KUTELI, VËSHTRIME NGA KËNDE TË NDRYSHME TË NJË PROZE MJESHTËRORE

Kosta Nake

Atdhetarë dhe mercenarë te novela “Më kot”

Novela “Më kot”, e vendosur në një truall sa real aq edhe legjendar, duke ftuar në skenë figura historike dhe karaktere letrarë, na trondit me fatin dhe misionin e shqiptarëve në Gadishullin e trazuar Ilirik. Ndjesia bëhet edhe më e madhe kur autori te trojet dhe heronjtë jo vetëm që përfshin edhe trevën e Devollit, por i vendos në fokusin e vështrimit të vet. Duke lexuar shënimet përmbyllëse të vëllimit të parë, gjen dy të dhëna që koincidojnë me përmbajtjen e kësaj novele: e ëma e Kutelit ishte nga Devolli dhe ka ndikuar me rrëfimet e saj në krijimtarinë e Kutelit; Vasil Tromara që përmendet këtu, kishte qenë mik i familjes Kuteli.

Sipari i ngjarjeve hapet me Xhezarin e plagosur rëndë, që duke ardhur në vete, mjedisin që e rrethon, e identifikon me një luadh të vendlindjes, pastaj, kur bashkë me mendimin kthjellohet dhe shikimi, e gjen veten në fushën e luftës, mes kërleshjes së të vrarëve dhe të plagosurve. Çuditërisht, fusha e luftës nuk është në Devoll, as në Shqipëri, po më larg, aty ku përzjehen gjuhët ballkanike, sepse shqiptarët kanë luftuar dhe janë vrarë duke u rreshtuar në rradhët e ushtrive të huaja për interesa që jo vetëm nuk kishin lidhje me brothtësinë e atdheut të tyre, por mund t’u shërbenin pa dashur planeve shoviniste. Ky mjedis politik i kohës vjen gjuhësisht me një inventar të madh fjalësh turke, si: redif, mylazim, yzbash, bimbash dhe një tok komandash ushtarake. Janë mercenarë të paguar, apo njerëz të mashtruar, kjo ndriçohet vetëm kur bien në kontakt me ata që në tatëpjetën e perandorisë turke, filluan të aspirojnë për lirinë e Shqipërisë. Se për çfarë bëhej lufta, e zbulojnë emblemat dhe fjalët në fushën e betejës: “Andej – bajrak bojëqielli, me vija të bardha, me kryq; këtej – bajrak i kuq, me hënë të bardhë. Edhe një bajrak jeshil… Andej “embros”, këtej “ilderëm.” (f.131)

Fshati i Xhezarit nuk përmendet me emër, por ai ndodhet diku në rrugën që kalon nga Dishnica drejt Bilishtit, me kënetën e Maliqit aty pranë, me erën e e fortë të malit të Lenies, një fshat nga ku duken majat dhëmbë-dhëmbë të Malit të Thatë. Kur Xhezari vjen në vete herën e dytë, autori zbulon kuadrin historik që ka paraprirë këtë luftë të përmasave të mëdha: “Kanë dalë ca njerëz që i thonë vetes “shqipëtarë” dhe kanë sjellë një fjalë të re: liri. Për këtë fjalë luftojnë, për këtë fjalë vrasin e vriten… Nuk duan festen e kuqe, nuk e duan hënëzën me yll…” (f.125)

Novela merr një kthesë të plotë historike kur këtë lëvizje të re me karakter kombëtar e ilustron me çetat e Spiro Bellkamenit dhe Qamil Panaritit, kur përmend çetat në Kolonjë, Gorë dhe Frashër, pastaj ndalet te ngjarja e gushtit 1912 kur Themistokli Germenji me Dalip Përmetin dhe Vasil Tromarën kryen atentatin ndaj Rexhep Pallës, komandatit të ushtrisë turke për Korçën, si shpagim për masakrimin dhe vrasjen e gjashtë luftëtarëve shqiptarë, që njihen si gjashtë dëshmorët e Orman Çifligut. Xhezari kujton emrat e heronjve që i pati njohur: Bajazit Rehova, Nuçi Lapi, Kristaq Karafilaku. Pastaj shtohen edhe Odhise Pjasto, Kristaq Kosturi dhe Kostaq Furrxhi. Xhezari e pati njohur edhe Vasilin se ishte nga Qyteza, prandaj bashkë me aksionin i vjen parasysh edhe portreti i atij trimi: “qepallëbardhë, me ca sy të hirtë, i hollë, pa mustaqe, as i gjatë, as i shkurtër.” (po aty)

