NDIKIMI I VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË AMBASADORËVE NË PROCESIN E NDËRTIMIT TË SHTETIT SHQIPTAR

Akademik Beqir Meta

Shpesh historianët, duke dashur t’i referohen shtetit shqiptar, për ta veçuar atë nga nocioni më i gjerë – Shqipëri, e quajnë ndoshta jo me aq saktësi Shqipëria Londineze. Ata kanë parasysh se krijimi i këtij shteti ishte kryekëput produkt i vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913.

Në këtë kumtesë do të përpiqemi të analizojmë pikërisht rolin e kësaj konference në shtet-formimin shqiptar gjatë shekullit XX. Dhe këtë analizë do ta fillojmë pikërisht me këtë pyetje: A ishte Konferenca e Londrës e vitit 1913 krijuesja definitive e shtetit shqiptar? Ne mund të themi me siguri se ajo ishte krijuesja e parë e këtij shteti, pa nënvleftësuar këtu aktin e madh të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Kuvendin Kombëtar të Vlorës që shpalli Pavarësinë dhe themeloi shtetin e pavarur shqiptar. Por nga ana tjetër, koha provoi se vendimi ndërkombëtar i Londrës 1913, nuk ishte definitiv dhe as i pacenueshëm. Ndonëse ishte një vendim ndërkombëtar i nënshkruar nga të gjithë Fuqitë e Mëdha evropiane, si dhe i pranuar nga shtetet fqinje, ndonëse pavarësia shqiptare ishte një kompromis midis dy Blloqeve më të mëdha politike të kohës: Antantës dhe Aleancës Trepalëshe, kompromis i cili ishte në vetvete shumë i dhimbshëm për kombin shqiptar, pasi u dha fqinjëve gjysmën e territoreve dhe popullsisë shqiptare, ai ishte i brishtë, dhe koha do të provonte se do të sfidohej ashpër pikësëpari nga vetë nënshkruesit e kësaj marrëveshje – Fuqitë e Mëdha.

Fatkeqësisht të dy Blloqet kundërshtare e konceptuan krijimin e shtetit shqiptar jo si një e drejtë e pamohueshme e shqiptarëve, jo si një element afatgjatë dhe stabiliteti në hartën dhe skemën politike ballkanike dhe evropiane, por si një krijesë artificiale dhe të përkohshme që do t’u shërbente atyre vetëm për të shtyrë konfliktin e armatosur evropian i cili po afrohej me shpejtësi. Pikërisht ky konceptim me gjithë implikimet e shumta që solli do të kishte pasoja të shumta në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar.

Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar shërbeu për të formësuar një ekuilibër të ri forcash në Ballkan dhe Adriatik, duke ruajtur interesat imediate të Fuqive të Mëdha dhe vetë sistemin e Koncertit Evropian në momentet kritike para fundit të tij. Faktin që ky kompromis ishte i përkohshëm dhe si rrjedhojë edhe krijesa e tij, shteti i pavarur shqiptar konsiderohej i tillë, e pohonte vetë kryetari i Konferencës, E. Grey, por për më tepër atë e vërtetoi koha që pasoi, pikësëpari Traktati i Fshehtë i Londrës 1915 dhe diskutimet e marrëveshjet që u arritën në Konferencën e Paqes në Paris në vitet 1919-1920.

Kur qeveria shqiptare i paraqiti memorandumet e para me 22 dhe 30 nëntor 1920 Lidhjes së Kombeve, ku argumentoi ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar qysh më 1913 me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, Komisioni i V i LK i hodhi poshtë argumentet shqiptare.

Konceptimi i shtetit shqiptar si një entitet i paqëndrueshëm dhe jo definitiv ka pasur pasoja të rënda negative për afrimin dhe konsolidimin e tij në gjysmën e parë të shekullit XX. Pasojat kanë qenë afatshkurtra dhe afatgjata.

Po fillojmë më pasojat afatshkurtra që nënkuptojnë periudhën deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Pengesat ndërkombëtare për ndërtimin e shtetit të ri u shfaqën qysh në fillim:

Fuqitë toleruan Beogradin, Athinën dhe Cetinën, që të mbanin të pushtuara për një kohë të gjatë disa territore që i ishin njohur shtetit të ri shqiptar.

