Mësimi shqip në Athinë, ruajtja e gjuhës dhe identitetit kombëtar në Mërgatën Shqiptare të Greqisë

Valentina Bozhiqi mësuese e gjuhës shqipe në Athinë, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Athinë, Greqi, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Valentina Bozhiqi  bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP NË PALINI DHE SINTAGMA NË ATHINË

Mësimi vullnetar i gjuhës shqipe ku kam dhënë dhe jap mësim ka ecurinë e vet të vështirë, por  dhe të bukur që i’a vlen ta kujtoj. Fillimisht me grupe të vogla, në ambjente familjare, nga viti 2020-2021 e kam zhvilluar në  shkollë dhe atë familjar. Për shkak se ishin vite të vështira fillimisht të sigurimit të jejeve të  qëndrimit të emigrantëve kishte interes të madh nga prindërit mësimi i gjuhës shqipe. E para për të mos humbur kohë fëmijët në rast rikthimi dhe e dyta ajo e lidhjeve shpirtërore e  mbajtjes gjallë të gjuhës sonë. Punoja me abetare e tekste të siguruara nga Shqipëria, i bëja  fotokopje, sepse kisha mungesë librash, kërkoja çdo mundësi, gjeta një librari “Vatra” në qendër të Athinës  me libra artistikë dhe plotësues apo kaseta audio vizive për fëmijë, gjithçka  e re për gjuhën e kam në bibliotekën time, e blija. Tani për tani punoj me kurset “Kostadin Kristoforidhi 1&2”, në Palini me dy klasa të niveleve të  ndryshme moshore, dhe në Sintagma, Athinë me një klasë. Mësimi zhvillohet në praninë fizike, në klasë. Gjithashtu jap dhe online me kursin “Dituria” me nxënës të rritur, pasuniversitarë e  të punësuar. Çdo e Shtunë i përkushtohet mësimit të gjuhës shqipe. Mësimdhënia është dy orëshe për çdo klasë. Ka lodhje e sakrificë për mua për km që bëj, por, është kënaqësi kur shoh ata fëmijë që më  presin tek dera me sytë që u shkëlqejnë dhe atë përqafimin e sinqertë, është jetë.

KURRIKULA MËSIMORE DHE AKTIVITETET EDUKATIVE

Tani falë bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit dhe QB të Diasporës na sigurohet gjithë  materiali gjuhësor i nevojshëm falas. Unë punoj me tekstet “Të mësojmë gjuhën amëtare dhe kulturën Shqiptare 1,2,3”. Gjithashtu “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”, niveli i 1. Ndërsa me të rriturit mbi 18 vjeç dhe  pasuniversitarë, që kanë interes jo vetëm ta mësojnë por, dhe ta mbrojnë atë, kam bërë një  punë individuale duke e përmbledhur gjithë materialin gjuhësor të teksteve shkollore  shtetërore shqiptare 5,6,7,8,9 e shoqëruar me shembuj krijues të përshtatur, e të lehta për tu  kuptuar. Mësimdhënia është shkencë dhe art. Prandaj përveç dhënies së njohurive gjuhësore punës së  pavarur, i jap dhe hapësirë bisedës së lirë për çdo temë që ngjall interes. Kjo ndihmon jo vetëm  në pasurimin leksikor por, dhe në rrjedhshmërinë e shprehjes së mendimit dhe ndjenjave. Parimi im është punë e bashkëpunim, të gjithë kemi nevojë për idetë apo ndihmën e njëri tjetrit. Sidomos ne mësuesit në diasporë, për komunitetin dhe me komunitetin shqiptar.