Edhe pse nuk është objekt i novelës, autori e shfrytëzon udhëtimin e detyruar për mobilizim ushtarak të Xhezarit redif që më pas bëhet suvari, për të hedhur dritë mbi trojet shqiptare dhe ngulimet e tyre. “Follorina i ngjante Korçës. Në pazar, në udhët – në të hyrë e në të dalë, këtej e andej lumit – valonte shqipja.” (f.128) Kur mbaroi lufta dhe Turqia u mund, atje në Tarabulluz Xhezari shkon te xhamia Jeni e shqiptarëve. “Aty pothuaj tërë lagjja flet shqip. Atij i bëhet zemra mal kur dëgjon fëmijët që thërresin e shajnë shqip. Edhe gratë shqip flasin.” (f.129) Kishte shumë shqiptarë që ishin futur në radhët e ushtrisë greke nga Thesalia, Maqedonia, Epiri, Kosturi, Follorina, Vodena. Edhe Pilua ishte shqiptar nga Athina, nga ata që grekët i quanin brabaç. “Tërë fshatrat rrotull Athinës janë brabaçe,” i thotë sinicari Guri devolliut tjetër Xhezar. (f.138)

Ngarkesën më të madhe emocionale e merr skena e përleshjes në afërsi dhe trup me trup, kur luftëtarët, jashtë urdhërave të eprorëve, komunikojnë shqip. “Armiku ra duke thirrur: Bjeri, Pilo. Më vrau turku!… Një djalosh i gjatë, kaluar mbi një kalë çil, klithi: Erdha Guri!” (f.132) “Xhezari dëgjoi, si nëpër ëndërr, të thirrura turçe e grekçe, po më shumë shqipe, nga të dy anët e valëve që përpiqeshin të tërbuara, shqyeshin njëra me tjetrën: Bjeri! Na! Ah, qen! Qen, qen! O, nëno!” (f.133)

Shqipja ridëgjohet në sheshin me të vrarë e të plagosur: “Ujë! U-u-ujë…” (po aty) “Të solla ujë, – i tha Xhezari… Ai tjetri zgurdulloi sytë… Një turk me hënë në ballë po i jep ujë. Dhe i flet shqip! – Pi i tha Xhezari së dyti. – Jam shqiptar.” (f.135) Ishte Guri nga Sinica që luftonte për ta bërë Korçën Helladhë. Pilon e vrau shoku i Xhezarit nga Kosturi. Xhezari rrëzoi me shpatë Gurin. Guri e qëlloi Xhezarin duke i hapur dy plagë. Zbulimi i kësaj të vërtete të hidhur përmblidhet të fjalia që i ka dhënë edhe titullin tregimit: “U vramë e u premë vëlla me vëlla. Më kot…” (f.139)

Xhezari e kishte patur një rast për të hapur sytë e atdhetarit kur ishte në kazermat e Selanikut dhe një shqiptar nga Kosova u ishte drejtuar të gjithëve: “O vllazën! Ne jomi shqyptar, s’jomi tyrk! Pra të luftojm për Shqypni, për atdhe! N’Kosovë zin pushka. Hasan Prishtina, Bajram Curri e Isa Buletini po luftojn për Shqypni…. Merrni ene ju armët e hajdeni të ikim. Të vdesim për Shqypni! Për atdhe!” (f.141-42) Atë ndërgjegjësim që nuk e bëri atëherë, Xhezari e arrin gjatë përçartjeve nga plagët që ftoheshin në kufirin mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës. “U mblodhët, vëllezër? Haj, nisuni. Për Shqipëri! … Ushtarët nxjerrin thikat dhe diç presin nga kapat. Bien poshtë hënëzat e turkut dhe kryqet e grekut. Vendin ua marrin shqiponjat, ashtu siç kishin pasur në kësulë Bajazit Rehova e Nuçi Lapi.” (f.147)

Grekët mbledhin të plagosurit, por nuk ka ndihmë për Xhezarin dhe Gurin dhe mbeten të dy në fushën e një beteje që nuk ishte e tyrja.

