“Kronikë në këngë” libri më i ri i Musine Kokalarit, shkrimtares së parë shqiptare

Prof. Mimoza Karagjozi Kore

Libri “Kronikë në këngë” përmban pasuri folklorike të mbledhura ndër vite nga Musine Kokalari, duke na zbuluar një anë tjetër të krijimtarisë së saj, atë të hulumtueses dhe mbledhëses me besnikëri të krijimtarisë folklorike. Fenomeni Musine Kokalari vijon të na befasojë ende me krijimet e pabotuara si dhe me prurjet e mbledhura prej saj në fushën e folklorit. Po ndërsa veprat letrare u shkruan prej saj kur ishte studente në universitetin “La Sapienza” të Romës, kënga e parë folklorike e Gjirokastërs u mblodh prej Musinesë ende fëmijë, në moshën 10-vjeçare duke dëshmuar pasionin e parë të saj, dashurinë për krijimtarinë popullore. Është e habitshme se si një fëmijë kishte vetëdijen për rëndësinë dhe vlerat që bartin këngët folklorike. Me sa duket ambienti intelektual familjar, ku Musineja u rrit, e edukoi me dashurinë për kulturën, folklorin, etnografinë, e mëkoi me dashurinë për librat, muzikën, përrallat, rrëfenjat e këto fillimisht për Gjirokastërn e saj të dashur e më vonë edhe për ato nga trevat e tjera. Musineja, burimin e parë të gjithë këtyre krijimeve folklorike që janë paraqitur në këtë botim, e gjen në bisedat e grave e tek kushdo që takonte. E vëmendshme, kureshtare, por e palëkundur në pasionin e saj iu kërkonte t’i thoshnin një këngë a rrëfenjë, të cilat menjëherë i shkruante. Ja si e përshkruan vetë të gjithë këtë proces:

“…Nuk lija rehat askënd, kunatën teksa bënte ndonjë punëdore apo mamanë teksa rregullonte shtëpinë. U bëra shoqe e ngushtë me pastruesen dhe bëja muhabet me rrrobalarësen. Nëse gjeja diçka të re e shkruaja menjëherë. Herë pas here më thoshin: – Kjo vajzë e bekuar shkon në shkollë të madhe dhe shkruan këto budallallëqe! Për çfarë të duhen? – Oh!, -përgjigjesha -Sigurisht që duhen, e dini se ç’thonë ca për ne? Që në vendin tonë nuk ka asgjë, as këngë, as vaje; në fakt ne kemi aq shumë. – Po qe kështu, unë do të të them pa fund. E kështu vazhdonin të më tregonin herë një këngë e herë një barsoletë apo një përrallë…dhe unë, në mbrëmje i rishikoja prapë shkrimet e mia e kënaqur. Në se kishim vizita atëhere ulesha në një cep dhe dëgjoja gjithë muhabetet. Është shumë interesante, vetëm të dëgjosh.”

Ky pasion, në fillim spontan, u zhvillua e u bë i vetëdijshëm për një vajzë të shkolluar e cila e kuptonte se ato përbënin një thesar kulturor që nuk duhej të lihej në terrin e harresës. Qenia studente në universitetin “La Sapienza” në Romë e vuri vajzën e re midis dy botëve, asaj moderne dhe asaj të prapambetur që kishte lënë pas. Duket se kjo e dyta e tërhiqte, dashuria për të nuk tjetërsohej nga trysnia e kulturës romane, prandaj para diplomimit, kur u kthye në Tiranë, filloi të zbulojë e të mbledhë përsëri këngë e rrëfenja popullore. Ajo vijon të tregojë se:

“Shkoja në ndonjë shtëpi, në ndonjë mjedis familjar. Mamaja e përkulur mbi djep i jepte gji fëmijës. Aty afër një vajzë e rritur gjithë kohës mes katër mureve, qëndiste me mëndafsh në pëlhurë, ndërsa më recitonte këngët. Pastaj të tjera vajza rreth meje dhe secila prej tyre thoshte atë që dinte. …Në këtë shoqëri nuk mërzitesha aspak. Gjithçka ishte e thjeshtë, e qetë, e shtruar. Në kthim, tek ecja rrugëve, gjithçka më dukej e bukur…ç’bukuri edhe në shëmtim.”

Kjo dashuri për krijimet popullore, këto kërkime në mjedise familjare midis njërëzve të thjeshtë aty ku gjëllinte jeta e vërtetë, e bënë shpejt Musine Kokalarin të njohur në rrethet kulturore të asaj kohe si vëzhguese e vëmendshme e folklorit vendas. Gjeografia e prurjeve tani i përket jo vetëm Gjirokastrës, por edhe Tiranës, Vlorës, Tepelenës, Korçës, Shkodrës dhe Shkupit.

