Ndjenja e atdhedashurisë një përbërës themelor i esesë së Faik Konicës “Malli i atdheut”

Dr. Gëzim Puka

Vështrim semiotik

Ndërsa merr në dorë veprën e plotë të Konicës, lexuesit nuk i shpëton dot nga vëmendja një prozë e shkurtër poetike e titulluar “Malli i Atdheut”. Në analizën e këtij teksti duhet të merret në konsideratë e ashtuquajtura semiotikë e pasioneve. Brenda“Mallit të Atdheut” të Konicës nuk mund të mos ndihej prania e një teprie pasionale, e cila ngulitet thellë në sistemin semantik të këtij teksti. Në këtë prozë, të cilën do ta citojmë më poshtë të plotë, përpos nyjëtimit në nivel tingullor poetik, kemi edhe një shtresë kuptimi që përpara se të strukturohet, përmban logjikën e vazhdueshmërisë të asaj që quhet ndjenjë dashurie për atdheun.

Studiuesi semiotik Gianfranco Marrone, në librin “Trupat shoqërorë – Proceset komunikuese dhe semiotika e tekstit”, shprehet: “Ndjenja nga ky këndvështrim, nuk duhet kuptuar si një përbërëse irracionale e përvojës njerëzore që i kundërvihet arsyes, as si një gjendje pasive sjelljeje që i kundërvihet veprimit. Krejt ndryshe nga ç’mendohet duke u vendosur në një nivel të thellë të kuptimit, ndjenja ka dinamikat e veta, të cilat, duke u investuar shoqërisht e kulturalisht gjenerojnë si arsyen, si veprimin, ashtu edhe pasionin”.

Duke u nisur nga skema e Marrones për tekstin e Konicës “Malli i Atdheut” mund të kemi:

Ndjenja e atdhedashurisë

1.Përmasa njohëse në tekst:“Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset era, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e njëmijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zëmrën e të bëjnë jo ta harrosh Shqipërinë, po të mos vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’ di ç’ të mungon, s’di se ç’të duhet”.

2.Përmasa pragmatike: “Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dëndur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, megjithë  ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtërngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën”.

3.Përmasa pasionale: “Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë madh e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut…”

Ky teskt na sugjeron që ndjenja e atdhedashurisë të shihet si pasion në formën e parakushtit për shenjim dhe logjikisht i paraprin gjenerimit të kuptimit pozitiv për vendin e lindjes. Kështu ndërtohet fusha kuptimore ku pozitivja: “… kujtimi i prindërve, i miqve e i shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djem, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtërngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë madh e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! ” i paraprin negatives:  “… kujtimi i kombit, që, megjithë  ca të liga që ka, është kombi ynë,”; ku dashuria për atdheun: “Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur,” i kundërvihet refuzimit të tij: “i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset era, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e njëmijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zëmrën e të bëjnë jo ta harrosh Shqipërinë, po të mos vejë tek ajo aq dendur mendja.”; ku e bukura: “…kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtërngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën.” i kundërvihet së shëmtuarës:“…kujtimi i kombit, që, megjithë  ca të liga që ka”.

Programi rrëfimtar i Subjektit – Konica, mërgimtari shqiptar: “…viset e ra, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e njëmijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zëmrën e të bëjnë jo ta harrosh Shqipërinë, po të mos vejë tek ajo aq dendur mendja” i kundërvihet Objektit me vlerë – atdheut, Shqipërisë: “Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut…”.

Prej këtij teksti buron vetëdija se mekanizmat kuptimorë, që prodhojnë pasionin e krenarisë për atdheun dhe e ndërkallin tek ky diskurs, janë në thelb të njëjtë me ato që gjenden në përmasën pragmatike dhe njohëse, por të vrojtuar në një tjetër perspektivë, në atë të Faik Konicës, i cili e ndërfut në këtë lloj proze në nivel të së thënës si shkrim, por për ta tejmbarsur me pasionin e krenarisë për atdheun në nivel të thënies, për ta poetizuar si ese.

