Mustafa Kruja: shenjtor në vetmitore

Dr. Çelo Hoxha

Në 1912, Mustafa (Merlika) Kruja ka qenë person për t’u patur zili: në moshën 25 vjeçare shkroi emrin mbi një copë letër dhe hyri në histori. E kjo nuk ishte e gjitha: mosha e re, shkollimi i mirë e i përshtatshëm – Shkolla Civile e Administratës Mbretërore e Stambollit, dhe, cilësia më e rrallë – statusi i firmëtarit në dokumentin më të vyer të kombit, premtonin që djaloshi krutan të ngjitej shpejt e të kontribuonte gjatë në administratën e Shqipërisë së pavarur.
Fillimi nuk zhgënjeu. Kuvendi i Vlorës e caktoi anëtar të Senatit të parë shtetëror; pak ditë më vonë u emërua nënprefekt i Vlorës; pas tre muajsh mori detyrën e sekreterarit të parë të Kryeministrit; pastaj, pasi qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës ra, ai vazhdoi me detyrën e drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Elbasanit, në qeverinë e Turhan Pashës. Kjo qeveri ishte jetëshkurtër dhe e fundit deri në Kongresin e Durrësit, katër vjet më vonë.
Në vjeshtë 1914, Mustafa Kruja ishte në grupin e zyrtarëve që u larguan nga Shqipëria bashkë me mbretin gjerman të saj, Wilhem Wied. Mërgimi i parë i tij ishte shkurtër, i dyti rreth dy vjet, i treti një dekadë e gjysmë, ndërsa i mbrami zgjati përjetësisht. Kthimet fragmentare në atdhe ishin të gjitha të palumtura.
Për të shpëtuar burrat e fisit të Merlikajve, të cilët i kishte burgosur nga Esad Pashë Toptani, Mustafa Kruja, pak pasi ishte kthyer në Shqipëri, 1915, u dorëzua dhe gjatë pesë muajve në burgun e Durrësit, priti ekzekutimin e dënimit me vdekje: varje në litar.
Esad Pasha kishte qenë bamirësi i famijes Merlika, babai i djaloshit kishte qenë rreshter i trupave mbrojtëse të pashës, gjithashtu Esad pasha e kishte këshilluar të riun e Merlikajve të studionte për shkencat politike, ngaqë dëshironte ta bënte kajmekan, por në 1913 Mustafa Kruja ishte përplasur me të ballazi për çështjen e Shkodrës dhe prej atëherë ata mbetën kundërshtarë. Esad Pasha ia kurseu jetën, por e dorëzoi te italianët, të cilët e internuan në ishullin e Favignanës, dhe kështu nisi periudha e dytë e mërgimit e Mustafa Krujës, sepse dhe pasi ata e lanë të lirë, ai u khtye në atdhe vetëm në mbarim të Luftës së Parë Botërore.
Në 25 dhjetor 1918 Mustafa Kruja ishte delegat i Durrësit në Kongresin e Durrësit. Me propozim të Luigj Gurakuqit shërbeu si sekretar i kongresit; në qeverinë e re, me kryeministër Turhan Pashën, ai u caktua ministër i Post Telegrafës. Në atë kongres Mustafa Kruja propozoi Shkodrën për kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, propozim që u fut në procesverbal, por kryeqyteti i Shqipërisë u përcaktua trembëdhjetë muaj më vonë, në një kongres tjetër, ku Mustafa Kruja nuk mori pjesë.
Në Kongresin e Lushnjës dhe më vonë, Mustafa Kruja u rendit shpesh, për fatin e tij të keq, në krahun e humbësve. Në Lushnjë, 20 janar 1920, ai nuk mori pjesë, ngaqë u ndje i tradhëtuar nga disa miq të tij në qeverinë e Durrësit. Nuk pranoi as postin e ministrit në qeverinë e Sulejman Delvinës.
Në 1921, Mustafa Kruja ishte deputet në parlamentin e Shqipërisë. Atëkohë nisi përplasja e tij e madhe, me Ahmet Zogun, njeriu i fortë në ngjitje në skenën e politike shqiptare.
