Në shtëpinë-muze të patriotëve Marigo e Jovan Posio

Përgatiti: Helena Lubonja Ujkaj dhe Zef Ujkaj

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, ndaluam në fshatin Hoçisht të Devollit, ku vizituam shtëpinë – muze të atdhetarëve Jovan dhe Marigo Posio. Shtëpia – muze e rindërtuar me shumë mund e sakrificë nga pasardhësja e familjes Posio, znj. Violeta Pojani dhe bashkëshorti i saj z. Bardhyl Lubonja kishte ruajtur origjinalitetin e shtëpisë së vjetër të kësaj familjeje. Që në momentin e parë që pamë shtëpinë nga jashtë, mbetëm të impresionuar nga madhështia e saj, arkitektura autentike dhe dekorimi me simbole kombëtare. Flamuri kuqezi valëvitej krenar në ballë të shtëpisë së “vajzës së flamurëve”, Marigosë, asaj që qëndisi me duart e saj të arta simbolin tonë kombëtar.

Marigo Posio lindi në Korçë, më 2 shkurt 1882, në një familje me origjinë voskopojare.

Ajo ishte bija e Papa Kosta Poçit dhe Lenka Ballaurit. Familja e saj kishte lidhje farefisnie me shumë atdhetarë të shquar korçarë. Që në vegjëli u brumos me dashuri për gjuhën shqipe dhe atdheun. Marigoja ishte vajza e 27-të e regjistruar në shkollën e parë të vashave në Korçë e për mësuese kishte atdhetaren e shquar Sevasti Qiriazi. Në moshë të re u martua me Jovan Posion nga fshati Hoçisht i Devollit, me të cilin pati katër fëmijë, tri vajza dhe një djalë.

Rreth vitit 1904, së bashku me bashkëshortin e saj, u detyrua që të largohej drejt Vlorës, pas përndjekjeve të shovinistëve grekë dhe reaksionit turk.

Marigoja, si simbol i qëndistares së flamurit, është mjaft e njohur, por në fakt ajo është një figurë shumëdimensionale. Ajo ka qenë veprimtare e shquar e çështjes kombëtare, aktiviteti i së cilës është shtrirë në dy periudha historike me rëndësi të veçantë për vendin tonë, atë të Rilindjes dhe atë të Pavarësisë. Kjo grua intelektuale, me horizont të gjerë e kulturë, me ide iluministe, që ia kushtoi jetën lirisë dhe flamurit, punoi pa u lodhur për përhapjen e gjuhës shqipe, përparimin e Shqipërisë si dhe emancipimin e gruas shqiptare. Roli i saj në shtypin e kohës, si drejtuese e gazetës “Shpresa Shqiptare”, ishte shumë domethënës. Artikujt e saj do t’i shkruante me pseudonimet “Sapi” dhe “Shqiponja”. Ajo mbronte idenë se hapja e shkollave në gjuhën shqipe, do të shërbente si ndritje e mendjes së shqiptarëve dhe do t’iu zgjonte atyre ndërgjegjen kombëtare. Kjo patriote e flaktë ishte nga të paktat gra që do të aktivizohej në veprimtaritë patriotike të kohës. Marigo Posio mori pjesë në Komitetin e Parë, që u formua në Vlorë për shpëtimin e atdheut, të cilin e ndihmoi dhe me të holla. Ajo e njihte mirë letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Marigoja shumë shpejt u fut në vatrat vlonjate me idetë e saj përparimtare. Mes plaçkave që solli nga Korça do të ishte edhe një flamur i qëndisur me dorën e saj. Ajo i këshillonte vajzat vlonjate, që në pajën e tyre të kishin patjetër një flamur, me shkabën dykrenare. Nga Vlora ajo do të ndiqte me vëmendje veprimet e çetave patriotike kundër forcave osmane, greke dhe serbomalazeze. Me krijimin e klubit “Labëria” në vitin 1908, Marigoja u aktivizua në rolin e këshilltares.

Duke vizituar shtëpinë -muze u njohëm me fakte të reja, dokumenta me rëndësi historike, fotografi të vjetra, objekte të përdoruara nga familja Posio si dhe me pemën gjenealogjike të familjes. Vlen për t’u përmendur se kjo shtëpi nuk do të ishte shndërruar në muze pa ndihmesën e çmuar të studiuesit dhe historianit z. Niko Kotherja . Falë përkujdesjes së tij dhe punës së palodhur shtëpia- muze e atdhetarëve Marigo e Jovan Posio është perfeksionuar e pajisur me materialin e posaçëm historik.