Marrëdhënia e egër e njeriut me natyrën

Kur lexon titullin “Lumi i madh” mendja të shkon menjëherë te një prurje uji që i jep jetë e bukuri jo vetëm natyrës, por edhe komunitetit që jeton pranë tij. Shumica e lumenjve të Shqipërisë burojnë në malet e lindjes dhe derdhen në detet e perëndimit, por Shqipëria shtathollë në aksin veri-jug, nuk ka hapësirat e gjera për të mbajtur lumenj të gjatë e të lundrueshëm, prandaj përcaktimi “i madh” është sipas psikologjisë shqiptare që e quan “lumë” edhe një përrua që mbledh ujin e dy-tre burimeve dhe ka guximin ta çojë deri te dega më e afërt e një rrjedhe tjetër. I tillë është edhe Lumi i Madh i Kutelit që modestisht derdhet jo në det, po në liqenin e Poradecit. Përkundër shtatit të shkurtër, shtrati i tij është mjaft i pasur: Merrte fill nga kronjtë e largët të Hijes së Zezë, çante grykën e Krushës, hidhej nëpër shkëmbenj, shtohej me ujëra të tjera, jazi i hynte në pjesë për të çuar ujin në mulli, çante udhë përmes arave, gurgullonte midis drizash e kulprash, kërcente rrasë më rrasë, shkonte nën vigun e udhës së Mokrës, merrte nën urën e Nackës. Kaq mjafton për ta përmbushur misionin e vet jetëdhënës, por kur zbret te qendrat e banuara, fillon marrëdhënia e vështirë me njerëzit. Në të dy brigjet banorët fillojnë të zgjerohen mbi shtratin e tij dhe Kuteli nuk përton të numërojë një për një të varfër e të pasur që verbohen pas një pëllëmbe tokë, kurse zullumqarët i bëhen ortakë lumit duke ndërtuar edhe mbi shtratin e tij.

“Lumi nuk iu qa gjykatores se e dinte se hante rryshfet, por i duroi të gjitha.” (f.155) Ja, rrëfimtari gjen rastin dhe fut kunjën e parë, sepse mbrojtja e lumenjve nuk mund të jetë thjesht raport individual i njeriut me natyrën. “Njerëzit e kishin bërë lumin kutullaç, si litarin në thes e si të drejtën nëpër nenet e ligjeve.” (f.159) Ja ku erdhi erdhi kunja e dytë, sërish për pushtetin gjyqësor. “Kjo botë paska shumë të palara e të gjitha i hedh në lumë.” (po aty) Këtu goditja është e përmasave të mëdha dhe tepër e kapshme për ditët tona, kur lumenjtë janë shfrytëzuar egërsisht dhe janë ndotur në përmasa të frikshme duke zhdukur gjallesat ujore brenda dhe pranë tyre. Ndërhyrjet në shtratin e lumit shoqërohen edhe me prerjen e malit dhe hapjen e shesheve për vërshimin e rrëkeve, me djegien e korijeve dhe gështenjave për të bërë vreshtë e për të zgjeruar kullotat. Atëherë autori e personifikon lumin duke i dhënë gojë për të folur: “Kur bjenë shira të rrëmbyera, s’kam ç’bëj e doemos do mbushem majë më majë, do bëj kërdinë… Hapmë udhë, se po s’më hape ti, do ta hap vetë.” (f.159) Kjo ndodhi vërtet një vjeshtë dhe lumi “e bëri fora, me pallë në dorë”, nuk u kufizua me hapjen e shtratit, por edhe me shkatërrimin e shtëpive, mbytjen e bagëtive dhe humbjen e jetëve njerëzore.

Mesazhi është i qartë, por ka rënë në veshë të shurdhët. Etja për fitime ka sjellë shkatërrimin e pyjeve, mbushjen e shtratit të lumenjve jo vetëm me mbetjet e oborreve, por edhe me inerte. Rënia e prurjeve të lumenjve ka bërë që banesat të zbresin edhe në zonat që dikur ishin pjesë e kontrolluar ose e përmbytur prej ujërave. Situatat kritike janë përsëritur nga shkarkimet e detyruara të hidrocentraleve ose nga sasia e madhe e reshjeve të rrëmbyeshme brenda një hapësire të shkurtër kohe. Vërshime katastrofike kanë ndodhur edhe gjatë këtij viti e gjatë këtyre ditëve te fqinjët tanë dhe më tej.

Një karikaturë pijetarësh e punuar me dashuri

Tri dekadat e fundit, kur Shqipëria socialiste kishte marrë tatëpjetën, pijetarët e fshatit tim shënuan një përndritje të re dhe, me që rakia nuk arrinte, edhe kur në fuçi u shtuan edhe mollët e qershitë, iu drejtuan votkës, pasi mund ta përgatisnin aty për aty duke përzier alkoolin me ujë. Me ndryshimin e sistemit politik, bashkëshatarët e mi morën udhët e emigrimit duke e lënë të shkretë Llomin e Hanit dhe nuk gjetën kujt t’ia dorëzojnë stafetën. Kjo trashëgimi e pasur që ndez zjarr këngët e vallet, të bën ta shijosh maksimalisht rrëfimin e Kutelit “Fshati im e pi rakinë”, të cilin e ka bërë me aq ironi dhe elegancë, sa lexohet si një prozë poetike plot lirizëm.