Pas arritjes së marrëveshjes për kufijtë në parim në Konferencën e Londrës, kundërshtitë midis Fuqive nuk u shuan dhe shkaktuan zvarritjen e punës së komisionit të caktimit të kufijve në terren e cila, siç vërente E. Durham, pati një pasojë kriminale, që u dha serbëve kohën e nevojshme për të ndryshuar përbërjen etnike të rajonit, nëpërmjet spastrimit të krahinave prej banorëve autoktonë shqiptarë. Qeveria ruse ishte penguesja kryesore e punimeve të këtij komisioni. Përcaktimi i kufijve u zvarrit, dhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 1913 e gjysmës së parë të vitit 1914 pati një debat të ashpër midis dy blloqeve: Diplomacia austro-hungareze u përpoq të mbronte kufijtë shqiptar të vendosur në Londër dhe të hidhte poshtë me vendosmëri çdo përpjekje që vinte në dyshim mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar të pavarur e të qëndrueshëm, kurse krijimi i këtyre pengesave ishte qëllimi kryesor i kundërshtarëve të saj, në radhë të parë i Rusisë dhe Francës. Kuptohet që të gjitha këto ballafaqime ndikonin negativisht në procesin e ngritjes së shtetit shqiptar qysh në fillesat e tij. Nga ana tjetër, kjo nxiste politikat agresive të fqinjëve. Këto vonesa e pengesa që lidheshin me formatin, natyrën dhe kohën kur u zhvillua Konferenca e Londrës si dhe shpërthimi i luftës botërore ishin faktor madhorë që penguan stabilizimin e shtetit të ri.

Kur shpërtheu Lufta e Madhe, Komisioni i kufijve ndërpreu punën më 29 korrik, dhe bilanci i tij ishte jo pozitiv. Vetëm një pjesë e vogël e kufirit midis Serbisë e Shqipërisë kishte marrë formë përfundimtare. Popullsia shqiptare do t’i paguante një çmim të shtrenjtë këtij dështimi, duke iu nënshtruar arbitrariteteve të panumërta dhe mizorive të kryera nga trupat serbe, të cilat nuk u tërhoqën nga territoret që Konferenca e Londrës ia kishte caktuar Shqipërisë.

Kjo do të ndikonte edhe në destabilizimin dhe kërcënimin e shtetit shqiptar në vitet 1914 dhe 1920-1921. Caktimi i kufirit në terren do të kryhej shumë vjet më vonë, dhe do të përfundonte më 26 korrik 1926, pas peripecish të shumta të shoqëruara me përplasje, konflikte e tensione shumëvjeçare midis Shqipërisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven. Një situatë e ngjashme ishte edhe në Komisionin Jugor, ku Greqia u përpoq ta keq orientojë atë, duke shfrytëzuar mbështetjen këmbëngulëse të delegatëve francezë dhe rusë, që vepruan si protektorë të zellshëm të saj.

Një element tjetër që pati ndikim negativ, ishte fakti se Konferenca e Londrës nuk e njohu Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, dhe Qeverinë e Përkohshme të zgjedhur prej tij nuk e konsideroi qeveri kombëtare, por lokale. Veçanërisht Franca dhe Rusia kundërshtuan edhe propozimin austro-italian që Qeveria e Vlorës të shërbente si bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar, duke këmbëngulur që ky organizim të bëhej tërësisht prej fuqive, pa marrë parasysh vullnetin e shqiptarëve të shprehur në Kuvendin e Vlorës. Ky ishte një atentat ndaj vullnetit të shqiptarëve dhe përpjekjeve për të ndërtuar një shtet gjenuin kombëtar që do të kishte pasoja në procesin e shtet-formimit. Fuqitë e Antantës, arritën të zhvleftësonin autoritetin dhe legjitimitetin e Kuvendit të Vlorës, dhe të qeverisë së parë kombëtare shqiptare të dalë prej këtij institucioni përfaqësues mbarëkombëtar. Fuqitë e Antantës kontribuan në minimin e përpjekjeve të qeverisë së Vlorës për krijimin e Bankës Kombëtare, për formimin e disa institucioneve me profil kombëtar si për shembull për kombëtarizimin e arsimit dhe në disa drejtime e çështje të tjera. Qeveria e Vlorës u gjend midis dy zjarreve, politikave sabotuese të Antantës dhe presionit të dy Fuqive Adriatike, të cilat rivalizonin për supremaci në Shqipëri. Kështu ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha ishin një faktor qenësor që ndikuan negativisht në minimin e përpjekjeve të Qeverisë së Vlorës, për të hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e shtet-formimit, si në krijimin e organeve të larta përfaqësuese legjislative, në ndërtimin e raporteve normale midis tyre, në ndërmarrjen e politikave kombëtarizuese në sfera të ndryshme, etj.

