Letër nga Vjena: Ismail Qemali dhe çështja shqiptare.Vjenë, 21 nëntor 1912

Intervistë me gazetën franceze Journal des Débats / Përkthim nga origjinali frëngjisht

Maurice Pernot

Ismail Qemal Beu, një ndër krerët më të padiskutueshëm të kombit shqiptar ndodhet prej disa ditësh në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i bënë një pritje të përzemërt dhe ku, zyrtarë të Monarkisë, pa u zhveshur nga rezervat diplomatike që ua impononin rrethanat, nuk ia fshehën simpatinë dhe interesimin për çështjen që ai mbron. Me gjithë kërkesat e tij këmbëngulëse, ai nuk mundi të pritej nga Konti Berchtold; por miqtë shpejtuan ta vënë në kontakt me disa funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vizita e tij në Budapest u bë ndërkohë që kriza austro-serbe ishte në kulmin e saj, kur çështja e konsujve krijoi shqetësime në opinionin tashmë të acaruar me qëndrimin kokëfortë të Serbisë për problemin e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një klimë të favorshme për planet e tij, ndonëse nuk dukej më pak dyshues dhe i shqetësuar.
“Do të nisem sonte për Trieste, – më tha. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij përpara ushtrisë serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Bashkë me miqtë e mi do të provojmë të organizojmë një komitet mbrojtjeje, një farë qeverie të përkohshme. Por duhet që Europa më në fund të heqë dorë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me vepra interesimin që ajo duket se ka për çështjen tonë fatkeqe. Në Austri, Gjermani si dhe në Francë e në Angli, opinioni publik është shprehur në favorin tonë; e drejta jonë është njohur njëzëri dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se përputhet jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me vetë interesat e Fuqive të Mëdha. Çfarë pret Europa për të na mbështetur? Ç’vlerë ka shpallja prej saj e së drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne të mos ekzistojmë më? Plani i serbëve është i qartë: ata djegin dhe masakrojnë çdo gjë që u del përpara; atyre nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, por duan të shfarosin shqiptarët.”
Ismaili plak uli kokën dhe qëndroi për pak çaste në heshtje. Pastaj vazhdoi: “Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjithë kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë që nuk jemi shumë të qytetëruar, sepse na është dashur të vuajmë shumë. Por, a ka arsye të pritet një pemë e cila nuk ka lulëzuar sepse i ka munguar kujdesi? Ne ishim të parët që u ngritëm pas vitit 1908 kundër pretendimeve tiranike të qeverisë së Turqve të Rinj. Duke kërkuar reforma dhe një trajtim më të barabartë, duke protestuar kundër kërkesave që nuk përputheshin me doket dhe me zakonet tona si dhe me kushtet tona të ekzistencës, ne nuk kishim si qëllim të mbronim vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive; programet tona të asaj kohe janë dëshmi e këtyre synimeve. Përpjekjet tona nuk patën sukses; ato u mbytën nga shtypja më e padrejtë dhe më e dhunshme. Popujt e Ballkanit janë bashkuar; tani ata kanë marrë në dorë çështjen që ne u përpoqëm ta mbrojmë. Dhe sot që ata po triumfojnë, lëvizja e tyre e parë është të kthehen kundër nesh. Ata i njohin synimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre; ne i shihnim ata si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim kurrë ndonjë plan për zgjerim e për propagandë; ne nuk kërkojmë veçse një gjë: që të na lënë të jetojmë në tokat ku jemi. Por këtë kërkesë ne do ta vazhdojmë deri në sakrificën e fundit. Ne nuk do të lejojmë as të na aneksojnë, as të na përçajnë e as të na mbysin në dallgën e një popullsie të huaj. Çështja e formulës politike që duhet gjetur, e qeverisë që duhet krijuar është anësore dhe tani për tani na intereson pak. Themelorja është se ndjenja kombëtare mbisundon tashmë mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, mbi parapëlqimet politike ose mbi rivalitetet fetare. Të gjithë shqiptarët, katolikë, ortodoksë ose myslimanë janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë.”