Rrëfimi fillon me një deklarim që tingëllon si ato me rrahjet e gjoksit të lebërve: “Fshati im, o tungjatjeta, e pi rakinë me hov e vrull të madh që nga djepi e gjer në varr. Me kupë në dorë lind, me kupë në dorë rron e me kupë në dorë vdes. Raki nër gaze, raki nër helme e gjithë raki midis helmesh e gazesh.” (f.169)

Pjesa themelore e çështjes është kazani i rakisë. “Mund të kesh ti ara sa të mundësh, gështenja sa të lodhesh e tregëti të rëndë, me dengje – puna jote – po s’pate kazan, numërohesh fundi i fshatit e pa nder.” (f.172) Kuteli rrëfen për një periudhë kur prona ishte private dhe kooperativave nuk u ishte dëgjuar emri. Pijetarët e fshatit socialist ishin të çliruar nga ky kompleks sepse me krijimin e kooperativës në vitin 1946, prona private filloi të zvogëlohej deri te tredynymëshi dhe nuk bëhej më fjalë as për vreshta, as për kazanë rakie. Fshati kishte një punishte rakie që përpunonte mjeshtërisht rrushin e vreshtëve të sektorit, pjesa tjetër sigurohej nga rrjeti i dyqaneve të konsumit.

Në fshatin e zgjedhur prej Kutelit, lezetin e rakisë e dinin edhe foshnjat e lyrekut, sepse fshati kishte nevojë për “trima pa shoq në llogoret e kupës”, … sepse “kur rakia zbret në kusi, njeriu fluturon nëpër xhehnetet e pijanikëve.” (f.175) “Kështu e ka lëmi i rakisë. Sikujt i duket bregu shesh e deti kos.” (f.181)

Ironia rritet në grotesk kur rakia përfshin në dallgët e veta jo vetëm gratë e fëmijët, por edhe kafshët. “Edhe pak sikur të paskej pirë ky gomari i Shopit, mend bëhej njeri e këshilltar epror.” (f.182)

Autori e ka ndërtuar rrëfimin sikur ka përballë dikë, prandaj natyrshëm i duhet të kalojë nga historia e fshatit te heronjtë pijetarë dhe galeria që hap në këtë pjesë të tregimit, është mjaft e pasur: xha Trifuni që mbante dy pagure të mëdha me raki në brez, Dajo Pali që zahire të parë për dimër kishte rakinë, Shitja i cili dëshironte që gjoli të ishte i mbushur me raki dhe jo me ujë; Nuçi Shyti që u betua se nuk do të hidhte asnjë kupë raki në grykë duke u betuar për Shëndaumin, por erdhi një dervish nga teqja dhe i tregoi se mund t’i qëndronte besnik betimit duke e pirë rakinë me një copëz kashte që e fuste në poçe; Kamber Kollozhegu ishte më i famshmi se i dehu lalët, u vuri samar dhe nga një vulë katrani në ballë; i veçantë ishte Ilo Kulluzdrumi që e pinte në shtëpi e s’përzihej me njeri; lavdinë e pijetarëve e ngriti më lart kolonel Shabedin Aga me moton e tij: “Buka është për minjtë, ujët për bagëtinë, burri është për raki.” (f.196) Ky shkëlqim në fushën e pijes shënon edhe fundin e rrëfimit.

Mozaiku i fshatit shqiptar

Novela rrëfenjë “Një natë tetori” është një nga dëshmitë artistike të një stili që gatuan mjeshtërisht në magjen me brumë të vendlindjes duke rrokur brenda një hapësire kohe të kufizuar skenën ekonomike dhe politike të vendit, njëkohësisht kapërcen jo vetëm matanë kufirit, por edhe matanë oqeanit.

Ngjarjet vendosen në kohën kur Shqipëria është kthyer në mbretëri gjë që propoganda e reklamon si shpëtim të vendit nga rreziku i jashtëm dhe si hyrje në rrugën e përparimit. Në antitezë me këtë zhvillim politik autori sjell në skenë një grua të ve, Tete Ngjelon, që e zhvlerëson sakaq optimizmin e rremë. “Mbret, mbret, po si u bëhet halli qepëve të mia? Më mbetnë në derë. Dhjetarët kërkojnë pare të madhe, duan t’u shtrosh drekë e darkë.” (f.214) Në këtë rast e në këtë muaj shekulli fluturon si era dhe kjo puna e qepëve merr një tingëllim aktual, pasi fermerët devollinj gjatë gjithë këtyre dekadave të tranzicionit janë ndier të braktisur nga shteti dhe të viktimizuar nga tregëtarët që luajnë me çmimin e grumbullimit të prodhimit duke përfituar nga mungesa e organizimit dhe nga frika e përhershme e fshatarit se qepët mund të përfundojnë në hendeqe. Ky rrezik nuk është imagjinar, por i deklaruar: “Bëj si të duash: kalbi qepët, hidhi në lumë.” (f.223)