Vjena u përpoq të përdorte autoritetin e KNK i cili ishte organizimi kryesor i Konferencës së Ambasadorëve, që të pengonte tendencat e diferencimit të grupeve politike shqiptare në këto momente të para tepër kritike të formimit të shtetit shqiptar. Ndërsa përfaqësuesit e Antantës u përpoqën ta sabotonin dhe kundërshtonin me forcë këtë politikë. Dhe ata patën mjaft sukses në sabotimin e saj. Kështu KNK nuk pranoi që oficerët holandezë të viheshin nën kontrollin e Qeverisë së Vlorës, por të ishin nën kontrollin e tij; hodhi poshtë kërkesën e qeverisë së Vlorës për të marrë nën kontroll Shkodrën. KNK ndikoi drejtpërdrejt në dobësimin e autoritetit të qeverisë kombëtare të Vlorës dhe në thellimin e copëzimit politik të vendit, duke pohuar se do të hynte në marrëdhënie me “qeveritë” e Vlorës, Durrësit, të Mirditës dhe më tej, edhe me Shkodrën dhe Malësinë, të cilat duhej të krijonin qeveritë e tyre lokale. KNK kundërshtoi zgjedhjen e Preng Bib Dodës nga I. Qemali si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Lëvizja e I. Qemalit kishte synime unifikuese e stabilizuese. KNK kundërshtoi kategorikisht përpjekjet e Qeverisë së Vlorës për të marrë në administrimin e saj Korçën dhe Gjirokastrën pas zbrazjes së tyre nga trupat greke, pasi Fuqitë e Antantës nuk donin t’i akordonin asaj njohje dhe atribute kombëtare. Vargu i këtyre ndërhyrjeve është i gjatë, duke përfshirë edhe ndërhyrjen për anulimin e vendimit të Qeverisë së Vlorës për mbylljen e disa shkollave greke në Vlorë dhe hapjen e shkollave shqipe.

Diskutimet e gjata të Fuqive dhe mosmarrëveshjet midis tyre vonuan caktimin dhe ardhjen e Princ Vidit në fronin shqiptar dhe kjo ishte një pengesë tjetër në formimin dhe konsolidimin e shtetit të ri. Gjithashtu, skepticizmi i theksuar me të cilin e pritën caktimin e Vidit shumica e Fuqive ndikoi negativisht për shtetin shqiptar. (Skeptikë ishin qeveria gjermane, italiane, etj.) Huaja ndërkombëtare e premtuar në Konferencën e Londrës se do t’i jepej shtetit të ri nga Fuqitë, nuk u dha kurrë dhe ky ishte një minim i shtetit të ri. Nuk vonoi dhe njëra nga Fuqitë e Mëdha që kishte qenë kontribuese për themelimin e Shqipërisë në Londër, (Italia) komplotoi, duke nxitur çarje brenda qeverisë dhe vendit (rasti i Esat Pashës). Për brishtësinë dhe sfidat që i vinin vendimit të Londrës 1913 dhe shtetit shqiptar flet edhe fakti se njëra prej këtyre Fuqive, që kishte qenë edhe në pozitën e protektores së këtij shteti, konkretisht Italia, kishte një rol nxitës në kryengritjen antishtetërore të Shqipërisë së Mesme, e cila shembi nga themelet shtetin e ri e të brishtë shqiptar. Ky qëndrim i saj ishte rezultat i rivalitetit me Austro-Hungarinë për dominimin e shtetit të ri.

Në gjykimin e veprimtarisë së Princ Vidit dhe të dështimit të tij, i duhet dhënë vend kryesor rolit që luajtën Italia, Franca, Rusia dhe satelitët e tyre, prishjes së solidaritetit austro-italian për mbështetjen e shtetit shqiptar, etj. Pra arkitektët e Londrës ishin njëkohësisht edhe shkatërrimtarët e saj, duke sabotuar plotësisht shtetin e ri shqiptar.