Herë pas here, Ismail Qemali përdorte fjalët “pavarësi” dhe “autonomi,” prandaj e pyeta nëse shqiptarët i kishin saktësuar synimet e tyre në këtë pikë. Ai bëri një gjest dëshpërimi: “Përse të bëjmë lojë fjalësh, – tha. Askush nuk e pat uruar më me zjarr sesa unë rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane, askush nuk ishte më i vendosur për të sakrifikuar sa të ishte e mundur që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. E gjithë revolta jonë drejtohej kundër shpërdorimit të pushtetit nga një parti, e cila vuri në shënjestër të drejtat tona dhe synonte të na eliminonte si komb. Kjo parti tashmë e ka shkatërruar Turqinë. Çfarë mbetet në Europë nga Perandoria Osmane? Tani nuk mund të shtrohet aspak çështja e një Shqipërie autonome nën sovranitetin e Turqisë. Fijet që do të lidhnin me Perandorinë një krahinë të izoluar dhe të largët do të ishin artificiale dhe të pamundura për t’u mbajtur. Prandaj, nuk është autonomia ajo që ne kërkojmë, por pavarësia, një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe që madje u ofron disave garanci të caktuara.”
Ismail Qemali e dinte se para se t’i shkoja për vizitë, kisha takuar Hussein Xhahidin, ish-drejtor i gazetës Tanin, i cili ishte larguar nga Stambolli për shkak se kërcënohej të dënohej dhe ishte strehuar në Vjenë. Më pyeti se ç’mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e shihte të ardhmen. Nuk ia fsheha se Xhahidi më kishte habitur me optimizmin e tij. Ai nuk e kishte humbur aspak entuziazmin dhe besimin e dikurshëm. Përvojën në Europë, ku kishte dështuar, do ta rigjallëronte në Azi, ku kishte më tepër shanse për sukses. Atje kishte më tepër probleme, më tepër pengesa. Armenët, sipas tij, nuk mund të përbënin një rrezik. Ata kishin shumë interesa të përbashkëta me turqit. Arabëve do t’u jepej një autonomi e madhe. Pak nga pak do të arrihej përparim, vendi do të organizohej dhe do të bëhej i begatë.
“Janë ëndrra,” tha Ismaili. “Asnjë realitet, sado i ashpër dhe i tmerrshëm nuk i zgjon dot këta njerëz. Me ngathtësinë dhe arrogancën e tyre ata prishën gjendjen më të bukur dhe më të papritur të krijuar në botë. Mendoni se çfarë simpatie dhe çfarë besimi gëzonte Turqia në Europë të nesërmen e revolucionit! Ishte diçka e paparashikuar, dukej sikur kjo kishte çliruar fuqinë e jetës dhe të energjisë, burime të pashtershme. E gjithë Europa i shprehu besimin Turqisë së re dhe i ofroi ta ndihmonte. Por ata nuk e kuptuan, nuk ditën aspak ta shfrytëzojnë rastin. Sa herë u përpoqa t’u hapja sytë, u lutesha të mos i humbisnin përfitimet nga kjo situatë e veçantë që nuk do të vinte më kurrë; nuk do të ishte vetëm partia e tyre që do të përfitonte, por e gjithë Perandoria. Brenda pak muajsh ata u armiqësuan me të gjithë botën; Fuqitë e Mëdha u trajtuan prej tyre me një mospërfillje të padëgjuar, ndërsa neve na kthyen kurrizin. Brenda perandorisë, kombësitë, të kërcënuara për ekzistencën e tyre nga një politikë qorre dhe e egër, nuk mund të ëndërronin gjë tjetër përveçse çlirimin nga një zgjedhë që po u bëhej e padurueshme. Rrjedhojë e gjithë kësaj ishte historia e ditëve të fundit, e cila pa dyshim ende nuk kuptohej qartë prej tyre.”
Kur po bëhesha gati të largohesha, Ismail Qemali më shprehu edhe një herë me këmbëngulje shpresën e tij se Fuqitë e Mëdha të Europës do t’i mbështesnin seriozisht kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej mjaft i kënaqur nga atmosfera që kishte gjetur në Austro-Hungari, mjaft ndryshe nga ajo që shprehte prej disa ditësh shtypi italian. “Shtypi, – i thashë, – nuk pasqyron gjithnjë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj.
Foto: memorie.al

(Marrë nga libri “Pavarësia”, Ilir Ikonomi 2012)

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com