KUR ËSHTË HEDHUR PËR HERË TË PARË IDEA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË?

Prof. dr. Roland Gjini

Idetë dhe platformat për mënyrat e qeverisjes së shqiptarëve janë shfaqur që me fillimet e Rilindjes sonë kombëtare, ose së paku që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e më pas. Nga historianët shqiptarë është pjekur mendimi se deri në prag të shpalljes së Pavarësisë krerët e lëvizjes sonë kombëtare e më gjerë në kërkesat dhe projektet e tyre janë përqëndruar pothuaj vetëm në qeverisjen në formën e autonomisë në raport me Portën e Lartë. Kjo kërkesë ka dalë në plan të parë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), në Lidhjen e Pejës (1899), në momerandumin e Grëçës (1911), në Kryengritjet antiosmane 1911-1912, etj. Sipas tyre autonomia asokohe kërkohej në kushtet kur vendet fqinje, që kishin fituar pavarwsinw nw raport me Perandorinw Osmane, filluan të shfaqin tendenca shoviniste sidomos ndaj tokave shqiptare, ende nën sundimin osman. Prandaj shqiptarëve u duhej varësia politike dhe ushtarake nga Stambolli, për ta patur si mburojë ndaj planeve e qëllimeve shoviniste fqinje. Vetëm në vjeshtën e vitit 1912, kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, ku aleatët ballkanike u hodhën kundër Perandorisë Osmane, krerët e lëvizjes sonë të Rilindjes Kombëtare ndërruan platformë, me iniciativë të Ismail Qemalit, në dhjetëditëshin e fundit të muajit nëntor 1912, kaluan nga kërkesa për autonomi në kërkesën për pavarësi të plotë të shtetit të ri shqiptar. Ky ndryshim u shpjegua me faktin që në kushtet e fitoreve të shteteve ballkanike si Bullgaria, Serbia, Mali i ZI dhe Greqia, Perandoria Osmane po shkonte drejt greminës, ajo tashmë nuk është në gjendje të mbrojë veten e jo më tokat shqiptare. Prandaj, thoshte Ismail Qemali, shqiptarët duhet t’i dalin zot vetes e t’u tregojnë vendeve te tjera evropiane se nuk kanë të bëjnë më me Perandorinë Osmane. Kjo platformë u dëshmua se ishte zgjidhje e zgjuar dhe u finalizua me sukses nga vetë shqiptarët më 28 nëntor 1912.

Të dhënat dokumentare dëshmojnë ndryshe, ato tregojnë që ide dhe platforma për pavarësi të Shqipërisë janë hedhur vite përpara se të kërkohej kjo pavarësi në vjeshtën e 1912-tës. Lidhur me formën e qeverisjes së Shqipërisë, elbasanasi Lef Nosi ishte ai që do të evoluojë që herët nga platforma e autonomisë drejt idesë së pavarësisë. Ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike Ana Kombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party). Interesant këtu është fakti që të tre këta personalitete përfaqësojnë secili një nga besimet fetare të pranishme asokohe në Shqipëri: ortodoksinë, myslimanizmin dhe katolicizmin. Nga ky moment e më tej do të kemi përherë, të paktën që në prag të Luftës së II Botërore, përfaqësim në raporte të pranueshme të pjesëmarrësve nga besime të ndryshme në ngjarje të tilla politike, kulturore, arsimore e patriotike si tubime, kongrese, memorandume, kuvende, e deri te përfaqësues të Qeverisë së shtetit shqiptar.