Ndjen tronditje dhe befasohesh kur mëson se puna e Musinësë për të mbledhur me saktësi shkencore folklorike këngë, tregime, përralla nuk u ndërpre as kur ishte e burgosur. Në këtë botim, gjenden shënime të Musinesë:

Shënime dhe këngë popullore nga të Leklit (1 dhjetor 1949); Legjenda, këngë tregime (Burg, Shkodër, Maj 1958)

Skëterra ku e flaku diktatura këtë vajzë të re, të talentuar nuk ia mpiu dashurinë, pasionin për të mbledhur nga të burgosurat krijimtarinë popullore edhe në ato kushte ekstremisht të rënda. Nuk e dimë a i lejoheshin shënimet, a i shkruante në fshehtësi, por është i qartë kontrasti midis vuajtjeve e torturave fizike dhe kënaqësisë shpirtërore që ndiente nga mbledhja e tyre. Ndoshta edhe kjo punë ishte një nga burimet ku gjeti forcë morale për t’i qëndruar përballë, fisnikërisht dikaturës e burgjeve.

Në shumë raste, këngët popullore kanë qenë një mjet i komunikimit dhe i qëndrueshmërisë së një populli, duke përshkruar ngjarje historike, kushte shoqërore dhe kulturore, si dhe emocione dhe ndjenja njerëzore. Musineja i mblodhi ato kryesisht nga goja e grave, gjendja shoqërore e të cilave iu caktonte vetëm detyra familjare dhe shtëpiake, e duke qenë se lëvizjet e tyre ashtu si në të gjithë Ballkanin e kësaj periudhe, e padyshim edhe në Shqipërinë e asaj kohe, ishin të pakta, gratë ruajtën mirë të folmen dialektore, këngët e ritet folklorike e për këtë arsye këto këngë ruajnë koloritin e krahinës nga vijnë. Gratë janë zërat që rrëfejnë, janë zërat e ardhur nga kohë të ndryshme, zërat e historive të humbura që rikthehen. Sot, në saj të punës së Musinesë, këto këngë vinë në këtë botim si zëra nga e kaluara që shkëpusin fragmente nga jeta, duke sjellë kështu copa nga historia e popullit tonë.

Në vështrim së pari në këtë përmbledhje vinë këngët e epikës historike. Folklori ynë dallohet për një pasuri të madhe të epikës historike, zhanër që heroizmin e paraqet si mënyrë jetese për shqiptarët, i cili në qendër vë trimërinë, vetmohimin e heronjve popullorë si vlerë morale e një mjedisi soacialkulturor të përcaktuar mirë etnikisht. Këto këngë, në mungesë të dokumentacionit, janë ruajtur me besnikëri në kujtesën dhe ndërgjegjen popullore, janë përcjellë brez pas brezi dhe shërbejnë si kujtesë historike sot. Tematikën kryesore të këtyre këngëve e zënë përpjekjet për liri, interesat kombëtare si forcë lëvizëse drejt formimit të kombit shqiptar. Në se do të bënim një klasifikim kronologjik të këtyre këngëve, të mbledhura nga Musineja, megjithëse janë të pakta, në vështrim së pari vinë: Cikli i këngëve kundër pushtuesit turk, që me siguri i takojnë shek. XVI-XVIII; së dyti këngët për Ali Pashë Tepelenën, këngët e frymëzuara nga Lidhja e Prizrenit e ato kundër shtypjes së bejlerëve. Brenda këtij cikli dallohet kënga epike, kushtuar Çerciz Topullit dhe çetës së tij “Te rrapi në Mashkullorë”, që përbën kulmin e patjetërsuar deri më sot të këngëve epike historike të Jugut. Madje në të gjejmë dhe vargjet e panjohura më parë:

O Çeço bëre mirë/ E dëftove trimërinë/Vajte zure Mashkullorë/Koshalla prapa t’u ngjinë

Nëpërmjet këtyre këngëve mësojmë se kur Reshit Pasha vrau Ismail Benë, gjyshin e Ismail Qemalit me të pabesë në Janinë, Tafil Buzi, një tjetër trim Labërie dërgoi haberë: Turp të keni që halldupi vrau shqiptarin dhe ju s’morët hak. Gjoleka me sedrën e trimit iu përgjigj me veprim menjëherë:

Tafil Buzit të mi thoni /Gjoleka s’e turpëroi/Kaftanajnë e martoi/ Me të dia e qëlloi/Nëpër dizet milë shkoi.

