NË MBROJTJE TË GJUHËS SHQIPE

Prof. Begzad Baliu

(Fragment nga një tekst më i gjatë)

Gjuha shqipe në Shqipëri, përkatësisht në dokumentet zyrtare sigurisht zë një vend të nderuar, por në jetën shoqërore, kulturore, fetare dhe madje akademike, nuk e ka përmasën moderne të studimit të cilën do të duhej ta kishte. Gjuha shqipe në Kosovë jo vetëm nuk e ka vendin e duhur në dokumentet shtetërore për 90% të popullatës e cila e përdorë me shkrim dhe me gojë, po ajo gjithnjë e më shumë po e humb pozitën e saj në dokumentet ndërkombëtare, duke e vënë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë, dhe gjithnjë e më shumë po e humb hapësirën e saj të studimit e mësimit të saj dhe me numrin e orëve në institucionet shkollore. I është dashur një kryengritje e armatosur dhe i janë dashur shumë beteja politike kombëtare e ndërkombëtare popullit shqiptar në Maqedoni, që gjuhën shqipe ta bëjnë gjuhë të përmasave shtetërore, sikur është maqedonishtja, dhe kjo luftë vazhdon pikërisht për zbatimin e sajnë raport me institucionet qendrore dhe rajonale. Një shkallë ngritjeje dhe vlerësimi e përdorimi sot gjuha shqipe ka fituar edhe në dokumentet juridike të shtetit të Malit të Zi e Serbi.

Pas rënies së sistemit komunist përmasa e vlerësimit dhe studimit të gjuhës shqipe u zgjerua edhe në hapësirën Evropiane e Amerikane, pa humbur asgjë edhe në hapësirën Lindore të Globit, përkundrazi duke e zgjeruar përmbajtjen modeste të vendit të saj që e kishte më parë. Gjuha shqipe sot ligjërohet si dije për nxënie arsimore, përkthimi për nevoja administrative, sigurie e diplomacie, si dhe për kërkime shkencore në kontekstin kontrastiv e krahasues, në shumë shtete dhe në shumë institucione shkencore, por gjuha shqipe, Shqipëria dhe Kosova, ende nuk e kanë vendin e duhur të saj në faqet e botimeve shkencore dhe enciklopedike, si kusht i domosdoshëm për pamjen e saj të sotme në botën globale, dhe si kusht i domosdoshëm për Shqipërinë dhe Kosovën në diplomacinë, sigurinë, ekonominë dhe perspektiven e përbotshme.

Nëse pamja, përkatësisht vendi i gjuhës shqipe dhe vendi i Shqipërisë dhe Kosovës në botimet enciklopedike kombëtare dhe ndërkombëtare është posaçërisht i zbehtë dhe posaçërisht i varfër e shqetësues, ky sigurisht nuk është vetëm faji i institucioneve dhe editorëve të këtyre botimeve, ky është faji i institucioneve tona shkencore, të cilat ende nuk kanë botuar vëllime enciklopedike në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, që botuesve nëpër botë tu ofrojnë informacione të sakta dhe të plota.

A nuk është kjo një prej arsyeve pse gjuha shqipe të mbrohet edhe me ligj! A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse obligimet ndaj gjuhës shqipe, njohjes, dokumentimit dhe obligimeve që kemi ndaj saj t’i bëjmë të ligjshme dhe të obligueshme për institucionet tona kërkimore dhe shkencore.

Gjuha shqipe dhe korpusi i fjalësit të saj, ashtu si edhe atdheu ynë, kufijtë e tij, qytetarët dhe institucionet, janë vlerat më domethënëse që historikisht ka trashëguar populli shqiptar. Prandaj përdorimi i saj, sa më pak i cenueshëm nga gjuhët dhe fjalët e huaja, është detyrë jona dhe obligim për ta bartur atë te trashëgimtarët tanë.