Vetëm pak muaj pasi u themelua shteti shqiptar ndodhi një kthesë e madhe në politikën evropiane. U përhap frika e luftës që po bëhej e pashmangshme. Meqenëse ngritja e shtetit shqiptar ishte e lidhur me politikën e mëparshme të paqes së Fuqive të Mëdha, shndërrimi i saj gradual një politikë të luftës, domosdoshmërisht preku shumë thellë të gjithë bazën e këtij shteti. Në këtë mënyrë koha kur përfundoi Konferenca e Ambasadorëve, vetëm një vit para fillimit të Luftës së Madhe, ishte një tjetër faktor që ndikoi negativisht. Politika e Rusisë dhe Francës kur lufta po afronte u bë edhe më inkurajuese ndaj fqinjëve armiqësorë të Shqipërisë, si dhe ndaj elementeve egoistë, turbullues, antishtetëror, antikombëtar apo të zhgënjyer brenda saj. Rivalitetet midis Fuqive të Mëdha sundonin në KNK e për pasojë e minuan shtetin e ri.

Kështu Athina gëzonte një farë imuniteti në realizimin e makinacioneve të saj, prej të cilit ajo përfitoi plotësisht për të sfiduar fuqishëm shtetin e ri. Madje në pranverën e vitit 1914 edhe qëndrimi i Gjermanisë u bë indiferent që lidhej me shqetësimet e saj për grindjet austro-italiane por edhe me interesat dhe pozicionin e Greqisë në luftën që po afrohej. Ndërkohë KNK ishte shndërruar në një pushtet paralel të Fuqive të Mëdha, përkrah Vidit duke e minuar autoritetin e tij në disa aspekte, si për shembull: e drejta e KNK për të nënshkruar marrëveshje bilaterale në emër të Shqipërisë me subjekte të tjera, etj. Kështu, Vidi u pengua nga KNK të dërgonte forca për të shtypur ndërhyrjen greke në Jug, të maskuar si lëvizja “vorioepirote” që kishte filluar pak ditë pas ardhjes së tij. Kjo ishte shenja më ogurzezë për shtetin e ri shqiptar. Më tej anëtarët e KNK bënë propozime gjatë diskutimeve në Korfuz me krerët “vorioepirote”, të cilat i tejkaluan garancitë që u kishte dhënë qeveria shqiptare. Protokolli i Korfuzit ishte rezultat i përpjekjeve të Fuqive të Mëdha për të gjetur një zgjidhje kompromisi që do të stabilizonte gjendjen në Shqipërinë e Jugut dhe do të kënaqte Greqinë. Por ai ishte dhe cenim flagrant i vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, nga vetë institucioni i krijuar prej saj, nga KNK. Dispozitat e këtij Protokolli u dhanë territoreve jugore të shtetit autonominë territoriale, dhe legalizuan konceptin e popullsisë “vorioepirote”. Ky do të ishte një element destabilizues, gati konstant, për shtetin shqiptar në dekadat që do pasonin. Madje kjo nuk do të zvenitej edhe pse konferenca e vitit 1921 do ta hidhte poshtë këtë protokoll.

Kur qeveria shqiptare nuk e ratifikoi menjëherë Protokollin e Korfuzit, me shpresën se situata në Shqipërinë e Jugut do të përmirësohej, Fuqitë e Mëdha nënshkruese të vendimit të Londrës 1913, ushtruan presion ndaj saj për nënshkrimin dhe për t’i lënë në kompetencë të KNK çështjet e mbetura pezull në Korfuz, siç ishte ajo e Himarës. Më 1 korrik 1914 Fuqitë miratuan Protokollin e Korfuzit, duke shkelur vetë vendimet e Konferencës së vitit 1913.

Midis majit dhe korrikut 1914, Vidi, në mënyrë të përsëritur, u bëri thirrje Fuqive të Mëdha për ndihmë financiare dhe ushtarake, por kjo nuk erdhi asnjëherë.

