Kristo Floqi, letrari që la trashëgimi të madhe në letërsinë shqipe

Dr. Paulin Marku

Kristo Floqi, lindi më 24 Maj 1876 në Korçë. Ai ishte një personalitet i shquar që spikati në fusha të ndryshme gjatë gjysmës së parë të shek. XX. Për të përshkruar figurën dhe veprimtarinë e Kristo Floqit duhet të analizojmë botimet e tij dhe të bashkëkohësve të Floqit. Ai spikati në disa fusha të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kristo Floqi dëshmoi se ishte një atdhetar, politikan, jurist, editor, letrar e dramaturg i spikatur që dha një kontribut të çmuar edhe për letërsinë e kulturën shqiptare në përgjithësi. Kristo Floqi ishte i diplomuar në fakultetin e drejtësisë me rezultatë të larta por arritjet e tij janë në fusha të ndryshme, si: politike, juridike, gazetarisë, letërsisë e dramaturgjisë. Kristo Floqi njihte disa gjuhë të huaja. Ai lexonte vepra të ndryshme botërore për të pasur formim sa me të plotë, jo vetëm në fushën juridike por dhe politike, letrare e dramaturge. Trashëgimia e tij në fushën e letërsisë e dramaturgjisë, botuar brenda dhe jashtë Shqipërie është e madhe. Mund të përmendim disa prej tyre, si: Për bashkimin e shoqërive “Dielli” Boston 1912; Federata Pan shqiptare Vatra “Dielli”, Boston 1912; Bashkimi i shoqërive mori fund “Zëri i Popullit”, Nëw York 1913; Fe e Kombësi, Sofje 1914; Liria Kombëtare, Gjenëve 1929; Dëshmorët e Rilindjes, Tiranë 1935; etj, etj …

Në Historinë e Popullit Shqiptar, Vëllimi III, botime Toena 2007 e cilësojnë Floqin si një prej dramaturgëve më me zë. Kristo Floqi botoi, me 1938 në Korçe dramën me katër aktë “Triumfi i Lirisë”. Dramaturg i talentuar, ku njeri prej tyre ishte dhe Kristo Floqi, se bashku me Et’hem Haxhiademi, Ndre Zadeja, Vicens Prendushi, etj., patën kulturën historike që t’i referohen lashtësisë, që për nga tëmatika dhe filozofia e përdorur mund të përkonte me mendësitë e kohërave modern të botës shqiptare, e cila kërkonte rilindje dhe përtëritje në mënyrë që vepra të jetë sa më e plotë në të mire të zhvillimit të letërsisë.

Kristo Floqi është autor i shumë veprave dhe artikujve të ndryshme, si: letrare, dramaturgjike e komike, të karaktërit politik e juridik me kontribut të çmuar në fushën e drejtësisë për të drejtën konstitucionale.

Aktiviteti i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një tjetër moment i rëndësishëm për të lenë gjurmë në fushën e gazetarisë. Ai pati takime me shqiptarët e diasporës dhe arriti të krijoje lidhje dhe të organizojë takime të ndryshme me shoqatat shqiptare në ShBA. Ftesa që i erdhi për të drejtuar gazetën “Dielli” ishtë një vlerësim që i bëhej atij, si dhe një mundësi e mirë për të njohur nga afër shoqata të ndryshme shqiptare dhe komunitetin shqiptar. Pasi mori ftësën më 20 shtator 1911, nga Shoqëria Besa-Besën për të marre gazetën “Dielli” ai pati mundësi të shpalostë idenë me synimin që shqiptaret të evitonin ndasitë dhe përçarjet krahinore. Floqi i mëshontë faktit se vetëm në qoftë se shqiptaret janë të bashkuar, siç ndodhi pak me vonë me bashkimin e shoqërive të ndryshme shqiptare në “Federatën Pan-shqiptare Vatra” dhe forcim e gazetës “Dielli” dhe të “Vatrës”, komuniteti shqiptar do të shfaqej më i bashkuar për të shpërndarë frymën kombëtare në ShBA. Zoti Floqi e mori Diellin më 21 shtator 1911 deri me 18 korrik 1912. Paraardhësi i tij, Efthim Natsi kishtë drejtuar Diellin deri 14 shtator 1911. Ndërsa pas Floqit, gazetën e drejtoi Faik Konica për periudhën 1 gushti 1912 deri me 8 korrik 1913. Ajo që evidentohet gjatë kësaj periudhe, kur ishte editor edhe Floqi është fakti se ditoret e Diellit ndryshonin shpesh.

