Një takim i veçantë për poezinë

Monda Mara

Kështu do ta cilësonte Anna Lattanzi(Annina Anninetta), kryeredaktore e Albania Letteraria, veprimtarinë e pasdites së dielë, datë 14 janar, zhvilluar në Qendrën Kulturore Slow Mill Milano. Një bashkëpunim ky midis LSHASHI – LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE SHQIPTARE NE ITALI dhe Konsullës së Republikës së Shqipërisë në Milano. Dhe do të ishte pikërisht ajo, që në cilësinë e drejtueses së kësaj veprimtarie, do t’i jepte udhë rrugëtimit tonë drejt poezisë. Fillimisht duke u uruar mirëseardhjen poetëve: Valbona Jakova, Mimoza Leskaj, Fatmir Gjata dhe të pranishmëve në sallë. Më pas, një paraqitje e shkurtër e gjendjes në të cilën ndodhet letërsia sot, rrjedhimisht edhe poezia: numri i paktë i lexuesve, vështirësitë që hasin botuesit etj.

Në emër të Lidhjes, do të përshëndetnin presidenti Skender Lazaj dhe sekretarja Lori Duka. Në fjalën e tyre ndihej vlerësimi dhe kënaqësia e bashkëpunimit, që si fryt solli këtë takim.

E nisëm me tingujt: filli përçues i mbrëmjes. Pikë së pari ato të muzikës. Soprano lirike Anila Hoxha Gjermeni, do të na mahniste me interpretimin e një kolazhi nga repertori i saj. E njohur tashmë në Itali, por jo vetëm, pjesë e Teatro alla Scala, ajo si çdo herë, përcolli emocione me “Bareshën”, “Bishtalecat” e këngë të tjera. Paraqitje të tilla pa më të voglin dyshim, pasurojnë dhe u japin ngjyra takimeve tona.

Radha tashmë u kishte ardhur poetëve. Nën interpretimin e Arjeta Previzit, që tashmë ka krijuar një profil të sajin si interpretuese, u gjendëm në poezinë e Valbona Jakovës nëpërmjet vargjeve “I thashë diellit: jam një udhëtare/ Ai më ngrohu me shumë rreze dashurie”. Ajo vetë do ta përkufizonte poezinë si një lloj bashkeshoqërueseje në udhëtimin e jetës. Aspak i lehtë, po të kemi parasysh persekutimit që ka kaluar familja Jakova në regjimin e kaluar. Poezia e saj do të pasqyrojë vuajtjet, por vetë Valbona nuk kërkon të shprehë vetëm këto. Tema të tilla si: dashuria, bukuria, pasuria shpirtërore, do të zënë një vend të rëndësishëm në krijimtari. Duke qenë se ajo është njëkohësisht dhe një përkthyese e njohur, do ta prekte këtë çështje të mprehtë, duke i mëshuar faktit se nuk mjafton vetëm të njohësh gjuhën. Nevojitet formim i gjithanshëm për të sjellë siç duhet krijimin në një gjuhë tjetër. Gjë e cila, u miratua dhe nga bashkëbiseduesja, Ana Latanzi.

“E kështu eci nëpër shtigje/ që të tjerët as nuk dinë që ekzistojnë”. Është përsëri Arjeta me përcjelljen e poezive, këtë herë të Mimoza Leskajt. Për poeten, procesi i krijimit është një lloj strehe, që i ka dhënë mbrojtjen e duhur ndaj botës së jashtme. Edhe në poezinë e saj ndihet persekutimi për shkak të diktaturës. Nisi të shkruante që në moshën 8 vjeçare dhe, siç deklaron ajo vetë, shpirtin do t’ia dorëzonte poezisë. Për Mimozën, poezia lind brenda njeriut dhe ai identifikohet me të në kohë. Trajtimi i temave sociale, do të përbëjë një veçori dalluese të kësaj krijimtarie të pasur, jo vetëm në poezi, por edhe në prozë.

“Do të jemi harruar, në një pjergull përqafuar/ veshur vetëm me buzëqeshjen tënde”. Këto vargje do të na paraprinin drejt një poeti tashmë: Fatmir Gjata. “Poezia të ndihmon të jetosh më mirë”, do të niste rrëfimin e tij ky poet. Si një pjesë e rëndësishme e jetës, tashmë krijimi artistik është shndërruar në një zë të brendshëm për të. Në kordat e tij, poezia shqipe është melodia vetë, dhe bukuria si kategori estetike, gjendet pikërisht ndërmjet vargjeve. Sidomos gjuha shqipe me tingujt e saj, bën që ajo të marrë të gjitha trajtat dhe format e përkryera.

Nëse gjatë gjithë kohës, publiku në sallë kishte qenë tepër i vëmendshëm për të ndjekur poetët, poezitë, rrëfimin e secilit, tashmë ishte radha e tij. Shkëmbim idesh, mendimesh në lidhje me poezinë, letërsinë, futjen e asaj shqipe në procesin letrar italian, vendin që zë në ditët e sotme, do të ishin temat kryesore të këtij diskutimi, i cili përfshiu të pranishmit në sallë, poetët dhe drejtuesen e takimit.

Dhe përsëri muzikë, por kësaj here për të shënuar fundin e mbrëmjes. “Lule borë” nën interpretimin e Artan Lika bass (i ardhur enkas nga Novara sëbashku me miqtë e tjerë të Associazione URA, shoqatës “Ura”), në duet me Anila Hoxha Gjermenin, do t’i jepnin fund këtij udhëtimi poetik dhe muzikor.

U ndamë me mesazhin e Anës “Poezia është bukuri, gjithmonë duhet ta ushqejmë shpirtin me të”.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com