Gruaja vejushë ndalet edhe te marrëdhëniet vjehrrë-nuse, si një raport i vështirë që përcillet në vite dhe sjell tre tipe të ndryshme të tyre. “Ti e di se nuset e djemve janë sprija e s’çajnë kokë për hallet e pleqërisë.” (f.255)

Familja e madhe mblidhet për të punuar së bashku për të bërë vargjet e qepëve dhe Fija, bija e Tete Ngjelos, u tregon fëmijëve një përrallë me miushë që jo vetëm kthehen menjëherë në njerëz, por u referohen të njohurve pasanikë si Ristua i Ristos, Mahir beu e Sasho beu, përrallë e mbushur me spica për deformimin e tregut që gjithë barrën e detyrimeve e shkarkon mbi fshatarët e varfër duke e rënduar pozitën e tyre ekonomike. Përralla është një improvizim i mençur dhe i këndshëm me ngjyra të ndezura folklorike që mbledh material jetësor nga fshatrat rreth e rrotull dhe më larg, si kapedanët e qëmotshëm të Alarupit, agallarët e Mokrës e të Gorës, bejlerët e Starovës, të Zagorçanit e të Poradecit. “Shtatë a tetë shtëpi kanë zaptuar tri fusha: të Starovës një, të Velitërnës dy, të Domosdovës tri. Ca janë hedhur gjer tutje në Maliq, ca të tjerë nëpër Jamën e Omeshit, kanë zaptuar kullotat. E bënë çiflig Piskupatnë, e bënë edhe Urakën. Ja shkurtuan pëqinjtë Rrajcës, e shtynë në mal. Tashi dashkan ta bëjnë çiflig edhe Peshkëpinë. Na e pinë gjakun me të dhjetat, me haraçet.” (f.250) Tete Ngjelua i tërheq vëmendjen hera-herës së bijës për kalimin nga miushët te njerëzit, por te fjalët e saj ka po aq spica ironie: “Aman! Mos u hidh në gjol, se do të teptisë uji e do të mbytë tërë fshatin e qepëve dhe kokarkave… Si do të mbetemi ne të gjorët jetimë, pa belerë? Kush do të na nxjerrë nga shtatë fasha barkut e kurrizit? Kush do të marrë të dhjetat e fshatarëve të Mokrës e Gorës?” (f.251)

Përralla me ilustrime nga jeta e fshatit prek rrethin e afërm të nuseve, prandaj Fija e fillon me shfajësim dhe u rikthehet spicave tipike me apologjinë e Sokratit: “A mos thashë unë se Ici Matua nuk ishte dora e djathtë e agajt të madh të Starovës e nuk i vriste njerëzit sikur të paskeshin qenë miza?” (f.258)

Pjesa e dytë e novelës fillon me një kthesë të papritur, pasi në shtëpinë ku janë mbledhur për të punuar vijnë mysafirë të rinj, krushku Risto me Ristovicën dhe Xexua i Xexos me Cecon, i pari si sahanlëpirës i bejlerëve e agallarëve, i dyti si bashkëpunëtor i qarqeve greke që synonin Vorioepirin me kufi deri në Shkumbin. Përballë tyre autori vë “filozofin” Loli me rrëfimin brenda rrëfimit për udhëtimin e mundimshëm dhe të dështuar në pazarin e Korçës, për rromuzemëdhenjtë e atjeshëm që tallen me fshatarin e shkretë: “Ua, ua! Ky qenka më saraf se Rakua! Më i shtrenjtë se Ballauri.” (f.277)

Loli bëhet zëdhënës i zgjimit të shtresës së vuajtur duke u treguar mysafirëve të tjerë për revoltën e fshatarëve të Vllahisë. Xexua sjell përvojën amerikane të emigrimit, kopracinë e vet ndaj nevojave të “Vatrës” e “Diellit” dhe lëshimin e dorës për Sillogun grek. Mozaiku pasurohet kështu me çështjen atdhetare duke përmendur edhe rreshtimet e kundërta brenda Shqipërisë, Osman Çotën e Librazhdit që vrau shqiptarët e Kolonjës që deshën ta bëjnë vendin Shqipëri. “Shqipëri kjo! Atdhe! Kur je larg e do njëqind herë më shumë. … Kush të shan gjuhën të ka sharë nënën, tërë të gjallët e tërë të vdekurit.” (f.294)

