Një dekadë pa Fatos Selën, yllin që shkëlqeu vezullimshëm si në teatër ashtu edhe në kinematografi

Nga Albert Vataj

Po, kaluan dhjetë vite që prej 18 dhjetorit 2013, kur zemra e aktorit dhe regjisorit, Fatos Sela nuk do të trokiste më. Nuk do të frymonte më ajo shpirtje që e mbushi me ndjenjë dhe përjetim, me fuqi shpërthyese një galeri të begatë rolesh. Të shumtë korifej të artit skenik ikën para tij, të tjerë ju vunë pas në amshim. Prej të gjithëve ishte dhe mbeti e trisht kjo ndarje, jo vetëm e familjeve, por edhe për skenën, e teatrit, e sheshxhirimeve që ata patën jetë. Fatos Sela iku pakohë në moshën 65-vjeçare, iku ashtu tinëzisht, iku ndoshta pa e plotësuar pazullin e tij të plotë të misionarit virtuoz te skenës. Por iku i dinjitetshëm dhe i përkorë, për të lënë kumbues zërin e tij karakteristik, dhe vezullues portretin e personazheve që dielloi me atë shpirt plot rrezatim.

Prolog

Ai la një galeri të pasur veprash të njohura të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. U dha zë e zemër personazheve dhe personaliteteve, tipave dhe karaktereve, dëshmimeve dhe përjetimeve, të cilat udhëpërshkaun ngjitjen e tij në skenë dhe shkëlqimin në eterin e kujtesës sonë.

S’kishte se si, Fatos Sela të shkonte pa lënë një rol ikonë në ngjitjen e mbarimtë. Ai nuk e dinte, por një vullnet i epërm zgjodhi atë të luante me një mjeshtëri të rrallë dhe me një vërtetësi brilante, rolin e “Babait të Kombit”, në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Regjisori Spiro Duni do t’i besonte Fatos Selës këtë rol, sepse ai do të mbushte me gjithë vezullimin e vet këtë figurë historike duke e sjellë në Teatrit Kombëtar. Fatos Sela, ishte në lartësinë e përgjegjësisë së misionit, në dramë e shkruar nga Bashkim Kozelit, vepra fituese e konkursit të dramës shqipe. Në veprën “Ëndrra e Ismail Qemalit” dominohet nga figura e Ismail Qemalit e trajtuar në tërë dimensionin e tij, duke përcjellë për publikun mesazhin se kjo tokë do të lindë në të ardhmen burra të tjerë, të cilët po të duan atdheun më shumë se veten, Shqipëria do të bëhet dhe do të rrojë, dhe Fatos Sela i mëkoi këtij sublimiteti interpretues gjithë talentin dhe përvojën e tij. Një ngjitje që nuk e la të zbriste, edhe pse vdekja i kishte zënë pusi.

Fatos Sela, një prej kolonave të Teatrit ët Fierit

Fatos Sela i përket historisë së teatrit “Bylis” të Fierit, po kaq sa Teatrit Kombëtar. Edhe pse ai u lind në Tiranë më 2 tetor të vitit 1948 dhe përfundoi studimet e larta në vitin 1972 ne Institutin e Lartë të Arteve, dega dramaturgji, punoi në periudhën ndërvitase, 1972 – 1975 si regjisor në Televizionin Shqiptar, mbeti fierak në përfshirjen dhe përgjegjësinë profesionale, për të dhënë dhe për të bërë më të mirën një skene emrash dhe veprimtarësh të mëdhenj.

Viti 1975 është koha kur ai do të bëhej pjesë e teatrit “Bylis” të Fierit, pjesë e atij kasti veprimtarësh të përkushtuar, të cilët e lartësuan në apogje këtë skenë përmes shkallareve ku u ngjitën; Marika Kallamata, Albert Verria, Ahmet Pasha, Zoi Papa, Aleksander Pogaçe, Luftar Paja, Hasan Bregu, Todi Llupi, Arqile Lipe, Vasil Vaso, Fatmir Xhelili, Sotir Stefa, etj.