Në vitet 1920-1925 një ndër komponentët kryesor për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar ishte edhe zhvillimi i arsimit në rang kombëtar. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan tri kongrese arsimore për të diskutuar idetë e ndryshme për zhvillimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Në këtë periudhë shërbyen personalitete të shquara në fushën arsimore, si: Sotir Peci, Kristo Floqi, Aleksander Xhuvani, Rexhep Mitrovica, etj… .

Floqi ishte ministër Arsimi në kabinetin e formuar dhe drejtuar nga Iliaz Vrioni. Një ndër përparësitë që pati kjo qeveri, edhe pse për një periudhe relativisht të shkurtër, 15 nëntor 1920 – 1 korrik 1921, ishte zhvillimi i Arsimit që iu besua Kristo Floqit.

Kristo Floqi ishte dy herë deputet, një herë në qarkun e Dibrës dhe herën tjetër në Korçë. Më 5 prill 1921 përfunduan zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri. Kristo Floqi fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Dibrës. Gjatë periudhës ndërmjet vitëve 1921 deri në vitin 1925 në Shqipëri kemi ndryshime të shpeshta të qeverive, të cilat nuk arrinin të përmbushnin një mandat të plotë në legjislaturën parlamentare. Për periudhën që flasim, kemi ndryshime të shpeshta në kabinet dhe në qeveri, të cilat qëndruan në pushtet me periudha kohore të shkurta, si ato disa ditore, javore apo disa mujore.

Kristo Floqi merr mandatin e dytë të deputetit në Korçë, në zgjedhjet politike që përfunduan, më 17 maj 1925. Ai ishtë deputet në Parlamentit e Shqipërisë për periudhën 1925-1928.

Kristo Floqi ishtë diplomuar në fakultetin e drejtësisë në Athinë, Greqi. Aktiviteti i tij shtrihej dhe në fushën e drejtësisë, duke mbuluar funksione të ndryshme, përfshirë dhe si avokat në qytete të ndryshme. Ai u kthye në vendin e origjinës për të punuar si avokat. Pas disa konsultimesh me të afërm dhe miq, vendosi të haptë një studio avokatie në Korçë. Në një hark kohor relativisht të shkurtër emri tij po konsolidohej gjithnjë e më shumë. Falë zotësisë, ai arriti të fitonte disa gjyqe dhe emri i tij filloi të përhapej me shpejtësi dhe konsiderohej si një prej avokatëve më të zotët në Korçë. Po ashtu ai ushtroi profesionin e avokaturës dhe në qytete të tjera si Vlora, Shkodra, etj… .

 Regjimi komunist ishte i ashpër edhe për Kristo Floqin ashtu si ndodhi me shumë intelektualë të tjerë, me persekutime, burgosje e internime. Ai ndërroi jetë në vitin 1951. Përgjatë periudhës komunistë vepra dhe aktiviteti i Kristo Floqit u la në pluhurin e harresës. Duhet thënë, edhe sot që ne flasim studimet rreth figurës së Kristo Floqit janë të pakta. Botimi i librit të profesoreshë, Jonela Spaho, “Kristo Floqi, Koha dhe vepra e tij letrare”i botuar në vitin 2020 është një kontribut i çmuar për lexuesit dhe plotëson një boshllëk të madh rreth figurës dhe krijimtarisë së Floqit.

Në përfundim mund të thuhet se, veprimtaria e Kristo Floqit është e gjërë dhe ekzistojnë shumëllojshmëri temash dhe argumentësh ku mund të lëvrohet jeta, figura dhe karriera e shumanshme në shërbim të çështjes kombëtare, letrar-dramaturge si dhe profili i tij politik e juridik. Kristo Floqi informonte shqiptarët e diasporës në SHBA nëpërmjet shkrimeve të botuara në gazetën Dielli ku ishte edhe editor i saj. Ai trajtonte tema të ndryshme si ato historike, letrare e kulturore që lartësonin vlerat kombëtare. Veprimtaria e gjërë dhe e larmishme e Kristo Floqit në politikë, gazetari, në fushën e drejtësisë, letërsisë e dramaturgjisë janë një kontribut i çmuar dhe me rëndësi të madhe për shqiptarët dhe për brezat e ardhshëm.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com