Realizmi magjik te rrëfenja “Natë vjeshte të tretë”,

Arti i Kutelit zgjat rrënjët në përrallat popullore, pse jo edhe te përrallat arabe të 1001 netëve, dhe kjo duket te emërtesat “Natë prilli”, “Natë muaji maji”, “Natë qershori” që të kujtojnë netët e gjata të dimrave të largët që mbusheshin me folklorin e pasur të popullit. Madje dy prej tyre fillojnë sipas formës tradicionale të përrallave: “na ish njëherë” (f.51), “një herë e një herë” (f.63) Vëllimi i dytë është një rreshtim netësh sipas muajve duke filluar nga marsi dhe vazhdon deri në vjeshtën e tretë. Te “Natë muaji maj” me nëntitull “I vdekuri dhe i gjalli” një nga mushtullukët e dasmës e derdh si me shaka verën e mbetur mbi një varr ndanë rrugës dhe duke u larguar kthen kokën e thërret: “O i vdekur! Mos harro se je i ftuar në dasmë!” (f.52) Dhe mrekullia ndodh: ashtu si Kostandini i legjendës së njohur, edhe i vdekuri i ftuar ngrihet e shkon në dasmë. Te rrëfenja “Rinë Katerinëza” po ashtu kemi një bashkim të dy botëve dhe përmbushet një dëshirë e realizohet një martesë mes një vajze të gjallë dhe një djali të vdekur.

Këto rrëfenja shërbejnë si paradhomë për një nivel të ri ku legjendarja ia lë hapësirën të jashtëzakonshmes dhe këtu fillojnë e shkrihen natyrshëm kufijtë mes reales dhe ireales. Sprova e parë kalon me rrëfenjën “Natë qershori” ku Bendo Shapërdani vendoset mbi një truall real, mbi një kontekst kohor dhe futet në këngët e popullit për qëndresën e pashoqe së bashku me Suli Starovarin.

Shtysë për rrëfenjën “Natë vjeshte të tretë” shërben një vit me prodhime të begata bujqësore, kur buka bie nga qielli dhe “nuk matet dot me shinik e nuk peshohet dot me kandar” (f.129), kur paralajmërohen dasma “nga ato që ha qeni petulla dhe kërcasin trarët e shtëpisë.” (po aty) Është nga ata shtatë vitet e proklamuar që në kohët biblike, risjellë këtu me një variant të ngjashëm me shtatë lopët e majme në Misir. Po para se të fillojnë dasmat, paraprijnë gostitë dhe një e tillë në shtëpinë e Zafir Kurilës vjen e shpaloset para lexuesit. Rrëfimi i parë është për të, gjyshin e rrëfyesit, i cili ishte furrtar dhe mirësia vetë, sepse u dërgonte bukë të burgosurve sipas motos: “Buka është bukë. Kur e ke, jepe, se ay që të kërkon e ka pisk, s’ta zgjat dorën më kot.” (f.135) Akti i dytë i bamirësisë së gjysh Zafirit ishte kujdesi për të fejuar një vajzë jetime, sepse “është më mirë të mblosh e të martosh një çupë jetime, se sa të ndërtosh një kishë.” (po aty) Ai niset nga fshati për në Elbasan, po grupi i udhëtarëve ku ndodhet ai, bie në pritën e hajdutëve te shkalla e Xhyrës. Ishte bamirësia e Zafirit që i shpëtoi të gjithë, sepse kapedani kish ngrënë bukën e tij kur ishte mbyllur në hapsanë.

Një linjë interesante e rrëfimit është ajo frëngut që nuk është frëng, por arbëreshi Mërtir që ka ardhur të zbulojë gjurmët e të parëve, ngarkuar plot elementë të romantizmit me rastësinë e trokitjes në derën e duhur, pikërisht te rrënjët dhe degët e fisit mbuluar nga pluhuri i kohës. Mërtiri me Rrapon e Mukes dalin që janë kushërinj. Ato kartat e shkruara në lëkurë kaprolli të ruajtura nën tokë në këllëfë argjendi që kalojnë nga duart e Mërtirit te ato të Rrapos e përsëri te Mërtiri, përcjellin mesazhin e madh që lexohet edhe sot e kësaj dite te arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë. “Mërtir frëngu i mori kartat, i puthi dhe ia zgjati Rrapos: Të tuat janë, vëlla. Se dheu është yti. Merri. Rrapo ia kthen: Dheu është imi, po një herë e një kohë ka qenë i përbashkët, i vëllazërisë. Ty të duhen këto gjëra. Falë të qofshin!: (f.154)

Atë që nuk dinte Zafiri, e dinte gjyshja e Rrapos: mani i Jaçes thuhej një herë e një kohë i mani i Mëhillit, çezma e Haxhiut thuhej kroi i Rrahut, burimi i Çardhakut thuhej kroi i Sheshit të Pjetrit. Pikërisht me këto emra kërkonte të orientohej vëllai arbëresh duke prekur njëkohësisht fatin e toponimeve të hershme.

