Marko Kepi nis fushatën për Senatin e Nju Jorkut Mbështetur nga Përfaqësuesit Republikanë në Bruklin

Rafaela Prifti

Marko Kepi shpalli publikisht kandidaturën e tij si republikan për Senatin e shtetit të Nju Jorkut në mjediset e lokalit Tatiana Grill në lagjen Brighton Beach, në Bruklin, të dielën në mesditë. “Kepi është kandidati i cili ka zyrtarisht mbështetjen e Partisë republikane, tha Kryetari i Degës së kësaj partie për Bruklinin, Ritchie Barsamian. Në hapjen e fushatës për garën senatoriale Marko Kepit i qëndronin në krah politikanë të cilët kanë qenë në parlamentin e Nju Jorkut për vite me radhë si Senatori Marty Golden (2003-2018), si edhe ligjvënës të rinj si anëtari i Asamblesë Alec Brook-Krasni, deputeti Michael “Misha” Novakhov i zgjedhur në nëntor 2022.

Folësit e vlerësuan Kepin si kandidat me cilësitë dhe përgatitjen e nevojshme për të fituar një vend në Senatin e Nju Jorkut, i cili është dhoma e lartë e legjislaturës, me 63 senatorë. Kepi, i cili ka qenë i angazhuar në veprimtari politike të komunitetit shqiptar në Nju Jork, tha se ka dashur të jap kontributin e tij në realizimin e “ëndrrës amerikane” sepse beson tek ajo dhe se ai vetë ka mësuar shumë se si të përfaqësojë interesat e elektoratit qysh nga koha kur ndihmonte në zyrat e Bruklinit të Senatorit Golden.

Sipas rregullave zgjedhore, fushata e kandidatit fillon me plotësimin e peticioneve dhe mbledhjen e fondeve. “Duke pasur një senator republikan, ne kemi mundësi të pengojmë supermaxhorancën e demokratëve në kryeqytetin tonë, Albani,” thanë folësit, duke nxitur të pranishmit të përkrahin Marko Kepin. Anëtarë të shoqatave, aktivistë të rinisë, banorë të zonës Brighton Beach, përfaqësues të komunitetit pritën me duartrokitje kandidatin republikan Marko Kepi.

Marko Kepi është bashkëthemelues i shoqatës Rrënjët Shqiptare, e njohur për organizimin e paradës shqiptare në parakalimin vjetor të kombësive të Nju Jorkut. Ai ka kryer studimet për Drejtësi Kriminalistike dhe është anëtar i forcave rezervistë të marinës (USMC) nga viti 2017. Kjo është e dyta herë që garon për Senatin e Nju Jorkut.

Kepi dhe folësit theksuan se partia republikane qëndron e bashkuar – një temë me shumë rëndësi në këtë kohë për republikanët. Mbrëmë u mbajtën primaret e partisë në Karolinën e Jugut në vazhdën e shteteve që votojnë për kandidatin presidencial. Presidenti Trump (2016-2020) kërkon mandatin e dytë në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti dhe ish-guvernatorja e këtij shteti Niki Heili mandatin e parë. Në votimet e mbrëmshme Trumpi mori 59.8 për qind dhe Heili 39.5.

Anëtari i Kryesisë së Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Paulin Marku, Kryetari i degës Hudson Valley, Gëzim Nika(Mjeshtër i Madh), anëtare e Këshillit të Vatrës, Ambasadore e Kulturës Shqiptare në diasporë, Angjelina Nika(Mjeshtër i Madh) shprehën mbështetje në hapjen e fushatës sot për Marko Kepin si kandidat për Senatin e Nju Jorkut.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com