Fatos Sela ishte aty me mish e me shpirt, me mendje dhe me vepër, me pasion dhe shpirt ngadhënjimtar mëtimi krijues dhe interpretues, ishte aty për dy dekada si aktor dhe regjisor 1975-1995, aty ku shkëlqyn; Llazar Verria, Gulielm Radoja, Roland Roshi, Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Koço Papadhopulli, Roland Çarka, Klajdi Marku, etj.

“Dy krisma ne Paris”, “Zoti godet me puter”, “Kush e vrau Kastinën”, “Shtrigat e Salemit”, “Një letër e humbur”, janë veprat që ai solli gjatë kësaj periudhe në “Bylis”, është ajo panoramë që e pasuroi shpërfaqjen e këtij teatri në traditën e artit skenik shqiptar.

Pasioni, vullneti, këmbëngulja dhe talenti

E kush më mirë se ata që jetuan dhe punuan me të, ata që e patën mik dhe koleg Fatos Selën, ata që ishin pjesë e gjallë e asaj jete vetëmohimesh dhe sakrificash, e përcjellin vërtetësinë e tij, si njeri dhe si artist. “Kontriburi i tij në teatrin e Fierit ishte i pakrahasueshëm, duke mbajtur peshën kryesore në atë teatër dhe duke qenë një figurë qendrore në jetën artistike teatrore të atij qyteti” është shprehur Bujar Asqeriu. “Për Fatosin duhet thënë të vërtetat absolute, që është pasioni i tij i madh, vullneti, këmbëngulja në punë dhe talenti… ai ka lënë gjurmë të shkëlqyera në teatër” shtoi në lamtumirën për të aktori dhe regjisori, Spiro Duni. Gjatë veprimtarisë autoriale ai realizoi figura emblematike, që do të mbeten të pashlyera në kujtesën historike të skenës shqiptare.

Fatos Sela, shkëlqeu si në kinematografi ashtu edhe në teatër, duke vendosur emrin dhe veprën e tij në panteonin e traditës së artit tonë skenik. Rolet dhe karakteret, do ta sjellin dhe risjellin në memorin dhe kërshërinë e artdashësve, sot e përgjithmonë, tash e mbas edhe pse ai nuk është më. Eshtë vepra e tij, emri i skalitur në skenë ai që do ta ruaj gjithnjë të gjallë, përherë të freskët atë.

Aktori, Fatos Sela duke interpretuar gjate shfaqjes, "Pamje Nga Ura", me regji te Albert Minges, ne Teatrin Kombetar.

Mirush Kabashi për Fatos Selën

I ndjeri Mirush Kabashi, në ditën e lamtumirës së mikut dhe kolegut, është shprehur për mediat se Fatos Sela ishte aktor me cilësi shumë të rralla. I predispozuar maksimalisht, me bagazh shumë të madh dhe me vetëmohim për të bërë më të mirën e mundshme në kinematografi dhe teatër.

Predispozita e tij e madhe për të dhënë gjithçka të mirë dhe të vlefshme ia dha pa kursim telespektatorit, artdashësve duke u shuar si në Fjalët e Qiririt.

Personazhet që kishin fatin të luheshin prej tij ndër pikat më të forta të dramës apo komedisë, skenari filmi. Temperament unik, sanguin, me zë potent, që e zotëronte skenën”.

Amaneti i tij i fundit

Fatos Sela la amanet të mos dilte nga dera e Teatrit Kombëtar, siç është bërë traditë për lamtumirat e aktorëve të shquar. Misterin pse e refuzoi daljen nga dera e TK, e mori me vete. Vetëm kaq mund të thoshte, ky qe amaneti: “Mos më çoni në Teatër”. “Kur e ndjeu se do ikte e tha disa herë, “Mos më çoni në Teatër”, do të rrëfente Natasha, bashkëshortja e tij, në ditën e dhimbshme të ndarjes me të. Ky amanet nuk la pas asnjë hatërmbetje, mëri apo inat, për më pak të ikte në amshim me hakmarrje ndaj asaj skene që la gjurmë të pashlyera. Jo, ai me “Mos më çoni në Teatër” tregoi modesti dhe thjeshtësi të pashembullt, mendojnë kolegët. Kërkonte të ikte nga kjo jetë edhe i vdekur, pa i hyrë në borxh atij tempulli, sepse ndoshta ai mendoi se po ikte shumë shpejt, dhe po e linte atë skenë, pa mundur t’i jepte më të mirën e tij.