Në Republikën e Kosovës dy dekadat e fundit janë miratuar nga institucionet ndërkombëtare dhe shtetërore shumë ligje dhe rregullore që të bëjnë të mendosh sikur i kemi kryer të gjitha punët dhe sikur të mos ishim shteti që ka më së paku ligje në rajon dhe Evropë. Në Kosovë mund të gjesh rregullore për mbrojtjen e kafshëve nga rrahja e barinjve (Komuna e Prizrenit) dhe Ligj për bletari (shih, Kuvendi i Kosovës, Ligji Nr. 02/L-111), por gjuhëtarët e Kosovës prej shumë kohësh kapin kokën me të dy duart, duke dialoguar e duke monologuar në televizionet dhe mediat e Kosovës në lidhje me propozimin e ligjit për mbrojtjen e shqipes standarde:

Çka do të shkruajmë në atë ligj?

Si do të duket ai ligj?

Kush do të dënohet me atë ligj?

Si do të flasim pas miratimit të atij ligji apo do të kthehemi në një popull memec!

Si do të flasim në institucione, në kafene, në rrugë e sidomos në shtëpi?

A do të guxojmë të ligjërojmë ne gjuhëtarët në universitete e në shkolla me shqipen standarde apo me gjuhën e nanës!

A do të arrestohemi në rrugë nga policia tek flasim me kolegët në dialekt, në variant, në të vërtet në slleng!

A do të na përgjojnë spiunët e gjuhës pranë dritares tek u themi nënave tona nanë e jo nënë!

Kuku nanë, kuku nanë, kuku nanë!

A nuk është kjo arsyeja pse gjuha shqipe si dhe atdheu e kufijtë e tij, duhet mbrojtur me ligj!

Me gjuhën standarde, në të vërtetë në shqipen standarde, populli shqiptar kudo dhe kurdo sot përshkruan të drejtat dhe obligimet e tij qytetare, kushtetuese dhe ligjore ndaj pasurisë materiale që e rrethon dhe ndaj pasurisë shpirtërore me të cilën mbahet përballë të tjerëve. Me gjuhën standarde shqiptarët përshkruajnë ligjet dhe Komentarin e tyre, dokumentet e marrëveshjeve ekonomike, dokumentet e marrëveshjeve diplomatike dhe të sigurisë kombëtare e globale, vademekumët mjekësorë etj.

A nuk do të kërkonte ligji për gjuhën edhe zbatimin e tyre me terminologji shqipe e nocione të kuptueshme së pari për institucionet shtetërore dhe popullatën që është e obligueshme ta zbatojë marrëveshjen, në vend se të nënshkruajnë marrëveshje të kësaj natyre fillimisht në gjuhën angleze në Bruksel, në mënyrë që pas përkthimit të saj në Prishtinë, të dalë një mesazh i tjetërsuar dhe i dëmshëm për institucionet tona shtetërore.

A nuk do të kërkohej pastaj që institucionet tona të pajisen me Fjalorë bashkëkohorë terminologjikë të fushave përkatëse dhe administrata jonë të arsimohej në mënyrë komplementare me dijet bashkëkohore në fushë të kulturës gjuhësore, dhe në raport me kolegët e tyre evropianë në fushë të dijes bashkëkohore në fushat përkatëse.

A nuk do të kërkohej prej institucioneve arsimore që të përgatisnin programe profesionale për kulturën e gjuhës standarde dhe nivelin profesional të ligjërimit dhe përdorimit me shkrim të stilit administrativ, juridik, tekniko-shkencor, mjekësor, politik e diplomatik, prej të cilës do të krijohej edhe një dokumentacion i qartë dhe kredibil i pasurisë sonë private dhe publike.

A nuk janë këto vetëm disa prej arsyeve pse përdorimi i standardit në institucionet shtetërore dhe kombëtare duhet mbrojtur me ligj!

Gjuha shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare, e trashëgimia jonë është e mbrojtur me ligj. Në Kosovë gjenden shumë institucione kryesisht religjioze dhe shumë objekte të trashëgimisë së antikitetit ilir, objekte të trashëgimisë bizantine, të trashëgimisë orientale e oksidentale, mesjetare e të kohës së re, të cilat janë të mbrojtura me ligje vendore dhe madje ndërkombëtare. Për shkak se ato institucione religjioze apo kulturore nuk i kemi identifikuar, përkatësisht emërtuar me gjuhën a terminologjinë e duhur, shumë prej tyre në dokumentet e administratës sonë dhe në dokumentet e diplomacisë, përkatësisht trashëgimisë ndërkombëtare kanë marrë konotacione të ndryshme dhe madje kanë përfituar statuse të ndryshme, sikur ato të mos ishin objekte të trashëgimisë sonë, por e trashëgimisë së fqinjëve, përkatësisht popujve të tjerë, sado shqiptarët shumë herë ato i konsiderojnë objekte të kultit të tyre pagan dhe objekte të një periudhe të largët të trashëgimisë evropiane të tyre. Një gjuhë historike sikur është gjuha shqipe dhe një gjuhë standarde e përdorur drejt me termat e nocionet shkencore që i zotëron sikur është gjuha shqipe, e përdorur drejt dhe saktë në komunikimin ndërkombëtar nuk do t’i linte këto objekte jashtë sistemit tonë, përkatësisht jashtë thesarit tonë kulturor me përmasa sa kombëtare aq edhe ballkanike, evropiane e globale.

