Mirush Kabashi dhe… nderet e tjera të kombit

Frano Kulli

Me Mirush Kabashin, në përvjetorin e 100- të të Konferencës së Paqes, 2019 në një aktivitet përnderues për Fishtën, patëm shkëmbyer këtë bisedë:

Qysh kur e mban Fishta titullin “Nderi i Kombit”,- më pyet Mirushi.

– Nga 2002-shi-i përgjigjem unë… Mirushi ishte aty e do të recitonte njërën prej poezive të Fishtës, fort të pëlqyer prej tij, “I d’buemi”. Po përpara se të fillonte, iu drejtua pjesëmarrësve në atë veprimtari:

-A e dini se tani së voni i është dhënë titulli “Nderi i Kombit” këtij burri – dhe bëri me dorë nga shtatorja e Poetit Kombëtar, aty pranë.- Po të njëjtin titull si ky burri mbaj edhe unë. Edhe pse e di veten me njëfarë kontributi në këtë vend… s’di se si ndihem … nderi i kombit unë e nderi i kombit ky burri…, – e përmbylli parafjalën e tij atëhere Mirush Kabashi.

Më erdhi në kujtesë ky rrëfim i shkurtë i Mjeshtrit të madh, në ditën e fundit jetës së tij këtu, atëhere kur po përcillej për në botën e qiellit….

Pas veprimtarisë drekuam së bashku, vetë i treti, me Tonin Çobanin. Edhe aty, në tavolinë, te “Diella” në Kune e rimorëm përsëri në bisedë Fishten:

– Gjergj Fishta ka nga të huajt 4 dekorata të larta: “Mearif, kl. II, 1912”, akorduar prej qeverisë osmane, “Ritterkreuz, 1912” prej Austro-Hungarisë, prej Papa Piut XI “Medaglia di Benemerenza, 1925” dhe prej Mbretit të Greqisë “Phoenix”, 1931, të cilat figurojnë në jakën e zhgunit të fratit, në një foto të vitit 1932, është edhe një tjetër, që pak është e njohur dhe rrallë përmendet…

I dinte edhe Mirushi këto, po prap ai e ngacmonte biseden .

-Përpos katër dekoratave shumë të larta ka edhe disa dhurata simbolike për t’u shënuar. Një tufë atdhetarësh të qytetit të Beratit i kushtojnë një pendë ari, në shenjë nderimi e mirënjohjeje si shkrimtar e atdhetar (viti 1918). Po ka një dhuratë të shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një teste (komplet prej 12 copësh) lugë, pirunj e thika prej ari, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”… -Kurse më e larta medalje nderuese prej kombit të vet, të cilit i dha emër si pakkush ndër shqiptarë, i akordohet vonë, shumë vonë. Në vitin 2002, pra.- rithekson me pezm Mirushi…

Nuk e di a e mbajnë këtë titull, më të lartin titull zyrtar nderimi ata baballarët e vërtetë të kombit, emër për emër ata, që historia jonë i ka shënuar si të tillë. Të gjithëpranuar e të pakontestuar… Ata, që në historitë e kombeve të qytetëruara kanë zënë vend në tempuj…

Atë ditë, unë edhe Tonini mësuam prej tij atë kumtin e trishtë të sëmundjes. Sapo ishte kthyer nga Turqia, i diagnostikuar me të keqen, por jo me shpresa të humbura…

Në prillin e sivjetëm ishim prapë së bashku në Namur (Belgjikë), të ftuar të Shoqatës “Nënë Tereza” atje, prej Arjan Bajraktarit, stërnip i Çun Mulës emërmadh të Hotit. Për Fishtën… Për “Gjuha shqype” tash, e për të tjera poezi që Mirushi i kishte për zemër. Me mjeshtrínë e rrallë që ai kishte e me pasionin e pashterrshëm…deri në frymën e fundit.

Pastë dritë, Mirushi i mirë !

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com