Sokol Paja
New York, 15 Tetor 2023 – Ministri i Arsimit dhe i Shkencës së Maqedonisë së Veriut z.Jeton Shaqiri i shoqëruar nga veprimtari e kontributori i madh i çështjes kombëtare z.Nazar (Nick) Mehmeti, Drin Ahmeti – biznesmen, Shpëtim Latifi Këshilltar i Posaçëm i Ministrit Shaqiri, Pleurat Halili – sipërmarrës dhe Bleron Baraliu aktivist i komunitetit shqiptar në New York, vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.
Ata u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, shefi i kabinetit Dr. Pashko Camaj, z.Elio Ahmetaj veprimtar i çështjes kombëtare, z.Gjokë Deçkaj anëtar i Këshillit të Vatrës dhe Editori i gazetës “Dielli”. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës së Maqedonisë së Veriut z.Jeton Shaqiri në fjalën e tij vlerësoi Vatrën dhe shoqatat patriotike shqiptaro-amerikane për kontribut në dobi të çështjes kombëtare. Ministri Shaqiri i ofroi bashkëpunim të ngushtë Vatrës në fushën e edukimit dhe arsimimit, ekspozoi situatën politike në Maqedoni, situatën e shqiptarëve në politikbërjen e shtetit të Maqedonisë dhe platformën për zhvillimin e arsimit shqip në diasporë.
Kontributori i madh i çështjes kombëtare z.Nazar (Nick) Mehmeti shprehu vlerësimin dhe nderim për veprimtarinë dhe punën e Vatrës. Drin Ahmeti – biznesmen deklaroi se Vatra është institucion i shenjtë që mban gjallë lidhjen e shqiptarëve me Amerikën.
Në fjalën e mirëseardhjes kryetari z.Berisha i falenderoi për vizitën prezantoi para miqve historinë, veprimtarinë dhe kontributin e Federatës Vatra në dobi të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trojet etnike kombëtare. Z.Berisha i garantoi miqtë se Vatra e ka prioritet në veprimtarinë lobuese në Uashington çështjen e shqiptarëve sidomos në trojet etnike.