Një përshpirtje për Don Shtjefën Kurti, këtë shpirt të shëlbyer dhe këtë vullnet të hyjshëm

Më 29 shtator 1971, një burrë i pakuar në fizik nga torturat dhe mizoritë e monstrave të diktaturës, i lidhur këmbë e duar gjen vdekjen nga një breshëri armësh pushkatimi. Ai është meshtari Don Shtjefën Kurti, i cili do të ngjitej në altarin e martirëve të kishës, për “krimin” e vetëm, pagëzimin e një fëmije.

Kjo ngjarje, edhe pse e mbajtur sekret, u mësua nga Vatikani, dy vjet më pas, më 1973. Ndërsa publikimi i saj në pothuaj të gjitha mediat më të njohura të botës u shoqërua me protesta në dyert e selive diplomatike të shtetit shqiptar.

Këto ngjarje vunë në vështirësi kastën komuniste të Tiranës, e cila menjëherë nisi të kundërpërgjigjet me anë të makinerisë së saj propagandistike.

Don Shtjefën Kurti, jetoi, kontribuoj, u përkushtua me zemër të pastër e me vullnet të Hyjshëm për latrësimin e atij shpirti gatuar në besim dhe vepra të shëlbyera urdhëruese të detyrës, dhe vdiq për idealet e shenjta, duke hyrë në aradhen e gjatë të martirëve të kishës.

Varri i tij as sot nuk dihet, sepse trupi i tij u përdor si kadavër për praktikat mësimore të studentëve të fakultetit të mjekësisë, në shenjë urrejtje nga shteti komunist ndaj këtij njeriu të mrekullueshëm që luftoi për liri, jetë dhe atdhe. Tashmë ai është një nga dyzetë kandidatët më potencialë për tu shenjtëruar në Selinë e Shënjtë nga Papa, si hero i kristjanizmit mbarëkombëtar, si shenjtor.

Kanë kaluar mbi gjysëm shekulli vjet nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e këtij meshtari të madh, por kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e besimtarëve, në zemrat e mbarë popullit, sepse vetë jeta, puna dhe aktiviteti i tij ishin një shkëndije e pashuar në mes të errësirës. Ai e mundi errësirën, e mundi sistemin diktatorial, e mundi komunizmin dhe tash ndrit ndër breza.

Një përshpirtje për këtë shpirt të shëlbyer dhe këtë vullnet të hyjshëm.

Albert Vataj

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com