Organizata politike Ana Kombtare e Shqipërisë, e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, ka qenë e pajisur edhe me programin e saj të qartë prej 24 pikash. Është për t’u vlerësuar fakti se Lef Nosi, si intelektual i kujdesshëm dhe largpamës, mbante rregullisht shënime për ngjarje e dukuri të rëndësishme të kohës. Shpesh shënimet e tij, të ruajtura me kujdes, shërbejnë si burim kryesor historik për studiuesit e sotëm. Në rastin tonë, programi dhe roli i organizatës Ana Kombëtare njihet mirë pikërisht në sajë të shënimeve të tij, të arshivuara në dosjen e lartpërmendur. Në to, Lef Nosi thekson pikat më të rëndësishme të programit, duke i zbërthyer, komentuar e sqaruar ato. Ndalet fillimisht në 5 pikat më kryesore, të cilat shprehin në mënyrë thelbësore idetë për ngritjen e funksionimin e shtetit të pavarur shqiptar. Që në pikën e parë, shteti i ri shqiptar përcaktohet si i pavarur nga ndonjë fuqi tjetër, ndërsa në pikën 2, ky shtet ideohet në formën e monarkisë, me mbret një princ nga dyert mbretërore të Evropës. Në shënimet e tij, Lefi, del hapur si përkrahës i flaktë i monarkisë, duke sjellë si shembull Norvegjinë, që kaloi nga republika në monarki me mbështjetjen e Europës. Prandaj ai thekson se “Është fat të besojmë se Evropa monarkike do t’na lejojë, në u çlirofshim, të jemi mbretëri më vete. Edhe sikur të duam të jemi ndryshe e të zgjedhim një princ jashtë këtyre dyerve, s’na dëgjojnë fuqitë e mëdha. Ndaj është mirë që gjithë burrat me mendje të pjekur duhet të kuptojnë këtë e mos largohen nga realiteti në ëndërrime e shpresa të kota”. Sa i takon hapësirës gjeografike të shtetit të pavarur shqiptar, në programin e Anës Kombëtare në një pikë më vete jepet përfshirja në fjalën “Shqipëri” të 4 vilajeteve, të Janinës, Shkupit (Kosovës), Manastirit dhe Shkodrës. Në një pikë tjetër të programit përvijohet qëndrimi që do të mbahet ndaj pakicave kombëtare, greke apo sllave, që ndodhen brenda kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. “Sllavëve e grekëve që kanë mbetur në këtë anë të kufirit mund t’u shpërblehet toka nëse duan të ikin, o mund të ndreqen me anë të një komisioni të veçantë me shkëmbimin e tokës dhe gjësë me shqiptarët e mbetur në atë anë të kufirit dhe që duan të zënë vend në mbretërinë shqiptare.” Drejtuesit e Anës Kombëtare në programin e shpallur, në një pikë të veçantë, sigurojnë lirinë dhe barazinë e shtetasve me kombësi jo shqiptare brenda kufijve të shtetit shqiptar: “Të gjithë subjektet e Mbretërisë që s’janë shqiptarë nga gjaku do të gëzojnë të drejta të barabarta me shqiptarët, do t’u sigurohet liria e pasuria.” Nisur nga modeli i shteteve monarkike moderne të Europës, në program shteti i pavarur shqiptar përcaktohet laik: “Mbretëria shqiptare do të rrijë e paanshme në fe e fetë. Çdo feje do i sigurohet lirija sipas kanuneve.”

Pikat në vazhdim, të komentuara nga Lef Nosi, paraqesin në mënyrë të detajuar organizimin e Anës Kombëtare, nga qendra (Londra) deri në degët e saj nëpër qytete të ndryshme në Shqipëri. Pika (artikulli) 11 tregon se qendër e organizatës Ana Kombëtare është zgjedhur Londra, ndërsa Lef Nosi argumenton faktin përse pikërisht ajo, duke theksuar se është “… vendi më i mirë nga pikëpamja politike, vend që garanton lirinë e paanësinë. … Grand Britania (GBR) e SHBA, e sidomos Grand Britania, është më afër Shqipërisë. Në Angli u gatua liria e grekëve, bullgarëve e shumë viseve të tjera, është ajo që drejton mendjet e botës, opinionin publik të kombeve të qytetëruara. Pra, Londra duket vendi më i mirë për politikën tonë.”

Lidhur me organizimin e Anës Kombëtare Programi parashikon që anëtarët e secilës degë në qytetet shqiptare do të zgjedhin nga një të parë (kryetar) dhe tre këshilltarë, për çdo tre vjet. Kryetari zgjedh një o më shumë sekretarë. I pari do të ketë tri detyra: a. të përhapë programin e Anës Kombëtare, b. të ndërtojë e drejtojë politikën e jashtme të Anës …, c. të mbajë disiplinën mes anëtarëve të Anës … Ndërsa këshilltarët e sekretari do të ndihmojnë kryetarin e do të kontrollojnë mbledhjen e pagesave.