Ka një lloj pështjellimi modal tek “Malli i Atdheut”.

Në librin e sipërcituar Gianfranco Marrone shprehet: ““Makina” e modalitetit, sigurisht që është e para që priret të ndërtojë konfigurime pasionale – të duash, të duhet, të mundesh, të dish- që nga njëra anë, përcaktojnë të bërët e aktantëve (kompetenca modale) dhe, nga ana tjetër, shtypin (ngarkojnë), investojnë qenien e vetë këtyre aktantëve (ekzistencë modale) duke u artikuluar dhe mbivendosur ndryshe mes vetes”.

Konfigurimi modal tek kjo ese mund të shihet nga dy këndvështrime të ndryshme. Nga njëra anë kemi perspektivën e veprimit, ku Subjekti (Faik Konica, mërgimtari shqiptar) vë në jetë një program ndarjeje nga Objekti me vlerë (Atdheu) dhe është i pajisur me një të duash dhe të mund të bësh, domethënë mund të emigrosh.

Nga ana tjetër, pikërisht, kur projektohet ky program veprimi, që do të thotë largimi nga atdheu, kemi perspektivën e pasionit të atdhedashurisë, ku vetë subjekti (Konica, shqiptari) është i pajisur me një të duash të jesh i bashkuar me objektin me vlerë (atdheun), që ndiqet më pas nga një mund të jesh në atdhe, mund të dish të jesh shqiptar.

Modalitetet e qenies së autorit Faik Konica në këtë tekst të shkurtër nuk janë gjë tjetër veçse ulje-ngritje apo konfigurime pasionale. Kombinimi i një të duash të bësh Shqipërinë një vend parajse, me një nuk mund të bësh asgjë për të, pasi e tillë është gjendja e atdheut, nga këndvështrimi modal, mund të kuptohet si një të duash të jesh i bashkuar, por që nuk e realizon dot. Ky mosrealizim provokon pasion, mall dhe dëshpërim. Ndërsa ajo që bën më pas autori, është se ai e transferon modalitetin nga një të duash personale e subjektit në një të duhet që ka për qëllim ruajtjen e një sistemi vlerash shoqërore, që kanë të bëjnë me atdheun, Shqipërinë, dashurinë për të. Kjo ndjenjë sigurisht nuk është vetëm e Faik Konicës domethënë e subjektit. Krenaria për Shqipërinë, si pasion, varet edhe nga modaliteti apo ndjenja të mund të jesh një shqiptar i mirë, qoftë edhe larg atdheut.

Pështjellimi modal në këtë diskurs eseistik është një përbërës i rëndësishëm i subjektivitetit dhe e gjejmë jo vetëm tek aktorët (shqiptarët e mërguar) që shprehen në tekst, por edhe tek vetë e thëna (eseja) që shfaq ndjenjën e krenarisë dhe atdhedashurisë. Tek ky tekst i Konicës nuk është e vështirë të vësh re pasurinë apo tejkalimin me pasionin e krenarisë dhe atdhedashurisë, të cilat bëhen mbizotëruese. Aktantët e komunikimit – thënësi dhe thëniemarrësi – përmes këtij teksti tejmbushen me pasionet që parakuptohet se i provon aktanti kolektiv – mërgimtari mitik shqiptar. Marrëveshja e vërtetësisë dhe e ndjeshmërisë tek proza poetike“Malli i Atdheut” është një marrëveshje që lidhet mes thënësit dhe thëniemarrësit (publikut). Ajo bazohet tek ndarja e të njëjtit pasion për atdheun, thënë ndryshe, tek një ekzistencë modale e përbashkët.

Përfundimisht, eseja “Malli i Atdheut” e Faik Konicës është një thurje e mundimshme që krijohet prej përpjekjes për të motivuar thëniemarrësin – shqiptarin dhe thënësin – autorin me të njëjtat kombinime modale: të duash, të duhet, të mundesh dhe të dish të jesh një shqiptar i mirë.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com