Biseda jonë me znj. Violeta do të vazhdonte dhe pas shtrimit të një dreke tradicionale me gatime të zonës së Devollit. Ajo na foli rreth përkushtimit të familjes Posio lidhur me lëvizjen për çlirim kombëtar. E gjithë familja iu përkushtua kësaj lëvizjeje duke sakrifikuar jetën dhe pasurinë monetare në shërbim të atdheut, përparimit të kombit, zhvillimit të kulturës e arsimit. Shtëpia e çiftit Posio ka pritur e përcjellë patriotë nga të katër anët e atdheut. Jovani, bashkëshorti i Marigosë mori pjesë në veprimtari të shumta patriotike për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndjenjën e atdhedashurisë. Ai ishte gjithashtu mbështetës i flaktë i arsimimit të popullit nëpërmjet shkollave shqipe, duke kundërshtuar me fanatizëm hapjen e shkollave greke në jug të Shqipërisë. Gjithashtu ai financonte sipas mundësive disa prej gazetave përparimtare të kohës dhe shkollën shqipe të Korçës. Shpërndante libra e gazeta shqip. Në qytetin e Vlorës, ai u bë anëtar i klubit “Labëria”.

Marigoja e Jovani i kishin brumosur fëmijët e tyre me ndjenja të larta patriotike. Evridhiqi, vajza e madhe e Marigosë, e studiuar jashtë Shqipërisë, ishte pjesë e orkestrinës së klubit “Labëria”, ku këndonte me mandolinë kënget shqipe. Zëri i saj melodioz dëgjohej edhe në kishën katolike të Vlorës, të drejtuar nga Dom Mark Vasa teksa këndonte në gjuhën amtare. Vajza tjetër Fereniqi do të ishte krahu i djathtë i së ëmës duke e ndihmuar atë në rolin e redaktores së gazetës “Shpresa Kombëtare”. Ajo do të luante një rol shumë të rëndësishëm me anë të shkrimeve së saj për emancipimin e femrës shqiptare. Edhe i biri Vasoja, muzikant i studiuar në SHBA do të dallohej si atdhedashës, që kontibuonte për kombin në rrugë të ndryshme, si me të holla ashtu dhe me anë të kapacitetit të tij intelektual. Në moshë fare të re ai mori pjesë në dramën historike “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes do të kurorëzohej me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës. Lufta e pandalshme e popullit shqiptar dhe përpjekjet e njëpasnjëshme të patriotëve, arriti kulmin pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria fitoi mëvetësinë nga pushtuesi shekullor osman dhe u bëri fakt të kryer fqinjëve grabitqarë që kishin shkelur kudo mbi territoret shqiptare me dhunë e terror. Pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë dhe firmosjes së Deklaratës nga përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, kulmoi me ngritjen e flamurit kombëtar mes brohorimave dhe euforisë së popullit shqiptar.

Prezenca e flamurit ishte pikërisht meritë e punës dhe përkujdesit të patriotes Marigo Posio. Përgjatë muajit nëntor, shtëpia e Posiove, ishte kthyer në një punishte për stamposjen e flamujve kombëtarë. Ajo, së bashku me Petro Fotografin dhe Thanas Floqin, përgatiti me qindra flamuj për ditën e pavarësisë kombëtare. Thuhet se ajo ka qenë e pranishme edhe në ngritjen e flamurit dhe e ka parë me sytë e saj firmosjen e dokumentit të shpalljes së pavarësisë.

…………………………………..

Megjithatë, nga sa thamë më sipër, kontributi i Marigosë qëndron përtej qëndisjes së flamurit kombëtar. Më 1914-ën, ajo u vu në krye të përpjekjeve për të ndihmuar muhaxhirët çame të dëbuar nga vatra e tyre nga shovinistët grekë. Më 1920-ën ngriti zërin në mbrojtje të Avni Rustemit. Në vitin 1924, së bashku me të shoqin, Jovan Posio mbështetën me të gjitha forcat e tyre Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin. Dhe këto nuk do të ishin angazhimet e saj të fundit.

Megjithatë sëmundja e tuberkulozit që e preku në vitin 1924 dhe vdekja e fëmijëvë të saj nga po kjo sëmundje ia ndalën hovin për t’i shërbyer interesit kombëtar deri në fund.Në vitet e fundit të jetës Marigoja jetoi në Tiranë, pranë motrës së saj, Uranisë, e cila ishte martuar me patriotin e shquar Kristo Floqi. Në gjendje të mjeruar, Marigo Posio vdiq më 23 gusht 1932 dhe u varros në Manastirin e Zvërnecit.

Marigo Posio është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Lirisë së Klasit të Dytë”, më 7 mars 1960 dhe nga ish-Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Rexhep Mejdani me “Urdhrin e Flamurit” më 15 prill 2002.

Znj Violeta Pojani fliste plot pasion për portretin e çiftit Posio, duke dhënë një shembull të shkëlqyer në përjetësimin e jetës dhe veprës së paraardhësve të saj atdhetarë, që sakrifikuan çdo gjë për Shqipërinë. Në çdo përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ajo do të kujtohet ndër breza me respekt e dashuri. Kujtimi i familjes Posio qoftë i përjetshëm!

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com