Me fillimin e Luftës së Madhe KNK do të shpërbëhej, dhe bashkë me të do të treteshin edhe shpresat e fundit të regjimit të Princ Vidit. Koncerti Evropian u shpërbë, ambiciet dhe rivalitetet e armiqve të Shqipërisë ishin jashtë çdo kontrolli. Sapo çështja shqiptare nuk u interesonte më Fuqive si një element ekuilibri i interesave të tyre, i cili ishte vendosur në Konferencën e Londrës, shteti shqiptar i posa lindur u braktis dhe siç shprehej E. Durham “do t’u hidhej ujqërve, për të shpëtuar mëkonjësit e tij.

Por Konferenca e Londrës mori edhe vendime të vlefshme e të qëlluara që, nëse nuk do të vepronin faktorët e lartpërmendur negativë, do të kishin shërbyer pozitivisht në procesin e shtet-ndërtimit në Shqipëri. Më i rëndësishëm ishte hartimi dhe miratimi i Statutit Organik të Principatës së Shqipërisë nga KNK më 10 prill 1914, i cili bazohej në vendimet kryesore të marra nga Konferenca e Londrës më 29 korrik 1913. Statuti sanksiononte regjimin mbretëror ku kreu i regjimit, sovrani Princ Vidi kishte pushtet të gjerë (ishte kryetar i administratës civile e ushtarake, emëronte Këshillin e Ministrave dhe nxirrte dekrete, duke marrë prerogativa ligjvënëse, shpallte zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare dhe e shpërndante atë). Këto përcaktime do të kishin rëndësi themelore për shtet-formimin sepse ndikonin fuqimisht në centralizimin e shtetit të ri, i cili kërcënohej para së gjithash nga tendencat separatiste e decentralizuese. Ky element i statutit pati rëndësi se mbeti një trashëgimi e vlefshme historike e cila, në një formë apo tjetër, u trashëgua dhe u aplikua edhe në tre dekadat e para të jetës së shtetit shqiptar.

Asambleja Kombëtare ishte një organ tjetër centralizues dhe efektiv që i përgjigjej në mënyrë adekuate nevojave të stabilizimit të shtetit të ri, ndonëse ajo nuk kishte cilësi demokratike e inkluzive. Anëtarët e saj zgjidheshin nëpërmjet zgjedhjeve të tërthorta nga tre përfaqësues për çdo prefekturë, anëtarë të saj ishin gjithashtu përfaqësuesit e komuniteteve fetare, komisari i lartë shqiptar në “Bankën Kombëtare të Shqipërisë” dhe dhjetë anëtarë të caktuar nga Princi. Një përcaktim me ndikim pozitiv që u trashëgua gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar ishte edhe ai se Shqipëria nuk kishte fe shtetërore, i cili gjithashtu ishte një dispozitë kushtetuese shumë përparimtare për kohën.

Por edhe Statuti nuk i shpëtoi ndikimeve negative për shtetin shqiptar, të cilat lidheshin me interesat e Fuqive. Një element i tillë ishte sanksionimi në nenin 4, i konservimit të sistemit të kapitulacioneve, të trashëguara nga Perandoria Osmane, çka përbënte një pengesë juridike për shtetin e sapo krijuar. Fuqitë nuk morën parasysh kundërshtimin e përfaqësuesit shqiptar në KNK, i cili argumentoi se shteti shqiptar do të adaptonte një legjislacion “i cili do të ishte i frymëzuar plotësisht nga parimet e qytetërimit perëndimor dhe modern”, prandaj sistemi i kapitulacioneve ishte i panevojshëm. Përfaqësuesi tjetër shqiptar Mehdi Frashëri që zëvendësoi M. Libohovën, i cilësoi kapitulacionet si një cenim të rëndë të pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Më vonë koha provoi se kapitulacionet ishin një burim destabiliteti, pasi çdo shtetas i huaj që u arratis nuk u lejua të gjykohej nga autoritetet vendase.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 do të kishin edhe një impakt negativ afatgjatë në procesin e stabilizimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar. Ndër pasojat afatgjata mund të përmendim:

