në orët më të vështira të vendit tonë, por edhe në orët më të mira të tij t’i paraqes brenda këtij teksti.

Shpresoj që ky libër do t’ju shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme, si burim reference për shumë zhvillime qenësore për qenien dhe mirëqenien e shoqërisë sonë.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com