LIRIA DHE UNË

Kastriot Fetahu

-Ese-

mendjen time fjala liri qëndron si një flamur i ngulur në majën më të lartë të botës, Everest.

Kur babain e shokut tim në vitet e shkollës e burgosën me nenin famëkeq 55, përjetova një luftë të madhe me turmat, zhvilluar brenda vetvetes, ku zëri i brendëshëm, që i ngjante tingujve metalikë pa emocion dhe pa ndryshim intonacioni të një kukulle kineze me kurdisje, ishin ato me sloganet e tyre të thëna pa ndërgjegje.

I frikësuar nga mungesa e lirisë së mendimit, e mbroja me tërbim atë dhe dyzimi se më kuptonin në këtë luftë, më ndiqte si hije mëngjesi.

Liria e turmës trupëzohej në vringëllima armësh shoqëruar me këputje kokash, nëse nuk do të ishe një hallkë e zinxhirit të tyre, më dukej se ata e bastisnin lirinë, sikur zhvillonin pogrome kundër saj, që të na trysnonin ta braktisnim atë edhe në mendim, pasi mjaftonin spektaklet e lirisë nën grushte proletarësh e vështrime kritike të buzëqeshura diktatorësh e nëndiktatorësh në festa histerike.

Liria në mendimin e tyre ishtë një e përdalë, që degjeneronte rininë dhe popullin e lumtur!!

Po unë sikur i ngjaj një salmoni, që ekziston vetëm në lëvizjen kundër rrymës…

Kjo është një pikpamje në stilin e mendimit filozofik të John Lock, që thotë se -Liria natyrore e njeriut është të jetë i lirë nga çdo fuqi superiore në tokë dhe të mos jetë nën vullnetin ose autoritetin legjislativ të njeriut!-

Ne kemi lexuar për lirinë, e ëndërronim atë, festojmë ditën e lirisë dhe shpresojmë për liri, por çfarë konceptojmë me të?

Liria është një gjendje shpirtërore, një e drejtë të bësh zgjedhje, të jesh vetvetja, fuqia për të folur dhe vepruar për atë që mendon, një ngasje antikonformiste brenda vetes, rimishërim i teorive që nga Platoni e deri tek Fromm…

Liria është edhe sovranitet e pavarësi në kuptimin e saj për një komb, liria është…

A është liria e pakufizuar?

Nëse jo, pse e quajmë liri dhe jo me një emër tjetër?

Kush i cakton kufijtë e lirisë dhe formën e saj?

Po liria në diktaturë, a ka kuptim ekzistencial?

Asnjë vlerë nuk është më e ngarkuar me kuptimin sesa ajo e lirisë, na mëson Sokrati.

Ty të pëlqente Çelentano dhe ata të akuzonin si armik të Partisë për kaq gjë…

Bibla… opium për popullin.

Ti nuk ishe i lirë të lexoje “Çifutja e Toledos”!!

Një roje i vobektë edhe mendërisht, me pasthirrma të shkarravitura akuzoi një inxhinier për devijim nga vija e Partisë se mbante… pantallona me xhepa pllakë!!

Kur isha buzë detit shikoja në horizont dhe nuk i thoja askujt se unë fantazoja për botën matanë tij.

Italia… ata nuk jetonin të lirë, po nën prangat skllavëruese të kapitalit!!

Çfarë marrëzish prodhon histerizmi i turmave nën diktaturat!!

Pse pushteti komunist kishte shumë frikë nga liria, sa besonte më shumë tek njerëzit e pashkollë dhe jo tek ata që mbaronin shkollat e tij?

Ai që urren veten e tij nuk është i përulur, citoj Emil Cioran. A e urreja veten pse kisha lindur në një vend diktatorial?

Në një vend që shkëlqejnë bajonetat dhe tunden grushte diktatorësh në ajër para turmave të ekzaltuara dhe të manipuluara prej tyre, nuk ka kurrë liri.

Liria e mendimit dhe e shprehjes është dinjiteti individual i inkuadruar në një shoqëri të lirë dhe të barabartë.

Diktaturat kanë liri kombëtare, si vende sovrane, por jo liritë politike dhe ato individuale.

ARKËMORTI I LIRISË JANË DIKTATURAT!i

A ishin athinasit e lashtë, vendi ku lindi demokracia dhe liria si koncept i sotëm, qytetarë më të lirë se sa qytetarët e sotëm në botën demokratike?

Po shteti dhe ligji janë përcjellës të lirisë?

Jo rrallë herë, kur kam medituar për lirinë, në horizont më është shfaqur piktura “Liria në barrikadë” e Eugen Delacroix, një imazh i fuqishëm dhe ikonik, që shërben si simbol i lirisë dhe vetë liria si gjaku i demokracisë.

Kur isha fëmijë edukatoret e kopështit na detyronin të flinim gjumë pas dreke. Nuk e harroj, se ishte një gjë që nuk e doja.

Po sot pyes pse të mos më “burgosnin” me liri dhe unë të mund të zgjidhja me dëshirë gjumin?