Brishtësia e kompromisit të arritur në Konferencën e Londrës 1913 do ta vinte në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar menjëherë pas saj por edhe pas shumë vitesh. Ekzistenca e shtetit shqiptar u vu seriozisht me pikëpyetje gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, për shkakun themelor se Lufta e Madhe i ndryshoi në mënyrë radikale balancat dhe interesat e Fuqive që kishin ekzistuar para saj. Fqinjët u inkurajuan për ta zhbërë këtë krijesë që nuk gëzonte mbrojtje ndërkombëtare, dhe shqiptarët u detyruan të bënin përpjekje e sakrifica të mëdha për krijimin e shtetit të pavarur dhe riafirmimin e tij ndërkombëtar. Vitet 1920-1921 ishin periudha më e vështirë dhe njëkohësisht më e dhimbshme e këtij procesi. U desh një konferencë tjetër ambasadorësh ajo e vitit 1921, e cila më 9 nëntor rikonfirmoi njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri, duke i hequr atij pak territore të reja, duke i njohur një privilegj politik Italisë në Shqipëri, dhe duke lënë sërish hapur disa çështje kufitare. Kjo do të provonte se vendimet e vitit 1913, jo vetëm që u rishqyrtuan, por edhe u rimodeluan.

Të gjitha këto patën pasoja të ndjeshme në procesin e shtet-formimit, i cili njëkohësisht përballej edhe me sfida të brendshme që nuk janë objekt i kësaj analize, por vetëm duhet të theksojmë se cenet në pozitën ndërkombëtare i nxitën dhe i amplifikuan më tej vështirësitë e brendshme në procesin e stabilizimit të shtetit shqiptar. Kështu vepruan këta faktorë në vitet 1920-1921, duke nxitur separatizmin krahinor ose fetar brenda vendit. Por edhe pas vendimit të 9 nëntorit 1921, Fqinjët nuk u pajtuan me ekzistencën e Shqipërisë së pavarur, duke shpresuar në përkohshmërinë e pozitës së saj ndërkombëtare. Kështu veproi Greqia me nxitjen e lëvizjes vorio-epirote në Jug, Mbretëria serbo-kroato-sllovene (Jugosllavia) me nxitjen e separatizmit në fiset katolike të Veriut, etj. Ndërsa Italia, e inkurajuar edhe nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1921, u përpoq të siguronte monopolin politik dhe ekonomik mbi shtetin shqiptar në vitet 1922-1924, duke komplotuar kundër tij dhe duke nxitur përçarjet politike, grushtet e shtetit dhe kryengritjet antiqeveritare. Ndërsa më tej, ajo e sfidoi hapur pavarësinë e Shqipërisë në aspektin ekonomik, politik e në fund edhe ushtarak.

Paqëndrueshmëria e vendimit të dy Konferencave të Ambasadorëve më 1913 dhe 1921 u shfaq edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e në fund të saj, kur Fuqia më e madhe evropiane, antifashiste, Britania e Madhe dhe pas saj edhe Franca, nuk e denoncuan agresionin italian. Kurse në vitin 1942, Londra sërish hodhi hije dyshimi mbi pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë pas Luftës, madje në vitin 1945 propozoi diskutimin për herë të tretë të kufijve të saj.

Por pasoja më e rëndë dhe afatgjatë e vendimeve të Konferencës së Londrës në procesin e shtet-formimit lidhej me copëtimin e thellë të territoreve shqiptare. Qysh para marrjes së vendimit final për kufijtë, qeveria e Vlorës dhe Kongresi Shqiptar i Triestes (1-4 mars 1913), u argumentuan Fuqive të Mëdha se: “një Shqipëri e reduktuar në rajone pa vlerë ekonomike dhe e privuar nga qytetet e mëdha që mund të bëheshin për kombin shqiptar qendra të mëdha qytetërimi”, do të ishte një shtet “që do ta kishte të pamundur të zhvillohej normalisht dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte për vetë Fuqitë burim i vështirësive të mëdha”. Në Shqipërinë politike u përfshinë 28 000 km2 ose 36 % e sipërfaqes së viseve shqiptare dhe një popullsi prej 700 000 shqiptarësh e 37 000 pjesëtarësh të pakicave të huaja kombëtare. Në viset shqiptare prej 75-76 mijë km2 llogaritej se jetonin 2 milionë banorë. Ky ishte copëtimi më i thellë në Ballkan dhe Evropë. Shumë kombe kishin humbur popullsi të tyre, por asnjëri në këto dimensione. Kjo pikësëpari theu balancat natyrale në fuqinë numerike, politike, ushtarake e ekonomike midis kombit shqiptar dhe kombeve të tjera ballkanike. Para copëtimit, shqiptarët nuk kishin diferenca të dukshme numerike me kombet fqinje. Në fund të shekullit XIX, Bullgaria kishte 96 000 km2 dhe 3.3 milionë banorë (bullgarë e jo bullgarë), Serbia 48 000 km2 dhe 2.37 milionë banorë, Greqia 64 600 km2 dhe 2.6 milionë banorë (prej tyre së paku 1/3 ishin arvanitë). Kjo do të ndikonte fuqishëm negativisht në konsolidimin e shtetit shqiptar, në ç‘balancimin e fuqive të tij me fqinjët, duke i nxitur ata të ndërtonin politika konstante agresive ndaj tij. Ky ndikim do të ishte afatgjatë për gjatë gjithë shekullit XX dhe konsistent.