Kjo ngjarje do ketë bërë shumë bujë dhe populli vazhdoi t‘i ngrejë këngën tjetër: “Shkoi, more shokë, shkoi„ ku me fjalë të tjera përsëritet i njëjti motiv, por ajo që bën përshtypje është se vështirësitë që kishte përpara Gjoleka, populli i përshkruan me të njëjtin figuacion edhe në këngën e dytë. Edhe pse këngë të epikës historike, entusiazmi i popullit për këtë trimëri, hipërbolizohet me të njëjtin varg të ngjashëm duke futur elemente të këngëve të epikës legjendare ku zënë vend trillimi, idealizimi, fantastikja:

Shkoi, more shokë shkoi /shkoi Gjolekë, spanoi/ nëpër dyzetëmijë shkoi

Këngët e këtij cikli nuk iu sillen ngjarjeve së jashtmi, por janë një zë autentik ku midis vargjeve gjen jo vetëm dëshirën e një populli për liri, përpjekjet e vetmuara e të paorganizuara mirë të trimave që veprojnë vetëm, por shpalosen dhe episode tradhtie, intriga e drama familjare, duke na dhënë të kuptojmë karakteristikat e kohës, bëmat e gjestet historike. Kështu është tragjike, por artistikisht e përshkruar bukur nga poeti popull çuarja në kalanë e Gjirokastrës së Fatimesë, gruas së djalit të Gjolekës e cila akuzohej për vrasjen e thjeshtrit, Shaqirit. Do të përbënte një fakt historik, edhe pse në përmasat e të pabesueshmes, që ndoshta gruaja e parë në vendin tonë, të jetë ekzekutuar me varje rreth viteve 1870-80. Krijuesi popullor të habit që nga njëra anë përbuz gjestin kriminal e nga ana tjetër, në çastin e ekzekutimit Fatimenë e përshkruan si një femër jashtëzakonisht të bukur, nga hiret e së cilës pashait në momentin e ekzekutimit i bie të fikët, por dhe kurajoze e cila i bie vetë karrikes me këmbë.

Shtyu skaminë me këmbë/Pashait i ra të rëndë/Gjithë thonë kemi gra/Jo si Fato Bedija/Një pëllëmbë qafë ka

Antiteza kaq të fuqishme artistike, të dhëna në pak vargje flasin për talentin e jashtëzakonshëm të krijuesit anonim, por dhe për ndikimin shokues emocional që pati kjo ngjarje në popull. Disa prej këngëve të këtij zhanri kanë në qendër jo drejtpërdrejt figurën e Ali Pashës, por pasojat e zemërimit të tij. Në fakt kësaj figure i janë kushtuar këngë folklorike jo vetëm në Jug të vendit tonë, por dhe në Veri. Po ndërsa në Veri, në figurën e Ali Pashait, shqiptarët e robëruar por liridashës kishin identifikuar kryetrimin, te i cili kishin varur shpresat për çlirim, edhe pse ai zyrtarisht ishte një pasha i Turqisë, por që në një moment të caktuar nuk e kishte pranuar autoritetin e Sulltanit, duke shfaqur haptas qëndrimin e tij për çlirim, në këngët folklorike të Jugut, figura e A. Pashës nuk shihet vetëm si Pashai që i bëri qëndresë Turqisë, por përmendet masakra ndaj Kardhiqit e Hormovës. Ashtu si e vërteta historike, në disa trajtohet si hero e në disa si tiran, por admirimi popullor për këtë figurë nuk mungon. Ali Pashë Tepelena është një nga shqiptarët që tregoi dhe shpalosi forcën gjenuine të racës dhe gjenit kombëtar.

Kakodhiqi pse s’ka lule/ Mbajnë zi për të zotë/Për të zestë kardhiqotë…

Hakmarrja e A. Pashës ndaj Kardhiqit e Hormovës herë është shpjeguar për shkaqe familjare, e herë politike si zona konspiracioni të armiqve të Ali Pashës nën patronazhin francez, por cilidoqoftë shkaku, më 1784 Aliu do të hakmerrej ndaj Hormovës, duke djegur e shkatërruar fshatin, duke vrarë burrat dhe pjekur të gjallë Çaush Priftin, ish-ekonomatin e pronave të tij, ngjarje që përshkruhet kështu në këngë e që e njohin të gjithë në Jug, veçanërisht, vargjet e fundit:

Ali Pasha kur qe djalë/Në Hormovë e kish inanë/Përmbi Çaush kapetanë…

Çaush prift, Çaush Hormova/Dhjamë e dyllë të pikova/Dot besënë s’ta ndrova

Si jehonë e Lidhjes së Prizrenit, në Gjirokastër u mblodh Kuvendi më 1878. Edhe për këtë ngjarje populli këndoi:

Kurvelesh e Gegëri/Ç’na hodhe në Ergjëri/Tek Abdyl bej Frashëri…

Të këtij cikli janë dhe disa krijime ku urrejtja ndaj bejlerëve dhe agallarëve fillon të rritet e bashkë me të dhe mosbindja.

