“Në Rrugën e Plepave”

Prof. Ardian Ndreca

“Në Rrugën e Plepave” i Át Donat Kurtit (1903-1983) asht nji libër i shkruem në periudhën kohore 1967-1970, nji libër i pazakontë që ngërthen nji tension pedagogjik autentik por pa u kthye për asnji çast në nji manual sistematik apo në nji përmbledhje rregullash jete.

Asht libri ma i bukur që kam lexue vitet e fundit. Ligjërimi asht fjollë, i thjeshtë dhe modern, larg prej skematizmit të pedagogjisë së kohës e megjithatë përban nji alternativë ende të vlefshme për mirërritjen e brezit të ri.

Në nji kohë të zymtë, Autori, që mbasi kishte vuejt 17 vjet burg të egër prej regjimit komunist dhe jetonte i vetmuem në nji kësollë në “Rrugën e Plepave”, në periferinë lindore të Shkodrës, gjen motive për me besue tek njeriu, sidomos tek brezi ma i ri.

Asht nji libër që të kujton stilin e thjeshtë e të përkorë të Jules Renard, nuk ka retorikë, nuk ka premje paternaliste.

Për me e formue njeriun duhet ma parë me e njohtë atë, por as kjo nuk mjafton: duhet kryekreje me e dashtë njeriun. Donat Kurti mton me shti rishtas në procesin e ndërlikuem të edukimit familjen, mbas dekadash që kjo e fundit kishte abdikue me forcë prej rolit të saj në edukimin e fëmijëve në favor të institucioneve. Këtyne të fundit, edhe në rastin ma të mirë, kur funksionojnë rregullisht, u mungon ai kohezioni i parahershëm që mban të lidhun individin me familjen, fëmija për familjen asht unik dhe i papërsëritshëm, prandaj edhe mundi për me e edukue nuk ka nji masë konvencionale të rregullueme prej normash pozitive por asht i udhëhequn vetëm prej dashunisë.

Ia vlen me e lexue dhe me e shijue, ndokush që “Rrugën e Plepave” e mban mend si ka qenë asokohe, ka me gjetë edhe mjaft detaje që tashma janë zhdukë tash katër dekada.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com