Galeria në kinematografi

Hodo  në filmin Gunat mbi tela (1977) është nga rolet e para të Fatos Selës në kinematografi, por mbeti një përjetësim brilant që ai i bëri personazhit që dilte nga thellësia e kujtesës historike të Vlorës legjendare. Ai e ngriti këtë personifikim në një sinonim të vetes, duke fiksuar portretin e Hodos në kujtesën e gjithë atyre personazheve që i dhanë jetë asaj të shkuar të përpjekjeve dhe kacafytjeve për liri të popullit shqiptar. Vijoi sfida e Selës në kinematografinë shqiptare me filmin Shtëpia jonë e përbashkët (1981), Bashkimi – Nëntori i dytë (1982), oficeri turk – Gracka (film) (1983), Baja – Të paftuarit (1985), Cezar Dibra – Vjështë e nxehte e ’41 (1985), Bako – Një vit i gjatë (1987), Likurg – Pesha e kohës (1988), Trifoni – Pas takimit të fundit (1990), komisar Ganiu – Bolero (1997), instruktori i baletit – Tirana, viti zero (2001) …. qeveritari – Pamje nga ura (2007) teatër – Dhe si regjisor në Heronjtë e Vigut (1977).

Vepra që la në teatër

Ajo që mund të thuhet me një përgjegjësi të pamohueshme dhe të pohohet me ndjenjë mirënjohjeje dhe respekti për Fatos Selën është se ai ndryshe nga vezullimi në filmin shqiptar, pati një shkëlqim të shpërthimtë në teatër. Ai do të ishte prezent dhe me një rol të pazevendësueshëm në këtë skenë të madhe që e madhështuan të mëdhenjt e historisë së Teatrit Kombëtar që prej vitit 1995 deri në fikjen me “Endrra e Ismail Qemalit”. Ndër interpretimet e kësaj periudhe veçohen rolet kryesore në dramat, “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, Portreti i Dorian Greit”, “Pulëbardha”, “Streha e të harruarve”, “Tiranosauri”, “Anonimi i Venedikut”, “Magjia e madhe”, “Pamje nga ura”, “Franku V”, “Gjashtë Personazhe kërkojnë autor” , Salieri tek “Amadeus”, “Shtrigat e Salemit”, “Henri VI”.

Epilog

Fatos Sela nuk është më prej një dekade, por zëri dhe madhështia e tij mbeti i plazmuar në kujtesën e artit tonë skenik, në faqet e këtij komunikimi dëshmues. Ai nuk pretendoi se ishte ylli më i shndritshëm i skenës shqiptare të teatrit dhe ikona e kinematografisë, por troli i tij si aktor dhe regjisor, si veprimtar i artit dhe vlerave krijuese, ishte dhe do të mbetet e përgjithmonshme në nevojën tonë për kujtesë dhe nostalgji, siç ishin në vlerësim, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Është përgjegjësi qytetare dhe ndjenjë e thellë mirënjohjeje artistike t’i kujtojmë dhe t’i nderojmë ata që na dhuruan me shpirt atë që deshën me gjithë zemër, ata që të bukurën patën frymëmmarrje dhe puls, ata që na lanë si testament, jo prona dhe para, por të bukurën ëndje dhe ëndërr krijuese dhe interpretues, atë vezullim që shkëlqen sot në kujtesë dhe do të dritojë në përjetësi.   

Check Also

Mark Gjonaj Remarks at City Hall on Kosova’s 16th anniversary of indepedence

Good evening. Thank you to our hosts: Speaker Adrienne Adams, Councilmembers Holden,Carr, Borelli, Marmorato, Special …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com