Mentor Maksutaj, rrugëtimi nga lufta e Kosovës te Vatra në Boston

Katër vitet e ardhshme dega e VATRËS në Boston do të drejtohet nga zoti Mentor Maksutaj. Procesi zgjedhor i së dielës së 17 dhjetorit shënoi kështu herën e parë në historinë 111-vjeçare të kësaj dege që u zgjodh për kryetar një vatran nga Kosova.

I lindur në Suharekë, Mentor Maksutaj e kreu në vendlindje arsimin fillor e të mesëm, e më tej nisi studimet në Universitetin e Prishtinës në vitin 1998. Pak muaj më pas, në mesin e rreth një milion shqiptarëve që forcat ushtarake serbe dëbuan me dhunë nga Kosova, ishte edhe Mentor Maksutaj me shokët e tij të fakultetit.

Ditët e tmershme në kampin famëkeq të refugjatëve në Stankovac të Maqedonisë së Veriut, përfunduan kur Mentori 19-vjeçar u transferua nga autoritetet amerikane në SHBA, së bashku me plot bashkëatdhetarë të tjerë.

Mentori mundi të kontaktojë me familjen e tij vetëm pasi përfundoi lufta dhe u çlirua Kosova. Si të gjithë shqiptarët këtu në SHBA, Mentori iu përkushtua punës, e njëherësh kujdesit për familjen në vendlindje. Në të njëjtën kohë, përfundoi me sukses studimet universitare në Boston për administrim biznesi dhe menaxhim të burimeve njerëzore. Përgjatë 24 viteve në SHBA, Mentori ka patur sukses në karrierën e tij menaxheriale në shërbimin për refugjatët dhe emigrantët, e po ashtu në kompani të mëdha biznesi në Boston, e tashmë udhëheq 15 qendra të ndryshme biznesi. Gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij në SHBA, z. Maksutaj u ka dhënë ndihmë të pakursyer shumë bashkëatdhetarëve, si dhe ka qenë vazhdimisht i angazhuar në shërbim të komunitetit shqiptar në Massachusetts.

Mentori dhe bashkëshortja e tij Nexhmija janë të martuar prej 17 vjetësh dhe kanë tre fëmijë, dy djem e një vajzë.

(Vatra Boston)

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com