Unë në dy kurset jam ndihmuar nga Shoqata “Elbasani në emigracion në Greqi” dhe Unioni i  SHSHG për sigurimin e ambjenteve private shkollore. Ne si mësues kemi si objektiv të  formojmë dhe edukojmë fëmijë të denjë për tu integruar sa më mirë si qytetarë me dy kultura. Jemi të vetëdijshëm se prindërit shqiptarë sakrifikojnë dhe investojnë shumë për fëmijët, për  shkollimin, veshjen, ushqimin, aktivitetet jashtë shkollore, sportive, artistike, kurset e gjuhëve  të huaja etj, dhe, mirë bëjnë por mos harrojmë një gjë, sepse çdo gjë fillon nga A-ja dhe për  ne shqiptarët ajo është gjuha jonë shqipe. Çdo ndjenjë gëzimi ose trishtimi shprehet me zemër  e kuptimplotë në gjuhën e nënës.  Shumë mirë të integrohemi dhe për këtë jemi të aftë, na e njohin e të tjerët, por, mos  mburremi duke veshur dhe u krekosur me petkun e tjetrit, me gjuhën dhe kulturën e tjetrit. Kudo ku të vesh e të shkosh të pyesin nga je? Origjina dhe prindërit janë dy bashkëshoqërueset  e ekzistencës tonë, ato nuk i zgjedhim as duhet t’i mohojmë. Nuk është mirë të flasim me njëri  – tjetrin në gjuhë të huaj kur s’është nevoja, mos shesim emër, nënë e babë, vendin e bukur  amë, gjuhën tonë por ta mësojmë e trashëgojmë atë, të jemi krenarë se kemi histori të lashtë,  vend të bukur, njerëz punëtorë e dinamikë, s’jemi baritorë. Historinë e vuajtur duhet ta  kthejmë në shpresë, atëherë duhet më shumë, të formuar dhe me identitet. Gjuha jonë  identitet ynë jo vetëm të mban lidhjet biologjike me të parët tanë, me vendin amë që të pret  krahëhapur pa kushte, ashtu si nëna fëmijën, por, ndihmon në çdo gjuhë tjetër.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GREQI

Objektivi i punës sime është gjuha shqipe dhe kultura shqiptare. Në orët mësimore përveç  njohurive gjuhësore njoh nxënësit dhe me traditat dhe kulturën tonë. Ne në Greqi jemi një komunitet i organizuar dhe me traditë në festat kombëtare. Gëzojmë e  festojmë së bashku dhe uroj të vazhdoj. Festat në shkolla por, dhe pjesëmarrja nëpër këto aktivitete e fëmijëve është një mënyrë e  bukur dhe e lehtë që të njihen me veshjet, traditat, vallet dhe këngët e ndryshme plot  emocion, të përjetojnë këto momente e t’i duan e t’i trashëgojnë ato.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË GREQI, HISTORIKU

Mësimi i gjuhës shqipe në Greqi ka fillimet e hershme me mësues që kanë sakrifikuar jo pak  duke qenë dhe emigrant. Nevoja për një mbrojtje ligjore të mësuesve çoi në krijimin e Lidhjes  së mësuesve shqiptarë në Greqi (LMSHG). Fillimisht ekzistonte një frymë mbytëse apo presioni  psikologjik kur dëgjonin se mësohej apo komunikohej shqip. Kjo nuk ndodhte besoj me gjuhët  e emigrantëve të tjerë .Kur flitej rusisht, rumanisht, pakistanishte ose arabishte nuk shikonim  atë reagim që bënin ku dëgjonin të flitej shqip. Megjithëse shumë gjëra kanë ndryshuar prapë jemi shumë larg të themi se jemi si emigrantët apo qytetarët e tjerë që jetojnë në vendet e  Bashkimit Europian. Ka shumë vështirësi apo pengesa, qëllimi dihet asimilimi. Jemi komuniteti  më i madh i huaj, forcë e rëndësishme e ekonomisë dhe të aftë profesionalisht këtu, dhe me  një kontigjent nxënësish të konsiderueshëm në shkolla, do të ishte e drejtë me vend të  vendosej gjuha shqipe me zgjedhje. Do të bëhet?! Vështirë tani për tani, por më vonë do të jetë shumë vonë sepse asimilimi bën  punën e vet, mësuesit vullnetarë sot janë aktivë në gjithë Greqinë, por nesër dhe ata nuk jenë  më si më parë. Dëshirojmë një bashkërendim të energjive e përpjekjeve të shtetit amë, komunitetit tonë,  LMSHG dhe institucioneve shtetërore greke që të krijojnë hapësirat e nevojshme për gjuhën  tonë. Duhet dhe ne si prindër të duam veten, të afrojmë fëmijët nëpër shkolla të gjuhës sonë, t’a  komunikojmë sa më shumë në familje apo me njëri-tjetrin gjuhën.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Pandemia na dha mundësinë që të punojmë dhe në kushte të tjera, pra në distancë. Sigurisht  që mësimdhënia në klasë është më e lehtë, si në përcjelljen e njohurive apo në kontrollin e  tyre sidomos me fëmijët e vegjël. Mësimi online jo se nuk është frytdhënës por ngurtësia e  ekranit, apo renditja kohore e çdo folësi, luatjet e internetit, përqëndrimi apo nevoja  individuale në çdo moment, janë disa nga vështirësitë e nxënësve. Megjithëse po shkojmë  fatkeqësisht drejt teknologjizimit (dixhitalizimit) total, në mësimdhënie do të dëshiroja të  ruhet kontakti tradicional sidomos me fëmijët që kanë nevojë për stimulim apo ndihmë  individuale. Jam përdoruese e dy metodave, dixhitale dhe asaj tradicionale. Mësimdhënia në fëmijët në diasporë me dy kultura ka vështirësinë, bukurinë dhe veçorinë e  saj. Vështirësi kam vetëm me fëmijët që fillojnë njëkohësisht dy gjuhët, sepse akoma nuk kanë  konsoliduar njërën pastaj të njihen me tjetrën. Por, për nxënësit të cilët kanë një nivel gjuhësor  mësimi i shqipes ka lehtësinë e vet, mësohet e krahasuar dhe e integruar në lëndë të tjera. Vështirësi mund të quhet vetëm artikulimi i disa tingujve të veçantë që kemi duke krahasuar  me gjuhën tjetër, por për fëmijët që e flasin e komunikojnë në familje këto vështirësi nuk  ekzistojnë. Qëllimi i mësimdhënies së gjuhës për mua nuk është vendosja e një note, e cila do të çojë në  ushqimin e disa ndjenjave jo të këndshme për njëri-tjetrin (fëmijët e vegjël), por ta mësojnë e  shkruajnë bukur atë.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Duke njohur gjuhën, kulturën dhe traditat ata janë më të kompletuar, apo të vetëdijshëm të  dallojnë çfarë është shqiptare, cilat janë ato karakteristika e tipare që na dallojnë na bëjnë  krenar. Njihen me historinë, heronjtë tanë, ndihmën tonë në qytetërimin europian dje dhe aftësitë  për tu rimëkëmbur apo përshtatur në çdo kulturë tjetër.

