Lufta e parë Ballkanike 8 tetor 1912, dhe prapaskenat ogurzeza në dëm të integritetit territorial të Shqipërisë

Më 8 tetor 1912, në trojet ballkanike fillonte një nga luftërat e shumta, që mbeti në histori me emrin “Lufta e parë Ballkanike”. Ndesheshin: Lidhja ballkanike e përbërë nga Bullgaria, Greqia, Mali i Zi e Serbia, që duke lënë mënjanë sherret ndërmjet tyre, kishin vendosur ta varrosnin të sëmurin e Bosforit –Perandorinë Osmane. Pra synimi ishte përzënia e Perandorisë Osmane nga Shtetet e Ballkanit.

Luftimet nisën më 8 tetor të vitit 1912 në kohën kur Mali i Zi shpalli luftën dhe trupat e saj shkelën kufirin shqiptar. Ditën tjetër forcat malazeze sulmuan pozicionet otomane në malin e Planiçës, i cili ngrihej mbi qytetin e Shkodrës.

Pasi forcat malazeze depërtuan matanë mbrojtjes inekzistente turke në Shqipërinë Veriore, Vendet tjera të Aleancës Ballkanike pritën edhe një javë e pastaj u hodhën në mësymje masive në pjesë të ndryshme të territoreve osmane.

Ndërsa në Shqipëri vlonte kryengritja për liri e pavarësi po nga Perandoria Osmane, palët aleate i dërguan ultimatum qeverisë turke, duke kërkuar zbatimin e reformave në Maqedoni. Qeveria turke, që iu përgjigj me luftë, në pak ditë do të pësonte një disfatë, e cila habiti e tronditi Evropën.

Brenda këtij konteksti kohorë dhe historik, duhen kuptuar edhe thirrjet e atdhetarëve brenda e jashtë, që shqiptarët në këtë luftë të qëndronin në anën e Perandorisë; ndërkohë që Ismail Qemali shpejtonte drejt Vlorës me sigurimet ndërkombëtare për pavarësinë që u arrit më 28 nëntor, kur Lufta e pare Ballkanike ndodhej në kulmin e saj. Kulmimet e ngjarjeve të asaj kohe ishin të jashtëzakonshme, ngado ziente dhe fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve ishte në një moment kritik.

Menjëherë pas disfatës osmane, ushtria serbe marshoi drejt Shqipërisë, në sa përgatiteshin prapaskenat më ogurzeza të historisë së kombit shqiptar, për t’i ndarë trojet shqiptare ndërmjet Serbisë e Greqisë. E kjo tragjedi nuk do të përfundonte bashkë me këtë luftë! Madje do të fillonte. Me nënshkrimin e Traktatit të Londrës, në përfundim të konfliktit, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova, mjaft toka shqiptare në Maqedoni dhe Çamëria, që mbetën burim për konflikte të reja ballkanike.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com