Më 19 shkurt të vitit 1879, u lind në Shkodër poeti, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe qeveritari, Luigj Gurakuqi

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Në vitet 1901-1906, kreu studimet universitare në Napoli. Më tutje, debutoi me sukses si poet lirik, udhërrëfyer prej poetit të mallit, Filip Shiroka. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frëngjisht n’marim” (Napoli, 1906), Gurakuqi bëri të parën orvatje për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Pak kohë më pas, botoi në Bukuresht veprën “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” (lexo dokumentet), që qendron si gurthemel i të gjithë përpjekeve të tij në drejtim të lëvizjes kombëtare, arsimore e kulturore në epilog të Rilindjes Kombëtare dhe në nisje të zhvillimeve të Pavarësisë.

Si rrallëkush, Gurakuqi mundi të përjetojë në pozitën e ndërvepruesit qendror disa prej ngjarjeve më kulmore të historisë së vendit tonë, në hyrje të shekullit të kaluar. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës: Gjergj Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit. U zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909-n, në cilësinë e drejtorit të së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, kontribuoi në kristalizimin e arsimit mbi baza kombëtare.

Në 1912-n, u angazhua në mënyrë të intensifikuar në organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mëvetësia, u komunikua në deklaratën e formuluar nga Ismail Qemali, të shkruar prej Gurakuqit. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, u zgjodh ministër i Arsimit. Më 1913-n, mori pjesë në Konferencën e Londrës.

Në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës, iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Durrësit (1918), prej nga ku u vendos rikthimi i tij në krye të Ministrisë së Arsimit. Qe anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris.

Udhëhoqi Revolucionin e Qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së Revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, ra viktimë e një atentati.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com