E vuaja atë pjesë, po aq sa vuaja edhe më vonë, kur vazhdoja shkollën, një orar të çuditshëm në shtëpi të vendosur asokohe masivisht si një rregull ortodoks, që ora 22.30 duhej të ishte ora e gjumit me detyrim!!

Fikja e dritës elektrike krijonte një ankth të lehtë, i cili kishte të bënte me mungesën e lirisë.

Në orët e vona asokohe dëgjoja programet e radios, ku jepej zakonisht muzikë klasike.

Vetëm pse fikej drita dhe radio, fillova ta doja atë muzikë dhe se Mozart, Beethoven, Jozef Hajden, Bach e të tjerë u bënë idhuj për mua, jo se i kuptoja saktë, po sepse më ndalohej ti dëgjoja.

Kështu lindi adhurimi për muzikën klasike.

A derivon në një lloj dashurie të verbër, dëshira jonë për gjërat që na privohen nga mungesa e lirisë?

Ishin kohët kur uvertura “Egmont” e Bethoveen ishte më e preferuara për mua, më mbushte me frymë lirie, një kompozim i dramës me të njëjtin emër si titull i mendjes më të ndritur sipas Einstein, Johann Wolfgang von Goethe.

Historia e Egmont është një kumt për lirinë dhe çlirimin kombëtar, por edhe për një hero që vdes për kauzën e tij. Në shekullin e 16-të, Konti i Egmont ishte një fisnik holandez që udhëhoqi rezistencën flamande kundër sundimit spanjoll të Holandës. Atij iu pre koka në tregun e Brukselit në vitin 1568.

Nga adhurimi për muzikën klasike më lindi dëshira që të mësoja të luaja në piano, po kurrë nuk ma plotësuan këtë dëshirë dhe as më pyeti ndokush, duke më detyruar të zgjidhja kursin e shahut nga alternativat e pakta që na ofruan në pallatin e pionierëve!

A mos janë hobet tona dëshira të munguara nga fëmijëria e hershme, si rezultat i mungesës së lirisë së zgjedhjes sonë personale?

A është liria e munguar një derivat i fenomeneve të caktuara shoqërore, që vijnë nga pamundësia jonë në zgjedhje?

A do të isha sot një shkrimtar apo filozof i mirë nëse do të studioja në degët e fakultetit që doja në atë kohë të diktaturës komuniste?

Në kohën e studimeve universitare shikoja me një lloj zilie, për lirshmërinë që kishin, disa studentë dhe studente kryesisht nga Tirana, (i quanim të jashtëm).

Ata ishin të rrëmujshëm, me instikte që i lejonin të krijonin një portret të lumtur, qeshnin me të madhe, ndryshe nga unë, që më dukej se e qeshura ishte një kujtim i largët në këtë lloj ngjyre si e atyre, ata ishin si James Steerforth, (romani “David Copperfield” i Dickens), ku mund të “gjuanin” gjithmonë një “Emily” nga rrethet, ndërsa “Ham Peggotty” do të ishim ne, studentët e rretheve…

Edhe këtu liria, (liria e studentëve ekzistonte realisht në një madhësi segmenti të këtij spektri), ishte me vlera të ndryshme dhe ngjyra të caktuara mbi bazën gjeografiko-politike.

NË MOZAIKUN E LIRISË ASKUSH NUK ËSHTË GURALEC MË I BUKUR SE TY!

Ëndrra për të qënë tiranas, që nënkuptonte një lloj lirie specifike dhe standarti më i lartë qytetar, nuk realizohej në diktaturë pa makinacione meskine që sot nuk mendohen…

Filmi “Milja e gjelbër” është nga më të dashurit për mua dhe kjo ka të bëjë me konceptin tim të lirisë. John Coffey, luajtur nga Michael Clarke Duncan, ishte i dënuar me vdekje nga një gabim i drejtësisë. Njeriu më i mirë që kam njohur si personazh filmash nuk ishte i lirë, ai u shkrumbua në kariken elektrike për një krim të pakryer dhe edhe aty nuk u ekzekutua me protokollin e burgut…

A është liria një vrasëse shpirtrash njerëzorë me papërgjegjshmërinë e tejkalimin në ushtrimin e saj?

Një inxhinier gjeolog, Kadri Rama, u dënua me burgim në kohën e diktaturës. Kur i kërkuan të bënte studimin e brezit gjeologjik të Beratit, nuk pranoi pa qënë i lirë.

E liruan nga burgu dhe punoi me përkushtim për çfarë i kërkuan!

Në romanin “Këpuca e aktorit” të shkrimtarit Visar Zhiti, ndodh e kundërta, pushteti i diktaturës e fut artistin në qeli për të shkruar artin me partishmërinë e tyre, duke i hequr lirinë defakto në kohën e krijimtarisë.

Cili është raporti i produktit intelektual, si vlerë numerike, kur njeriu është i lirë me atë kur nuk është i lirë ?

