“LAJMTARI I TË MËRGUEMIT”, LAJMËTARI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

Sokol Paja

“Lajmtari i të Mërguemit” organi zyrtar mediatik i Bllokut Kombëtar Indipendent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën pjesë në historinë e lavdishme të antikomunistëve shqiptare, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për një Shqipëri pa komunizëm. Ky organ mediatik në vetvete zë një vend të konsiderueshem në historinë e medias shqiptare në diasporë dhe në historinë e shtypit shqiptar.

Veprimtaria e patriotëve antikomunistë në mërgatën e Amerikës përbën një aspekt të rëndësishëm historik të kësaj mergate e cila meriton që të ekspozohet dhe të studiohet më shumë nga ekspertët e shkencave politike dhe të medias shqiptare. “Lajmtari i të Mërguemit” ishte një zë potent dhe përbashkues për kauzën e shqiptarëve të mërguar dhe antikomunistë. Ishte një media që mbajti gjallë dhe bashkoi veprimin patriotik, publicistik, kombëtar e atdhetar shqiptar. Kjo media bashkoi energjitë patriotike dhe penat intelektuale, mendjet më të ndritura të mërgatës së Amerikës e jo vetëm duke u kthyer në një tribunë veprimi, lirie e shpresë për ëndrrën e shqiptarëve të mërguar: një Shqipëri pa komunizëm.

Kapacitete intelektuale shqiptare të njohura e të promovuara ndërkombëtarisht, nëpërmjet trajtesave të veçanta në botimet e tyre, përbëjnë një model ekskluziv që “Lajmtari i të Mërguemit” edhe sot kur e shfleton ndjen një krenari të veçantë për rolin e kontributin për shqiptarinë, peshën e mendimit, forcën e argumentit, thellësinë e trajtimit e mbi të gjitha depulesën e amanetin për kauzën kombëtare. Si botim i Partisë Antikomuniste Shqiptare, “Lajmtari i të Mërguemit” mbetet një enciklopedi në historinë e medias që në trojet shqiptare njihet fare pak.

Nëse do të stiduosh e vlerësosh punën dhe përpjekjet historike të një mërgate, shqyrtimi i medias fakton dhe evidenton gjithçka. “Lajmtari i të Mërguemit” nëse marrim në shqyrtim vitin 1987 në numrin 19-të arrin të kuptosh rëndësinë e këtij organi mediatik, peshën intelektuale të mërgatës, fuqinë e veprimtarive, çështjet e ngritura e mbi të gjitha patriotizmën që ka qenë frymëzim në të gjitha aktivitetet kombëtare e komunitare e antikomuniste të mërgatës së Amerikës.

“Lajmtari i të Mërguemit” në të gjitha faqet e tij përshkruan me detaje: Aspekte të veprimtarive të Bllokut Kombëtar Indipendent, trajtesa nga personalitete dhe rreth figurave kombëtare si Ndue Gjomarkaj, Dr.Ismail Vërlaci, Dr. Fuad Myftija, Ing.Viktor Darragjati, Petro Vuçani, Prof.Rexhep Krasniqi, Jonuz Ndreu, Qazim Emra, Zef Mirakaj, Ahmet Nezaj, Enver Bakalli, Gjon Buçaj, Gasper Shkreli, Ago Agaj, Xhevat Kllajxhiu, Zef Nekaj, Dr.Isuf Luzaj, Xhevdet Blloshmi, Adem Hodo, Tahir Kolgjini, Çesk Ashta, Prelë Bajraktari, Gjon Kadeli, Imam Isa Hoxha, Imzot Zef Oroshi, Don Rrok Mirdita, Baba Rexhebi, etj përbëjnë një elitë kombëtare intelektuale të pa zëvendësueshme me ndikim historik në mërgatën e Amerikës dhe në mendimin politik shqiptar në diasporë.

Përveç trajtesave të kalibrit të lartë shkencor, intelektual, aktivist, albanologjik e patriotik, “Lajmtari i të Mërguemit” i kushton rëndësi ngjarjeve të komunitetit shqiptar në Amerikë, ngjarjeve fetare e figurave të shquara fetare, nekrologjive të ndryshme rreth personaliteteve të spikatura kombëtare, reportazheve komunitare, çështjes së Kosovës, antikomunizmit e persekutimit fetar në Shqipëri dhe aspekte të mërgatës në Europë e specifikisht njoftime rreth anëtarëve të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Lajmtari i të Mërguemit” ashtu si mërgata e Amerikës përbëjnë krenari kombëtare, histori të lavdishme e të qënësishme idenditare, e përpjekje të pashtershme për komb, atdhe dhe çështje kombëtare.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com