Ndriçim Kulla: Drita e agimeve të rilindjes që rrezatoi Vatra e shqiptarëve të amerikës

Harku i triumfit të lirisë dhe pavarësisë së një kombi mbahet nga shtyllat e forta të të gjithë atyre njerëzve dhe shoqatave që e “mbartën në shpirt” në ditët më të vështira dhe u sakrifikuan për të në mënyrën më të zjarrtë. E në historinë e saj , “VATRA” e shqiptarëve të Amerikës, e mbledhur rreth emrave ndër më të mëdhenjtë e kohës kur u formua (Noli, Konica, Kristo Floqi e Paskal Aleksi përbënë komisionin e bashkimit dhe themelimit të saj më 28 prill 1912), do të mbahet mend e duhet të kremtohet si një nga shtyllat mbrujtëse dhe mbajtëse të pavarësisë sonë.

“Flamur’ i Krujës” i New England-it, “Mirëbërësja” e Sirakuzës, “Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut, dhe “Besa-Besë” e “Diellit” e shumë emërtime të tilla prekëse migrimi e dashurie për atdheun, formonin panoramën e shoqatave të diasporës sonë amerikane në vitet e mëdha të para-pavarësisë, por veçanërisht në vitet 1910-1912, ideja e bashkimit u parashtrua në mënyrë urgjente, edhe pse Faik Konica e kishte rrahur problemin e bashkimit të shoqërive që vepronin në Amerikë që në një kryeartikull të botuar në “Dielli” më 29 tetor 1909. Sipas ish-botuesit të gazetës “Dielli”, Refat Xh. Gurazezi, ky propozim gjeti qysh atë kohë bekimin e shumë atdhetarëve, por u deshën plot dy vjet që ai të realizohej. Në mbledhjen themeltare, Faik Konica shtroi për bisedim dy emra për ta pagëzuar Shoqërinë: “Parmenda” dhe “Vatra”; e para në kuptimin kulturor, e dyta në kuptimin patriotik, që të gjithë shqiptarët të mblidheshin rreth saj si në një familje, pa ndryshim besimi në mes tyre, si nga ana fetare, ashtu dhe ajo politike. Të gjithë pëlqyen të dytën, “Vatrën”, për t‘i dhënë kështu udhë njërit prej rrugëtimeve më të shquar kulturoro-politike të historisë sonë.

I jashtëzakonshëm, deri në sublim është kontributi që ajo dha, sidomos në vitet kur në skenën botërore po niste të konturohej e të vendosej fati i Shqipërisë. Me t’u shpallur pavarësia, “Vatra” dërgoi Faik Konicën nëpër Europë, për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë. Në fund të Luftës së Parë Botërore, në qershor të vitit 1917, VATRA

hap fushatën e saj të njohur historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me këto fjalë të paharruara prej Hirësisë Tij Peshkop Nolit: “Mbahu nëno, mos kij frike/Se ke djemtë në Amerikë”. Kur hyri Amerika në luftë, në prill të 1917-s, At Fan Noli takoi personalisht edhe Presidentin Wilson, i cili i dha fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë. E Wilson-i e mbajti fjalën gjer në fund. Pa përkrahjen e Wilson-it sot ndoshta nuk do të kishim këtë Shqipëri.

Por akoma dhe më mbresëlënës është kontributi i saj në fillimet e vështira të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Ja se si e kujton këtë kohë vetë Konica: “Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e shkelur nga ushtri të huaja, kur shteti ishte përmbysur dhe kur flitej sheshit për copëtimin e vendit, VATRA, e këshilluar nga një pakicë patriotësh, e shtyrë nga atdhesia dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit shqiptar, mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoi nderet, as të drejtat e shtetit, por mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subvecionuan agjencira, u kablluan mijëra protestime dhe u organizua aq mirë mbrojtja e Shqipërisë sa Kryeministri i Greqisë Venizellos, tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga VATRA e Amerikës. Shuma e tërë harxheve të vënë nga Vatra në vend të shtetit që mungonte ishte 197.072.89 $”, që po të kemi parasysh kohën për të cilën bëhet fjalë, shuma merr vlera të konsiderueshme. Përveç kësaj shume, Vatra zëvendësoi arkën bosh të qeverisë më 1921-1922, kur organizoi Huan Kombëtare, ku sërish mblodhi mijëra dollarë dhe nxori shtetin nga falimentimi.