As gazi i dasmës, as ankthi i pritës së hajdutëve, as balada e rinjohjes nuk është gjë para kërkesës këmbëngulëse të fëmijëve për të dëgjuar nga goja e Zafirit historinë e qypave të Rrapsallit që besohej se ishin me florinj. Është një rrëfim me të gjitha karakteristikat e realizmit magjik që iu servir lexuesit shqiptar para se të njihej me shkrimtarët latinoamerikanë të gjysmës së dytë të shek. XX, si Borgesi dhe Kortasari të Argjentinës, Asturiasi i Guatemalës, Fuentes i Meksikës, Márkesi dhe Mutis i Kolumbisë, Vargas Josa i Perusë, Donoso i Kilit, etj.

Një gjuhëtrashë që kishte kënduar në skoli të gjuhëhollit, vinte me gjeminë e Andonit i veshur me dolloma e me feste, hynte ne papafingua e Nastos dhe dilte i veshur me fustanellë e takije, merrte shtigjet malore në kërkim të qypave me florinj. Zafiri dhe Zyferi, djali i Rrapos, e ndjekin në afërsi dhe këtu fillon pjesa magjike e rrëfimit ku nuk e përcakton dot ku mbaron realja e ku fillon irealja. Vetëm një fragment, sepse duhet një lexim tërësor për ta kapur e shijuar këtë krijim fantastik. “Si mbaruam shkuam të flemë. Kësaj radhe nuk hymë në shpellë, po ia shtruam në një lëndinë, pranë zjarrit: unë në të djathtë, Zyferi më të mëngjër e Mustaqeverdhi në mes. Kjo natë ka qenë më e llaftarisur se e para. Me të mbyllur sytë, vinte e na pllakoste një hije e zezë, si pllane, plumb e rëndë. Kur e kur ikte hija e vinte një burrë i gjatë me ca mustaqe si fshesë e na rrihte me një topuz thane. Sa ikte ky, na bëhej sikur vinte një tufë dhish të egra, të zeza, me një cap përç në krye, na shkelmonin e na shtypnin me thundra, ktheheshin prapë, gjersa na bënë dërmajë fare. E një të blegërirë, sikur i ndiqte ulku! Më të gdhirë, si iknë dhitë e egra megjithë përç, krisi një tërmet i madh, sikur të paskej ardhur një gjë më e keqe se tellua e priftit të Llëngës (se ay thoshte që do të vinte tellua në botë, do të shterrnin kronjtë, puset, lumenjtë – të gjitha, pastaj do të dilte ay me një këmbë, me një stomnë me ujë në dorë e me një vulë në dorën tjetër: kush do të pinte ujë, do të vulosej me vulë.) Malet përpiqeshin njëri me tjetrin e nxirrnin shkëndija, prush… E një buçimë, një gjëmim që s’rrëfehen dot.” (f.167)

Pse na pushton shpesh kjo nostalgji për të shkuarën? Sepse njerëzit e kishin qesen e parave të vogël, por e kishin të madhe dashurinë e zemrës, se nuk kishin radio e televizorë, por i mbushnin netët me përralla, legjenda, gjë e gjëza e lojëra që gdhinin edhe netët e gjata të dimrit dhe duke qenë me njëri-tjetrin dhe pranë njëri-tjetrit shkëmbenin më shumë dashuri e dhembshuri.

I ndodhur mes luftrash të të tjerëve dhe mes vedi

Jemi te tregimi “Natë marsi” i vëllimit të dytë. Le të përfytyrojmë një kthim pas në kohë, plot një shekull. Një plakë krejt në të bardha zbret nga mali me një kalë të ngarkuar. Quhet Qyrana e Thodrit, por bota e quan Plaka e Bubullimës. Ka lënë fshatin e vet dhe po vjen në Liqer te shtëpia e Kote Komit, sepse Azis Gega i Dibrës i ka vrarë nip e mbesë, i ka djegur shtëpinë dhe i ka grabitur gjënë e gjallë. Me vete po sjell jo vetëm plagët e shpirtit, por edhe urrejtjen ndaj gegëve dhe një vendim të heshtur për t’u hakmarrë. Qyrana dhe Azisi kthehen në dy shqiptarë që përfaqësojnë atë luftë të brendshme që prodhon dhunë e viktima duke minuar themelet e paqes sociale. Ky adresim te gegët është një pasojë e tymnajave përçarëse apo ndonjë raport personal i autorit? Ka dhe një rimarrje kalimtare te tregimi pasues “Natë prilli” me vargun e një kënge: “Ç’i vrave gegët ç’i sose.” (f.30) Ka dhe një theksim tjetër te rrëfenja “Natë qershori”: “Bendo Kapedani me shokë m’i shpinte gegët gjer përtej Strugës!” (f.91) Edhe pse nuk përfshihet gjithë gegëria, por vetëm ajo e Dibrës, kontrasti është i fortë me vargjet: “Geg’ e tosk’, malci jallia,/ janë një, m’u da s’duron,/fund e maj’ nji asht Shqipnia/e nji bes t’gjith’ na bashkon.”