Evropa sot në një mënyrë përfaqëson një entitet transnacional dhe mbinacional, përcjellur nga shumësi të rëndësishme vlerash, të projektuara nga etërit e kësaj ideje, filozofët, shkrimtarët e intelektualët anglezë, gjermanë, francezë, italianë, spanjollë etj. Ndërsa psikologu, semiotisti dhe indoevropianisti rus V.V. Ivanov këtij parimi të njohur i jepte përmasa universale: “Çdo gjuhë është një gjedhe e universit, një sistem semiotik i të kuptuarit të botës, dhe nëse kemi 4000 mënyra të ndryshme për të përshkruar botën, kjo na bënë më të pasur. Duhet të përkujdesemi për ruajtjen e gjuhëve ashtu siç përkujdesemi për ekologjinë. (V. V. Ivanov, Recontructing the Past, 1992, f. 4, sipas Eko, 2008, f. 328)

A nuk është kjo arsyeja e domosdoshme pse gjuha standarde e komunikimit tonë me shkrim dhe me gojë në institucionet tona shtetërore, arsimore dhe publike duhet të mbrohet me ligj!

Zhvillimet e fundit në fushë të teknologjisë kanë bërë që të zhvillohen më shumë dhe më shpejtë disa fusha të gjuhësisë. Lëvizjet globale, emigrimi dhe turizmi, bashkëpunimi tregtar dhe kulturor ka bërë që në plan të parë të dalë zhvillimi i leksikografisë dy e më shumë gjuhësore dhe mësimdhënia e gjuhëve të mëdha, sikur është gjuha angleze, gjermane, italiane dhe franceze e spanjolle. Shqipja hyn ndër ato gjuhë që dekadat e fundit ka bërë shumë dhe ka pasur një komunikim e zhvillim të dendur në këto dy fusha, por krahas zhvillimit të teksteve e doracakëve për mësimdhënien e gjuhëve të huaja nga shqiptarët, dhe krahas zhvillimit të doracakëve dygjuhësorë e shumëgjuhësorë të shqipes me gjuhët tjera dhe anasjelltas, koha është të zhvillojmë dhe standardizojmë përgatitjen dhe botimin e doracakëve për mësimin e shqipes standarde për brezin e ri të emigrantëve shqiptarë dhe përgatitjen dhe botimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme për administratën shtetërore të shteteve shqiptare dhe institucionet arsimore të shkollave shqipe.

Zhvillimet e reja në vend dhe në botë diktojnë jo vetëm ekonomizim fjalësh, por edhe ekonomizim tekstesh, e kjo do të thotë tekste të shkarkuara sa më shumë nga karakteri akademik i njohjes dhe i të nxënit të gjuhës, të përshtatura për brezin e ri. Me logjikën e fajit të përhershëm ndaj sistemit politik që mbizotëronte në periudhën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe(1972), me logjikën e fajësimit të shqipes standarde, si sistem i pamundshëm i të nxënit, ne mund të arrijmë vetëm tek koncepti i Çomskit për ndërtimin e “gjuhëve të panxëna”, gjuhë që nuk mund të kapen nga aftësia gjuhësore, sepse në çdo rast kjo e fundit do të bënte zgjidhje të gabuara (Shih, Çomski, 2007, 150). Brezi i ri duhet të mësojë gjuhën që i duhet dhe jo gjuhën që duhet ta dijë. Kjo do të thotë një drejtshkrim të ekonomizuar për nxënësit, studentët, qytetarët. Siç do të shprehej Martine, “Ligji, sa më pak mundim për një qëllim të caktuar vlen edhe për gjuhën” (Martine, 2020, 149). Drejtshkrimi i sotëm i gjuhës shqipe është botuar vetëm për lektorët dhe specialistët e gjuhës, por jo edhe variante të tjera për nxënësit, mësuesit, specialistët e dijeve jogjuhësore”.