Shteti i ri humbi pozitën gjeografike që kishin pasur më parë viset shqiptare, si ndërlidhëse me rajonet ballkanike dhe më gjerë. U ndërprenë të tria korridoret e tij tregtare; brenda Shqipërisë së pavarur mbetën 350 mijë ha tokë bujqësore, kurse jashtë saj mbetën 2 herë më tepër dhe kjo ishte toka më pjellore; Shqipëria humbi qytetet e saj kryesore si dhe fuqinë ekonomike që gjeneronin ato; u thye tregu i përbashkët kombëtar, Shqipëria humbi shumicën e njësive zejtare –tregtare dhe të ndërmarrjeve industriale, humbi shumicën e pasurive minerale, si dhe pjesën më të vlefshme të tyre. Këto do të kishin pasoja të rënda në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të tij. Shteti shqiptar kishte kapacitete të dobëta politike, ekonomike dhe ushtarake, qenia e tij ishte gjithmonë në kufijtë e mbijetesës, ritmet e zhvillimit ekonomik të ulëta dhe jo konkurruese në rajon, atij iu desh të konsumonte shumë energji dhe mjete për të siguruar ekzistencën e vet; shteti shqiptar u izolua ekonomikisht, nuk kishte më mundësitë e mëparshme të akumulimit të kapitalit, të thithjes së teknologjisë, përvojës, etj., të zhvillonte në parametrat normalë të kohës degët prioritare të ekonomisë me rentabilitet; u pakësua ndjeshëm fondi blegtoral, u përball si kurrë më parë me mungesën e drithërave dhe me zinë e bukës.

Fqinjët, që kishin marrë territore dhe popullsi të konsiderueshme shqiptare, do të përpiqeshin pandërprerë për ta sfiduar, dobësuar, për ta vënë nën kontroll dhe madje për ta asgjësuar shtetin e ri. Njëri prej qëllimeve të këtyre politikave mbytëse ishte pikërisht pengimi i këtij shteti për t’u shndërruar në një piemont apo mbështetje sado modeste për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nën sundimin e tyre. Ky faktor destabilizues që buronte nga vendimet e Konferencës së Londrës ka vepruar për dekada të tëra, dhe ndikoi fuqimisht në dështimin e shumë përpjekjeve të shqiptarëve për ta stabilizuar shtetin e tyre.

Copëtimi i thellë i territoreve shqiptare, veçanërisht aneksimi i viseve shqiptare nga Serbia e Mali i Zi, do të krijonte natyrshëm një rrymë politike irredentiste, e cila do të vepronte brenda shtetit të ri kombëtar. Në mjaft raste ajo ndihmoi në konsolidimin e shtetit (mbështetja e Qeverisë së Vlorës, e Vidit dhe roli në Kongresin e Lushnjes). Por në vitet 1920-1924, një segment i fuqishëm i kësaj rryme, pati divergjenca të thella me qeveritë e kohës, kryesisht lidhur me nivelin e mbështetjes dhe mënyrën se si ato duhet të ndihmonin këtë lëvizje irredentiste, duke kërkuar një angazhim më aktiv, politik e ushtarak, veçanërisht kundër politikave shtypëse të mbretërisë SKS ndaj shqiptarëve. Këto divergjenca u nxitën më tej e u shfrytëzuan edhe nga qeveria italiane dhe degjeneruan në një konflikt të ashpër politik, që u karakterizua nga grushte shteti dhe kryengritje antiqeveritare. Ky ballafaqim ishte një faktor me rëndësi për destabilizimin e shtetit shqiptar dhe pengesë serioze për stabilizimin e tij.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com