Në dhjetor 1921, së bashku me shokë të tjerë, Mustafa Kruja u përpoq të rrëzonte qeverinë, që ata e mendonin nën influencën e Ahmet Zogut, për ta zëvendësuar, sipas tyre, me njerëz më nacionalistë e të denjë për qeverisje. Në mars 1922, ai mori pjesë në lëvizjen e Elez Isufit kudër Ahmet Zogut dhe, pas dështimit të saj, u largua nga Shqipëria për herë të tretë.
Dy vjet më vonë, Mustafa Kruja ishte prefekt në Shkosër, Ahmet Zogu gjendej në mërgim në Jugosllavi, dhe kryeministër i Shqipërisë ishte Fan Noli. Qeveria e Nolit, e formuar pas një grusht shteti, zgjati veç gjashtë muaj. Në 25-27 dhjetor 1924, Noli dhe pasuesit e tij, “do me vapor e do me barkë”, u larguan nga Shqipëria. Mustafa Kruja e përshkruan kështu grupin në arrati: “Ishim nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definistivisht e pa fe mundsije me e çue kryet ma përpjetë.” Nga ana tjetër, Ahmet Zogu u rikthye në pushtet i vendosur që të mos luante prej tij me kërcitjen e parë të dy-tre dyfeqeve dhe qëndroi në pushtet aq sa t’i bindte të tjerët për këtë, sidomos kundështarët. Mërgimi 15-vjeçar që pasoi është një periudhat më të trazuara të jetës së Mustafa Krujës, i cili ishte i detyruar të punonte në kushte të vështira, në mjedise politike fragmentare, të përkohshme, me prirje politike të ndryshme dhe me financime nga lloj-lloj burimesh të joshqiptare. Në 1927 ai u nda përfundimisht me kundërshtarët e tjerë të Ahmet Zogut në mërgim, për shkak të ideve të tyre të komuniste.
Emigranti i përjetshëm u kthye për herë të fundit në një Shqipëri pa mbretin Zog dhe të pushtuar nga italianët. Gjatë vitit 1939 ishte anëtar i Senatit; 12 prill 1940-4 dhjetor 1941 drejtoi Instituin e Shkencave Shqiptare; 4 dhjetor 1941-19 janar 1943 ishte kryeministër i Shqipërisë; pas dorëheqjes, u tërhoq nga politika dhe iu rikthye punës shkencore, të e kishte lënë në mes kur u bë kryeministër.
Trembëdhjetë muajt si kryeministër e kanë bërë Mustafa Krujën një nga figurat më të diskutueshme në historinë e Shqipërinë. U shpall kriminel lufte, historiografia e trajtoi si kolaboracionitst, letërsia si personazh negativ. Roli i tij gjatë pushtimit, si kryeministër, përbënte një paradoks: komunistët e akuzonin si bashkëpunëtor të fashizmit, fashistët e konsideronin një ultranacionalist shqiptar.
Gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës u hoqën nga flamuri shqiptar fashiot e Liktorit, Plava dhe Gucia iu bashkuan Shqipërisë, reth 300 familje hebreje në Kosovë, që tashmë ishte pjesë e Shqipërisë, morën pashaporta shqiptare, dhe u mbrojt ekonomia shqiptare. Ata që e shpallën Mustafa Krujën si kriminel lufte, në atë pjesë të flamurit ku kishin qenë simbolet fashiste, të cilat i hoqi Kruja, vendosën, pesë muaj më vonë, në Konferencën e pezës, 16 shtator 1942, një simbol tjetër të huaj: yllin bolshevik.
Nëse ka faj, Musa Kruja duhet akuzuar për “bashkëpunim” me komunistët, pse mbante marrëdhënie me idotë të lexuar si Petro Marko, që amnistoi një kriminel ordiner e bandit si Myslim Peza, që liroi nga burgu terroriste si Liri Gega, etj. Komunistët ishin aq të pacipë, sa disa anëtarë të Asamblesë Kushtetuese të periudhës së pushtimit italian i shpallën kolaboracionistë, ndërsa disa të tjerë, si puna e Omer Nishanit, i zgjidhnin në postet më të larta. Disa nënpunës të thjeshtë të administratës së periudhës së pushtimit u dënuan si kriminelë lufte, ndërsa disa nëpunës të tjerë të administratës së pushtimit, si mësuesja Nexhmije Xhunglini (e dashura dhe, pas lufte, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Enver Hoxhës), gjykatësi në shërbim të fashizmit dhe, pastaj, të komunizmit Manol Konomi, oficeri i xhandarmërisë fashiste Bedri Spahiu, Nako Spiru, për të cilin flitej se kishte qenë drejtues i Rinisë Fashiste në Durrës, ishin në udhëheqjen e lartë të qeverisjes, e cila shpallte kush ishte e kush jo kriminel lufte.
