NËNTORI I LETËRSISË NË VATËR

Sokol Paja

New York, 25 Nëntor 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi një ditë kushtuar letërsisë shqipe. Nën prezantimin e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mhill Velaj, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi përshëndeti të pranishmit: “Në emër të Vatrës ju përshëndes dhe uroj suksese. Urimet më të përzemërta krijuesve e shkrimtarëve të pranishëm në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për diasporën shqiptare. Gëzuar Festa e Flamurit Kombëtar të gjithë shqiptarëve” tha ndër të tjera z.Cubi.

Në analizën rreth poezive të z.Tahiri, z.Velaj deklaroi se poeti Ilmi Tahiri në librat: “Sytë kah atdheu”, “U ktheva atdhe” dhe “Për ty Kosovë” na ofron një krijimtari të madhe si për nga numri i poezive, masa, vëllimi e cilësia por edhe nga niveli i lartë ideo poetik por edhe ai semantik. Poeti z.Ilmi Tahiri u tha të pranishmëve se sillte për të gjithë bashkëkombësit mallin e mëmëdheut, tokës së bekuar të Kosovës heroike. Ai tha se poezitë i dedikohen heronjve të Kosovës e historisë së lavdishme të kombit tonë. Ceremonia vazhdoi me një ligjëratë kushtuar poetit të mirënjohur Ymer Elshani e titulluar “Historia ime e patreguar” përgatitur nga vajza e tij Teuta Elshani. Në fjalën e saj mes lotëve e dhimbjes, rrëfeu dramën e familjare të masakrimit të familjes së saj nga forcat serbe dhe përpjekjet e vazhdueshme për të botuar krijimtarinë e babait të saj Ymer Elshani. Ajo falënderoi Vatrën si lidere e aktiviteteve kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetën Dielli dhe dha mesazhe paqe e qëndrese duke apeluar për drejtësi dhe ndëshkim të krimeve serbe në Kosovë. Shkrimtari z.Mhill Velaj në kumtesën kushtuar poetit Ymer Elshani deklaroi se me vizionet e tij humane, poetike, kombëtare, e integruese dha shembullin me të mirë se si duhet përjetuar jeta, lufta, kultura e atdhedashuria.

Ky kolos i letërsisë nga Drenica heroike, ishte një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatë anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999 duke i qendruar besnik idealeve të të parëve të tyre poashtu të dëshmuar në breza për atdhedashuri, tha z.Velaj për poetin Ymer Elshani. Veprimtari i çështjes kombëtare Shaban Lajçi recitoi për të pranishmit poezinë e Ymer Elshanit “Çelësi i artë” duke emocionuar të gjithë pjesëmarrësit. Në fund të ceremonisë letrare poeti Abdyl Hajredini për të gjithë të pranishmit u ndal te aspekte të kritikës e estetikës në letërsinë shqipe dhe prezantoi 100 poezitë e tij në librin “Mos vdis nga errësira”. Shkrimtari Mhill Velaj recitoi një poezi nga libri “Mos vdis nga errësira” kushtuar Kosovës duke ngjallur shumë emocione. Gjithashtu luftëtari i lirisë së Kosovës z.Shpend Gjocaj recitoi për artdashësit e librit poezi nga krijimtaria e tij letrare duke ngjallur emocione të forta.

Veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Agim Aliçkaj, një ndër kontributorët më të mëdhenj të zbardhjes së krimeve serbe në Kosovë, në fjalën e tij kërkoi që perëndimi të izolojë e ndëshkojë serbinë barbare. Në përfundim të ceremonisë letrare, për të gjithë të pranishmit Federata Vatra shtroi një koktej në nderim të festës së flamurit kombëtar. Vatra shpreh mirënjohjen të veçantë për poetët të cilët në përfundim të aktivitetit dhuruan librat e tyre për Bibliotekën e Vatrës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com