Zija e bukës dhe thashethemet që mbjellin tmerr për fundin e botës, kanë një përgjigje shprese në fjalët e Plakës së Bubullimës: Nuk ka fund të botës se kjo nuk ndodhi as atëherë kur turku bëri që gjaku të arrijë në bark të kalit. Kjo shprehje ilustrohet me një rrëfenjë për Kostandinin e Bubullimës që nuk pranoi t’i hapë rrugë turkut për të goditur latinët. Përftohet kështu një legjendë që, e paidentifikuar në kohë, sjell jehonën e qëndresës shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut, kthimin e shqiptarëve në mburojë të qytetërimit perëndimor. Te Kostandini kjo motivohet me besën e dhënë, tashmë e kthyer në vlerë të njohur botërisht. Po kjo besë e dhënë nuk funksionon si shkëmbim energjie në të dy kahet e saj. “Kostandini mbeti vetëm (se llatini dërgoi) me bekime në trajsë, ballë për ballë me turkun. E jo vetëm me turkun po edhe me gegën e egër që ish bërë një me turkun e vinte për plaçkë.” (f.18)

A nuk kanë luajtur e po luajnë Lindja e Perëndimi me besën shqiptare?

Veçori të rrëfenjave

Rrëfenjat e Kutelit janë ushqyer nga një gurrë popullore familjare, posaçërisht nëna e tij, kanë evoluar si një përpunim i përrallave dhe kanë realizuar kapërcimin e madh duke shkundur botën e nëndheshme për t’u mbathur me më shumë realizëm nga bota e mbidheshme. Ka elementë të realizmit magjik sepse karakteret kapërcejnë aty-këtu kapacitetet njerëzore dhe mbajnë në kufij sipëranë tensionin e ndodhive.

Rrëfenjat ruajnë veçoritë e ligjërimit bisedor me thirrorë dhe fjalë të ndërmjetme që i drejtohen lexuesit të tipit “ore”, “si thonë një fjalë”, “që thua ti”, “mor tungjatjeta”, “që lëre mos e nga”, “si tha ay”.

Futja e trajtave të shkurtra të përemrit vetor të vetës së parë, apo dhanorja empatike, shton një ngarkesë emocionale më të madhe: “dhe më kish një sy”, “a nuk m’u rrëkëllye kjo kokë e prerë”, “atje na mbetka njeriu edhe pa kokë”, “I lodhur si ish Bendo Kapedani m’i shpinte gegët gjer përtej Strugës.” (v.2, f.91) “Na doli një fërtymë e një rrufe e na dogji lisin ku luftoi Bendo Shapërdani.” (f.92)

Përdorimi i formave mohuese për të rritur forcën e pohimit: “A nuk i ka dalë përpara një mylazim me një kordhë në dorë, a nuk ia ka ruskosur kokën…, a nuk m’u rrëkëllye nëpër tokë kjo kokë e prerë…” (v.2, f.32)

Përdorimi i fjalëzës “pa” në vend të lidhëzave bashkërenditëse shtuese ose përmbyllëse dhe fjalëzës “ç”: “Pa na janë nisur këta mushtullukë” (v.2, f.51), “Pa na u hapke pastaj një vragë…” (v.2, f.35) “Pa kënga ç’na sillte këngën” (v.2, f.78) “A iku Ago Dajlani? – ç’më pyeste ky ustai i qosheve.” (f.79)

“Ay se ç’vazhdonte këngën e tij.” (f.80)

Veçori përbëjnë përdorimi i shtuar i pasthirrmave, urimeve, mallkimeve dhe betimeve. Mjaft i pasur është përdorimi i fjalëve tingullimituese si element ndërtues i imazhit.

Kuteli përdor format e habitores atje ku mund të përdorej e pakryera ose e kryera e thjeshtë dhe nganjëherë ky përdorim është intesiv: “Ky Simon i Mokrës… ç’paske lënë nga dora cigaren pa dredhur, ç’paske krrusur pakëz gjysmën e trupit e ç’ia paske buçitur me zë të thellë e të plotë këngës së Bedo Shapërdanit.” (v.2, f.84) “Ky Bendo Shapërdani nuk paske qarë me kujë e vaj, si gjithë robi, po na paske rrëmbyer dajlanë, na paske ngjeshur dy pisqolla brezit, na paske mbushur vezmet me barut… e na marrke ca shokë e na hapke një batare të zezë në mes të Ohrisë sa edhe pashajt iu paske dredhur mjekra…” (v.2, f.88)

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com