Baruch Spinoza, një filozof i famshëm nacionalist hebre holandez, që ndikohej nga Rene Descartes, Thomas Hobbes, apo Machiavelli, bëri dallimin midis vullnetit të lirë që është një iluzion dhe lirisë që mund të arrihet.

Në kohën e Rilindjes Europiane njerëzit nuk ishin aq të lirë sa ne sot e, individi nuk kishte shumë zgjedhje se si ta jetonte jetën e tij.

Gjatë Rilindjes në shekujt 15 dhe 16, kur qytetet e mëdha ofruan më shumë resurse shoqërore dhe më shumë zgjedhje e pasuri materiale për qytetarët, ndryshuan mënyrat dhe raportet e njeriut me realitetin e tij dhe punën.

Njerëzit ishin të lirë të ripërcaktonin veten, të fillonin një biznes, të fitonin të ardhura financiare dhe të përparonin në pozitën e tyre në shoqëri.

Qytetarët u mësuan me liri që nuk e kishin pasur kurrë më parë.

Roli i Vatikanit ndryshoi kur Papët lejuan artin dhe artistët e rilindjes si Michelangelo, Raffaello, Botticelli e të tjerë të zbukuronin ambientet e tij dhe tavanin e Sistine Chapell, e ndërtuar nga Papa Sixtus IV në vitet 1477-1480.

Era e lirisë dhe e ndryshimit në Rilindjen Europiane përfshiu mendimin dhe sistemin politiko-filozofik edhe me bekimin e tyre.

LIRIA NJEH VETËM DITËN E LINDJES!

Po sot, shekuj pas Rilindjes europiane?

Unë besoj Stephen Hawking dhe jo Albert Einstein në mendimin që ata kanë për ekzistencën e zotit.

Më intrigon gjithmonë pyetja se kush është më i lirë në mendimet e tij, nëse do të nisemi nga parimet e John Locke, një ateist apo një besimtar?

A ka kundërshti përballja mes lirisë dhe fesë?

A është frika ndaj së panjohurës vrasëse e lirisë?

Po Liria është një madhësi variable me kalimin e kohës, apo një koefiçent empirik sikurse Pi-grek?

Nëse do të përsëritim sot eksperimentin e Platonit me Mitin e famshëm të shpellës së tij, a do të ndryshojë sjellja e njeriut me atë të kohës së Platonit?

Po slogani i përbotshëm i revolucionit francez “Liberte, egalite, fraternite” a qëndron i pandryshuar, apo ka evoluar në përkufizime të detajuara?

Çfarë është liria në limit, e duam apo kemi frikë nga tepria e saj?

Në kohët e sotme liderë të fuqive me peshë kanë grumbulluar pushtet më shumë sesa duhet në duart e veta. Duket sikur perandoritë e vjetra kërkojnë hegjemoninë e dikurshme me kostume të reja.

Kështu Putini, Erdogani, e ndonjë tjetër.

Interesant është Benjamin Netanyah në këtë histori me “ligjin e arsyeshmërisë”, ku gjykatës supreme të Izraelit ju hoq kompetenca për të shpallur të paarsyeshme vendimet e qeverisë…

Liria është e brishtë dhe me oshilacione të dukshme kur pushteti ekzekutiv ka fuqi të mëdha, është i pakontrollueshëm dhe në një disekuilibër humori të drejtuesit kryesor të tij.

Në një rast, në Tunizi u rrëzua si president i vendit Habib Bourguiba me një grusht shteti kushtetues për shkak të shëndetit të keq mendor.

A ka mekanizma real që ndalojnë krijimin e diktatorëve të rinj e, kush do ti vajisë ata?

TË GJITHË MONUMENTET MUND TË RRËZOHEN NJË DITË PËR ARSYE NGA MË TË PAMENDUARAT!

I VETMI QË NA BASHKON ËSHTË MONUMENTI I LIRISË!

Teoria e Erich Fromm-it për gjendjen njerëzore fillon me idenë se vetë liria ndonjëherë mund të jetë shkaku i frikës dhe ankthit, duke na detyruar të gjejmë mënyra për të “shpëtuar nga liria”. Autoritarizmi, destruktiviteti dhe konformiteti automatik janë, sipas Fromm, tre mënyra se si ne përpiqemi të përballemi me lirinë që kemi frikë.

Në poezinë time “Pa frymë” shkruaj…

Smogu i lirisë më ka nxirrë lëkurën e shpirtit,

dëbora e Marsit lan rrugët,

por aortën time nuk e arrin…

Është apoteoza e lirisë së munguar…

Çfarë është jeta pa liri, apo me liri të diskutueshme?

Edhe një jetë tjetër po të kem, flamuri në Everest është përsëri i Lirisë, zhdukja e frikës nga ajo, forcimi i besimit se qeveritë janë shërbëtorë të popujve dhe jo padronët e tyre do të jenë si faksimile në atë flamur.

Le të jemi ëndrra e gjallë e shpirtrave të vdekur për liri.

“Bastija” është akoma e paçliruar plotësisht…

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com