Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Ishte klerik katolik e patriot me merita të përveçme në periudhën që pak përpara Pavarësisë së Shqipërisë, deri në mes të viteve ’20. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Kolegjin Saverian të Shkodrës, e më pas kreu Kolegjin Papnor, po në Shkodër. Studimet universitare i kreu në Itali, ku më 1903-shin u dorëzua prift. Pak vite më pas, më 1911-n, u dorëzua Ipeshkëv i Lezhës, ku deri në vdekje qendroi ipeshkëv titullar. Ishte bari dhe udhëheqës shpirtëror fort i dashur për grigjën e tij.
Po aq u shqua në veprimtari patriotike. Më 1911 u kthye në udhëheqësin shpirtëror e mbështetës kryesor të Kryengritjes së Malcisë. Më pas përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, ku fjalimi i tij pati jehonë të gjerë. Pas Konferencës së Paqes, luajti rol kyç në ruajtjen e Korçës dhe të Gjirokastrës brenda kufijve të Shqipërisë, duke thyer marrëveshjen e fshehtë mes Titonit dhe Venizelosit kundër Shqipërisë.
Imzot Bumçi u zgjodh kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës prej Kongresit të Lushnjes. Pas këtij funksioni, zgjodhi të tërhiqej pranë selisë së tij, në Kallmet, për t’u marrë më gjatë me çështje të administrimit kishtar. Ndërroi jetë në selinë e Ipeshkvisë së Lezhës në Kallmet, më 1 mars 1945.
Bashkëngjitur, njoftimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, datë 01.01.1919, drejtuar Bumçit, i cili vihet në dijeni për zgjedhjen e tij si anëtar i Qeverisë së Përkohshme dhe si delegat në Konferencën e Paqes në Paris.