Çështja e kolaboracionizmit në Shqipëri është trajtuar në mënyrë shabllone me qasjen e vendeve të tjera, kryesisht Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, të cilët sigmatizonin me këtë term këdo që bashkëpunonte me italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, për të gjykuar punët e Shqipërisë qasja britanike apo sovjetike nuk ishte e përshtathsme. Nacionalistët shqiptarë, midis të cilëve dhe Mustafa Kruja, besonin se shqiptarët ishin të rrezikuar nga Greqia dhe Jugosllavia dhe mbështetja e tyre duhet të ishte një vend jashtë Ballkanit. Të ashtuquajturit aleatë nuk bënë asgjë kur u pushtua Shqipëria nga Italia dhe as më vonë, përveç faktit që dërguan në Shqipëri, në 1943 e më vonë, misione për të organizuar veprime guerrile (një metodë që i shkon përshtat mentalitetit të kriminelëve), në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve. Po ta shohim Evropën dhe Ballkanin sot, kur Kosova ka fituar pavarësinë, rezulton se Nato dhe gjithë aleatët kanë bërë të njëjtën gjë që bënë Italia dhe Gjermania, në lidhje me Shqipërinë, gjatë luftës së dytë botërore. Qeveria e Shefqet Vëralcit, e para pas pushtimit nga Italia, mund të mos ketë shumë për t’u krenuar, por s’është se bëri ndonjë gjë në dëm të Shqipërisë më shumë se qeveritë që më vonë u quajtën aleate. Aleatët hynë në luftë kur u sulmua Polonia, pesë muaj më vonë, ndërsa për Shqipërinë as që deshën t’ia dinin. Ndërsa qeveritë e tjera shqiptare filluan ta çojnë vendin drejt pavarësisë. Qeveria e Mustafa Krujës hoqi nga flamuri nga simbolet fashiste, qeveritë e mëvonshme, sidomos gjatë pushtimit gjerman, i kthyen Shqipërisë pavarësinë, të paktën formalisht. Këto gjëra nuk arritën as me ndërhyrjen e aleatëve dhe as me luftën e armatosur të nacionalistëve apo komunistëve shqiptarë kundër pushtuesit, por nga këmbëngulja e njerëzve që patën kurajo të sakrifikonin dhe emrin e tyre të mirë për hir të Shqipërisë. Me pak fjalë, fshihet strategjia e komunizmit: duke etiketuar të tjerët si kriminelë lufte, ata mundohen të zbutin perceptimin kriminal të veprimtarisë së tyre.
Sidoqoftë, Mustafa Kruja ka bërë aq shumë për Shqipërinë saqë ai nuk mund të hiqet nga historia e lavdishme e saj pa e fshirë gjithë historinë e shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Jeta e tij nuk është e lidhur vetëm me politikën, madje pjesa politike ka qenë ajo ku është shfaqur dimesioni më mediokër i personalitetit të tij.
Niveli i tij në gjuhësi është shumë i lartë. Mustafa Kruja është autori i një vepre të parë në llojin e vetë, siç shprehet studiuesja Ledi Shamku-Shkreli, për të cilën shqipja ende nuk e ka të plotë: falorin kritik. Zonja Shamku është aktualisht deputete e një partie që vazhdon të ketë pikëpamjen komuniste “të kolaboracionizmit” për Krujën, por ajo, kur mbaroi së lexuari Fjaluerin Kritik të Krujës, përplasi grushtin në tryezë dhe klithi: “O Zot, ku janë gjithë gërmat e tjera?” Gërmat e tjera të Fjaluerit munngojnë, sepse qeverisja komuniste, ku të parët e zonjës Shamku kanë kanë patur poste të larta, e bastisën shtëpinë e Mustafa Krujës, ku gjendej fjalori i plotë, me rreth 30.000 lema mbi 2600 fletë të daktilografuara, dhe fati i tij nuk dihet. Në mërgim, Kruja iu fut punës përsëri për ta ribërë, dhe përfundoi vetëm dy shkronjat e para, pastaj u largua nga jeta. Fjalueri, sipas studiueses, “ky visar fjalësh, e ç’është më e rëndësishmja, visar arsyetimesh mbi format e fjalëve, moshën, përhapjen gjeografike dhe vendodhjen kontekstuale të secilës prej tyre ofron sot atë çka shqipes i mugon më fort: zgjidhjen e binarit të dyfishtë.”