Një tjetër bir i saj i madh, Noli, do të vendoste një gur të rëndësishëm themeli në historinë e pavarësisë fetare të shqiptarëve, me “luftën” e meshës së parë të shuguruar prej tij, e të kurorëzuar me aktin e madh të “Tomusit” të Kishës Autoqefale Shqiptare më 1937-n. Sot mbas kaq dekadash doshta do të qe mirë të përkujtohej edhe kjo ngjarje e madhe e të shikohej nëse është apo jo, ashtu e lirë dhe pakushtëzuar, udhëheqja e Kishës së sotme Autoqefale, në ato parime dhe themele që i hodhën Noli, Visarion Xhuvani e shumë të

tjerë më pas. Edhe historia jonë e shkruar, sidomos gjatë kohës së regjimit komunist, duhet të mbajë përgjegjësinë e vet për qëndrimin e mbajtur ndaj këtyre atdhetarëve të mëdhenj. Ndaj, ne të gjithë sot duhet të përkulemi e të nderojmë në cdo kremtim themeltarët dhe vatranët martirë që u persekutuan nga diktatura komuniste. Delegatët që themeluan Vatrën, Kolë Rodhja, Kristo Kirka, Koço Kosta përfunduan burgjeve; Bahri Omari, Kolë Tromara, Aqif Përmeti u pushkatuan; në burg përfunduan edhe Aqile Tasi, Andon Frashëri e vatranë të tjerë… Rrëqethës është p.sh. rasti i Kristo Kirkës, një prej themeltarëve të “Vatrës”. Zemra e atdhetarit të orëve të para, një ndër themeltarëve të “Vatrës” dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka pushoi së rrahuri në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste shqiptare. Atdhetarit të orëve të para edhe sot e kësaj dite nuk i janë gjetur eshtrat. Por, ia vlen të përmendet nderimi që poeti Arshi Pipa, bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do ta përjetësonte në vargjet e elegjisë kushtuar për të: Nuk foli, nuk mallkoi/ Por kur fjala ju-pre/ Ndigjuem qysh thellë ankoi:/ “Për Flamur!…për Atdhe…! Megjithatë, do të qe vërtet reduktuktuese historia e kësaj organizate, pa përmendur dy gur të tjerë themeli në rrugëtim kulturor dhe shkencor të shqiptarëve për vlerësimin dhe kujtimin e historisë së vet. Ndaj edhe ky 100-vjetori i mardhënieve shqiptaro –a merikane duhet të na sjellë në kujtesë edhe kohra si ajo kur “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës, së bashku me arbëreshët e Italisë festuan dhe subvecionuan 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Itali më 1968-n dhe 60-vjetorin e gazetës “Dielli” më 1969-n në Amerikë. Siç duket i emocionuar nga pjesëmarrja e vatranëve në festimet kastriotjane në Romë, Koliqi iu referua atyre si “një tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhur”, duke shtuar se “hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve tue vrejtë ndër rrjeshtat tonë kryesinë vatrane, që në këto kohna të turbullta të sotme, orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen”, vazhdon Ernest Koliqi, “se drita e agimeve të Rilindjes ato ditë do reshte mbi bashkimin e arbëreshëve me shqiptarë, e bashkë me atë dritë edhe rrezja e bekimit të

Perendisë”. Një vit më vonë, më 1969-n, do të qe vetë albanologu i shquar i asaj kohe, miku i madh i shqiptarëve dhe arbëreshëve, At Zef Valentini, që do ta përshëndeste me një titull të bujshëm përvjetorin e 60-të të “Diellit: “Të bashkuem dikur me Skënderbeun, sot me ‘Vatrën’” (Shejzat, 1969), duke theksuar mbi të gjitha unitetin e mendimit midis shqiptarëve të Amerikës dhe arbëreshëve të Italisë. Madje, përsëri Valentini, do të shkruante një vit më vonë në këtë revistë, një shkrim me rastin e vdekjes së parakohshme të kryetarit të atëhershëm të “Vatrës”, zotit Peter Chicos. Ja si shprehet autori: Me tê, do të fillote flakadani i entusjazmes m’u bâ nxehtësi e ndrydhun në motor, e padukshme në vetvehte, por vetem nder efekte të prekshme… S’po e kjajmë vdekjen e ti vetem pse vdiq në lule të moshës së vet; por pse, nieri ideali tue qênë, punën per Shqiptarizmen e kishte çue deri në prak të njaj ringjallieje, në të cilën ai mâ mirë se kurrkush, mund t’a udhëzote me dorë të sigurtë e të patrembun”. Para disa vitesh, një diskutim në Bibliotekën e Kongresit Amerikan shënoi hapjen e një serie festimesh e aktivitetesh që do të kryheshin në përmbushjen e shekullit të parë të jetës së “Vatrës”. Por ajo që duhet t’i japë asaj vërtet kremtimin më të shenjtë, më shugurues, duhet të jetë mirënjohja dhe vlerësimi i shqiptarëve kudo që janë dhe përshkrimi prej tyre në mënyrën më të drejtë e shkencore, i veprës, luftës, kontributit e sakrificave që ata derdhën në rrjedhën e ecjes përpara të kombit dhe shtetit shqiptar dhe paralelisht kontributin që dhanë në mardhëniet e mira shqiptaro -amerikane.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com