Programi i Anës Kombëtare, në mënyrën e të hartuarit, nuk ishte formal e as shabllon, ai ishte konkret dhe mbështetej fort në traditën dhe psikologjinë e shqiptarëve. Prandaj në të theksohej se “Parimi themelor … do jetë besa, burrëria, drejtësia e njerëzia. Kryefjala e Anës do të jetë “energji pa shterim””, shkruhet në të.

Lefi Nosi, duke marrë përsipër të sqarojë e komentojë synimet e programit pikë për pikë, mes të tjerash, kundërshton “gojët e liga”, që flasin për përçarjen e qëndrimin e ftohtë të shumë atdhetarëve shqiptarë të dalë nëpër Evropë, në lidhje me çështjen kombëtare. Ai thekson se programi s’është i nevojshëm vetëm për të huajt, por sidomos për shqiptarët që duan të dinë se ku po i çojmë. “… kta shqiptarë duhet të dinë se kur të kërkojnë ndijmën e një vendi të huaj do ndeshen me tre pyetje: “1. Cilin keni udhëheqës? 2. Në emër të kujt flisni? 3. Cili është programi juaj? Pasi njohin programin tonë do të na ndihmojnë jo se jemi komb i vjetër, trim e i nderë, por se kërkojmë gjëra të arsyeshme e të drejta.” Duke i tërhequr vëmendjen elitës shqiptare për bashkim dhe qartësi mendimi, ai jep porosi në lidhje me programimin e lëvizjes kombëtare drejt pavarësisë: “Nëse doni të më bëni që të punoj për ju duhet të më thoni se ç’qëllim keni. Thërrisni të kërkoni ndihmën time në emër të bashkimit, por duhet të më tregoni themelet mbi të cilët më thërrisni ta kërkojmë bashkimin tonë. Këtë e bën programi, që është themeli i çdo bashkimi …”

Duhet të pranojmë që programi i Anës Kombëtare nuk u vlerësua nga një pjesë e mirë e elitës kombëtare, sidomos nga shtresa konservatore çifligare, duke ditur lidhjet e saj me Turqinë, domosdo që këta, në këtë kohë, nuk mund të ishin për shkëputje të plotë nga Porta e Lartë. Gjithashtu, në shpërfilljen që pjesa më e madhe e elitës shqiptare i bëri Anës Kombëtare, mund të ketë ndikuar edhe shpresa e tyre nga Lëvizja Xhonturke, që premtoi disa liri, deri në autonomi, për popujt e Perandorisë. Në fakt Lef Nosi, ashtu si Faik Konica, nuk besoi shumë në premtimet e xhonturqve, një arsye më shumë kjo që i shtyu ata drejt idesë së pavarësisë së shqiptarëve. Megjithatë, pranonte edhe vetë Lefi, ndoshta kërkesa drejt pavarësisë mund të jetë e parakohëshme, duke menduar se ende nuk ishin krijuar kushtet e brendshme për zgjidhje radikale, dhe duke shpresuar në ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes shqiptare, ai parapëlqente zgjidhjen e saj me rrugë paqësore. Në këto rrethana, në fillim të vitit 1908, euforia e ideatorëve shqiptarë të Londrës për pavarësi nuk gjeti përkrahje të gjerë dhe Ana Kombëtare nuk arriti të organizohej në viset shqiptare. Po këtë vit, 1908, Lef Nosi u kthye nga Anglia në atdhe.

Pas ardhjes në Elbasan Lef Nosi do të bëhet një veprimtar i flaktë i çështjeve kombëtare, si përhapjes së arsimit e shkollave shqipe, ngritjes e drejtimit të klubeve e shoqërive patriotike, pjesëmarrës në kongrese të ndryshme, botues i gazetës “Tomorri”, etj. Ai do të jetë krahu i djathtë i patriotit të shquar elbasanas, Aqif pashë Biçakçiu dhe bashkë me të e figura të tjera elbasanase do të përkrahin pa mëdyshje thirrjen e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së vendit në kushtet e Luftës I Ballkanike, ku fuqitë ushtarake të shteteve fqinje po depërtonin thellë në tokat shqiptare dhe Porta e Lartë jo vetëm nuk ishte në gjendje t’i ndalonte ato, por po shkonte vetë drejt rënies nga lufta e tyre.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com