Një vepër tjetër cilësore e Mustafa Krujës është studimi analatik për një nga veprat mëdha të gjuhës shqipe, për “Fjalorin Latinisht-Shqip” të Frang Bardhit. Në këtë vepër, autori këshillon që t’i studiojmë veprat e shkrimtarëve të vjetër me frymën e gjuhës letrare aktuale, për dobinë e tyre që kanë ato për të sotmen. “Në çdo fletë të këtij studimi shfaqet figura e eruditit me dije të gjera në fushën e gjuhës, me njohje të thella në lëmë të historisë, përdoruesi i mirë i disa gjuhëve të reja e të vjetra, analisti hollë i materialit gjuhësor, intelektuali me hosizont e kulturë të gjerë.” Ky është vlerësimi i akademik Kolec Topallit për Mustafa Krujën.
Përveç politikan, gjuhëtar, apo historian, Mustafa Kruja ishte dhe prind, vëlla, shok apo mik dhe më mirë se njerëzit e tij të afërt nuk mund t’i përshkruajë njeri këto cilësi. “Horizonti i hapur, zëmërgjerësia, njohja e thellë e natyrës njerëzore e dukurive të saj, mirëkuptimi pa paragjikime i problemeve të tjerëve, gjykimi i drejtë e i matur i tyre, ishin tipare karakteri që djaloshi Mustafa kishte shfaqur herët në formimin e tij,” shprehet nipi i tij, Eugjen Merlika. Ai kujton se për hir të harmonisë familjare, ai kishte ndikuar që babai i tij të pajtohej me një kushërin e vet, megjithëse, në një konflikt prone, e drejta anonte, sipas Eugjen Merlikës, nga ana e babait të Mustafait. Ndërsa kur ishte kryeministër dhe i mori vesh se një kushëri po pasurohej duke përdorur emrin e tij dhe, kur u bind që fjalët ishin të vërteta, mblodhi fisin dhe me një vendim kushëririt iu hoq e drejta të mbante të mbiemrin e familjes.
Një njeri kaq i prerë në marrëdhënie me të drejtën, të ndershmen dhe harmoninë, është e pabesueshme të thuhet se me qeverisjen e tij punoi t’i shërbente fashizmit në dëm të Shqipërisë. Letrat e tij, një kontribut i pashoq në lëmin e letërisë epistolare, janë një dëshmi tjetër që veprimtaria e Mustafa Krujës ka qenë e motivuar nga qëllime të larta, jo hesape materiale. Nuk ka asnjë dëshmi, në 71 vitet e jetës së tij, që ai kërkoi të jetonte për më shumë se “një kafshatë bukë për mue e fitueme me djersën t’eme.” Vetëm njerëzit pa asnjë grimë krenarie kombëtare mund ta kalojnë me indiferencë, le më të lumturohen prej tij, faktin që ish-kryeministri i Shqipërisë jetonte në banesë në dhe të huaj, në “vetmitoren t’eme”, me vështirësi ekonomike bazike dhe në dëshpërim të skajshëm, për fatin e të afrëmve në atdhe, që ndëshkoheshin sistematikisht për shkak të veprimtarisë tij.

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa libra, në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta, 29 zëra gjithsej. Për natyrën eseistike të revistës, nuk janë përfshirë në këtë botim. Librat e konsultuar janë: Mustafa Kruja, Kujtime vogjlije e rinije, 55, Tiranë, 2007; Mustafa Kruja/ P. Paulin Margjokaj, Letërkëmbimi 1947-1958, CAMAJ-PIPA, Shkodër, 2006; Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës, Konferencë shkencore përkujtimore, Botimet Françeskane, 201; Lef Nosi, Dokumente historike, 1912-1918, Instituti i Historisë, Tiranë, 2007; Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse, 1946-1962”, BREZI 81, Prishtinë 2011.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com