KUSH ËSHTË MËSUESE VALENTINA BOZHIQI?

Atëherë, shkurt për lexuesin lidhur me jetën time. Filloj me karrierën shkollore e profesionale. Studimet e mesme në Gjimnazin “Themistokli Germenji”, Korçë, me rezultate maksimale, po  kështu dhe studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan (Sot  Universiteti Elbasan). Kam një përvojë pune si mësuese prej disa vitesh në një shkollë ushtrimore atëherë “Abdyl  Myzyri”, Elbasan. Viti 1997, viti i mbrapshtë, na detyroi të emigronim si shumë të tjerë në  Greqi. Kisha një familje të re me dy vajza të vogla, të cilat akoma nuk kishin filluar hapat e para  në shkollë. E përkushtuar si dje dhe sot për familjen, krahas punës së vështirë për të mbijetuar,  për të qenë sa më afër në ecurinë e tyre shkollore, mbrojta gjuhën greke. Sot jam e lumtur për  gjithçka dhashë tek to, sepse janë të kompletuara nga formimi i intelektual e profesional dhe  edukimi por dhe njohëse e përdoruese të sakta të gjuhës shqipe. Kam marrë pjesë në shumë seminare kualifikuese pedagogjike të organizuara nga LMSHG dhe  online nga Ministria e Arsimit, si dhe seminare ekonomike këtu në Greqi. Njëkohësisht vazhdoj dhe studimet në Universitetin e Pireut për: Procedimet financiare dhe  ato bankare. Nga viti 1998 jam anëtare e Lidhjes së Mësuesve SHqiptarë në Greqi, me një aktivitet herë në  ulje e herë në ngritje në mësimin vullnetar të gjuhës shqipe. Kam punuar me fëmijët e mi si nënë e mësuese, me fëmijët e të afërmëve të mi, në lagje e më  tej në Athinë, me grupe nxënësish të interesuar në ambjente familjare, ku disa prej të cilëve  janë të ri atdhesuar pa humbur as një vit shkollor dhe të sukseshëm. Nga 2020 e sot punoj intesivisht me më shumë nxënës, në klasa dhe online. Kur je emigrant, çdo arritje e ke vetëm në sajë të përpjekjeve tënde, pa mbështetje,  përkundrazi ke detyrime më shumë se çdo qytetar vendas, por jemi përpjekur me korrektësi,  dinjitet dhe shumë punë të jetojmë si duhet si njerëz jo të pasur por të lumtur e të qetë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com