Ju bejlerë e agallarë / Haroni kohën e parë…

Shumë nga këngët në këtë botim shoqërohen me një shpjegim të brendisë apo kontekstit historik nga vetë Musineja. Kjo i bën ato të qarta dhe kupton se pavarësisht se kanë lindur në një fshat, në kohë mynxyre, bartin universialitet për botën shqiptare.

Jo pak kwngw brenda këtij vëllimi kanë elemente humoristike. Me sa kemi vënë re, shumica e tyre i përkasin qytetit të Gjitokastrës. Kjo është e dallueshme lehtë jo vetëm për shkak të emrave, patronimeve, toponimeve, por dhe të folmes karakteristike të këtij qyteti. E qeshura sjell me vete gjithmonë një kritikë. Përpara këtij humori nuk ka tabura, persona, veprime a dukuri të paprekshme. Si vajzë e shkolluar, Musineja i ka mbledhur e shkruar, megjithësë ato prekin drejtpërdrejtë emra dhe familje konkrete gjirokastrite, vese e bëma që për ngarkesën emocionale e morale mund të “molloiseshin” në qytet nën zë. Ato janë shumë në këtë botim si: “O Muslli, mustaqezi”, “Se ç’e dredh atë mustaqe”, “Cër -cër -cër ia bën tigani”, “Kungull natë e kungull ditë”, “Moj portokale bashtesë”, “Salushia dyzet groshë”, “Cëngër mëngër cfakat- o” etj. Në këto këngë ironizohet tradhtia bashkëshortore:

Moj Nefo, moj qafëgjatë/Ç’e keshe Diko Muratë/Që të vin natë për natë?

Shpotiten gra dembele dhe të pazonjat për punë:

Kur mer gjëlpërën e qep/ Dizet dit me një jelek…

Kritikohet autoriteti i vjerrave:

Manxuranë e penxheresë/Foli plakë gomaresë/Njëqind vjeç, e s’mund të vdesë/Ju bë havale së resë…

Të gjithë përsonazhet dhe historitë e këtyre këngëve janë shpjeguar pa drojë nga Musineja deri në detaj, ashtu siç ka qenë opinioni gjirokastrit për to.

Në këtë botim gjen mjaft krijime lirike. Dashuria si vlerë dhe dimension kulturor i njeriut përbën gjithashtu një nga temat themelore të poezisë popullore. Kenga popullore nuk e sheh dashurine te shkeputur nga thelbi i saj shoqeror. Në këto këngë së pari bie menjehere në sy mënyra e veçante se si populli ndërton portretin fizik të vajzës. Ajo cilësohet si hënë, floriri, këmbë e dorë ergjënda, ballë kollonatë, kumbull zerdeli etj.

Në disa prej këngeve të këtij botimi, krijohet humor, sepse në vend të hireve të vajzës i vihen në dukje të metat. Kjo ndihmon për të kuptuar edhe shijen estetike të popullit, zbulon evoluimin e kanoneve etike popullore:

Moj e shkurtëra pa mes/ Qafë shute e bithë thes.

Një vend të veçantë zënë këngët rreth lodrave që përsëri duket se i takojnë qytetit të Gjirokastrës. Disa evokojnë lodra të vjetra fëmijësh, disa të tjera janë këngë që gjyshet ua thonë afer vatrës fëmijëve. Ato nuk kanë apo përcjellin ndonjë kuptim, por vetëm janë lojëra fjalësh me rimë. Fjala në këtë rast bëhet mjet loje, tingujt e saj me larminë dhe kombinimet bëhen mjet zbavitës. Gjyshet gjirokastrite, të pashkolluara sajonin të tilla këngë për të “rreshtur“ fëmijët ose për t’u hequr mendjen nga ndonjë shqetësim. Kur iu mpihej dora ato këndonin:

Këtu mbi, këtu shkri/ Këtu shkuanë ca dhi/Këtu ka një thes me kashtë/Duallnë gjëmbat jashtë

Të gjitha zhanret e folklorit tonë gjenden në këtë botim s’mungojnë as këngët e vajit, ninullat, fabulat. Të gjitha duket sikur kompozojnë në këtë botim një teatër, realizimi praktik i të cilit ndodh në një shtëpi të thjeshtë gjirokastrite apo të një krahine tjetër të Jugut. Kjo të kujton vlerësimin kaderian për poezinë popullore: “Për shumë shekuj me radhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia arkivi, kujtesa kombëtare mesazhi i transmetuar nga brezi në brez.„

Të gjitha krijimet të përfshira në këtë botim nuk janë dufe të rastësishme të krijuesit popullor, por përvoja e filozofi popullore e akumuluar në shekuj.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com