Le t’i referohemi së fundi një përcaktimi të Profesor Shefki Sejdiut, mbi raportet e gjuhës shqipe me zhvillimet globale në fillimet e tij: “zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe teknikës e krijimi i marrëdhënieve të reja shoqërore në plan kombëtar e ndërkombëtar, bënë që jeta dhe sjelljet e nje-riut të ndërrojnë kualitativisht. U krijuan një botë e ha¬pur dhe shoqëri të hapura, ku komunikimi midis njerëzve, po¬pujve dhe kulturave u bë i domosdoshëm, andaj edhe gjuha si mjet komunikimi par excellence do të duhej t’i përcillte këto zhvillime shoqërore dhe, konform di¬na¬mi¬kës së tyre, të gjente forma shprehëse për ta pasqyruar në më¬nyrë sa më të përshtatshme e racionale këtë realitet. Kjo shpre¬hje e këtij realiteti ka mundur të bëhet efikase vetëm pë¬r¬mes proceseve normizuese e standardizuese të sis¬te¬me¬ve, të nënsistemeve e të strukturave gjuhësore mbi baza të pë¬rvojës dhe kërkesave të njeriut. Këto baza, mbi të cilat nje¬riu e mbështet përvojën e vet janë natyra, ku¬l¬tu¬ra dhe civilizimi, entitete te të cilat vërehen raporte re¬lacionale, që, shikuar nga aspekti kognitivo-kontekstual dhe semantiko-referencial, do të përkonin me natyroren, ku¬lturoren dhe civilizuesen, kurse nga aspekti sistemor-komunikativ do të përkonin me gjuhën /në kuptimin so¬sy¬rian/, me gjuhën letrare dhe gjuhën standa¬r¬de, sisteme që shprehin shkallë të ndryshme normativite¬ti. (Sejdiu, 2002, 107-108). Profesor Sejdiu, me këto parime në të vërtetë u përgjigjej koncepteve të psikologut zviceren Zhan Piazhe, për të cilin “gjuha është një institucion kolektiv” (Piazhe, 1979, 278)

Kryeredaktori i revistës franceze Esprit (Fryma), dhe personalitet me ndikim në lëvizjen panevropiane, Zhan Mari Domanek në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit komunist, pati caktuar dhjetë parime me të cilat duhej ndikuar kultura franceze në kulturën evropiane, prej të cilave pesë të parat i takonin gjuhës dhe mësimdhënies. A nuk janë konceptet e tij një model i mirë edhe për ndërtimin e koncepteve dhe parimeve se si të mbrojmë gjuhën shqipe brenda rrethanave të reja të krijuara në këtë periudhë pasglobaliste. (Domanek, 1990, 145-146)

Bartës të këtyre dy projekteve do të mund të ishin Instituti i Librit Shkollor, një institucion i formatit të madh kombëtar, rëndësia e të cilit sot është më e madhe se rëndësia e secilit prej Universiteteve Publike që kemi hapur nga Gjirokastra deri në Mitrovicë, prandaj cilido prej tyre po të shndërrohej në Institutin e Librit Shkollor do të kishte funksionin kombëtar më të rëndësishëm se Universiteti i qenë aty. Po kështu mund të thuhet edhe për Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, e cila për nga rëndësia mund do të tejkalonte interesat dhe vlerat kombëtare të dy akademive dhe instituteve albanologjike që kemi në Tiranë e në Prishtinë, Shkodër, Shkup etj.

Këtu, në Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, do ta kishte vendin edhe Thesari i trashëgimisë gjuhësore, materiale e shpirtërore të popullit shqiptar dhe Komisioni i Mbrojtjes së Shqipes Standarde me ligj.

Dhe, a nuk është kjo një prej arsyeve që ligji për gjuhën të miratohet e të funksionalizohet në të mirë të trashëgimisë së popullit shqiptar e në të mirë të vetë gjuhës si thesar yni i vetëm.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com